Lajme nga vendi
Ekspertët amerikan: Është koha që RMV-ja të lëviz përpara
Maqedonia e Veriut zgjodhi presidenten grua, kurse koalicioni që udhëhiqej nga LSDM-ja pësoi disfatë historike. Çfarë do të thotë kjo për të ardhmen e vendit mbetet të shihet, por shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare janë se vendi mund të devijojë nga rruga evropiane nëse nuk i përmbush premtimet, shkruan “Zëri i Amerikës” në gjuhën maqedonase, duke analizuar rezultatin zgjedhor.
Ish-Ambasadori amerikan në Shkup, Philip Reeker, vlerëson se zgjerimi i BE-së s`ka alternativë dhe se kjo është e ardhmja e Maqedonisë së Veriut.
“Shoh momentin e vërtetë për zgjerimin, zëra të tilla vijnë nga Brukseli dhe nga kryeqendrat tjera evropiane, është koha që RMV-ja të lëviz përpara”, tha Philip Reeker, diplomat amerikan.
Analisti ballkanik, Edward Joseph, vlerëson se qeveri e re në Shkup duhet të dëshmojë lidership, duke marrë parasysh mbështetjen e madhe që mori gjatë zgjedhjeve.
“Do të ketë partner shqiptar në Qeveri. Me siguri do të jetë opozita VLEN. Ata do të kenë sfida, u obliguan të votojnë për ndryshimet kushtetuese. Çfarë do të ndodh nëse pas 6 muajsh nëse me VMRO- DPMNE-në në Qeveri nuk votohen ndryshimet kushtetuese? Çfarë do të ndodh në RMV? Çështja mbetet e hapur”, tha Edward Joseph , analist Ballkanik.
Drejtori për Evropën i Institutit Ndërkombëtar Republikan – IRI ka komentuar raportet e ardhshme Shkup – Sofje, duke marrë parasysh se në RMV vjen garnitura e re politike.
“Duhen koka të ftohura që dy vendet të lëvizin përpara, por edhe shumë diplomaci nga Brukseli dhe Uashingtoni, për të lehtësuar procesin që qëllimi përfundimtar të jetë RMV-ja të bëhet anëtare e BE-së”, tha Pol Mekarti, IRI.
Ish-Ambasadori i BE-së në Shkup, Ervan Fuere, ardhjen në pushtet të partisë me oreintim djathtist nuk e sheh si mundësi për ndikim më të madh të Moskës.
“Përparësi e qeverisë së re në Shkup, do të jetë se pas zgjedhjeve evropiane, do të ketë qeveri të reja djathtiste. VMRO- DPMNE-ja mund të ketë mbështetjen për argumentet e tyre kundër kërkesave bullgare në rrugën drejt BE-së”, tha Ervan Fuere, ish ambasador i BE-së në Shkup.
Nadja Muzikina nga NDI ka theksuar se pavarësisht se kush ka pushtetin, Maqedonia e Veriut duhet të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare.
“Nuk besoj se kërcënohet Marrëveshja e Prespës me qeverinë e re në RMV dhe pres që VMRO- DPMNE-ja dhe Presidentja e re të mbeten në rrugën drejt BE-së. Rajoni kalon nëpër turbulenca dhe e domosdoshme është që faktori ndërkombëtar të fokusohet më tepër në Ballkanin Perëndimor”, tha Nadja Muzikina, NDI.
Analistët vlerësojnë se lëvizjet zgjedhore nga e majta në të djathtë në Maqedoninë e Veriut, janë nxitur nga revolta e votuesve për shkak të zhvillimit të ngadaltë ekonomik dhe korrupsionit të vazhdueshëm që sipas tyre ndikon në ngadalësimin e aderimit në BE.
Lajme nga vendi
Kryetari Mendi Qyra pret kapësin e Kryqit të Shenjtë: Mesazh uniteti dhe bashkëjetese nga Struga
Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, sot realizoi një takim me kapësin e Kryqit të Shenjtë, Petar Çakareski, i cili së bashku me shokët e tij ndau gëzimin e festës së madhe të krishterë – Ujit të Bekuar.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të këndshme dhe miqësore, ku kryetari Qyra i uroi Petarit një vit të mbarë, të shëndetshëm dhe të suksesshëm. Ai theksoi se ngjarje të tilla kanë rëndësi të veçantë për komunitetin dhe për ruajtjen e vlerave tradicionale.
Sipas kryetarit, festat fetare dhe traditat janë ura që lidhin njerëzit dhe forcojnë bashkëjetesën, duke e bërë Strugën shembull të respektit dhe harmonisë mes besimeve dhe kulturave të ndryshme.
Komuna e Strugës do të vazhdojë edhe në të ardhmen të kultivojë mirëkuptimin, respektin dhe unitetin, si themele të një shoqërie të fortë dhe të bashkuar.
Lajme nga vendi
Gripi po bënë “kërdinë”, gjysmëvjetori në Tetovë filloi me mungesën e shumë nxënësve
Gjysmëvjetori i dytë nëpër shkollat e Tetovës filloi me mungesën e qindra nxënësve, për shkak të virusit stinor. Drejtoresha e shkollës “Liria” në Tetovë thotë se kanë dezinfektuar hapësirat, ndërsa kërkojnë nga prindërit, që fëmijët me simptoma të mos i dërgojnë në Shkollë.
“Sipas të dhënave që sot kemi pa prezencën e nxënësve, nëpër disa klasa kemi pasur numër që mungojnë nga 13 nga pesë, pra kemi mungesë të nxënësve. Kemi bë dezinfektimin e hapësirave dhe gjithë objektit dhe përgatitur për ti pritur nxënësit. Apelojmë gjithë prindërit që nëse fëmijët e tyre rezultojnë me simptoma të gripit, është mirë që fëmijët mos dorëzohen në shkollë”, tha Farije Idrizi Kasami, drejtoreshë e Sh.F. “Liria” Tetovë.
Nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës thonë se pos nxënësve, në disa shkolla në fillim të gjysmëvjetorit të dytë për shkak të gripit mungojnë edhe mësimdhënës.
“Gjitha masat janë ndërmarr dhe është bë dezinfektimi i shkollave, parapërgatitjet paraprake për mbarëvajtje të procesit mësimor. E dimë se jemi në kushte të temperaturave të ulëta dhe një numër i konsiderueshëm i nxënësve mungojnë, por është mirë që të respektohet rekomandimi i Ministrisë së Shëndetësisë që ata fëmijë që janë me viroza mos të lëshohen në shkollë ndërsa mungesa e tyre do arsyetohet me vërtetim mjekësor që fëmija ka qenë me viroz”, deklaroi Nazmi Dauti, sektori për Arsim/komuna e Tetovës.
Dauti thotë se është siguruar mjaftueshëm edhe lëndë djegëse për ngrohje të shkollave, me theks të veçantë në shkollat e malësisë së Sharrit, ku ditëve të fundit, temperaturat rezultojnë deri në minus 12. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Lloga: Regjistri Qendror simbol i diskriminimit institucional prej më shumë se 35 vitesh
Ish ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka reaguar publikisht përmes një postimi në Facebook, duke akuzuar Regjistrin Qendror për diskriminim të vazhdueshëm institucional ndaj komuniteteve jo-shumicë informon Tetovasot.
“Mbi 50 pozita udhëheqëse – zero. Tre sektorë – zero. 21 njësi – zero. 27 zyra rajonale – zero. Regjistri Qendror është një nga institucionet që ka alergji ndaj udhëheqësve nga komunitetet jo-shumicë”, ka shkruar Lloga.
“Për më shumë se 35 vjet, Regjistri Qendror ka funksionuar me dyer hermetikisht të mbyllura për komunitetet jo-shumicë. Kjo është diskriminim i strukturuar dhe i toleruar nga sistemi”, ka theksuar ai.
Reagimi i ish ministrit ka ngjallur diskutime në opinion për përfaqësimin e drejtë dhe gjithëpërfshirës në institucionet publike të vendit.

