Connect with us

Lajme nga vendi

Arsimi në RMV është në defekt, nxënësit kërkojnë modernizim të sistemit

Published

on

Maqedonia e Veriut ka bërë progres të kufizuar në fushën e arsimit, vendi nuk ka realizuar pjesën më të madhe të rekomandimeve të fundit nga Komisioni Evropian. Nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme pohojnë se arsimi ballafaqohet me shumë probleme pasojat e së cilit i vuajnë vetë nxënësit. Për gjendjen aktuale të sistemit arsimor kritik shprehen edhe ekspertët. Pyetjes sonë se “çfarë bënë Ministria e Arsimit në për zhvillimin e arsimit cilësor në vendin tonë”, nuk iu përgjigjen nga ky institucion, shkruan Portalb.mk.

Arsimi, edhe pse një fushë jetike për një të ardhme më të mirë të vendit, përballet me shumë probleme dhe sfida. Në fakt ato që opinioni publik i percepton si sfida, hulumtuesit dhe studiuesit të sistemit arsimor e përshkruajnë si një sistem të shkatërruar e të vjetërsuar.

“Arsimi në vendin tonë nuk mund të thuhet që ka sfida pasi që edhe arsimi në Kanada apo në Singapor ka sfida dhe kjo është shumë normale. Arsimi te ne është në defekt, njëjtë sikur motori i një makine të vjetër e cila ecën por harxhon shumë karburant, ndot ajrin, nuk është konfortabël për udhëtarët që i ka brenda, dhe çdo minutë mund të ndalet. Mendoj që kjo e pasqyron saktë gjendjen e arsimit te ne. Për ta përmirësuar gjendjen duhet dije në vend të parë dhe nuk duhet relativizuar me këtë element. Ne jemi një kulturë kolektiviste dhe kemi tendence t’i relativizojmë gjerat duke u thirr në të kaluarën se sa keq paska qenë dhe se nuk kemi pas asgjë. Këtu nuk flas për një etnokulturë apo tjetër por për shtetin si tërësi. Nëse një nxënës apo student nga Shtipi del i papërgatitur nga shkolla apo fakulteti i tij, i njëjti/e njëjta është e dëmshme për të gjithë shtetin, dhe e njëjta vlen nëse një nxënës/e del e papërgatitur nga Tetova”, thotë eksperti dhe studiuesi i çështjeve të arsimit, Artan Limani.

Vetë nxënësit janë të vetëdijshëm se sistemi arsimor përballet me një numër të madh problemesh pasojat e të cilave ata vetë i vuajnë. Nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme (UNSHM) shprehen se sistemi arsimor në Maqedoninë e Veriut është shumë i vjetër dhe madje me informacione të pasakta.

“Ka mjaft probleme me sistemin tonë arsimor, por janë dy probleme kryesore që bien në sy. Njëra është vjetërsimi – na mëson njohuri dhe informacione që janë të parëndësishme për botën e sotme (aq më pak për të ardhmen për të cilën gjoja na përgatit), dhe në një numër të madh rastesh tashmë janë të pasakta. Problemi tjetër është i lidhur ngushtë – mungesa e zbatimit praktik. Shumica e njohurive transferohen teorikisht dhe nxënësit e kanë të vështirë nëse duhet ti zbatojnë njohuritë në praktik. Në të njëjtën kohë, një numër i madh i aftësive të nevojshme për jetën e mëtejshme dhe integrimin në shoqëri dhe në proceset civile janë hequr nga vetë kurrikulumi”, shprehen nga UNSHM.

Advertisement

A ka shpresë për përmirësimin e gjendjes së sistemit arsimor në RMV?

Profesori universitar, Artan Limani, shprehet pesimist në mundësinë për ta ndryshuar sa më shpejtë gjendjen në arsim. Ai thotë se nuk ekziston ndonjë model shembull i cili mundet të zbatohet në vendin tonë për të pasur progres dhe rezultate sa më të shpejta në ngritjen e cilësisë së arsimit në vendin tonë

“Kam edhe një përgjigje të gjatë për këtë por përsëri kthehemi te thelbi se kontekstet e shteteve janë autentike dhe të njëjtat ndërtohen në baze të eksperiencave zhvillimore, problemeve brenda shtetërore, ekonomive, ideologjive politike, vetëdijes individuale dhe kolektive të qytetareve, aktivizimit qytetar, nivelit të demokracisë në vend, dhe shumë më shume. Pra këtu mundemi të bëjmë një krahasim në mes të Sllovenisë dhe Maqedonisë së Veriut, ku të dyja shtetet zanafillën e pavarësisë e kanë nga viti 1991 mirëpo Sllovenia ka një sistem funksional arsimor kurse Maqedonia e Veriut një sistem me motor të dëmtuar. Kjo është ashtu sepse Sllovenia e ka një kontekst shumë më ndryshe se shteti jonë duke marrë parasysh ekonominë, pozitën gjeografike të shtetit, kulturën e lartë dhe nivelin e civilizimit, shumë më shumë aktivizim qytetar, si dhe nivel të lartë të funksionimit të demokracisë. Këtu vlen të theksohet që Sllovenia nismën në vitin 1991 e kishte me një nivel të fukarallëkut e kemi ne tani dhe kjo luan një rol të madh në kualitetin e jetesës dhe të arsimit në përgjithësi”, u shpreh profesori universitar Artan Limani.

Disa nga faktorët kryesor që ndikon në cilësinë e arsimit është standardi i jetës dhe aktivizimi qytetar.

“Studiues të shumtë të sistemeve shtetërore konkludojnë që sa ma i lartë fukarallëku aq më i ulët aktivizimi qytetar dhe si rezultat edhe komplet kualiteti i jetesës. Sa ma i lartë aktivizimi qytetar aq më shumë presion bëhet tek qeveria për përmirësim të politikave dhe sistemeve. Maqedonia e Veriut aktivizimin qytetar e ka shumë të ulët, në krahasim me Kosovën për shembull, dhe si rezultat problemet i kemi shumë më të mëdha dhe akute”, shtoi Artan Limani.

Advertisement

Nga ana tjetër, Leonard Zmajshek nga UNSHM thotë se sfidat dhe problemet me të cilat përballen si nxënës i shtyn që ata vetë të kërkojnë zgjidhje drejt progresit për në edukim më cilësor. Modernizimi i arsimit të mesëm është dhe mbetet prioritet i tyre deri në arritjen e këtij qëllimi.

“Sado që problemi na rëndon, na shtyn dy herë më shumë drejt zgjidhjes. Aktualisht, një grup pune i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme po punon për hartimin e një propozimi për modernizimin e arsimit të mesëm me njohuri që do t’i ndihmojë nxënësit e shkollave të mesme të bëhen qytetarë më aktivë dhe më të përgjegjshëm, si individualisht ashtu edhe kolektivisht. Ky koncept përfshin prezantimin e temave si debati, edukimi mediatik, edukimi qytetar dhe financiar. Gjegjësisht, është planifikuar të futet një lëndë e re edukatë qytetare dhe financiare për të katër vitet e shkollës së mesme, gjegjësisht arsimin e mesëm”, deklaruan për Portalb.mk nga UNSHM.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara në Entin e Statistikave, të publikuara në mars të vitit të kaluar, pjesë e procesit arsimor në vendin tonë janë:

186.649 nxënës në shkollat fillore, që paraqet një rënie prej 0,5% krahasuar me vitin shkollor paraprak
71.018 nxënës në shkollat e mesme, që paraqet një rënie prej 1.1% krahasuar me vitin paraprak
51.582 studentë në studimet deri-diplomike
Në arsimin e lartë, regjistrimi i përgjithshëm mbetet i ulët. Numri i studentëve të universitetit të regjistruar në vitin e parë të studimeve ka ardhur në rënie në tre vitet e fundit.

“Unë nuk kam bërë një studim demografik të studenteve gjatë viteve në shtet. Mirëpo, një gjë është e sigurt: Ne kemi shumë student të cilët duan të studiojnë në Universitete, për shkaqe të ndryshme, mirëpo jo të gjithë për shkak se janë të vendosur të merren me studime të lëmis specifike dhe të zhvillohen në aspekt personal, qytetar, dhe demokratik. Këtu dy linqe janë të këputura; edhe ajo e studentit, pasi që vjen nga shkolla e mesme i de-motivuar dhe akademikisht i papërgatitur, por edhe ajo e Universitetit, pasi që sado pak të ofron kualitet akademik, i njëjti nuk ofron mundësi për zhvillim interdisciplinar për studentet. Këtu hyn mundësia e një studenti të behet qytetar i denjë, të kuptojë demokracinë, të bëhen agjentë aktiv në proceset demokratike, të civilizohen, dhe të ngrihen intelektualisht. E gjithë kjo bën që studentet e denjë të cilët duan të bëhen qytetar global të botës vendosin të shkojnë të studiojnë jashtë shtetit”, përfundon profesori universitar Artan Liman.

Advertisement

Në fakt, numri i nxënësve viteve të fundit ka rënë edhe në shkollat fillore e të mesme. Shkak për këtë kryesisht vlerësohet migrimi masiv i popullatës drejt vendeve perëndimore për kushte më të mira jete.

RMV-ja ka bërë progres të kufizuar në fushën e arsimit dhe kulturës
Maqedonia u kritikua në Raportin vjetor të Komisionit Evropian, i cili e vlerësoi si të kufizuar progresin në fushën e edukimit dhe kulturës.

“Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur në fushën e arsimit dhe kulturës. Është bërë përparim i kufizuar në periudhën raportuese, ende e ndikuar nga pandemia COVID-19. Zbatimi i strategjisë së arsimit 2018-2025 është i ngadalshëm, si dhe zhvillimi i një sistemi të duhur monitorimi. Rekomandimet e raportit të vitit të kaluar janë adresuar vetëm pjesërisht dhe shumica mbeten të vlefshme”, thuhet në Raportin e Progresit nga Komisioni Evropian.

Redaksia jonë u drejtua deri tek Ministria e Arsimit dhe Shkencës për të pyetur se çfarë e kufizon progresin në fushën e arsimit dhe pse po zhvillohet me hapa të ngadalta Strategjia e Arsimit 2018-2025. Megjithatë nga ky institucion nuk i janë përgjigjur kërkesës sonë deri më sot.

Strategjia për arsimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2018-2025 është bazë për aktivitetet e institucioneve në Republikën e Maqedonisë në fushën e arsimit në periudhën deri në vitin 2025. Nis nga kushtet ekzistuese në sistemin arsimor dhe synon atë për t’i përmirësuar gradualisht ato, në përputhje me prioritetet e përcaktuara. Përndryshe, Strategjia për arsimin e Republikës së Maqedonisë për 2018-2025 dhe Plani i saj i veprimit janë zhvilluar me mbështetje financiare dhe teknike nga Bashkimi Evropian, përmes procesit të konsultimit dhe pjesëmarrjes, i cili është realizuar përmes takimeve, diskutimeve, debateve dhe konferencave në faza të ndryshme të përpunimit të Strategjisë, më saktë, nga përcaktimi i sfidave dhe prioriteteve deri te formulimi i tekstit përfundimtar.

Advertisement

Ndërkohë, Raporti i Progresit vuri në pah se rekomandimet që KE i bëri RMV-së në vitin 2021 janë plotësuar pjesërisht, kështu që pjesa më e madhe e tyre ri-rekomandohet të realizohet gjatë periudhës në vijim.

Të miratojë ligjin për Arsimin dhe Aftësimin Profesional (AFP), si dhe të themelimi dhe funksionalizimi i qendrave rajonale të AFP-së;
Të finalizohet dhe miratohet Ligji për arsimin e të rriturve
Të përmirësojë aksesin në arsim cilësor për të gjithë, në veçanti fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët nga komunitetet rome rrisin regjistrimin në parashkollor dhe vazhdojnë përmirësimin e mbështetjes për trajnimin dhe zhvillimin profesional të mësuesve.
BE-ja mbështet bashkëpunimin në arsim dhe kulturë përmes programeve të financimit dhe koordinimit të politikave të shteteve anëtare përmes metodës së hapur të koordinimit. BE-ja dhe Shtetet Anëtare duhet gjithashtu të parandalojnë diskriminimin dhe të sigurojnë arsim cilësor për fëmijët e punëtorëve migrantë, duke përfshirë ata me prejardhje të pafavorshme.

Advertisement

Lajme nga vendi

Paraburgim për një 31 vjeçar nga Shkupi, dyshohet për tentim për përdhunim

Published

on

Prokuroria Themelore Publike (PTHP) Shkup ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetuese ndaj personit për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer vepër penale sulm seksual dhe dhunim nga neni 186 paragrafi 1 lidhur me nenin 19 (në tentativë ) të Kodit Penal.

“Më 5 shtator, 31-vjeçari ka sulmuar një grua në Kisella Vodë dhe në kundërshtim me vullnetin e saj të shprehur qartë, ka tentuar qëllimisht të kryejë akte seksuale ndaj saj. Viktima ka qenë duke ecur në drejtim të shtëpisë së saj dhe pasi ka kaluar në vendkalimin për këmbësorë në bulevardin “Boris Trajkovski” afër komunës Kisella Boda, i dyshuari e ka kapur me të dyja duart dhe ka tentuar ta tërheqë zvarrë në një rrugë anësore. Ai e shtyu dhe tentoi ta sulmonte seksualisht. Gruaja vazhdonte të bërtiste, të kërkonte ndihmë dhe përpiqej të çlirohej, ndërsa kur njerëzit filluan të mblidheshin, i dyshuari e la të ikte pa e arritur qëllimin e tij”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga PTHP-ja.

Prokurori publik kompetent i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin, me të cilin ka deklaruar se ekziston rreziku që ai të ikë, të pengojë procedurën penale ose të përfundojë tentativën e veprës penale. Gjykata themelore penale e Shkupit e ka pranuar propozimin dhe të dyshuarit i është shqiptuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Durmishi: Ministria e Ekonomisë dhe Punës ndan mjete financiare për realizimin e programit (projektit) për mbrojtjen e konsumatorëve

Published

on

Ministria e Ekonomisë dhe Punës, në përputhje me përkushtimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, shpalli sot thirrje publike për ndarjen e mjeteve financiare për realizimin e programeve dhe projekteve nga shoqatat e konsumatorëve në kuadër të Programit për mbrojtjen e konsumatorëve për vitin 2024. Mjetet financiare nga ky Program janë të dedikuara për realizimin e programeve dhe projekteve nga shoqatat e konsumatorëve. Përmes kësaj mbështetjeje financiare, Ministria e Ekonomisë dhe Punës ndan mjete financiare për realizimin e programit (projektit) për mbrojtjen e konsumatorëve në vlerë prej 300.000,00 denarë deri në 500.000,00 denarë në përputhje me propozim programet (projektet) e dorëzuara për mbrojtjen e konsumatorëve deri në shterimin e mjeteve financiare të parashikuara për këtë thirrje, të organizatave joqeveritare për mbrojtjen e konsumatorëve për sigurimin e informacioneve dhe ndihmës për konsumatorët.Kjo iniciativë është pjesë e përpjekjeve tona të vazhdueshme për të përmirësuar cilësinë e jetës së të gjithë qytetarëve dhe për të forcuar mbrojtjen dhe të drejtat e tyre.Inkurajojmë të gjitha shoqatat e konsumatorëve që të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të aplikojnë për mbështetje financiare që do t’u mundësojë atyre të realizojnë projekte të rëndësishme për të mirën e konsumatorëve. Kjo thirrje është dëshmi e përkushtimit tonë për transparencë, drejtësi dhe gjithëpërfshirje në krijimin e politikave që përmirësojnë kushtet e jetesës së të gjithë qytetarëve.Më shumë informacione për kushtet e aplikimit, shumën e mjeteve financiare dhe afatin për dorëzimin e kërkesave mund të gjeni në ueb-faqen tonë www.economy.gov.mk.Sektori i Koordinimit të aktiviteteve të ministrit
Ju bëjmë thirrje të kontribuoni bashkërisht në forcimin e të drejtave të konsumatorëve në vendin tonë. Afati përfundimtar për dorëzimin e aplikimeve është jo më vonë se ora 16:00 më 20.09. të vitit 2024.Tv Koha

Continue Reading

Lajme nga vendi

Gjendet një trup i pajetë brenda një hoteli në Tetovë

Published

on

Me datë 05.09.2024 në ora 11:40, në SPB Tetovë nga Emergjenc Mjekësore e Tetovës kanë raportuar se në një hotel në Tetovë ndodhet një person i vdekur, i cili nga mjeku i Mjekësisë Emergjente ka konstatuar vdekjen pa shenja dhune.

“Është konstatuar se bëhet fjalë për P.J.R (68) nga Britania e Madhe. Prokurori publik dhe zyrtarët policorë nga SPB- Tetovë kanë kryer këqyrje në vendin e ngjarjes dhe me urdhër të Prokurorisë Publike, trupi i pajetë i të ndjerit është dorëzuar për obduksion”, thuhet në kumtesën e SPB Tetovë.

Continue Reading

Më të lexuarat