Site icon Tetova Expres

RMV, do të zhvendoset data e maturës shtetërore nëse deri të premten nuk do të rriten pagat, thonë nga Qendra e Provimeve

Do të zhvendoset data e dhënies së provimit të maturës shtetërore nëse punonjësit e Qendrës Shtetërore të Provimeve (QShP) nuk marrin pëlqimin e Ministrisë së Financave për rritje pagash deri të premten. Sindikata e Qendrës Shtetërore të Provimeve (QShP) po vazhdon grevën e nisur të martën e kaluar për shkak se nuk kanë marrë miratimin nga Ministria për kontratën e tyre kolektive, e cila do t’i rrisë pagat, transmeton Portalb.mk.

Greva prek 15.620 maturantë të cilët janë regjistruar për të dhënë dy provimet eksterne më 27 maj dhe 10 qershor. Është ndërprerë edhe testi ndërkombëtar TIMSS, i cili mat arritjet e nxënësve në lëndët e matematikës dhe grupeve lëndëve natyrore (shkenca natyrore, fizikë, kimi, biologji). Testimi filloi më 3 prill dhe përfshin rreth 4.900 nxënës në 150 shkolla fillore.

Emilia Boshkovska, kryetare e organizatës sindikale në të cilën janë anëtarë të 29 të punësuarit, dje i bëri thirrje Ministrisë që t’i marrë seriozisht dhe të marrin përgjigje pozitive deri të premten sepse, në të kundërtën, duhet të ndrshohet kalendari për të gjitha proceset për të cilat është përgjegjës QShP dhe datat për dhënien e provimit të maturës shtetërore, i cili duhet të nisë më 27 maj.

Boskovska dje në një konferencë për media tha se Ministria e Financave i ka njoftuar përmes telefonit se “u vjen keq që kanë paga kaq të ulëta” dhe në vend të kontratës kolektive, si më të favorshëm, kanë propozuar Ligjin për zyrtarët administrativ.

Duke shpjeguar se pse oferta është e papranueshme për ta, ajo tha se përgjegjësia kryesore e QShP është që të kujdeset për cilësinë e arsimit në vend, ndërsa Ligji për zyrtarët administrativ nuk e parasheh atë pjesë, përkatësisht pjesën e edukim për të gjithë të përfshirët në institucion.

Advertisement

“Kemi qenë të vetëdijshëm për këtë për një kohë të gjatë dhe një nga arsyet pse i kemi qëndruar marrëveshjes kolektive është se jemi të veçantë si institucion dhe punonjësit kanë një mënyrë tjetër trajnimi, sistemi është i mbyllur, ka pak punonjës në mënyrë që të mos ketë thyerje të testeve, detyra shumë të përgjegjshme për secilën prej tyre dhe disa procese për një person”, tha Boshkovska.

Ata kanë marrë parasysh të gjitha përgjegjësitë që kanë në këtë periudhë dhe duke pasur parasysh kalendarin dhe provimet e planifikuara, i kanë bërë thirrje Ministrisë së Financave, siç tha ajo, “të na konsiderojë seriozisht në marrjen e vendimeve dhe të marrin përgjigje pozitive deri të premten në mënyrë që të realizojë maturën me këto data”.

“Pas të premtes, çdo negociatë do të duhet të jetë për ndryshimin e kalendarit dhe ndryshimin e datave të maturës. Ne nuk do të dëshironim që të vinte deri te kjo, por është gjithashtu një opsion. Ne do të jemi të durueshëm. Do të ketë maturë, nuk duam të dëmtojmë askënd dhe duam të zbatojmë të gjitha proceset, por kalendari do të duhet të ndryshojë. Por, është në interes të nxënësve që kjo të ndodhë sa më shpejt dhe të mos ndryshojmë datat”, apeloi Boshkovska.

Njëzet e nëntë punonjësit kërkojnë paga më të larta, të cilat nuk janë rritur as pas rritjes sërish të pagës minimale, e cila ka sjellë barazimin e pagave për pozicione të ndryshme pune. Pothuajse gjysma e tyre, 11, marrin rreth 20.100 denarë, kurse këshilltarët që, siç thonë, janë shtylla kurrizore e QShP-së, marrin 26 mijë denarë.

Advertisement
Exit mobile version