Lajme nga vendi
Është prishur autobusi, udhëtarët nga Maqedonia kaluan natën në autostradën e Serbisë
Udhëtarët nga Maqedonia kaluan natën në autostradë në Serbi për shkak të prishjes së autobusit, raporton Sitel, transmeton Portalb.mk.
Rreth 50 udhëtarë qëndruan në mes të autostradës afër Beogradit për më shumë se 10 orë për shkak të prishjes së autobusit me të cilin po udhëtonin nga Lubjana për në Shkup. Autobusi është në pronësi të agjencisë Hisar Travel dhe funksionon në linjë të rregullt. Defekti ka ndodhur natën pas mesnate, pas çka pasagjerët janë nxjerrë nga autobusi, ndërsa drejtuesit e mjeteve kanë tentuar ta riparojnë vetë autobusin. Inspektorati i Transportit dhe Lidhjeve kontrollon dokumentet e Hisar Travel nëse transportin e udhëtarëve e kryejnë në mënyrë të ligjshme dhe të sigurt.
Ndryshe, fatkeqësia më e madhe me autobus ndodhi para mbi tre vite e gjysmë me autobusin e“Durmo Turs” i cili doli nga autostrada dhe u rotullua në fshatin Llaskarcë të Shkupit në fshatin, ku humbën jetën gjashtëmbëdhjetë qytetarë. Sot e kësaj dite, rasti ende nuk ka marrë ndonjë epilog.
Shkaqet e aksidentit ende nuk dihen. Gjykimi për rastin “Llaskarca” ka nisur në shtator të vitit 2019, ndërsa deri tani ka pas mbi 100 seanca gjyqësore dhe nuk mund t’i zhbllokohet. Lëndën e udhëheq gjyqtarja Dijana Gruevska, gjyqtarja e dytë është Aleksandra Risteska.
Lajme nga vendi
Në vendkalimet kufitare nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi
Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë njofton se trafiku në vend po zhvillohet pa pengesa dhe në rrugë të thata.
Trafiku jashtë mjediseve urbane po zhvillohet me intensitet mesatar.
“Në vendkalimet kufitare nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi”, thonë nga LAMM. Nga atje u bëjnë thirrje shoferëve që të kenë kujdes me shpejtësinë e automjeteve, veçanërisht nëpër luginat e vendit ku mund të ketë rrëshqitje të dheut.
Lajme nga vendi
“Në gjobë do të ketë edhe foto”, Iseni: Do të shihet nëse shoferi ka pasur të vendosur rripin e sigurisë ose nëse ka qenë duke folur në telefon
“Në gjobë do të ketë edhe foto. Do të shihet nëse shoferi ka pasur të vendosur rripin e sigurisë ose nëse ka qenë duke folur në telefon”, kështu deklaroi zëvendësministri i Punëve të Brendshme Astrit Iseni .
Iseni mes tjerash theksoi se qëllimi nuk është të gjobiten qytetarët, por siç shtoi, të rritet vetëdija nga pakujdesia.
Lajme nga vendi
Filloi testimi i kamerave të ‘Qytetit të Sigurt’, policia me apel
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi qytetarët se në kuadër të projektit “Qyteti i Sigurt”, në periudhën nga 20.01 (e martë) deri më 31.01 (e shtunë) do të bëhet testimi, kalibrimi dhe verifikimi i pajisjeve (kamerave) të vendosura për mbikëqyrjen e qarkullimit, transmeton Portalb.mk.
Testimet do të realizohen çdo ditë në periudhën nga ora 08:00 deri në orën 20:00.
“Gjatë zbatimit të këtyre aktiviteteve, automjetet në lokacionet ku bëhet testimi nuk do të lejohet të kalojnë gjersa zgjat procedura. Në javën e parë të periudhës së planifikuar, aktivitetet do të kryhen ekskluzivisht në lokacionet me kamerat e vendosura në zonën e qytetit të Shkupit”, informoi MPB.
Ata u bënë thirrje qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë kufizimet e përkohshme, si dhe të tregojnë mirëkuptim, durim dhe bashkëpunim me qëllim të realizimit të pandërprerë dhe të sigurt të aktiviteteve të planifikuara.
Kamerat “Qytet i Sigurt” të instaluara në udhëkryqet e Shkupit regjistrojnë automatikisht shkeljet e trafikut duke filluar nga 1 dhjetori. Ishte planifikuar që gjobat të fillojnë të zbatohen nga 1 janar 2026, mirëpo kjo është shtyrë për në 1 shkurt 2026.
Synimi është që deri në vitin 2030 të zvogëlohet dhe të përgjysmohet numri i aksidenteve në trafik.
Zbatimi i projektit “Qyteti i sigurt”, i cili në fazën e parë, përveç në Shkup, do të zbatohet edhe në Tetovë dhe Kumanovë.


You must be logged in to post a comment Login