Lajme nga vendi
Maqedonia e Veriut shpenzon 22 euro për banor gjatë vitit, më së shumti për shëndetësi dhe arsim
Për hulumtim dhe zhvillim në vend mesatarisht në vit shpenzohen rreth 22 euro për kokë banori. Më së shumti për kërkime në shëndetësi dhe arsim, ndërsa më pak për mbrojtje dhe energji.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në vitin 2020 për hulumtim dhe zhvillim në vend janë ndarë gjithsej 2.494.023.000 denarë ose 40.553.219 euro. Prej tyre, pjesa më e madhe – 63,5 për qind janë nga sektori i arsimit të lartë, pasuar nga sektori i biznesit – 25.6 për qind, sektori shtetëror – 9.6 për qind dhe vetëm 1.1 për qind në sektorin privat jofitimprurës.
Shumica e mjeteve financiare për kërkim dhe zhvillim në sektorin e arsimit të lartë ose gjysma janë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), ndërsa në sektorin e biznesit mbi 80 për qind janë nga fondet e veta. Mbi 98 përqind e mjeteve për hulumtim dhe zhvillim në sektorin privat jofitimprurës janë të ardhura nga jashtë.
Pjesa më e madhe e mjeteve për hulumtim dhe zhvillim në sektorin e arsimit të lartë ose gjysma janë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), ndërsa në sektorin afarist mbi 80 për qind janë nga fondet personale. Mbi 98 për qind e e mjeteve për hulumtim dhe zhvillim në sektorin privat jofitimprurës janë me të ardhura nga jashtë.
Është interesante, megjithëse vetëm një e katërta e shpenzimeve të përgjithshme për hulumtim dhe zhvillim janë në sektorin afarist, mbi 40 për qind e kërkimit ose 410 nga gjithsej 1.017 projekte kërkimore të përfunduara dhe të papërfunduara në vitin 2020 janë bërë këtu. Për krahasim, në sektorin e arsimit të lartë janë derdhur pothuajse dy të tretat e fondeve të përgjithshme, por janë vetëm 451 projekte, ose rreth 4 për qind më shumë projekte nga sektori i biznesit.
Më shumë para për hulumtim në shëndetësi – mbi 40 për qind, për bujqësi – 2,5 për qind, ndërsa për mbrojtje – 0,25 për qind
Shikuar nga aspekti socio-ekonomik dhe sektori i ekzekutimit, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, pjesa më e madhe e mjeteve ose 42 për qind shkojnë për sektorin e shëndetësisë.
Për arsimin – 24 për qind, për avancimin e përgjithshëm të njohurive – 7,1 për qind, për prodhimin industrial dhe teknologjinë – 6,9 për qind, për kulturën dhe rekreacionin, religjioni dhe median – 4,1 për qind, për bujqësinë – 2,5 për qind, për sistemet politike dhe sociale, strukturat dhe proceset – 2,49 për qind.
Për mjedisin jetësor janë shpenzuar – 2,2 për qind, për transport, telekomunikacion dhe infrastruktura të tjera – 0,5 për qind, për mbrojtje – 0,25 për qind dhe për energji – 0,23 për qind.
Sektori i biznesit ka bërë më së shumti kërkime në sektorin e shëndetësisë – mbi 70 për qind të mjeteve të përgjithshme, ndërsa të gjitha mjetet nga sektori privat jofitimprurës janë ndarë në fushën e sistemeve, strukturave dhe proceseve politike dhe sociale.
Sektori qeveritar pjesën më të madhe të fondeve ose mbi 55 për qind i ka dedikuar për kërkime në fushën e avancimit të përgjithshëm të njohurive. Shumica e mjeteve për sektorin e arsimit të lartë – 36,5 për qind ishin në fushën e arsimit, ndërsa 31 për qind për shëndetësinë.
Në BE mesatarisht në hulumtimin dhe zhvillim, shtetet shpenzojnë nga 229 euro për kokë banori
Sipas të dhënave të Eurostat-it, planifikimet qeveritare buxhetore për kërkim dhe zhvillim në BE në vitin 2020 arrijnë në 0.77 për qind të BPV-së ose mesatarisht 229.8 euro për kok banori.
Në vitin 2020, planifikimet më të larta kishin Luksemburgu (608 euro për kokë banori), Danimarka (519 euro për person) dhe Gjermania (446.9 euro për kokë banori). Nga ana tjetër, më pak planifikime buxhetore për kërkim dhe zhvillim kanë Rumania (20.5 euro për kokë banori), Bullgaria (20.9 euro) dhe Letonia (41.5 euro për person).
Nga vendet e tjera të rajonit për të cilat Eurostat ka të dhëna, Serbia ka shpenzuar 31 euro për frymë për kërkim dhe zhvillim në vitin 2020, ndërsa në vitin 2021, 32.9 euro, Kroacia ka shpenzuar 96.9 euro në 2020, ndërsa në 2021, 103 euro për frymë për kërkim dhe zhvillimin. Sllovenia ka shpenzuar 116 euro për banor për kërkim dhe zhvillim në vitin 2020 dhe 127 euro në vitin 2021.
Ndarjet e Buxhetit të Qeverisë për hulumtim dhe zhvillimin, sipas metodologjisë së Eurostatit, mbulojnë jo vetëm kërkimin dhe zhvillimin e financuar nga qeveria të kryera në institucionet qeveritare, por edhe kërkimin dhe zhvillimin e financuar nga qeveria në tre sektorët e tjerë kombëtarë (ndërmarrjet e biznesit, jofitimprurëse private organizimi, arsimi i lartë), si dhe jashtë vendit. Të dhënat mblidhen nga autoritetet kombëtare duke përdorur të dhëna të mbledhura nga buxhetet publike
Nuk ka të dhëna të tilla për vendin tonë, por në pyetjen e MIA-s se sa shpenzon vendi për hulumtim dhe zhvillim, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës janë përgjigjur se shpenzimet e përgjithshme në përqindje të BPV-së në vendin tonë në vitin 2020 kanë qenë 0.38 për qind.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, bruto-prodhimi vendor në vitin 2020 ka qenë 655.931 milionë denarë, që do të thotë se shpenzimet e përgjithshme për hulumtim dhe zhvillim në vitin 2020 ishin 2.492 milionë denarë ose 40,4 milionë euro.
Nëse merren të dhënat e fundit nga Regjistrimi i vitit 2021 se popullsia rezidente në vend është 1.836.713 qytetarë, atëherë llogaritjet tregojnë se vendi shpenzon rreth 22 euro për kokë banori në vit për kërkime dhe zhvillim.
Në BE për hulumtim në industri dhe teknologji shpenzohen 10 për qind, në sektorin e shëndetësisë 7,8 për qind, ndërsa për kërkime në hapësirë – 5,6 për qind
Në vitin 2021, planifikimet e përgjithshme buxhetore të Qeverisë për kërkime dhe zhvillim në BE arrijnë në 109,350 milionë euro ose 0.75 për qind të BPV-së ose 244 euro për kokë banori, që është rritje prej 32.5 për qind krahasuar me vitin 2011 kur ka qenë 184 euro për banorë.
Planifikimet më të larta në 2021 ka në Luksemburg (689 euro për person), e përcjellë nga Danimarka (530 euro për person) dhe Gjermania (470.9 euro për person). Nga ana tjetër, vendet e BE-së me planifikimet më të ulëta buxhetore për kërkim dhe zhvillim për person janë Rumania (19 euro për person), Bullgaria (24.1 euro për person), Letonia (44.6 euro për person) dhe Hungaria (59, 8 euro për person).
Të ndara sipas sektorëve, pjesa më e madhe e planifikimeve buxhetore ose mbi gjysma në vitin 2021 në BE janë për avancimin e përgjithshëm të njohurive, nga të cilat 35.9 për qind janë për kërkimin dhe zhvillimin e financuar nga fondet e përgjithshme universitare dhe 17 për qind për avancimin e përgjithshëm të njohurive të financuara nga burime të tjera përveç fondeve universitare.
Vetëm 10.1 për qind e ndarjeve buxhetore për hulumtim dhe zhvillim janë në fushën e prodhimit industrial dhe teknologjisë, 7.8 për qind në sektorin e shëndetësisë dhe 5.6 për qind për kërkim në hapësirë.
Për hulumtim dhe zhvillim në fushën e energjisë janë rreth 4.7 për qind e mjeteve buxhetore të planifikuara për kërkim dhe shkencë në BE, pastaj 3.8 për qind janë në fushën e mbrojtjes, 3.2 për qind për transport dhe telekomunikacion, 3 për qind për bujqësi, 2.6 për qind për mjedisin, 1,9 për qind për sistemet dhe proceset politike dhe sociologjike, 1,8 për qind për kërkimin në vend, 1.5 për qind për arsimin dhe 1.2 për qind për kulturën, rekreacionin, religjion dhe mediat masive.
Lajme nga vendi
Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 07 Tetor
Dje në orën 15:40, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor Mavrovë kanë privuar nga liria një 45-vjeçar nga fshati Zdunjë, rrethina e Gostivarit. Gjatë një kontrolli në trafik, është konstatuar se ai po drejtonte një automjet udhëtarësh “Opel Vectra” me targa të Gostivarit pa leje drejtimi. Automjeti është sekuestruar dhe pas dokumentimit të rastit ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse.
…….
Dje në orën 14:00 në SPB Tetovë, një grua 33-vjeçare nga Republika e Malit të Zi ka denoncuar se ish-partneri i saj, një 43-vjeçar, nga fshati Vrapçisht, rrethina e Gostivarit, i cili nga shtatori i vitit 2026 ndodhet në vuajtje të dënimit me burg në Burgun e Tetovës, nga numra të ndryshëm telefoni dhe përmes një aplikacioni celular ka dërguar kërcënime ndaj saj dhe familjes së saj. Po merren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit, pas së cilës do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
Lajme nga vendi
Policia e trafikut me 33 skuterë të rinj “Piaggio Beverly 310”
Parku i automjeteve të policisë së trafikut në Maqedoninë e Veriut është pasuruar me 33 skuterë të rinj “Piaggio Beverly 310 HPE”, në version të posaçëm policor.
Ministria e Punëve të Brendshme ka pranuar 33 skuterët e rinj policorë, të siguruar nga Këshilli Republikan për Siguri në Trafikun Rrugor (KRSSTR). Dorëzimi zyrtar u bë në prani të ministrit të Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski, dhe kryetarit të KRSSTR-së, Goran Angelovski.
Së bashku me skuterët është siguruar edhe pajisje e plotë mbrojtëse për motoçiklistët, përkatësisht për secilin polic:
helmetë mbrojtëse;
xhaketë dhe pantallona motoçiklistike;
çizme motoçiklistike;
doreza për verë dhe dimër.
Vlera totale e furnizimit është 16.845.561 denarë, ose rreth 274 mijë euro. Në këtë shumë përfshihen si skuterët, ashtu edhe pajisjet mbrojtëse.
“Piaggio Beverly 310 HPE” është skuter italian i kategorisë maxi-skuter, me motor 310 kubikë që zhvillon rreth 27,7 kuaj fuqi. Transmisioni automatik CVT, rrotat e mëdha dhe përmasat kompakte e bëjnë atë të përshtatshëm për lëvizje në trafikun urban.
Për policinë e trafikut, skuterët mundësojnë lëvizje më të shpejtë në trafikun e dendur, qasje më të lehtë në vendet e aksidenteve dhe rregullim më efikas të trafikut në rrugët dhe kryqëzimet e frekuentuara.
Nga MPB-ja thonë se blerja e re synon të rrisë mobilitetin e policisë së trafikut, të mundësojë kontroll më efikas të komunikacionit dhe të përmirësojë kushtet e punës së pjesëtarëve të policisë.
Ministri Panço Toshkovski theksoi se furnizimi është pjesë e aktiviteteve më të gjera për modernizimin e policisë dhe rritjen e sigurisë në trafik.
Ndërkaq, nga KRSSTR-ja u bë e ditur se do të vazhdojnë investimet për pajisjen e njësive policore që janë përgjegjëse për kontrollin e trafikut.
Me 33 “Piaggio Beverly 310”, policia e trafikut fiton mjete të reja që pritet të mundësojnë reagim më të shpejtë dhe mobilitet më të madh, veçanërisht në kushtet e trafikut të dendur urban.
Burimi: Ministria e Punëve të Brendshme (MPB)
Lajme nga vendi
Nis shpërndarja e kartelave për “naftën e gjelbër”, mbi 48 mijë fermerë përfitojnë
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave ka nisur shpërndarjen e kartelave për “naftën e gjelbër” për fermerët, në një periudhë kur po përgatiten tokat për përpunimin vjeshtor dhe mbjelljen.
Për këtë masë këtë vit janë siguruar 584 milionë denarë, rreth 9.5 milionë euro, ndërsa janë përgatitur gjithsej 48.037 kartela.
Shpërndarja ka nisur në Sveti Nikollë, ndërsa më pas ka vazhduar në Manastir, bëri të ditur ministri i Bujqësisë, Borçe Serafimovski.
Mbështetja financiare varet nga sipërfaqet dhe kulturat bujqësore të deklaruara në kërkesat për pagesa direkte për vitin 2025 dhe varion nga 3.200 deri në 12.000 denarë për hektar.
Për kulturat drithore, si gruri, elbi, misri dhe orizi, fermerët përfitojnë 3.200 denarë për hektar. Për lulediellin, kolzën, jonxhën dhe disa kultura të tjera mbështetja është 4.800 denarë për hektar.
Për kulturat kopshtare dhe vreshtat janë paraparë 9.600 denarë për hektar, ndërsa mbështetja më e lartë, prej 12.000 denarësh për hektar, është për mollën, dardhën, kumbullën, pjeshkën dhe disa kultura të tjera frutore.
Për ftonjtë, shegët, bajamet, lajthitë dhe kultura të tjera të kësaj kategorie ndahen 8.800 denarë për hektar, për duhanin 11.000 denarë, ndërsa për arrat dhe gështenjat 6.000 denarë për hektar.
Në Sveti Nikollë janë shpërndarë kartelat e para nga gjithsej 1.900, me vlerë mbi 38.2 milionë denarë. Në Manastir janë përgatitur 3.858 kartela, me vlerë të përgjithshme prej rreth 57.5 milionë denarësh.
Sipas Ministrisë, qëllimi është që ndihma financiare të arrijë te fermerët pikërisht në periudhën kur ata kanë shpenzimet më të mëdha për përgatitjen e tokave, blerjen e farërave dhe plehrave, si dhe mirëmbajtjen e mekanizimit bujqësor.
Masa zbatohet përmes Programit për mbështetje financiare në bujqësi për vitin 2026.
Gjatë vizitës në Manastir, ministri Serafimovski është takuar edhe me bletarë nga Pellagonia. Në takim është bërë e ditur se në Ministri janë përgatitur urdhërpagesat për subvencionet e bletarëve dhe se pagesa pritet të realizohet sa më shpejt.
Ndërkohë, është paralajmëruar edhe brendimi i mjaltit maqedonas, përkatësisht atij të Mariovës, me qëllim promovimin e mëtejshëm të origjinës dhe cilësisë së tij.
-
Lajme nga bota2 months agoTRUMP: LARGIMI I INFANTINO-s NGA FIFA DO TË ISHTE NJË GABIM I RËNDË
-
Lajme nga rajoni2 months agoKrimi i rëndë në Kosovë/ Kjo është 25-vjeçarja që u vra me armë zjarri, dyshohet se u qëllua nga bashkëshorti i saj, ishte në javën e 34 të shtatzënisë
-
Lajme nga rajoni2 months agoVuçiq sërish me deklarata lufte, a pritet reagimi ndërkombëtar?


You must be logged in to post a comment Login