Lajme nga vendi
Ligjet për Korridoret 8 dhe 10-D në Maqedoninë e Veriut mbeten të bllokuara në Kuvend

Gjashtë nga tetë ligjet e propozuara kryesisht nga BDI-ja për lehtësimin e procedurave të ndërtimit të Korridorit 8 dhe 10D nuk janë vendosur fare në rend dite në komisionet përkatëse të udhëhequra nga VMRO-DPMNE-ja. Vetëm ligji për lëndët e para minerale mori miratimin e komisionit për çështje ekonomike dhe pritet të votohet së shpejti në plenare kurse ligji për marrëdhënie pune është bllokuar me mijëra amendamente në Komisionin për politikë sociale. Koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së akuzon VMRO-DPMNE-në për bllokim, meqë, sipas tij, opozita nuk dëshiron ndërtimin e autostradave dhe realizimin e investimeve kapitale në të mirë të qytetarëve. I pyetur nëse pushteti planifikon të tërheqë ligjet dhe t’i rikthejë ato me yll të BE-së për të shmangur bllokimin, Ademi thotë se angazhimi i tyre për momentin, është vazhdimi i procedurave të nisura.
“I bëjmë thirrje opozitës për arsye se vetëm për dy propozim-ligje diskutohet ndërsa për gjashtë propozim-ligje të tjera të cilat komisione udhëhiqen nga kuadro që vinë nga opozita fare nuk është caktuar seancë dhe bëhet fjalë për shkelje flagrante të detyrimeve të tyre si udhëheqës të komisioneve respektive… Bisedimet e mija, kontaktet e mija janë në drejtim të konvokimit të seancave me deputetët e tjerë, përfshirë edhe opozitën janë në drejtim të konvokimit të seancave duke ua mundësuar deputetëve që të diskutojnë. Pse të mos diskutojnë deputetët?”, u shpreh Arbër Ademi, BDI.
Opozita është e vendosur të bllokojë zgjidhjet e propozuara ligjore me dyshimet për keqpërdorime dhe jotransparencë nga ana e pushtetit dhe nuk do të lëshojnë pe deri sa ta shohin marrëveshjen e arritur mes shtetit dhe Behtel-Enkës si realizues. VMRO-DPMNE-ja tashmë ka bërë një kërkesë që deputetët me certifikatë sigurie të kenë qasje te marrëveshja por deri në këto momente nuk kanë marrë përgjigje zyrtare për kërkesën e tyre.
“Sigurisht se një gjë e tillë duhet të mundësohet sipas procedurave që kanë të bëjnë me shikim të dokumenteve të klasifikuara dhe të gjithë deputetët në një procedurë të tillë që kanë interes, pse të mos njoftohen. S’ka asgjë të fshehtë, s’ka asgjë të cilën nuk duhet ta dinë deputetët por ama do të duhet t’i lëmë deputetët që të diskutojnë për propozim-ligjet. Nuk mu përgjigjët, ju vetë e keni parë marrëveshjen? Unë nuk e kam parë për arsye se nuk kam certifikatë për dokumente të klasifikuara”, u shpreh Arbër Ademi, BDI.
Tetë propozim ndryshimet ligjore synojnë të sigurojnë orar të zgjatur të punëve ndërtimore, shkurtim të procedurave administrative të shpronësimit, lehtësimit të procesit të shfrytëzimit të lëndëve të para minerale, të shfrytëzimit të hapësirave pyjore, të procedurave të planifikimit urbanistik si dhe lehtësim të marrjes së lejeve gjatë procesit të ndërtimit. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Nga shtatori do të ketë përsëri rritje të pensioneve, ende nuk kemi biseduar nëse do të jetë lineare ose procentuale, thotë Koçoska

Nga shtatori do të ketë përsëri rritje të pensioneve, por ende, nuk kemi biseduar për atë nëse ajo do të jetë rritje lineare ose procentuale, edhe pse e dini qëndrimin tim se unë jam ithtare për atë që të ketë rritje lineare të pensioneve, deklaroi sot në konferencë për media ministrja e Financave, Dimitrieska Koçoska.
Duke e prezantuar propozim ribalancin e Buxhetit për vitin 2025, në konferencë për media në Qeveri, Koçoska tha se transferimi i përgjithshëm nga Buxheti ndaj FSPIM këtë vit do të jetë diku rreth 50 miliardë dhe se me propozim ribalancin parashikohen edhe rreth 2,5 miliardë.
Fondi për SPIM, theksoi Koçoska, pranon të ardhura sa i përket kontributeve të cilat i realizon buxheti dhe ata, edhe pse kalojnë nëpërmjet Buxhetit, drejtpërdrejtë transferohen në FSPIM.
“Në gjysmën e parë të vitit pati një realizim më të dobët se sa ishte parashikuar për ne deri në fund të vitit, sepse ne e parashikuam, dhe projeksioni do të realizohet sepse nuk patëm përputhshmëri me pagën minimale dhe pagat vazhdojnë të rriten dhe tani ndihet tashmë nga muaji në muaj, se si kemi një mbledhje më të madhe të kontributeve, kështu që është planifikuar 2,5 miliardë, por kjo është vetëm rezultat i atyre mungesave të likuiditetit që ka SPIM në aspektin se sa realizon nga të ardhurat e veta”, sqaroi Koçoska.
Koçoska, gjithashtu, konfirmoi se në propozim ribalancin e Buxhetit ka paraparë edhe rritje të mjeteve për pagat në sektorin publik.
“ Flasim për realizimin e buxhetit dhe zërin paga. Po, ka rritje. Më së shumti këtu efekti është për shkak të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila kishte rritje të pagave prej 10 për qind, ndërsa MPB në thelb numëron numrin më të madh të administratës. Ata kanë rreth 12 mijë të punësuar”, sqaroi Koçoska.
Për paga në sektorin publik, Koçoska tha se janë diku rreth 800 milionë, prej të cilave rreth 600 milionë janë për MPB.
Lajme nga vendi
Ribalanci i buxhetit në mbledhje të Qeverisë, paralajmërohen më shumë mjete për komunat dhe për paga më të larta

Në mbledhje të Qeverisë sot do të shqyrtohet ribalanci i Buxhetit, paralajmëroi kryeministri Hristian Mickoski, i cili u përgjigj në pyetje ku do të shkurtohet dhe ku do të ketë më shumë para me ribalancin e ri. Ai theksoi se në ribalancin e ri të buxhetit do të ketë më shumë para për komunat, paga më të mëdha, pensione, si dhe për shëndetësinë.
“Aty janë mjetet për ato projekte, të cilat janë në kuadër të njësive të vetëqeverisjeve lokale, mjete për më shumë subvencione, paga më të larta, pensione, etj, dhe shëndetësi. Por, pastaj të themi pas miratimit të Propozim-buxhetit në lexim të parë në kuadër të mbledhjes së qeverisë kjo supozoj do të sqarohet para mediave”, deklaroi Mickoski.
I pyetur për raportin e Entit Shtetëror të Statistikave në lidhje me bujqësinë, ku janë shënuar inpute më të mëdha dhe autpute më të mëdha dhe është pozitive për bujqit dhe çka mund të presin nga ribalanci i buxhetit, Mickoski u përgjigj se kjo është absolutisht e saktë, ka rritje të çmimeve ndaj blerësve dhe më shumë para për bujqit në investime të reja.
“Absolutisht kjo është e saktë dhe këtë e tregon Raporti i ri i Entit Shtetëror të Statistikave dhe kemi rritje dyshifrore të autputit, gjegjësisht rritje të çmimeve ndaj blerësve, që në përgjithësi shkon për eksport dhe do të thosha të parëndësishëm prej 1,2 për qind input të rritur, kjo në shpenzimet, në anën e shpenzimeve të bujqve dhe kjo është tashmë disa muaj dhe kjo është e shkëlqyer, parametër i shkëlqyer. Kjo nënkupton më shumë para për investime, më shumë para për bujqit”, tha Mickoski.
Sa i përket mbështetjes të cilën e jep Qeveria, kryeministri Mickoski theksoi se vitin e kaluar është dhënë mbështetje për bujqit më shumë se 8,6 miliardë denarë.
Lajme nga vendi
Përplasje fizike në mes këshilltarëve në Komunën e Koçanit

Në seancën e sotme të Këshillit të Komunës së Koçanit, ndodhën momente tensionuese, të shoqëruara me incidente dhe përpjekje për konfrontime fizike midis disa prej këshilltarëve.
Atmosfera ishte jashtëzakonisht e elektrizuar, ndërsa debati midis anëtarëve të Këshillit përshkallëzoi deri në konflikt të drejtpërdrejtë verbal dhe fizik.
Në konfrontimin fizik u përfshinë këshilltarët Aki Akiov dhe koordinatori i grupit të këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së, Mirce Stojkov.
Siç raportohet, në këtë incident ka intervenuar edhe policia.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve