Lajme nga vendi
Besimi: Teknologjia dhe njohuritë do të jenë shtytësit e rritjes në ekonominë e re globale
Teknologjia do të ketë një nga rolet kryesore në ekonominë e re të riglobalizuar, duke kontribuar në të gjitha sistemet, nga tregtia dhe investimet, përmirësimi i inovacionit dhe rezistencës së sektorit privat, fuqia punëtore, deri te ballafaqimi me ndryshimet klimatike dhe tranzicioni energjetik. Vlerësimet janë se rreth 70 për qind e vlerës së re të krijuar në ekonominë globale do të rezultojë nga teknologjia digjitale, shkruan në kolumnën e tij të fundit, ministri i Financave, Fatmir Besimi.
Teknologjia është jashtëzakonisht e rëndësishme në uljen e kostove gjatë tregtimit dhe rritjen e tregtisë së shërbimeve.
“Jetojmë në një kohë ku teknologjitë e ndryshojnë tregtinë fizike më shpejt se kurrë, si inteligjenca artificiale, DLT, shtypja 3D, sensorët inteligjentë, etj., që bartin më shumë elasticitet në zinxhirin e furnizimit, tregtinë ndërkufitare, menaxhimin më të mirë të rrezikut dhe zbutjen e krimit financiar. Në këtë drejtim, nevojitet bashkëpunim më i madh për zbatimin e proceseve të identitetit digjital, përmirësimin e funksionimit të sistemit dhe mjedisit rregullator”, thekson ministri.
Duke iu referuar investimeve, ministri thekson mjete të reja për nxitjen e investimeve të huaja direkte, si krijimi i bazave të të dhënave të furnitorëve dhe investitorëve të qëndrueshëm.
Sa i përket ballafaqimit me ndryshimet klimatike dhe tranzicionin energjetik, Besimi sërish përmend rolin e teknologjive të reja në këto procese.
“Transformimi energjetik lidhet ngushtë me ndryshimet klimatike, të cilat dolën në pah gjatë periudhës së kaluar. Masat që lidhen me tranzicionin energjetik i referohen teknologjive inovative dhe rritjes së efikasitetit energjetik, si dhe ndarjes së rritjes ekonomike nga konsumi i energjisë, veçanërisht në vendet në zhvillim. Teknologjia e gjelbër ishte në zhvillim edhe gjatë dekadës së fundit, falë përmirësimeve të vazhdueshme, me ç’rast energjia diellore dhe e erës bëhen gjithnjë e më të lira. Me vitin 2050, sipas disa llogaritjeve, kalimi nga karburantet fosile në energjinë diellore dhe të erës do të kursejë 12 trilionë dollarë në nivel global”, shkruan ministri.
Në vijim, Besimi shton se teknologjitë e reja janë ato që mund të kontribuojnë në produktivitet dhe qëndrueshmëri më të madhe në bujqësi. Ato mund të ndihmojnë në testimin e cilësisë së tokës, mbjelljen, monitorimin e kulturave bujqësore, vlerësimin e përpunimit të tokës, si dhe lidhjen me furnizuesit dhe blerësit e rinj.
“Platformat digjitale për produktet bujqësore, si Farm Pas u ndihmojnë miliona bujqve në zonat rurale, që të marrin çmime të arsyeshme si dhe financa për zgjerimin e biznesit të tyre”, thekson ministri.
Në këtë kolumnë, thuhet se inovacioni dhe përshtatshmëria në periudhën e ardhshme do të jenë ato që do të sigurojnë qëndrueshmërinë e biznesit. Teknologjitë e reja, si dhe inteligjenca artificiale pritet që të japë kontribut të rëndësishëm në shumë sektorë si prodhimtaria, bujqësia, farmaceutika, shërbimet shëndetësore dhe kujdesi, etj. Stimulimi dhe përkrahja e investimeve direkte në fushën e digjitalizimit, si në tregtinë elektronike dhe fintech, mund të ofrojnë përkrahje të konsiderueshme për ekonominë në drejtim të krijimit të vendeve të reja të punës, veçanërisht në periudhën pas kovid-it.
Lajme nga vendi
Në vendkalimet kufitare nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi
Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë njofton se trafiku në vend po zhvillohet pa pengesa dhe në rrugë të thata.
Trafiku jashtë mjediseve urbane po zhvillohet me intensitet mesatar.
“Në vendkalimet kufitare nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi”, thonë nga LAMM. Nga atje u bëjnë thirrje shoferëve që të kenë kujdes me shpejtësinë e automjeteve, veçanërisht nëpër luginat e vendit ku mund të ketë rrëshqitje të dheut.
Lajme nga vendi
“Në gjobë do të ketë edhe foto”, Iseni: Do të shihet nëse shoferi ka pasur të vendosur rripin e sigurisë ose nëse ka qenë duke folur në telefon
“Në gjobë do të ketë edhe foto. Do të shihet nëse shoferi ka pasur të vendosur rripin e sigurisë ose nëse ka qenë duke folur në telefon”, kështu deklaroi zëvendësministri i Punëve të Brendshme Astrit Iseni .
Iseni mes tjerash theksoi se qëllimi nuk është të gjobiten qytetarët, por siç shtoi, të rritet vetëdija nga pakujdesia.
Lajme nga vendi
Filloi testimi i kamerave të ‘Qytetit të Sigurt’, policia me apel
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi qytetarët se në kuadër të projektit “Qyteti i Sigurt”, në periudhën nga 20.01 (e martë) deri më 31.01 (e shtunë) do të bëhet testimi, kalibrimi dhe verifikimi i pajisjeve (kamerave) të vendosura për mbikëqyrjen e qarkullimit, transmeton Portalb.mk.
Testimet do të realizohen çdo ditë në periudhën nga ora 08:00 deri në orën 20:00.
“Gjatë zbatimit të këtyre aktiviteteve, automjetet në lokacionet ku bëhet testimi nuk do të lejohet të kalojnë gjersa zgjat procedura. Në javën e parë të periudhës së planifikuar, aktivitetet do të kryhen ekskluzivisht në lokacionet me kamerat e vendosura në zonën e qytetit të Shkupit”, informoi MPB.
Ata u bënë thirrje qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë kufizimet e përkohshme, si dhe të tregojnë mirëkuptim, durim dhe bashkëpunim me qëllim të realizimit të pandërprerë dhe të sigurt të aktiviteteve të planifikuara.
Kamerat “Qytet i Sigurt” të instaluara në udhëkryqet e Shkupit regjistrojnë automatikisht shkeljet e trafikut duke filluar nga 1 dhjetori. Ishte planifikuar që gjobat të fillojnë të zbatohen nga 1 janar 2026, mirëpo kjo është shtyrë për në 1 shkurt 2026.
Synimi është që deri në vitin 2030 të zvogëlohet dhe të përgjysmohet numri i aksidenteve në trafik.
Zbatimi i projektit “Qyteti i sigurt”, i cili në fazën e parë, përveç në Shkup, do të zbatohet edhe në Tetovë dhe Kumanovë.

