Lajme nga vendi
RMV, do të zhvendoset data e maturës shtetërore nëse deri të premten nuk do të rriten pagat, thonë nga Qendra e Provimeve

Do të zhvendoset data e dhënies së provimit të maturës shtetërore nëse punonjësit e Qendrës Shtetërore të Provimeve (QShP) nuk marrin pëlqimin e Ministrisë së Financave për rritje pagash deri të premten. Sindikata e Qendrës Shtetërore të Provimeve (QShP) po vazhdon grevën e nisur të martën e kaluar për shkak se nuk kanë marrë miratimin nga Ministria për kontratën e tyre kolektive, e cila do t’i rrisë pagat, transmeton Portalb.mk.
Greva prek 15.620 maturantë të cilët janë regjistruar për të dhënë dy provimet eksterne më 27 maj dhe 10 qershor. Është ndërprerë edhe testi ndërkombëtar TIMSS, i cili mat arritjet e nxënësve në lëndët e matematikës dhe grupeve lëndëve natyrore (shkenca natyrore, fizikë, kimi, biologji). Testimi filloi më 3 prill dhe përfshin rreth 4.900 nxënës në 150 shkolla fillore.
Emilia Boshkovska, kryetare e organizatës sindikale në të cilën janë anëtarë të 29 të punësuarit, dje i bëri thirrje Ministrisë që t’i marrë seriozisht dhe të marrin përgjigje pozitive deri të premten sepse, në të kundërtën, duhet të ndrshohet kalendari për të gjitha proceset për të cilat është përgjegjës QShP dhe datat për dhënien e provimit të maturës shtetërore, i cili duhet të nisë më 27 maj.
Boskovska dje në një konferencë për media tha se Ministria e Financave i ka njoftuar përmes telefonit se “u vjen keq që kanë paga kaq të ulëta” dhe në vend të kontratës kolektive, si më të favorshëm, kanë propozuar Ligjin për zyrtarët administrativ.
Duke shpjeguar se pse oferta është e papranueshme për ta, ajo tha se përgjegjësia kryesore e QShP është që të kujdeset për cilësinë e arsimit në vend, ndërsa Ligji për zyrtarët administrativ nuk e parasheh atë pjesë, përkatësisht pjesën e edukim për të gjithë të përfshirët në institucion.
“Kemi qenë të vetëdijshëm për këtë për një kohë të gjatë dhe një nga arsyet pse i kemi qëndruar marrëveshjes kolektive është se jemi të veçantë si institucion dhe punonjësit kanë një mënyrë tjetër trajnimi, sistemi është i mbyllur, ka pak punonjës në mënyrë që të mos ketë thyerje të testeve, detyra shumë të përgjegjshme për secilën prej tyre dhe disa procese për një person”, tha Boshkovska.
Ata kanë marrë parasysh të gjitha përgjegjësitë që kanë në këtë periudhë dhe duke pasur parasysh kalendarin dhe provimet e planifikuara, i kanë bërë thirrje Ministrisë së Financave, siç tha ajo, “të na konsiderojë seriozisht në marrjen e vendimeve dhe të marrin përgjigje pozitive deri të premten në mënyrë që të realizojë maturën me këto data”.
“Pas të premtes, çdo negociatë do të duhet të jetë për ndryshimin e kalendarit dhe ndryshimin e datave të maturës. Ne nuk do të dëshironim që të vinte deri te kjo, por është gjithashtu një opsion. Ne do të jemi të durueshëm. Do të ketë maturë, nuk duam të dëmtojmë askënd dhe duam të zbatojmë të gjitha proceset, por kalendari do të duhet të ndryshojë. Por, është në interes të nxënësve që kjo të ndodhë sa më shpejt dhe të mos ndryshojmë datat”, apeloi Boshkovska.
Njëzet e nëntë punonjësit kërkojnë paga më të larta, të cilat nuk janë rritur as pas rritjes sërish të pagës minimale, e cila ka sjellë barazimin e pagave për pozicione të ndryshme pune. Pothuajse gjysma e tyre, 11, marrin rreth 20.100 denarë, kurse këshilltarët që, siç thonë, janë shtylla kurrizore e QShP-së, marrin 26 mijë denarë.
Lajme nga vendi
Fetai: Një hap më afër drejt transparencës në menaxhimin me pronën shtetërore

Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi dje kërkesën e Kabinetit të Zëvendëskryeministrit të ngarkuar për politika të qeverisjes së mire, Arben Fetai për zgjerimin e grupit të punës që do të hartojë Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit final të Revizorit shtetëror mbi menaxhimin e pronës shtetërore.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi efikas, të drejtë dhe të përgjegjshëm të menaxhimit të pasurisë publike, si dhe në parandalimin e keqpërdorimeve dhe mungesës së transparencës që kanë ndodhur në të kaluarën, thekson zëvendëskryeministri Fetai.
Grupi i punës, i udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit, do të përfshijë përfaqësues nga institucionet kyçe shtetërore: Shërbimi i punëve të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë, Ndërmarrja Publike për ndërtimin dhe administrimin e hapësirave banesore dhe afariste (Sh.A. – Shkup), Ndërmarrja Publike për administrimin e hapësirave afariste në pronësi shtetërore (Sh.A. – Shkup), Agjencia për Kadastrën e Pasurive të Paluajtshme, Ministria e Financave, Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë dhe Komisioni për Çështje Banesore.
Për herë të parë në historinë e vendit, po përgaditet edhe Regjistri Kombëtar i Pronës Shtetërore, një nismë e udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit Fetai dhe bazuar në praktikat më të mira evropiane, me qëllim të eliminimit të rrezikut të korrupsionit dhe keqpërdorimeve në këtë sektor të ndjeshëm.
“Ky është një moment kyç për të ndërtuar një sistem modern të menaxhimit të burimeve shtetërore, ku transparenca dhe llogaridhënia janë parimet udhëheqëse,” vlerëson Fetai.
Lajme nga vendi
Mexhiti: 229 milionë denarë për projekte ekologjike, ftoj të gjithë qytetarët të aplikojnë!

Zëvëndëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti, sot ka njoftuar për shpalljen e Konkursit publik për ndarjen e mjeteve nga Programi për Investime në Mjedis për vitin 2025.
“Me këtë program synojmë të financojmë projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mjedisit; ujë të pastër, tokë të shëndetshme, biodiversitet të mbrojtur dhe vetëdije më të lartë publike. Kemi ndarë gjithsej 229 milionë denarë, të cilat do të shpërndahen për kanalizime dhe pastrim të ujërave të zeza; për ujësjellës; për projekte kërkimore e arsimore; si dhe për edukim dhe vetëdijesim mjedisor”, ka shkruar ministri Mexhiti.
Ai tutje në këtë njoftim ka ftuar të gjithë qytetarët e gjitha kategorive që të aplikojnë dhe ka veçuar kriteret të cilat do të kenë përparësi.
“Ftoj të gjitha komunat, OJQ-të, institucionet arsimore dhe shkencore, si dhe çdo individ apo organizatë që ka ide dhe vullnet të kontribuojë, që të aplikojnë. Këtë vit i japim rëndësi të veçantë zgjidhjeve inovative, ndaj ftoj veçanërisht kompanitë startup dhe IT që të sjellin ide të reja për një mjedis më të mirë. Afati është 3 javë nga dita e sotme dhe formularët janë të disponueshëm në faqen e Ministrisë”, ka përfunduar ministri Mexhiti.
Lajme nga vendi
Çair, hidhet koktej molotovi për të djegur një kazino

Më 8 prill, në orën 03:31, në SPB Shkup është raportuar nga një kazino në rajonin e Çairit se dy persona kishin hedhur një shishe me lëng të ndezshëm para hyrjes së kazinosë. Punonjësit e sigurimit e kanë shuar zjarrin.
Nuk ka persona të lënduar.
Po merren masa për zbardhjen e rastit.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve