Lajme nga vendi
Osmani: Zgjedhja e presidentit në Kuvend do të jetë vlerë e shtuar
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe kandidat për president nga radhët e BDI-së paralajmëron se ndër temat e fushatës së tij do të jenë ndryshimet kushtetuese për regjistrimin e bullgarëve, sepse konsideron se pa hapur kapitujt, vendi nuk mund të arrijë një hap serioz në procesin e eurointegrimeve, por edhe tema për zgjedhjen e presidentit të vendit në Kuvend.
I pyetur nëse BDI me inicimin e çështjes për zgjedhjen e presidentit në Kuvend si kusht i ri, shtesë për koalicionim pas zgjedhjeve përveç atij për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, nuk e pengon procesin e eurointegrimeve, pra nëse këto ndryshime kushtetuese do të kërkojnë që të realizohen së bashku, në të njëjtën kohë, Osmani tha se kjo është çështje që do të diskutohet në mënyrë plotësuese.
“Ne dalim në zgjedhje me kërkesë, me ide që presidenti të zgjidhet në Parlament. Besojmë se kjo do të jetë një vlerë e shtuar”, nënvizon Osmani.
Rreth asaj se nuk do të ketë koalicionim me ato parti që nuk do ta pranojë këtë kusht, ai thekson se kjo është çështje që do të varet nga epilogu i asaj se si do të jetë përgjigja e qytetarëve në zgjedhje ndaj këtij propozimi dhe siç shton, “nga bisedat politike që do të vijojnë”.
Ai paralajmëroi se do ta promovojë programin e tij që intensivisht përpunohet me ekspertë vendas dhe ndërkombëtar, do të ketë ueb faqen e tij si kandidat presidencial dhe do t’u drejtohet të gjithë qytetarëve pa dallim etnie.
Nëse nuk futet në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, i pyetur se për kë do t’i ftojë mbështetësit e tij për të votuar dhe nëse ai do të jetë Stevo Pendarovski të cilin BDI-ja e mbështeti në vitin 2019 apo se kjo do të varet nga “pazari partiak” për ndryshimet kushtetuese, Osmani thotë se pret të sigurojë vend në raundin e dytë.
“Nuk mendoj se duhet të bisedojmë për situata hipotetike. Shpresoj se do të futem në raundin e dytë dhe pastaj do të kërkoj mbështetje nga ata që nuk do të hyjnë në raundin e dytë”, thekson Osmani.
Lajme nga vendi
Lloga: Regjistri Qendror simbol i diskriminimit institucional prej më shumë se 35 vitesh
Ish ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka reaguar publikisht përmes një postimi në Facebook, duke akuzuar Regjistrin Qendror për diskriminim të vazhdueshëm institucional ndaj komuniteteve jo-shumicë informon Tetovasot.
“Mbi 50 pozita udhëheqëse – zero. Tre sektorë – zero. 21 njësi – zero. 27 zyra rajonale – zero. Regjistri Qendror është një nga institucionet që ka alergji ndaj udhëheqësve nga komunitetet jo-shumicë”, ka shkruar Lloga.
“Për më shumë se 35 vjet, Regjistri Qendror ka funksionuar me dyer hermetikisht të mbyllura për komunitetet jo-shumicë. Kjo është diskriminim i strukturuar dhe i toleruar nga sistemi”, ka theksuar ai.
Reagimi i ish ministrit ka ngjallur diskutime në opinion për përfaqësimin e drejtë dhe gjithëpërfshirës në institucionet publike të vendit.
Lajme nga vendi
Rasti Ristov dëshmi e gjallë e sistemit të kalbur të (pa)drejtësisë!
Shprehja popullore “edhe muret flasin” ka qenë gjithmonë metaforë për fshehtësitë që ishte vetëm çështje kohe për tu kuptuar. Por me rastin e fundit të gjyqtarit Gjoko Ristov, kjo thënie nuk është më vetëm metaforë është bërë dëshmi e gjallë e sistemit të kalbur të (pa)drejtësisë, shkruan Zhurnal.
Çfarë është rasti Rsitov?
350 mijë euro të fshehura në murin e shtëpisë së prindërve të gjyqtarit, Gjoko ristov, nuk janë thjesht para të padeklaruara. Ato janë simbol i një drejtësie të burgosur dhe një sistemi institucional të kalbur. Ato janë gjurmë konkrete të një mekanizmi ku vendimet nuk janë shkruar me ligj, por me tarifa të padukshme.
Në një vend ku qytetarët e zakonshëm përballen me procedura të pafundme, ku drejtësia vonohet deri në varfërim financiar e dëshpërim e zhgënjim psikologjik, zbulimi i një thesari të paligjshëm në murin e një gjyqtari është dëshmi se shumë dosje nuk janë humbur rastësisht ato janë varrosur qëllimisht.
Ironia është kjo se drejtësia që duhet të jetë transparente u muros. Dhe u muros nga ata që kishin detyrë ta çlirojnë. Ky rast është më shumë se një skandal individual është një pasqyrë reale që reflekton mbi një praktikë të heshtur që qytetarët e dinë prej kohësh, që ka të bëjë me vendime të blera, ndikime politike në gjyqësi, dënime selektive, e më e rënda pafajësi të shitura me çmim të lartë.
Duhet një gjë ta themi qartë dhe zëshëm që paratë e gjetura në mur nuk janë vetëm korrupsion financiar, ato janë korrupsion me pasoja njerëzore. Çdo euro e fshehur mund të përfaqësojë një vendim të shtrembëruar, një familje të shkatërruar, një jetë të ndalur padrejtësisht. Nëse një gjyqtar i Apelit fsheh pasuri në mure, sa vendime janë marrë për të ndërtuar atë mur?
Sa njerëz kanë paguar lirinë e dikujt tjetër me burgun e tyre?
Rasti Ristov shkatërron një mit të rrezikshëm atë se korrupsioni në gjyqësor është i padukshëm dhe i paprovueshëm. Jo, duket që ka formë, ka peshë, ka aromë myku dhe pluhuri muri. Ky korrupsion ruhet si plaçkë lufte nëpër shtëpi private, ndërsa publikut i shitet drejtësia si teatër procedural.
Ky moment duhet të shërbejë si pikë kthese, jo si lajm i radhës që harrohet, por si aktakuzë publike ndaj një kulture të pandëshkueshmërisë. Sepse kur një gjyqtar korruptohet, nuk bie vetëm ai bie besimi kolektiv tek shteti.
Nëse sistemi nuk reagon me ndëshkim shembullor dhe me verifikim të thellë të pasurisë së gjyqtarëve, atëherë muret do të vazhdojnë të flasin por qytetarët do të pushojnë së besuari. Dhe një shtet ku drejtësia flet nga muret e fshehjes dhe jo nga gjykatat, nuk është më shtet ligjor është një ndërtesë me themele të kalbura që pret vetëm shembjen.
Kujtojmë që, ky është rasti i parë i kësaj natyre që ka ndodhur në vendin tonë dhe nuk duhet assesi të lejojmë që të harrohet nga ndonjë skandal tjetër. Duhet presion publik i hatashëm në mënyrë që të marrin mësim të gjithë ata që ndajnë drejtësi se herët a vonë një ditë të gjithë do të dalin zbuluar. /Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
Djali i pronarit të ‘Pulse’ në Koçan i padit protestuesit
Djali i Dejan Jovanov Deko, pronarit të diskotekës ‘Pulse’ në Koçan, Mihail Jovanov ka ngritur padi private kundër tetë protestuesve për tragjedinë e zjarrit.
Siç raporton “TV24”, Jovanov, përmes një padie private, i padit demonstruesit për inventarin e shkatërruar në lokalin në pronësi të familjes Jovanov, pas protestës që u mbajt një ditë pas katastrofës në diskotekën e quajtur “diskoteka e vdekjes”, ku qytetarët shprehën revoltën e tyre.
Nga “Shoqata e qytetarëve 16 mars 2025” thonë se distancohen pa mëdyshje nga çdo formë dhune.
“Sa i përket ngjarjeve pas tragjedisë në Koçan, theksojmë se sipas të dhënave deri tani të disponueshme publikisht, nuk është konstatuar ekzistenca e veprës penale të dhunës, ndërsa procedurat që po zhvillohen aktualisht janë iniciuar mbi bazën e një padie private penale për dëme të pretenduara materiale”, thanë nga Shoqata.
Nga atje, theksuan se padia penale e Jovanovit, edhe pse nuk është e re dhe është një mekanizëm juridik, megjithatë hap shumë çështje serioze dhe paraqet presion shtesë për ta.
Nga shoqata theksuan se fakti që bëhet fjalë për një padi më të vjetër, e cila vetëm tani po aktualizohet në publik, edhe pse formalisht nuk ia ndryshon natyrën juridike, realisht ka ndikim të madh në perceptimin publik dhe përbën ngarkesë shtesë për familjet e viktimave.
Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 63 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë.

