Connect with us

Lajme nga vendi

Gjendja e rrugëve

Published

on

Komunikacioni në rrugët shtetërore zhvillohet pa probleme, nëpër rrugë kryesisht të lagështa.

Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë së Veriut nuk ka pritje më të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.

LAMM rekomandon shpejtësi të adaptuar të lëvizjes, respektimin e sinjaleve të vendosura të komunikacionit e veçanërisht drejtim të kujdesshëm të automjetit, posaçërisht në rrugët nëpër gryka malore, ku ekziston mundësia e rrëshqitjes së dheut. Kjo vlen veçanërisht për akset rrugore Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.

Për shkak të rritjes së nivelit të ujit të lumit Radika, nga data 16.12.2022 është shembur ura që çon në fshatrat Nistrovë, Bibaj, Tanushë, Grekaj dhe Nivishtë (Komuna e Mavrovës dhe Rostushës).

Nga data 15.11.2022 filloi detyrimi ligjor për posedim të detyrueshëm të pajisjeve dimërore në automjete, pavarësisht gjendjes momentale të motit. Ky detyrim do të zgjasë deri më 15.03.2023. Më shumë informacione mund të lexoni në këtë link.

Advertisement

Aksi rrugor Ohër – Resnjë, përmes parkut nacional Galiçicë është i mbyllur për komunikacion prej 01.11.2022 për të gjitha llojet e automjeteve.

Sipas informacioneve të DGT Zhikoll, për shkak të punimeve ndërtimore në rrugën shtetërore A2, aksi Miladinoc – Hipodrom, komunikacioni në autostradë do të zhvillohet sipas regjimit të përkohshëm.

Për shkak të kryerjes së punimeve në rrugën e shpejtë nga Gradsko deri në Drenovë, në rrugën shtetërore A1, aksi Veles – Negotinë, do të zbatohet ndryshim i përkohshëm i regjimit të komunikacionit. Regjimi i përkohshëm do të zbatohet në të dyja drejtimet në autostradën E-75. Komunikacioni do të zhvillohet pa probleme, me shpejtësi V=80 km/h në zonën e sheshndërtimit. Regjimi do të zbatohet deri në ndërtimin e plotë të qarkores së re Gradsko.

Nga data 03.11.2022 filluan punimet ndërtimore në rrugën shtetërore A4, Bllacë – Shkup. Punimet ndërtimore fillojnë me mbylljen e plotë prej 11 + 056 km deri në 12 + 369 km dhe riorientimin e komunikacionit nëpër rrjetin e komunikacionit përreth.

SH.N. Ilinden – Strugë njofton se në aksin rrugor Kërçovë – Ohër, në seksionin nga fshati Trebenishtë – Ohër prej datës 13.10.2022 është vendosur regjim i ndryshuar i komunikacionit. Pjesëmarrësit në komunikacion rekomandohen që t’i respektojnë sinjalizuesit e vendosur dhe ta përshtatin shpejtësinë sipas kushteve të rrugës.

Advertisement

Në rrugën rajonale R1102, gjegjësisht seksioni Veles – Gradsko, për shkak të punimeve ndërtimore, aksi në fjalë do të jetë i mbyllur për qarkullim nga data 28.09.2022. në 9 muajt e ardhshëm komunikacioni do të zhvillohet sipas regjimit të përkohshëm të komunikacionit.

STRABAG AG njofton: Në bazë të Miratimit për ndryshim të përkohshëm të regjimit të komunikacionit në rrugën shtetërore A1 – aksi Veles-Negotinë, të dhënë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve me numër 11-rr-46/4, nga 21.07.2022, që ka të bëjë për ndërtimin e pjesës së re Gradsko (si pjesë e autostradës A1), në pjesën e lartpërmendur do të kryhen punime ndërtimore edhe në 12 muajt e ardhshëm, ndërsa do të zbatohet ndryshim i përkohshëm i regjimit të komunikacionit.

Regjimi i përkohshëm do të zbatohet në të dyja akset rrugore të autostradës E-75, në zonën e ndërtimit të unazës së re Gradsko edhe atë në drejtim të pikës kufitare Bogorodicë dhe në drejtim të vendkalimit kufitar Tabanoc. Komunikacioni do të zhvillohet nëpër korsinë për komunikacion, ndërsa nuk do të mund të lëvizë në korsinë e tejkalimit.

SHN Granit SHA Shkup njofton se në pajtim me miratimin e lëshuar për regjim të përkohshëm të komunikacionit gjatë ndërtimit të autostradës A4, segmenti VK “Bllacë” – Shkup ( qarkorja “Stenkovec”) Nënaksi 1 – zgjerimi i rrugës ekzistuese A4 nga VK “Bllacë” deri në fshatin Bllacë në nivelin e autostradës dhe ndërtimi i një pjese të autostradës me qarkore për lidhje me rrugë lokale për në fshatin Bllacë, para pikës kufitare “Bllacë” nga 17.06.2022. në vendin e punimeve të ndërtimit zhvillohet regjim i përkohshëm i qarkullimit të dyanshëm me sinjalizues përkatës.

Sipas informacionit të Shoqatës për Ndërtimtari Pellagonia SHA Gostivar, prej të martës 05.09.2022 do të fillojnë aktivitetet ndërtimore për sanimin e rrëshqitjeve të dheut në km 19+500 (afër fshatit Glloboçicë) dhe 24+000 (afër fshatit Llukovë) në rrugën rajonale R1001 aksi Strugë – Dibër. Komunikacioni po zhvillohet në mënyrë alternative dhe është rregulluar me semaforë.

Advertisement

“Stenton gradba SHPK” njofton për ndryshim të përkohshëm të regjimit të komunikacionit në rrugën shtetërore A1, segmenti Gradsko-Prilep (Farishë-Prilep), konkretisht pas urës në lumin Raec drejt Pletvarit për shkak të aktiviteteve ndërtimore nga data 02.03.2022. në lidhje me projektin Rehabilitimi i rrugës shtetërore A1, pjesa Farish-Prilep dhe do të zgjasë në12 muajt e ardhshëm. Për shkak të punimeve ndërtimore do të ketë ndryshim të qarkullimit në dy korsi, drejtuesit e mjeteve duhet t’i respektojnë sinjalizuesit e vendosur në rrugë dhe të lëvizin me shpejtësi të ulur gjatë kalimit në aksin ku po zhvillohen punimet.

SHN Beton SHA – Shkup njofton se po realizohen punime ndërtimore për rehabilitim me zgjerim në Rrugën shtetërore A1, seksioni Petrovec – Katllanovë (korsia majtas dhe djathtas). Në vendin e zbatimit të punimeve ndërtimore zbatohet regjim i përkohshëm i komunikacionit me sinjalizuesit e duhur të komunikacionit. Komunikacioni zhvillohet pa ndërprerje.

Në aksin rrugor A2 Kërçovë – Ohër, për shkak të punimeve ndërtimore në disa akse, komunikacioni po zhvillohet me devijime. Është vendosur sinjalizim adekuat rrugor dhe prandaj rekomandojmë respektim të rreptë të të njëjtit dhe shpejtësi të adaptuar të lëvizjes.

Advertisement

Lajme nga vendi

PDSH njofton për aktivitetet e riorganizimit të partisë

Published

on

Dega e Tetovës e Partisë Demokratike Shqiptare njofton se është caktuar mbajtja e Kuvendit Zgjedhor të Degës më 13 dhjetor, ditën e shtunë, në ora 11:30. Kjo është bërë e ditur gjatë një pres konference me gazetarë në selinë e partisë në Tetovës.

“Gjatë periudhës së fundit, Dega e Tetovës ka zhvilluar një proces të rëndësishëm konsolidimi të brendshëm, i cili ka përfshirë hapjen e degës ndaj prurjeve të reja, verifikimin e anëtarësisë aktuale dhe rritjen e transparencës së brendshme. Ky proces ka krijuar bazën e nevojshme për zhvillimin e një kuvendi të rregullt, përfaqësues dhe plotësisht në përputhje me statutin e Partisë Demokratike Shqiptare. Kuvendi Zgjedhor i 13 dhjetorit përbën një moment të rëndësishëm për Degën e Tetovës, ku do të zgjidhen organet e reja drejtuese: Kryetari i Degës dhe Kryesia e Degës, të cilat do të kenë përgjegjësinë të udhëheqin punën e degës me efikasitet dhe vizion të qartë”, deklaroi Fatmire Isaki, anëtare e këshillit koordinues për riorganizim.

Më tej nga Partia Demokratike Shqiptare thonë se procesi i forcimit të degës nuk përfundon me këtë kuvend. “Ai do të vazhdojë përmes bashkëpunimit të rregullt me anëtarësinë aktuale, pranimit të anëtarësimeve të reja, zgjerimit të përfshirjes së grave dhe të rinjve, forcimit të kapaciteteve organizatave dhe intensifikimit të komunikimit me qytetarët e Tetovës, me qëllim sigurimin e një funksionimi transparent, efikas dhe të përgjegjshëm të degës. Në vijim, dëshirojmë të nënvizojmë se procesi i konsolidimit dhe riorganizimit të strukturave të partisë nuk kufizohet vetëm në Degën e Tetovës”, tha Fatmire Isaku nga PDSH-ja.

Sipas saj, ky është një proces i planifikuar dhe i koordinuar, i cili do të vazhdoje edhe në degët tjera te Partisë Demokratike Shqiptare, me qëllim forcimin e funksionimit të tyre, rritjen e efikasitetit organizativ dhe garantimin e një përfaqësimi sa më të drejtë, transparent dhe funksional ne mbarë strukturën e partisë.

Continue Reading

Lajme nga vendi

‘Qyteti i Sigurt’ i pasigurt: Të dhënat personale në rrezik, njoftimet shkojnë edhe te njerëzit e gabuar

Published

on

Qytetarët në Maqedoninë e Veriut po përballen me njoftime të pasakta nga sistemi ‘Qytet i Sigurt’ (Safe City). Gabimet në numrat e telefonit dhe adresat elektronike bëjnë që dënimet të dërgohen te njerëzit e gabuar. Kjo e rrit rrezikun për keqpërdorim të të dhënave personale dhe i ekspozon qytetarët ndaj abuzimeve të mundshme, shkruan Portalb.mk.

Që në fillim të dhjetorit, në Shkup hyri në fazën e testimit sistemi i kamerave ‘Qytet i Sigurt’ i cili detekton shkeljet në trafik dhe qytetarët marrin menjëherë njoftimet për shkeljet dhe dënimet ( të cilat do fillojnë të aplikohen nga janari 2026) përmes sms porosive dhe adresave elektronike (e-mail).

Shkelje në trafik apo shkelje e të dhënave personale

Këto njoftime hapën një dilemë të madhe për shkak se njoftimet shkonin edhe në numra dhe e-maile të gabuara, për çka qytetarët filluan të shqetësohen për të dhënat e tyre personale.

Në këto njoftime figurojnë të dhënat personale si: Emri, mbiemri, numri amë, numri i letërnjoftimit, adresa, numri i telefonit dhe emaili.

‘Javën e kaluar mora sms porosi nga Ministria e Brendshme për shkelje në trafik, kur e hapa gjithçka ishte në rregull deri sa e pash se e-maili ishte gabim, kjo më shqetësoi sepse të gjithë të dhënat e mia personale ishin dërguar në adresë elektronike të tjetër kujt. Unë nuk e di nga e kanë nxjerrë atë e-mail, shumë mirë më kujtohet se kur e kam regjistruar veturën ua kam dhënë e-mailin tim personal, dhe për këtë kam vërtetim në e-mail”, tha një qytetar.

Advertisement

Raste të ngjashme u kanë ndodhur shumë qytetarëve.

“Mua më erdhi njoftimi edhe në email edhe përmes mesazhit në telefon, të dy adresat i kisha në rregull, por kam dëgjuar nga miqtë se atyre ua kanë gabuar, që mendoj se është shkelje e privatësisë sepse aty ka shumë të dhëna personale”, tha një qytetare.

Përse është e rrezikshme kjo?

Dançe Danilovska Bajdevska, drejtoreshë programi në Fondacionin Metamorfozis thotë se gabimet në njoftimet nga sistemi Qyteti i Sigurt, siç janë numrat e telefonit ose adresat e email-it të futura gabimisht, përbëjnë rrezik serioz për mbrojtjen e të dhënave personale.

Ajo thotë se dërgimi i gjobave dhe informacionit të ndjeshëm (numri amë, data e lindjes, adresa e banimit, etj) në adresat e gabuara i ekspozon qytetarët ndaj mundësisë së keqpërdorimit, duke përfshirë qasjen e paautorizuar dhe mashtrim të mundshëm.

“Kjo gjithashtu përfaqëson shkelje të besimit në institucionet që menaxhojnë sistemin. Është urgjentisht e nevojshme të përmirësohen kontrollet dhe procedurat e sigurisë për të parandaluar lëshime të tilla dhe për të siguruar mbrojtje adekuate të të dhënave të të gjithë qytetarëve”, tha Danilovska Bajdevska.

Advertisement

Sipas saj, gjatë periudhës së testimit, kur gjobat nuk përpunohen, por shërbejnë si paralajmërime, të dhënat personale (numri amë, adresa e banimit, data e lindjes, etj.) duhet të fshihen për të shmangur keqpërdorimin e mundshëm.

“Edhe më shqetësuese është se pamë raste kur funksionarë publikë ndanë publikisht në rrjetet sociale raportet e marra për shkeljet në komunikacion, me qëllim të tregojnë trajtim të barabartë nga sistemi për të gjithë qytetarët. Por publikimi i të dhënave personale tregon nivel të ulët të vetëdijes për mbrojtjen personale në hapësirën digjitale”, përfundoi Danilovska Bajdevska.

Paralajmërime për azhurnimin e të dhënave

Avokati Vullnet Zenki përmes një njoftimi apeloi që kushdo që e shet apo ia tjetërson veturën dikujt tjetër, duhet patjetër të insistojë që transferi i pronësisë të bëhet menjëherë dhe vetura të kalojë në emrin e blerësit.

“Për shkak të sistemit Safe City dhe radarëve të vendosur nëpër vend , të gjitha gjobat automatike (shpejtësi, parkim, kamera rruge, etj.) do të vijnë në emrin e personit në të cilin figuron vetura, pavarësisht se kush e drejton realisht. Nëse vetura ende është në emrin tuaj, ju mbani përgjegjësinë ligjore dhe financiare. Zgjidhja: Pas shitjes, kërkoni që transferi i pronësisë të kryhet menjëherë në MPB, për të shmangur çdo problem”, tha Zenki.

Heshtje në MPB

Ministria e Punëve të Brendshme nuk u përgjigj në pyetjet gazetareske të Portalb.mk se pse lejojnë shkelje të tilla që njoftimet të shkojnë në adresa të gabuara dhe nëse kanë plan për ta zgjidhur këtë.

Advertisement

Ankesë në Kushtetuese dhe padi kundër MPB-së

Një grup qytetarësh paraqitën padi gjithëpërfshirëse në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar vlerësim të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së të ashtuquajturit sistem “Qytet i Sigurt” i zbatuar nga Ministria e Brendshme (MPB). Paralelisht me padinë, janë ngritur kallëzime penale në Prokurorinë Themelore Publike dhe në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër ministrit të Brendshëm Pançe Toshkovski dhe zyrtarëve aktualisht të panjohur.

Sipas ankuesve, sistemi i ri për sanksionimin e shkeljeve të trafikut – i cili parashikon dërgimin e urdhra.

Kamerat “Qytet i Sigurt” të instaluara në udhëkryqet e Shkupit regjistrojnë automatikisht shkeljet e trafikut duke filluar nga 1 dhjetori. Periudha provuese do të zgjasë deri në Vitin e Ri, ndërsa gjobat e para duhet të mbërrijnë më 1 janar.

Synimi është që deri në vitin 2030 të zvogëlohet dhe të përgjysmohet numri i aksidenteve në trafik.

Zbatimi i projektit “Qyteti i sigurt”, i cili në fazën e parë, përveç në Shkup, do të zbatohet edhe në Tetovë dhe Kumanovë.

Advertisement
Continue Reading

Lajme nga vendi

VLEN: Të vendosur për ta çmontuar kulturën e pandëshkueshmërisë

Published

on

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, VLEN kujton se kjo nuk është një ditë formale për deklarata boshe, por një alarm i fortë për një sëmundje që ka gërryer themelet e shtetit për vite me radhë.

Korrupsioni nuk është thjesht shkelje ligjore, është tradhti ndaj qytetarëve, vjedhje e së ardhmes dhe shkatërrim i besimit publik. Ai nuk luftohet me fjalë, as me dokumente për sy e faqe. Luftohet me vendime të guximshme, me njerëz të pastër dhe me refuzim të kompromisit me të keqen, dhe këtë po e bëjmë.

Shteti nuk pastrohet me deklarata, por me karakter. Institucionet nuk ndërtohen me propagandë, por me integritet. Dhe drejtësia nuk është luks, është detyrim. VLEN është e vendosur ta çmontojë kulturën e pandëshkueshmërisë dhe të ndërtojë një shtet ku pushteti nuk është privilegj por përgjegjësi.
Në këtë betejë, indiferenca është bashkëpunim me korrupsionin. Heshtja është mbështetje për padrejtësinë. Sot nuk mjafton ta dënojmë korrupsionin, duhet ta shkulim nga rrënjët.

VLEN mbetet e palëkundur: zero tolerancë ndaj korrupsionit, zero kompromis me krimin, zero frikë nga e vërteta.

Continue Reading

Më të lexuarat