Lajme nga vendi
Ganiu për parkingun e uzurpuar të Poliklinikës “Bit Pazar”: Adresa për këto punë devijuese është te Qeveria

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, në një bisedë me gazetarin e Portalb.mk, i hodhi poshtë pretendimet e Qeverisë, Inspektoratit Shtetëror Ndërtimor, por edhe kryetarit të BNJVL-së se Komuna e Çairit është kompetente për të vepruar në lidhje me hapësirën e uzurpuar mbrapa Poliklinikës së “Bit Pazarit”, e cila përdoret si parking me pagesë ndër vite në mënyrë ilegale . Sipas tij, kompetentë për të vepruar janë Spitali, inspektorati, ndërkaq adresa për të gjitha këto punë devijuese dhe destruktive është te Qeveria.
“Të gjitha ato parcela që janë në oborrin e Poliklinikës janë në pronësi të Poliklinikës dhe ato gjenden në territorin e Çairit, por Poliklinika i ka në pronësi dhe Poliklinika nuk menaxhohet nga Komuna e Çairit, por nga pushteti qendror. Kjo është për ta hedhur fajin ose topin në një tjetër terren që nuk është korrektësi. E kuptoj kryetarin e BNJVL-së që ka dhënë një intervistë të tillë, por ai nuk është i njoftuar me gjithë këto punë. Ne kemi kërkua që të gjitha parcela, në të ardhmen, nga Qeveria t’i marrim që t’i bëjmë, e dini me projektin e fundit me zotëri Pacollin, që të bëjmë garazhe në kate. Një dritë të tillë nuk e kemi marrë, ligji për investime strategjike nuk kaloi dhe nuk di se si ne t’i menaxhojmë parkingjet, kur ju e dini se parkingjet menaxhohen nga Qyteti i Shkupit – nga Ndërmarrja për Parkingje që është e themeluar dhe të gjitha pëlqimet për çdo parking duhet të merren nga ajo ndërmarrje”, thotë Ganiu.
Kryetari i Çairit thotë se nuk është korrekt që për oborrin e dikujt tjetër në kronikë të zezë të bëhet Komuna e Çairit.
“Kështu që, ne jemi në procedurë për disa parcela të cilat janë direkt në pronësi tonën që t’i shndërrojmë në parkingje edhe që t’i marrim pëlqimet, procedura duhet të kalojë te ndërmarrja e Qytetit të Shkupit. Kështu që, e dini, rasti që ndodhi me Poliklinikën ku u prish gardhi, hynë brenda – prapë e lidhnin Komunën e Çairit, mendoj që është jokorrektësi, kur dikujt tjetër i hyn në oborr dhe merren me atë – pra organet e rendit kanë intervenuar, njerëzit i kanë larguar, por prapë se prapë kronikë e zezë ishte Komuna e Çairit që nuk ka asnjë kompetencë për oborrin e dikujt tjetër. Edhe universiteti “Shën Kirili” është pjesë e Komunës Qendër, por aty çka ndodh brenda nuk është përgjegjëse Komuna Qendër. Edhe te ne, nuk jemi ne përgjegjës. Mirë që intervenuan organet e rendit, por mendoj që nuk duhet të lidhemi ne pasi që s’kemi që të bëjmë atje se s’kemi kompetenca”, tha Ganiu .
I pyetur me parcelën tjetër, që është në tokë shtetërore, Ganiu thotë se për këtë duhet të intervenojnë inspektoratet shtetërore, por sipas tij, këto inspektorate nuk e kryejnë punën në Çair.
“Në lidhje me parcelën tjetër e cila është tokë shtetërore, aty duhet të intervenojë dikush tjetër – Inspektorati i Tregut, inspektoratet tjera që nuk janë në kompetencat tona dhe të shkon të kërkon se si punojnë ata njerëz atje. Ne kemi alarmuar disa herë, kemi ngritur iniciativa, por në terren nuk dalin inspektoratet tjerë bashkë me MPB-në, atëherë është e kotë. Ne kemi dalë disa herë nëpër intervista dhe kemi thënë që Inspektorati i Tregut nuk e kryen punën e tij në Çair. Nuk e kemi vetëm atë, kemi terasa të hapura për çka nuk vijnë të reagojnë, kemi veprimtari të ndryshme se në bazë të çfarë dokumenti janë hapur. Pra, ato nuk i ka komuna si kompetencë, por Inspektorati i Tregut që duhet t’i menaxhojë dhe kontrollojë, jo ne”, tha Ganiu.
Ai kërkoi që të shtrihet decentralizimi dhe t’i jepen Komunës së Çairit kompetenca, por sipas tij, Qeveria çdo send mundohet ta mbajë për vete.
“Për atë ne flasim çdoherë që pushtetarët tanë, qeveritarët tanë duhet më tepër t’u japin komunave kompetenca dhe kërkojmë sa më tepër decentralizimi të shtrihet prej pushtetit qendror të shtrihen kompetencat te pushteti vendor. Një gjë të tillë nuk e bën ekzekutivi, pasi që çdo send mundohet ta mbajë në kontroll dhe jorastësisht e kemi epitetit, zyrtarisht jemi pas Qipros, shteti i dytë më i centralizuar. Adresa për të gjitha këto punë devijuese dhe destruktive është te Qeveria”, tha Ganiu.
Ndryshe, pas një hulumtimi disa-javor, Portalb.mk publikoi se mbrapa objektit të Poliklinikës së Bit Pazarit, qytetarët detyrohen të paguajnë për parking, pavarësisht se parcelat janë në pronësi shtetërore dhe janë të uzurpuara. Paratë e qytetarëve shkojnë në mënyrë të paligjshme në xhepa të personave privat, në vend që të shkojnë në arkën e Spitalit, komunës apo të shtetit.
Hulumtimin e plotë mund ta lexoni: Parkingu i Poliklinikës “Bit Pazar” i uzurpuar, Komuna e Çairit lejon paratë e qytetarëve ilegalisht të hyjnë në xhepa privat
Lajme nga vendi
Njëmbëdhjetë persona në kontakt me të punësuaren e hospitalizuar në Klinikën infektive nën mbikëqyrje 14-të ditore

Njëmbëdhjetë persona në kontakt me një të punësuare të shtruar në Klinikën infektive janë nën mbikëqyrje 14-të ditore, pasi ajo është diagnostikuar me ethe hemorragjike krimea kongo, informoi sot Renata Mlladenovska, drejtore e Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (ISHSSH).
“Pas marrjes së informacionit nga Instituti për Shëndet Publik, të njëjtën ditë, pra më 5 gusht, ekip i epidemiologëve nga Qendra për Shëndet Publik – Shkup, ka kryer kontroll epidemiologjik, janë bërë anketa dhe kontakte. Informacioni është ndarë dhe me ISHSSH-në dhe si institucion lëshuam edhe 11 zgjidhje, ato janë kontakte të tashmë pacientes së shtruar e cila është edhe e punësuar në Klinikën infektive. Ato 11 kontakte do të jenë nën mbikëqyrje shëndetësore 14-ditore”, tha Mlladenovska.
Ajo sqaroi se çfarë nënkupton mbikëqyrja shëndetësore.
“Pacientja, përkatësisht kontaktet do të duhet të paraqiten dhe të jenë në kontakt të vazhdueshëm me epidemiologun kujdestar nga Qendra për Shëndet Publik – Shkup, nuk është izolim klasik, megjithatë nuk duhet të kenë kontakt me të tjerët – nëse është familja e ngushtë, thjesht të durojnë këto 14 ditë që të mos përhapet ky infeksion dhe shpresoj që ky të jetë rasti i fundit. Sa u përket 29 kontakteve të mëparshme, nga ato 29 kontakte, një është konfirmuar si rast, kemi mbikëqyrje shëndetësore, vendime të marra për 40 persona”, ka thënë Mlladenovska.
E pyetur nëse këta 11 kontakte janë të gjithë nga Klinika infektive apo familja, ajo sqaroi se nga këta 11, dhjetë persona janë nga familja e ngushtë e pacientes dhe një kontakt është e një kolege të saj poashtu nga Klinika infektive.
Më herët, kryetari i Komisionit për Sëmundje Infektive, Zllate Mehmedoviq, tha për MIA-n se Komisioni absolutisht qëndron prapa asaj që është bërë nga Instituti i Shëndetit Publik, masat e ndërmarra dhe rekomandimet që jepen.
Nga ajo që kanë parë, shtoi ai, rasti i parë është rast i infektimit të drejtpërdrejtë, ndërsa i dyti me gjasë është gjatë transmetimit përmes gjakut të kontaminuar.
Në rastin e parë të infeksionit të drejtpërdrejtë ndërroi jetë një paciente 27-vjeçare, pas infektimit nga pickimi i rriqrës.
Lajme nga vendi
Dogana e Maqedonisë ka konfiskuar fletobligacione në vlerë 92 milionë dollarë nga një shtetas i Turqisë

Drejtori i Doganave, Stefan Bogoev në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp njoftoi se Doganat e Maqedonisë së Veriut kanë konfiskuar fletobligacione në vlerë të 92 milionë dollarëve, shkruan TV21. Bogoev tha se janë konfiskuar 184 fletobligacione me vlerë të veçantë nominale prej 500 mijë dollarëve.
“Obligacionet janë gjetur tek një udhëtar, shtetas i Turqisë, i cili ka ardhur me fluturim të rregullt nga Stambolli dhe është përcaktuar për të kaluar në të ashtuquajturin “kanal i gjelbër”, respektivisht se nuk ka mall për të deklaruar, ndërsa gjatë kontrollit me skaner dhe kontrollit shtesë të detajuar, tek i njëjti janë gjetur në 4 dosje brenda një çante të zezë”, tha mes tjerash Bogoev duke shtuar se personi në fjalë është dënuar nga gjykata e vendit, ndërsa fletobligacionet i janë dorëzuar Agjencisë për Menaxhim me Pronë të Konfiskuar.
Lajme nga vendi
100 ushtarë nesër nisen për në Slloveni, janë kërkuar mjete materiale dhe teknike

Nesër në mëngjes ushtarët maqedonas duhet të nisen për në Slloveni, ku do të ndihmojnë në përballimin e përmbytjeve katastrofike. Këtë e theksoi sot ministrja e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska, duke theksuar se nuk ka pasur vonesa në ndihmën e ofruar.
Që në momentin e parë kur ndodhi aksidenti, e gjithë maja e shtetit kontaktoi autoritetet atje dhe ne i dhamë mbështetjen tonë vetëmohuese. Nga ata na thanë se sapo të bëjnë analizat do të dorëzohen kërkesat dhe kanë mbërritur dje. Për këtë kemi reaguar menjëherë dhe sot në seancën e Qeverisë do të marrim vendim që të dërgohen 100 ushtarë nga përbërje të ndryshme, të cilët do t’u përgjigjen nevojave të ushtrisë dhe shtetit slloven, tha Petrovska.
Ministri sqaroi se ushtarët tanë tashmë janë gati. Në kërkesë thuhet se kërkohen 200 ushtarë.
Sipas saj, janë kërkuar mjete të tjera materialo-teknike të cilat nuk jemi në gjendje t’i dorëzojmë.
Presidenti Stevo Pendarovski dje në bisedë me presidenten sllovene Natasha Pirc-Musar shprehu keqardhje dhe keqardhje për Slloveninë dhe gjithë banorët e saj për humbjet dhe dëmet e pësuara nga vërshimet, të cilat ishin të përmasave të mëdha, dhe shprehu gatishmërinë për të ndihmuar.
-
Lajme nga vendi1 year ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi1 year ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi9 months ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve