Lajme nga vendi
Ambasadorja amerikane në Shkup kritikon punën e Gjykatës së Apelit
Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Gjykatës së Apelit në Shkup për shkak të kthimit të lëndëve të profilit të lartë në rigjykim dhe disa lëndëve të tjera që janë vjetërsuar për shkak të mosgjykimit në kohë nga ana e kësaj gjykate. Më 11 prill të këtij viti, ambasadorja amerikane, siç kanë njoftuar mediat në Shkup, u dërgoi një letër autoriteteve gjyqësore dhe ekzekutive në vend, ku shprehte shqetësimin e saj dhe të SHBA-së për, siç tha ajo, “anulimin e vendimeve ndaj figurave të profilit të lartë që Gjykata e Apelit e cila i ktheu në shkallën e parë”.
“Çdo ditë e më shumë jam e shqetësuar dhe e zhgënjyer për shkak të numrit të madh të lëndëve [të profileve të larta] që Gjykata e Apelit i ktheu në procedurë të shkallës së parë për rigjykim. Pamundësia e dukshme e gjykatave për të proceduar shpejt çështjet përmes procedurës gjyqësore dhe kalimin e tyre mbrapa ndërmjet Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Shkallës së Parë, ul më tej besimin e ulët që publiku ka te gjykatat”, thuhej në letrën e ambasadores Ageler të publikuar nga televizioni Alsat.
Në letrën, të cilën Ageler ia ka adresuar kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski, disa ministrave të tjerë dhe drejtuesve të Gjykatave, thuhet se SHBA-ja ka investuar për 30 vjet mbi gjysmë miliard euro në sundimin e ligjit, por sipas ambasadores amerikane, “rezultatet sa vijnë dhe tkurren”.
“Për më shumë se 30 vjet SHBA-ja e ka mbështetur Maqedoninë e Veriut në qëllimet e saj, përfshirë sundimin e ligjit dhe qeverisjen efikase. Kemi shpenzuar mbi 560 milionë dollarë për të ndihmuar në këto fusha, përfshirë trajnime dhe programe për shumicën e prokurorëve dhe gjykatësve. Fatkeqësisht, kam frikën se rezultati i ulët i këtij investimi sa vjen e tkurret”, u tha në letrën e Ambasadores Ageler.
Kritikat e ambasadores amerikane për gjyqësorin janë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut. “Letra do të shqyrtohet ditëve në vijim në mbledhjen e qeverinë”, kanë thënë nga Ministria e Drejtësisë. Reagimi i ambasadores amerikane ka të bëjë me shumë procese gjyqësore që kanë të bëjnë me ish-zyrtarët nga koha e ish-qeverisjes së kryeministrit, Nikolla Gruevski, të cilët ose janë liruar nga burgu, ose lëndët janë kthyer në rigjykim.
Ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijallkov, një nga familjarët dhe bashkëpunëtorët më të afërt të Gruevskit, më 13 prill është liruar edhe nga një dënim me burgim prej tri vjetësh, pasi Gjykata e Apelit nuk e ka shqyrtuar në afatin e paraparë, më 7 prill, vendimin e shkallës së parë. Mijallkov, më 8 mars 2019, ishte dënuar me tre vjet burgim për keqpërdorime zgjedhore në vitin 2013, por aktgjykimi nuk arriti të bëhet i plotfuqishëm.
Ndërkohë, Gjykata e Apelit në Shkup ka kthyer në rigjykim edhe procesin gjyqësor që ka të bëjë me të dënuarit për ngjarjet e dhunshme në Kuvend, më 27 prill të vitit 2017. Për këtë vepër me gjithsej 25 vjet burgim ishin dënuar ish-kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski (6 vjet e 6 muaj), ish-ministri i Transportit, Mile Janakieski (6 vjet e 3 muaj), ish-ministri i Arsimit, Spiro Ristoski (6 vjet e 3 muaj) dhe Vlladimir Atanasov, ish-drejtor i Policisë (6 vjet burg).
Lajme nga vendi
Operatori i tretë mobil në RMV do të fillojë punën në fillim të vitit 2027, do të ketë rrjetin e vet 5G
One Macedonia, pjesë e 4iG Group, zyrtarisht e mori licencën si operatori i tretë celular në vend. Operatori i ri deri në fund të muajit mars të vitit 2027 do të duhet të mbulojë një qytet me 5G, deri në fund të 2028-tës korridoret kryesore në përputhje me marrëveshjen, ndërsa deri në fund të 2030-tës të gjitha qytetet në shtet.
Kompania planifikon investime deri në 100 milion euro për ndërtim dhe zhvillim të rrjetit, hapje të vendeve të punës dhe bashkëpunim me kompanitë lokale.
“Ky nuk është vetëm fillim i një kompanie tjetër të telekomunikimeve. Për ne, hyrja në Maqedoninë e Veriut paraqet një zgjerim strategjik për prezencën tonë në të gjithë Ballkanin perëndimorë, rajon që është kyç për rritjen tonë afatgjate. Maqedonia e Veriut luan një rol të rëndësishëm për ambiciet tonë më të gjera për infrastrukturë dixhitale”, tha Pal Zarandi, Kryetar i Bordit të Drejtorëve të One Maqedoni.
Lajme nga vendi
Matësit digjital zëvendësohen me të mençur, qytetarët të ndarë në mendime
Elektrodistriubumi do t’i ndryshojë matësit aktual të energjisë elektrike me matës të mençur, të cilët do të jenë të lidhur me aplikacion të posaçëm dhe qytetarët do të mund ta ndjekin shpenzimin e energjisë elektrike përmes telefonave celularë.
Megjithatë një pjesë e qytetarëve frikësohen se nuk do të mund të përshtaten këtë situatë. Nga ana tjetër, disa qytetarë mendojnë se matësit e mençur do të sjellin më shumë rregull dhe transparencë, pasi secili do të ketë pasqyrë të qartë për shpenzimin dhe do të shmangen faturat paushalle për energjinë elektrike.
“Mundemi pse jo, normalisht, kur mund të paguajmë faturat, mundemi edhe atë ta kontrollojmë përmes telefonit”, tha një qytetar.
“A do të jetë shumë e qartë dhe a do të na besojnë, për shembull unë të lexoj dhe t’i them kam harxhuar 200 kilovat dhe a do të më besojnë për këtë, ata tani bëjnë disa gjëra që nuk mund t’i kuptojmë, ja tani shkoj në bankë, drejt të ju them, ma kthejnë faturën – thonë është paguar, ndërsa unë e di që nuk është paguar”, u shpreh një qytetar.
“Nuk e di unë këto gjëra sa kam harxhuar – jo jo, nuk mund ta bëjnë njerëzit e verbër këtë”, theksoi një qytetar.
Sipas Komisionit Rregullator të Energjetikës, futja në funksion e sistemeve të mençura të matjes është një hap kyç drejt eliminimit të dilemave nëse faturat e energjisë bazohen në konsum real apo të supozuar.
“Ligji është në fuqi, ndërsa operatorët e transmetimit dhe shpërndarjes duhet të bëjnë analizë për futjen e matësve të mençur. Qëllimi është që çdo qytetar vetë të ketë pasqyrë për shpenzimin përmes pajisjes mobile ose kompjuterit. Digjitalizimi do ta rrisë besimin”, thonë Komisioni Rregullator për Energjetikë
Futja në funksion e matësve smart është në proces dhe mund të zgjasë disa vite, përmes tyre qytetarët do të mund të kontrollojnë në kohë reale sa energji elektrike kanë harxhuar. Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut ka rreth 820 mijë matës, ndërsa EVN është e obliguar t’i lexojë të paktën një herë në tre muaj./ Alsat.mk
Lajme nga vendi
Rritja e pagave ose grevë e përgjithshme! LSM të mërkurën në protestë
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) të mërkurën organizon protestë për të shprehur pakënaqësinë nga mosrritja e pagës minimale në 600 euro dhe të gjithë pagave tjera për 100 euro. Protesta do të fillojë në orën 17 para ndërtesës së LSM-së dhe do të vazhdojë para Kuvendit dhe Odës Ekonomike, ndërsa do të përfundojë para Qeverisë. Nga LSM u bënë thirrje të gjithë punëtorëve që nuk kanë rritje të pagës të përfshihen në protestë.
“Është koha të luftojmë së bashku për paga dinjitoze së bashku me punëtorët. U bëjmë thirrje të gjithë punëtorëve, pagat e të cilëve nuk janë rritur, të gjithë punëtorëve që pyesin veten se si t’ia dalin mbanë këtë muaj, punëtorëve që i gënjyen shefat e tyre se do t’u rrisnin pagat, të na bashkohen në rrugë sepse nuk kanë rënë dakord të rrisin pagat e punëtorëve dhe të përmirësojnë standardin e punës deri më 31 dhjetor. U bëjmë thirrje punëtorëve sepse pragu i varfërisë në Maqedoni është 31.200 denarë, dhe 33 përqind e 540 mijë punëtorëve jetojnë nën pragun e varfërisë, domethënë shkojnë në punë dhe janë të varfër”, tha kryetari i LSM-së, Slobodan Trendafilov, pas seancës së përbashkët të sotme të organeve më të larta të LSM-së, në të cilën u miratua unanimisht vendimi për të protestuar.
Trendafilov përkujtoi se edhe në anketën e LSM-së punëtorët u shprehën se janë të gatshëm të dalin në protestë nëse nuk rriten pagat. “Ky është vetëm hapi i parë që po ndërmarrim në një seri hapash që do të ndërmarrim në periudhën e ardhshme, që do të thotë protesta shtesë, bllokada shtesë të synuara të institucioneve të caktuara dhe një grevë të përgjithshme 24-orëshe në sektorin publik dhe privat, dhe nëse nuk dëgjojnë, ne do të mbledhim 10,.000 nënshkrime dhe do të bëhemi propozues i autorizuar dhe do të kërkojmë një ulje të pagave të zyrtarëve për 78 për qind dhe një rritje të pagës minimale në 600 euro dhe një rritje të pagave të tjera”, tha Trendafilov.
Ai nuk beson se do të thirren për bisedime sepse, siç thotë ai, e kanë bërë këtë gjatë gjithë vitit 2025. Vitin e kaluar, siç theksoi ai, nuk pati rritje drastike të pagave, dhe që nga janari shporta sindikaliste është rritur me gati një mijë denarë. Ai shtoi se me politika të tilla, personeli i kualifikuar po largohet nga vendi me të gjitha familjet e tyre, dhe të huajt po vijnë për të mbushur vendet e punës.

