Lajme nga vendi
Mbi 50% e kompanive të huaja nuk duan të investojnë rishtas në Maqedoninë e Veriut
Maqedonia e Veriut nuk po arrin të kalojë pragun vjetor të investimeve të huaja prej 1 miliard eurove, pavarësisht paralajmërimeve se anëtarësimi në NATO përkthehet me më shumë investime të huaja.
Maqedonia e Veriut është anëtarësuar në NATO më 2020.
Në bazë të të dhënave të Bankës Popullore në këtë shtet, Maqedonia e Veriut i ka pranuar 616.7 milionë euro në formë të investimeve të huaja, më 2023.
Kjo shifër është e përafërt me investimet e huaja në Kosovë, Malin e Zi dhe Bosnje – Hercegovinë.
Serbia, e cila nuk është anëtare e NATO-s, gjatë vitit 2023 ka arritur të tërheqë 4 miliardë euro e gjysmë euro në formë të investimeve të huaja.
Në mesin e vendeve fqinje, që janë pjesë e Bashkimit Evropian ose NATO-s, që tejkalojnë pragun e 1 miliard eurove në vit janë: Kroacia, Sllovenia, Shqipëria dhe Bullgaria.
Së fundi, edhe investitorët ekzistues në Maqedoninë e Veriut janë deklaruar se nuk janë të gatshëm të riinvestojnë.
Kryetari i Këshillit për Investime të Huaja, Viktor Mizo, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në Maqedoni të Veriut po mungon një strategji gjithëpërfshirëse shtetërore për tërheqjen e investitorëve të rinj të huaj, por edhe për mbajtjen edhe të atyre që tashmë kanë investuar në vend.
Këshilli për Investime të Huaja përbëhet nga 130 kompani prej 20 vendeve të huaja.
Kompanitë që kanë investuar tashmë janë të industrisë automobilistike, bujqësisë, energjetikës, asaj për prodhim të ushqimit, telekomunikacionit, shërbimeve të teknologjisë informative, e tjera.
“Është e qartë se ka mungesë fokusi në këtë fushë. Mungon një strategji e qartë se në cilin drejtim duam të ecim si shtet. Kjo pasqyrohet edhe në rezultatet e anketës së fundit të Këshillit të Investitorëve të Huaj, ku vetëm 43 për qind e kompanive tashmë të pranishme në vendin tonë, janë shprehur se rishtas do të investonin në vend, nëse për këtë gjë do të duhej të vendosnin tani”, ka thënë Mizo në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, politikat e papërshtatshme dhe indiferente të institucioneve shtetërore për investitorët e huaj, kanë bërë që kompania KOSTAL – Maqedoni, t’i ridestinojë mjetet në një vend tjetër dhe të mos i investojë në zonat ekonomike të Maqedonisë së Veriut.
Zyrtarët qeveritarë, në anën tjetër, i cilësojnë si të suksesshme politikat për tërheqje të kapitalit të huaj.
Drejtori i Zonave Zhvillimore Industriale Teknologjike, Jovan Despotovski, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se drejtoria që përfaqëson kompanitë e huaja, ka nënshkruar kontrata për investim në vlerë prej 450 milionë eurove, më 2023.
“Investimet e huaja për vitin 2021, 2022 dhe 2023 janë rreth 1.8 deri në 2 miliardë euro”, ka thënë Despotovski.
Sipas tij, investitorët ankohen vetëm për rregullativën ligjore.
“Vërejtjet e kompanive që operojnë në zonat ekonomike kanë të bëjnë me ndryshimet e shpeshta ligjore, dhe që jetësimi i tyre nuk është i qëndrueshëm”, ka thënë ai.
Për t’i stimuluar investitorët e huaj që t’i drejtojnë sytë kah Maqedonia e Veriut, zyrtarë të Drejtorisë së Zonave Zhvillimore Teknologjike Industriale, kanë bërë të ditur se kompanitë e huaja do të fitojnë mbështetje nga ana e shtetit përmes grantit për krijim të vendeve të reja të punës në vlerë prej 3.250 eurosh për çdo vend pune.
Megjithatë, sipas tyre, ky grant është i kushtëzuar me sigurimin e pagave 50 për qind më të mëdha sesa mesatarja shtetërore.
“Kjo do të thotë se kompania do të marrë mjete nga shteti për çdo pagë neto, e cila do të jetë më e lartë se 1.000 euro. Kjo është një nga mënyrat se si do të nxisim përforcim të rritjes së pagave”, ka theksuar në fillim të këtij muaji Despotovski.
Gjatë kësaj jave, Drejtoria për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale, si përfaqësuese e Qeverisë, e ka ndërprerë marrëveshjen me kompaninë gjermane NEXT.E.GO MOBILE SE, për ndërtimin e fabrikës së veturave elektrike në Tetovë.
Paraprakisht, ky projekt është paralajmëruar me shumë bujë nga zyrtarët shtetërorë, të cilët patën përmendur hapjen e 3-4.000 vendeve të reja të punës.
Në fillim të këtij viti është ndërprerë edhe marrëveshja me kompaninë greke Arhirodon, për ndërtimin e hidrocentralit Cebren, pasi është thënë se kompania nuk ka arritur t’i sigurojë mjetet për realizim të projektit.
Më 2021, në kohën kur Zoran Zaev ishte kryeministër i shtetit, ai pati thënë se gjigantët e teknologjisë, Google dhe Facebook, do të shtrijnë kapitalin e tyre në Maqedoninë e Veriut.
Ato kanë mbetur vetëm premtime.
Si investime kapitale ishte paralajmëruar dhe ndërtimi i studiove të filmit në Shkup, të aktorit John Malkovich, si dhe rivitalizmi i kompleksit të liqenit Tresca, po në Shkup, përmes investitorëve turq.
Edhe këto kanë mbetur vetëm premtime.
Njëjtë, premtim ka mbetur edhe paralajmërimi i vitit 2021, për një investim në vlerë të 30 milionë eurosh nga kompania jugkoreane “Almak” dhe kompania amerikane “Dura Automotive Systems” për ndërtimin e një objekti për prodhimin e profileve të lehta për industrinë e automobilave ku duhej të punësoheshin 70 punëtorë me paga rreth 2.000 euro.
Ekspertët e ekonomisë thonë se korrupsioni dhe mungesa e punëtorëve bëjnë që të Maqedonia e Veriut të mos jetë vend atraktiv për investitorët e huaj.
“Njëri nga faktorët kryesorë që tani, dhe në të ardhmen, do të jetë shkak për mosgatishmërinë e investitorëve të huaj për të investuar në Maqedoninë e Veriut, në radhë të parë është fuqia gjithnjë e më e pakët e fuqisë punëtore në vend, e cila duhet t’iu përgjigjet kërkesave të investitorëve” ka thënë Arben Halili, ligjërues në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tetovës.
Në raportin e organizatës ndërkombëtare, Transparency International, sa i përket Indeksit për Përceptim të Korrupsionit, për vitin 2023, Maqedonia e Veriut është renditur në listën e vendeve ku drejtësia e dobët mundëson lulëzim të korrupsionit.
Ky vend ka shënuar përparim të lehtë, me 42 pikë – dy më shumë se vitin e kaluar – por që, sipas raportit, progresi ka shënuar kthim mbrapa, pas ndryshimeve që janë bërë në Kodin Penal.
Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri.
Ndërkohë, pushteti dhe opozita i interpretojnë ndryshe rezultatet sa u përket investimeve të huaja në Maqedoninë e Veriut.
“Nëse i shikojmë të dhënat ndër vite, për periudhën 2006-2016, gjithsej investimet e huaja direkte arritën në 3.024.25 milionë euro, ose mesatarisht 274.93 milionë euro në vit. Ndërsa, në periudhën kohore 2017-2023, gjithsej shtatë vjet kalendarikë, fluksi i përgjithshëm i investimeve të huaja direkte (IHD) në Maqedoninë e Veriut arriti në 3.237,03 milionë euro, ose mesatarisht rreth 462.43 milionë euro për secilin nga shtatë vjetët”, ka theksuar zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi.
Por, për opozitën maqedonase, OBRM-PDUKM-së, trendin e rënies së investimeve e tregon fakti se Maqedonia e Veriut, në bazë të të dhënave të Bankës Botërore, radhitet në mesin e vendeve me më pak investime të huaja.
“Rezultatet në fushën e investimeve të huaja direkte janë katastrofale në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor. Së bashku me Bosnje-Hercegovinën, Maqedonia [e Veriut] është në fund të tabelës, për sa u përket investimeve të huaja në tre vjetët e fundit”, kanë thënë zyrtarë të kësaj partie opozitare.
Në Maqedoni të Veriut, qysh prej vitit 2006 është investuar në promovimin e vendit si shtet me mundësi të mëdha investimi, duke bërë edhe ndryshime ligjore që përfshinin lehtësime si shmangja e taksave, subvencionet për kompanitë importuese, subvencionet për pagesën e kontributeve për sigurimin e të punësuarve, grante për infrastrukturë, tokë ndërtimore të subvencionuar e tjera.
Me këtë rast ishte hapur edhe Agjencia për Investime të Huaja, Drejtoria për Zona Teknologjiko-Industriale, të cilat kanë për detyrë promovimin e Maqedonisë së Veriut si shtet të volitshëm për investime të huaja, përmes fushatave të ndryshme dhe mbështetjes administrative për investitorët potencialë./REL/
Lajme nga vendi
Durmishi ndau mjete financiare për organizatat e konsumatorëve për zbatimin e Programit për mbrojtjen e konsumatorëve
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi ndau sot mjete financiare për organizatat e konsumatorëve për zbatimin e Programit për mbrojtjen e konsumatorëve, Programit për bashkëfinancimin e projekteve për zhvillimin dhe avancimin e sipërmarrësisë dhe zejtarisë, aktivitetet programore të rrjeteve të zejtarëve të biznesit, si dhe Programin për mbështetjen e konkurrueshmërisë së industrisë përpunuese dhe përgjegjësisë shoqërore.
Ministria e Ekonomisë dhe Punës, në përputhje me Thirrjen publike për ndarjen e mjeteve për realizimin e programeve (projekteve) të shoqatave të konsumatorëve, ka ndarë mjete financiare për organizatat e konsumatorëve në qytete të ndryshme të shtetit. Janë ndarë mjete për:
Organizata e Konsumatorëve të Ohrit: 350.000,00 denarë;
Organizata e Konsumatorëve të Manastirit: 350.000,00 denarë;
Organizimi e Konsumatorëve të Koçanës: 319.500,00 denarë;
Organizata e Konsumatorëve të Shtipit: 300.000,00 denarë;
Organizata e Konsumatorëve të Tetovës: 340.000,00 denarë;
Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë-Shkup (OKM): 340.200,00 denarë
Në kuadër të Programit për zhvillimin e sipërmarrësisë dhe konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe për nxitjen e zhvillimit dhe avancimit të sipërmarrësisë dhe konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve, Ministria e Ekonomisë dhe Punës realizon bashkëfinancimin e projekteve të fondacioneve dhe shoqatave që lidhen me mbështetjen jofinanciare për zhvillimin e biznesit dhe konkurrencës, për bashkëfinancimin e projekteve të shoqatave, fondacioneve dhe odave të zejtarëve për zhvillimin dhe promovimin e zejtarëve, etj., si dhe bashkëfinancimin e projekteve për veprimtari zejtare.
Për të tre masat, është parashikuar bashkëfinancim i 70% të shpenzimeve të projektit, por jo më shumë se 350.000 denarë për aplikant, ndërsa pas realizimit të programit, do të ndahen subvencione për 26 projekte me vlerë të përgjithshme prej 6.132.240 denarë.
Në kuadër të Programit për mbështetjen e konkurrueshmërisë së industrisë përpunuese dhe përgjegjësisë shoqërore, Ministria e Ekonomisë dhe Punës ka realizuar masën për kompensimin e një pjesë të shpenzimeve për akreditimin e laboratorëve, parashikohet zgjerimi i fushëveprimit të akreditimit të
laboratorëve ekzistues për testimin ose prokurimin e pajisjeve për laboratorët për lëshim në treg të produkteve me cilësi të sigurt.
Në kuadër kësaj mase, parashikohet bashkëfinancimi i shpenzimeve prej 50% të shumës jo më shumë se 400.000 denarë për secilin aplikant. Vlera e përgjithshme e vlerësuar është 3.000.000 denarë. Përdorues të kësaj skeme janë 11 laboratorë.
Te masa e kompensimit të një pjese të shpenzimeve për mirëmbajtjen dhe zbatimin e praktikave të pranueshme sociale të subjekteve afariste, vlera e përgjithshme e mjeteve është 2.000.000 denarë, ndërsa Ministria e Ekonomisë dhe Punës bashkëfinancoi 8 kompani.
Duke marrë parasysh nevojat e kompanive, Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të vazhdojë të zbatojë masa dhe aktivitete që synojnë përmirësimin e konkurrueshmërisë. Lista e përdoruesve është tashmë e disponueshme në faqen e internetit të Ministrisë.
Lajme nga vendi
Gerasimovski: 1735 pensionistë para festave do të marrin nga 2.500 denarë
Kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski njofton se është përfunduar thirrja publike për ndarjen e njëhershme të ndihmës financiare në shumë prej 2.500 denarë për pensionistët me pension pleqërie, familjare, invaliditeti ose pensioni social jo më i lartë se 23.758,00 denarë. Në këtë thirrje kanë aplikuar 1735 pensionistë për mbështetje financiare të njëhershme nga Komuna, e cila do të paguhet deri në fund të vitit.
Gerasimovski thotë se për këtë ndihmë kanë aplikuar 1735 pensionistë, e cila është një hap i rëndësishëm për mbështetje gjatë festave të fundivitit.
“Gjatë festave të Vitit të Ri kur e gjithë familjet festojnë së bashku, këto ditë mund të jenë një presion shtesë financiar për pensionistët. Prandaj, detyra jonë është t’ua lehtësojmë jetën e përditshme. Interesimi për thirrjen publike ishte vërtet i madh, besoj se këto mjete do t’u ndihmojnë për buxhetin familjar të festave”, thotë Gerasimovski.
Komuna Qendër, theksojnë nga atje, vazhdon të realizojë projekte përmes të cilave do të fuqizojë bashkësinë lokale, por edhe do të përmirësojë cilësinë e jetës së të gjithë qytetarëve.
Lajme nga vendi
VLEN: Çdo denarë për qytetarët, sipërmarrësit dhe të ardhmen e përbashkët!
“Në këtë kohë sfidash dhe krizash të reja, Koalicioni VLEN nuk ndalet! Sot, Ministria e Ekonomisë dhe Punës e drejtuar nga ministri Besar Durmishi, në përputhje me Thirrjen publike ndau mjete konkrete që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve tanë – për konsumatorët, zejtarët dhe sipërmarrësit që janë themeli i ekonomisë sonë.
Sepse për ne, secili qytetar është prioritet, dhe çdo denarë i ndarë shkon për të ndihmuar ata që punojnë dhe krijojnë!
Janë ndarë rreth dy milion denarë në të gjithë Shoqatat e Organizatave të Konsumatorëve në vend. Ndërsa pas realizimit të programit, do të ndahen subvencione për 26 projekte me vlerë të përgjithshme prej 6.132.240 denarë”, thuhet në njoftimin e koalicionit VLEN.
“Në kuadër të Programit për mbështetjen e konkurrentësisë së industrisë përpunuese dhe përgjegjësisë shoqërore, Ministria e Ekonomisë dhe Punës ka realizuar masën për kompensimin e një pjesë të shpenzimeve për akreditimin e laboratorëve, parashikohet zgjerimi i fushëveprimit të akreditimit të laboratorëve ekzistues për testimin ose prokurimin e pajisjeve për laboratorët për lëshim në treg të produkteve me cilësi të sigurt. Në kuadër kësaj mase, parashikohet bashkëfinancimi i shpenzimeve prej 50% të shumës jo më shumë se 400.000 denarë për secilin aplikant. Vlera e përgjithshme e vlerësuar është 3.000.000 denarë. Përdorues të kësaj skeme janë 11 laboratorë.
Te masa e kompensimit të një pjese të shpenzimeve për mirëmbajtjen dhe zbatimin e praktikave të pranueshme sociale të subjekteve afariste, vlera e përgjithshme e mjeteve është 2.000.000 denarë, ndërsa Ministria e Ekonomisë dhe Punës bashkëfinancoi 8 kompani. Duke marrë parasysh nevojat e kompanive, Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të vazhdojë të zbatojë masa dhe aktivitete që synojnë përmirësimin e konkurrentësisë.
VLEN angazhohet për lehtësimin e jetës së qytetarëve. VLEN është afër afaristeve dhe qytetarëve. VLEN është zotuar për të dërguar në vend premtimet e saj”, mbyllet njoftimi i koalicionit VLEN.
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve