Lajme nga vendi
Për qytetarët buka 33 denarë, për zyrtarët pagat mbi 2.000 euro!
Muaji mars si duket është muaji i rritjes së pagave, me çka paga minimale u rrit për 2.175 denarë, që nuk ndihmoi aspak qytetarët sepse vetëm brenda një viti çmimet janë rritur për 25%. Rritje të pagave për punëtorët shëndetësorë nga 5-12%, si dhe rritje të pensioneve nga 8.4%. Por, tani kur shohim rritjen e pagave për zyrtarë kemi shifra krejtësisht tjera dhe të pakrahasueshme me këto më lartë, bëhet fjalë për rritje prej 78%. E këtë gjë e kanë mirëpritur shumë politikanë, duke thënë që paga duhet të jetë burimi i vetëm i pasurisë për politikanët, deklaratë sikurse qytetarët jetojnë në një botë paralele dhe nuk shohin se si pasurohen këta politikanë, por mes tjerash disa të tjerë kërkojnë që të respektohet secili ligj nga Kushtetuesja, marrë parasysh se ky ligj për këtë rritje të hatashme vjen pikërisht nga Kushtetuesja. Nga ana tjetër kur punëtorët shëndetësorë, arsimor, e të tjerë kanë nevojë të patjetërsueshme për rritje të pagave për të mbijetuar këtë duhet ta bëjnë përmes formave të ndryshme, bojkot, grevë, e duke dalë në rrugë. Por, tani zyrtarëve pritet tu rritet paga vetëm me anë të ndryshimit të një ligji, madje as pa kërkuar. Këtu shihet qartë diferencimi nga të qenurit qytetarë dhe punëtorë në RMV dhe të qenurit zyrtar, kjo është fyerje dhe ofendim për klasën punëtore. Nuk duheshte të rriten pagat e zyrtarëve duke marrë parasysh gjendjen e rënduar ekonomike në vend, është gabim skandaloz dhe pasqyrim real se sa zyrtarët brengosen për qytetarët. Për qytetarët buka 33 denarë, për zyrtarët pagat mbi 2.000 euro, shkruan Zhurnal.
Qytetarët të revoltuar me pagat e zyrtarëve: Ata mendojnë vetëm për vete –
Funksionarët e cilësojnë veten si elitë, ndërsa nuk mendojnë aspak për popullin. Kështu thonë qytetarët e revoltuar për pagat e zyrtarëve, të cilat nga ky muaj pritet të jenë shumë më të larta bazuar në vendimin e Kushtetueses. Qytetarët e anketuar nga Alsat thonë se rritja nuk duhej të lejohej.
“Nuk duhet të lejohet, duhet që kjo gjë ligjërisht të ndalohet, pasi që nuk e kanë merituar…Kjo është normale, kur në shtet nuk funksion asgjë, atëherë funksionarë shohin se si të sigurojnë sa më shumë të ardhura për vete derisa janë në funksion, për popullin nuk gajlosen fare”. “Pikë së pari duhet të fillojnë rritjen e pagave te pensionistët dhe rrogat që janë të ulëta, pastaj duhet të shohin për vete, se ata kanë ardhur në ato pozicione, i kanë ato merita prej popullit, duhet shumë të jenë kujdesshëm që të mos i hyjnë në hak dhe borxh kësaj popullate, se me të vërtetë janë duke vuajtur me të madhe”.
“Nuk është aspak në rregull, kjo flet se ata shquhen si një elitë e veçantë dhe aspak nuk janë me popullin. Thjesht mendojmë se i gjithë buxheti shkon për mëditje të tyre, shpenzime rrugore, nuk ka investime dhe kjo është për kritikë, siç besoj nuk jam e vetmja, mendoj se shumica e mendojnë këtë”. “Ky shteti jonë na i vjedh paratë tona, paguaj taksa këtu atje, rrit rrogat ma lart, na pensionet më të vogla, duhet t’i rrisin edhe për ne, punë s’ka asgjë nuk ka ky shtet”.
“Nuk është kjo mirë, vetëm për funksionarët, e çfarë do të bëjnë punëtorët, klasa normale me 300-400 euro, këtu ka shtrenjtim… Me ato para që marrin pensionistët, mund të vdesin dhe të shkojnë, asgjë tjetër nuk mund të bëjnë. Këtu nuk ka asnjë perspektivë”. “Edhe unë mendoj njëjtë, duhet për pensionistët të mendohet pak”. “Me 7 mijë denarë nuk mund të ia dilni me këto shtrenjtime. Çfarë do të paguani, ujë, rrymë, nuk e di, nipërit shkojnë në shkollë me 7 mijë denarë, unë nuk mund të jetoj”. “Ata nuk kanë tru, ky popull prej çfarë po jeton, ja unë kam pension, thanë 8,4% do ta rrisin, nuk e rritën, ja këtë të fundit prapë 6,4. Me gënjeshtra nuk bëhet shtëpia…”.
Rritja e pagave për zyrtarë për 78% është absurde përderisa rritja e pagave në sektorët tjerë nuk e ka kaluar 15 përqindëshin asnjëherë –
Rritja e pagave me një sasi enorme vjen pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nene për pagesën e pagave, ka shkaktuar reagime të shumta në opinion. Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski ftoi qeverinë që të gjendet zgjidhje ligjore me të cilën do të rregullohet çështja duke ulur pikët e pagave. “Konsideroj se është nuk është mirë që në një periudhë krize ekonomike të rriten pagat të cilat paguhen nga buxheti shtetëror.”, është shpehur Pendarovski.
Rritja e pagave prej 78% është veprim skandaloz dhe i i papranueshëm për qytetarët, sepse me automatizëm është nënvlerësim i punëtorëve tjerë. Shërbyesit e popullit të quajtur në teori të paguhen me paga marramendëse e shumë të larta, shumëfish më të larta se pagat mesatare në vend, tregon qartazi se zyrtarët nuk e kanë hallin e qytetarëve, por se si të pasurohen më shpejt e më shumë.
Sipas këtij vendimi, presidenti Stevo Pendarovski, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski për disa ditë do të kenë rritje të pagave prej rreth 70 mijë denarë. Deri më tani kanë marrë rreth 90 mijë, e tash e tutje rreth 160 mijë denarë, apo rreth 2.610 euro në muaj. Gjithashtu edhe, Artan Grubi, Oliver Spasovski, Sllavica Gerkovska, Fatmir Bytyqi, Sllavjanka Petrovska, dhe Bojan Mariçiq, do të marrin paga me vlerë mbi 2.000 euro. /Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
VËRSHIME NË STRIMNICË TË ZHELINËS SHTËPITË DHE TOKAT BUJQËSORE PËRMBYTEN NGA LUMI VARDAR
Fshati Strimnicë në Komunën e Zhelinës është përmbytur nga uji, pasi që u rit niveli i ujit në Lumin Vardar, që kalon në mes të këtij fshati. Përveç që janë përball me vërshime, një pjesë e fshatit, ka mbetur edhe pa energji elektrike. Banori i fshatit Strimnicë, Bujamin Rustemi thotë se kjo është e katërta herë që uji i ka vërshuar shtëpitë e tyre. Ai u bën thirrje institucioneve që të vijnë të marrin masa konkrete, gjegjësisht, ta pastrojnë shtratin e lumit Vardar që të mos përsëritet e njëjta gjë.
Bujamin Rustemi – Banor i fshatit Strimnicë
“Disave u është futur nëpër shtëpi uji, i ka dëmtuar. Siç e shihni edhe vetë ju, nuk ndalet ky ujë. Është e treta apo e katërta herë që vërshon uji vetëm këtë vit. Duhet institucionet të marrin masa, të pastrohet lumi Vardar të mos rrij kështu sepse ky ujë ua ka përmbyt njërëzve shtëpitë, i ka dëmtuar, ja të gjitha këto shtëpi që i sheh. Nuk është në rregull kjo punë. Ka disa njerëz që nuk lejojnë të pastrohet Vardari. Shteti duhet të merr masa që të vijnë makinat në pranverë dhe ta pastrojnë. Vijnë bëjnë premtime por nuk është pastruar”.
Drejtori i NPK-së Zhelinë Suad Alili thotë se pastrimi i lumit është kompetencë e Ministrisë së Ekologjisë dhe Drejtorisë së Ujërave, dhe i njëjti bën apel që institucionet qëndrore të marrin masa.
Suad Alili – Drejtor i NPK-së Zhelinë
“Kjo nuk është në kompetencë të komunës, por ne kemi qenë afër qytetarëve me ato mundësi që i kemi ne. Kjo bie në komptencë të Ministrisë së Ekologjisë dhe Drejtorisë së ujërave, por edhe të ELEM që i ka hidrocentralet e veta. Këtu duhet të merren masa nga institucionet qëndrore pasi që për lumin Vardar komptencat nuk bien vetëm mbi komunën. Tokat nuk diskutohet, shumë kanë dëme të mëdha kjo pjesa këtu. Me kalimin e kohës deri në muajin korrik duhet të rregullohet kjo çështje për shkak se është një problematikë disa vjeçpare. Prej vitit 2010 kur lumi rrit nivelin ne kemi probleme në këtë pjesë. Tani duhet të marrim masa që të mos na përsëritet kjo, qytetarët të flejnë të qetë. Për shkak se 50 shtëpi tani e dy ditë janë edhe pa energji elektrike.
Komandanti i zjarrëfikësve Avni Ameti thotë se në fshatin Strimnicë situata ka qenë aq alarmante sa që është dashur intervenimi i tyre për të evakouar një familje nga shtëpitë.
Avni Ameti – Komandant i NJTKZ
“Zjarrëfikësit e Tetovës evakouan një familje e cile ishte ngujuar. Ka 18 shtëpi që janë të palëvizshme në fshatin Strimnicë si pasojë e daljes nga shtratit të lumit Vardar”.
Përndryshe, në rajonin e Tetovës dëme të mëdha nga përmbytjet pati edhe në zonën e Treboshit, ku u dëmtua rruga dhe tokat bujqësore, në fshatin Shëmshovë, Xhepçisht si dhe rëshqitje të dheut.
Lajme nga vendi
VLEN: BDI t’i kërkojë SPAK-ut të Shqipërisë ekstradimin e Grubit
Nisma e Degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair për krijimin e një “SPAK-u” lokal kundër korrupsionit ka nxitur reagime nga Koalicioni VLEN.
Nga VLEN-i thonë se iniciativa duhet të shoqërohet me veprime konkrete dhe jo të mbetet vetëm deklarative, duke e cilësuar si përpjekje propagandistike.
Sipas tyre, nëse synohet vërtet transparencë dhe përgjegjësi, hetimet duhet të nisin nga vetë drejtuesit e BDI-së, për të dëshmuar se bëhet fjalë për proces serioz dhe të paanshëm ndaj të gjithë zyrtarëve, pa përjashtim.
“BDI në Çair shpall me bujë formimin e një “SPAK-u” lokal, sikur të kishte zbuluar “Amerikën”. Por, pyetja që lind menjëherë është: a do ta kapë ky SPAK edhe kryesinë e vet? Apo është vetëm një teatër i radhës për të mashtruar qytetarët? VLEN-i e përshëndet këtë “SPAK” të BDI-së dhe i sugjeron që, nëse vërtet është për veprim dhe jo për spektakël, të fillojë hetimet pikërisht nga këta emra. Punën e parë që duhet ta bëjë është të vendosë komunikim me SPAK-un e Shqipërisë dhe të kërkojë ekstradimin e Artan Grubit.”, – thanë nga Koalicioni VLEN.
Ditë më parë, Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair themeloi një “SPAK” lokal si mekanizëm kundër korrupsionit. Sipas njoftimit, kjo strukturë do të monitorojë ndërtimet pa leje dhe punën e organeve komunale për shkelje urbanistike.
BDI u bëri thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo keqpërdorim të pushtetit. (Armend Murseli, TVM2)
Lajme nga vendi
Dega e BDI-së në Çair ka themeluar një strukturë kundër korrupsionit me emrin “SPAK”
Duke huazuar emrin e Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë që ndjek krimin dhe korrupsionin e nivelit të lartë, dega e BDI-së në Çair ka themeluar një Sekretariat, akronimi i të cilit është i njëjtë me atë të Prokurorisë – SPAK.
“SPAK do të funksionojë si mekanizëm profesional monitorimi, i përbërë nga ekspertë vullnetarë – juristë, ekonomistë, urbanistë dhe profesionistë të fushave përkatëse – të cilët do të analizojnë çdo indikacion për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve publike”, deklaroi Enard Bakiu, BDI – Çair.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i koalicionit VLEN të cilët kërkojnë që SPAKU i BDI-së të kërkojë nga SPAKU i Shqipërisë ta ekstradojë Artan Grubin, funksionarin e BDI-së i cili pasi u fut në listë të Zezë u arratis nga shteti, ndërsa dyshimet janë se fshihet në Shqipëri. Plotësisht kërkojnë të hetohen dhe figura tjera të BDI-së.
“Korrupsioni nuk është thjesht ndërtim pa leje apo tender komunal. Ai ka fytyra të njohura: Faton Ahmeti, për dyshimet e keqpërdorimit të fondeve në FSSH, Arbër Ademi, si ministër i Arsimit me lëndë të hapura për abuzime, Bujar Osmani, për rastin famëkeq “Pacienti”, dhe shumë të tjerë që sot ulen në kryesinë e BDI-së si të paprekshëm”, thonë nga VLEN.
SPAKU i BDI-së, është ironizuar edhe për faktin që në periudhën e kaluar ishte në shënjestër të kritikave pasi dy funksionarët e saj Artan Grubi dhe Ramiz Merko u futën në Listë të Zezë për korrupsion, ndërsa u dorëzuan padi edhe kundër një sërë funksionarëve, duke përfshirë Blerim Bexhetin, Fatmir Deharin, Ramiz Merkon, Bujar Dardhishtën, Kreshnik Bekteshin, Bekim Maksutin, Ejup Rustemin e të tjerë. Mekanizmi SPAK, mbase duket si ide e huazuar nga LSDM, e cila e promovoi Qendrën Hulumtuese për Korrupsion dhe Krim të Organizuar me akronimin MICKO, një shkurtesë që përdoret në komunikimin jokonvencional dhe ironizues për Mickoskin. /Alsat.mk

