Lajme nga bota
U hapën Lojërat Paraolimpike në Paris, parakaloi edhe delegacioni i RMV, Kosova për herë të parë pjesëmarrëse
Mbrëmë në Paris u hapën Lojërat Paralimpike, në të cilat deri më 8 shtator do të marrin pjesë 4.400 sportistë nga 184 delegacione. Në mesin e pjesëmarrësve është edhe sportistja nga Maqedonia e Veriut, Olivera Nakovska-Bikova, e cila garon në qitje. Ndërkohë, Kosova për herë të parë merr pjesë në Lojërat Paralimpike me atletin Grevist Bytyqi, 33 vjeç, që do ta përfaqësojë Kosovën në atletikë, në disiplinën vrapim prej 1500 metrash trasmeton Portalb.mk.
Në mesin e mbi 50 mijë shikuesve nga mbarë bota, për herë të parë, flamuri i Kosovës ka valuar në ceremoninë hapëse të Lojërave Paralimpike “Paris 2024”.
Pas flamurit së Maqedonisë në hapjen e Lojërave Paraolimpike ishin tre përfaqësuese të delegacionit, por garuesja Nakovska-Bikova, siç thotë ekipi, në marrëveshje me trajnerin dhe delegacionin, vendosi të mos rrezikojë lodhjen e mundshme apo lëndimin e krahut dhe qëndroi në Chateru ku e shfrytëzoi ditën për stërvitje.
Ceremonia e hapjes së Lojërave Paralimpike filloi në Sheshin Concorde dhe Champs Elysees, me koreografi të suedezit Alexander Ekman.
Ashtu si në Lojërat Olimpike, ceremonia e hapjes së Lojërave Paralimpike po mbahet për herë të parë jashtë një stadiumi në kryeqytetin francez.
Tymi blu, i bardhë dhe i kuq, sipas ngjyrave të flamurit francez, u lëshua nga avionët e njësisë akrobatike të aviacionit francez, para se atletët të fillonin parakalimin e tyre.
Atletët nga 184 delegacione do të marrin pjesë në 22 sporte Paralimpike, duke garuar për gjithsej 549 medalje ari në Paris.
Drejtori artistik Thomas Joly ka premtuar se ceremonia e hapjes do të jetë një spektakël që do të shfaqë atletët paraolimpikë dhe vlerat që ata mishërojnë dhe do të shfaqë performanca që nuk janë parë kurrë më parë.
Gjatë ditës, pishtari Paralimpik mbërriti në Paris dhe kaloi nëpër rrugët e kryeqytetit të Francës, dhe aktori Jackie Chan ishte në mesin e bartësve të pishtarit.
Atletët francezë, përfshirë Sirena Samba-Mayela dhe Riad Salem, ndezën pishtarin në prani të rreth 500 njerëzve.
Presidenti i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Andrew Parsons beson se Parisi do të japë “Lojërat Paralimpike më spektakolare ndonjëherë”.
Lajme nga bota
Trumpi zotohet përsëri se do t’i japë fund luftës në Ukrainë
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë përsëri se do t’i bëjë Ukrainën dhe Rusinë t’i japin fund luftës gati trivjeçare.
Ai gjithashtu theksoi se do t’i kërkojë talibanëve t’ia kthejnë SHBA-së pajisjet e saj ushtarake në vlerë miliarda dollarë, të cilat ishin lënë pas në Afganistan në vitin 2021.
“Unë do t’i jap fund luftës në Ukrainë, do ta ndal këtë rrëmujë në Lindjen e Mesme dhe do ta parandaloj Luftën e Tretë Botërore”, tha Trump në palestrën Capital Arena në Uashington të dielën, një ditë para se ta bëjë betimin si president.
Ai nuk shpjegoi se si do t’i arrinte këto.
Gjatë këtij tubimi, Trumpi bëri një përmbledhje të synimeve që ai pretendon se do t’i përmbushë gjatë katër vjetëve të ardhshme brenda dhe jashtë vendit, duke përfshirë forcimin e ushtrisë.
Trump do të betohet si presidenti i 47-të më 20 janar, në mesditë. Ceremonia do të mbahet brenda ndërtesës së Kongresit për herë të parë pas 40 vjetësh, për shkak të motit acar
Gjatë fjalimit të tij, Trump pretendoi se Shtetet e Bashkuara po u japin talibanëve në Afganistan “miliarda dollarë në vit” dhe se ai do ta ndalojë këtë nëse grupi ekstremist nuk i kthen miliarda dollarë në pajisje amerikane.
“Dhe unë them, nëse do të paguajmë miliarda dollarë në vit, duhet t’u themi atyre se nuk do t’ua japim paratë nëse nuk na i kthejnë pajisjet tona ushtarake”, tha Trump.
Rimarrja e pushtetit nga talibanët ka çuar në një rënie drastike ekonomike, ku më shumë se gjysma e afro 24 milionë banorëve të vendit kanë nevojë për ndihmë humanitare, si ushqim, sipas USAID-it, agjencisë amerikane për zhvillim.
Shtetet e Bashkuara ia kanë ndarë më shumë se 2.1 miliardë dollarë ndihmë humanitare Afganistanit që nga marrja e pushtetit nga talibanët, sipas USAID-it.
Që kur morën pushtetin, talibanët janë dënuar nga liderët perëndimorë, organizatat ndërkombëtare dhe aktivistët për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, veçanërisht kundër grave dhe vajzave.
Lajme nga bota
Sot betimi i presidentit të 47-të! Donald Trump do të marrë drejtimin e SHBA-së, ceremonia nën masa të rrepta sigurie
Ditën e sotme presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të marrë detyrën, duke u bërë kështu kreu i 47-të i shtëpisë së Bardhë.
Ceremonia do të zhvillohet në ambientet e brendshme të Kapitolit, kjo për shkak të temperaturave shumë të ulëta.
Masa të rrepta sigurie janë marrë për mbarëvajtjen e kësaj ceremonie të rëndësishme që do të përcillet në të gjithë botën.
Dita e inaugurimit të Donald Trump do të nisë me një shërbim në Kishën e Shën Gjonit, në sheshin Lafayette, një kishë historike në Uashington DC, e ndjekur nga çaji në Shtëpinë e Bardhë.
Shfaqjet muzikore dhe fjalët e hapjes do të fillojnë në skenën kryesore të ngjarjes – e vendosur në lëndinë perëndimore të ndërtesës së Kapitolit të SHBA. Kjo do të pasohet nga:
-Betimi i Trump dhe Vance si dhe fjalimi inaugurues në të cilin presidenti do të përcaktojë qëllimet e tij për katër vitet e ardhshme
-Trump më pas do të shkojë brenda në dhomën e Presidentit – pranë dhomës së Senatit – për të nënshkruar dokumentet kryesore
-Më pas ai do të marrë pjesë në një drekë të organizuar nga Komiteti i Përbashkët i Kongresit për Ceremonitë Inauguruese
-Kjo pasohet nga një paradë që shkon nga ndërtesa e Kapitolit poshtë Pennsylvania Avenue në Shtëpinë e Bardhë
-Më vonë në mbrëmje, Trump do të shfaqet në tre ballo inauguruese në të gjithë qytetin – Ballin e Komandantit të Përgjithshëm, Ballin Inaugurues të Lirisë dhe Ballin Starlight.
Lajme nga bota
Izraeli i liron 90 të burgosur palestinezë, pasi Hamasi i ktheu 3 pengje
Izraeli i ka liruar 90 të burgosur palestinezë të hënën në mëngjes, pasi tri pengje izraelite u liruan nga Hamasi në Gazë dhe u rikthyen në Izrael një ditë më parë.
Një autobus i madh i mbushur me të burgosur palestinezë u largua nga burgu Ofer i Izraelit, i cili ndodhet në afërsi të qytetit Ramallah në Bregun e okupuar Perëndimor.
Ushtria izraelite, e cila e ka uzurpuar Bregun Perëndimor, i paralajmëroi palestinezët të mos festonin në publik, por turmat përcollën autobusët të cilët u larguan nga burgu, me disa prej tyre që u ngjitën mbi ta apo valëvuan flamuj, përfshirë atë të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Sipas një liste të lëshuar nga Komisioni për Çështjet e të Burgosurve i Autoritetit Palestinez, të gjithë të liruarit janë gra ose adoleshentë, më i riu 15 vjeç. Izraeli tha se i kishte arrestuar ata për vepra që lidhen me sigurinë e Izraelit, nga hedhja e gurëve deri te akuza më serioze si tentativa për vrasje.
Lirimi i tri pengjeve izraelite dhe 90 të burgosurve palestinezë është hapi i parë i marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, që hyri në fuqi të dielën.
Në mbarë enklavën palestineze pati festime të dielën dhe disa palestinezë nisën të ktheheshin në shtëpitë e tyre të rrënuara, edhe pse vonesat në hyrjen në fuqi të armëpushimit vunë në pah brishtësinë e marrëveshjes.
Kombet e Bashkuara njoftuan se kamionë me ndihmë humanitare kanë nisur të hyjnë në Gazë, pas nisjes së armëpushimit.
Armëpushimi, që u arrit pas një viti të ndërmjetësimit intensiv nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti, është hapi i parë në një proces të gjatë e të brishtë që synon t’i japë fund luftës 15-mujore.
Ajo parasheh dhënien fund të luftës dhe lirimin e pothuajse 100 pengjeve, që u morën gjatë sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023, ku militantët vranë 1.200 njerëz gjithashtu.
Në fazën e parë 42-ditore të armëpushimit është paraparë të lirohen 33 pengje që mbahen në Gazë dhe qindra të burgosur palestinezë që mbahen në Izrael.
Pakti parasheh që Izraeli të tërhiqet në një zonë brenda Gazës dhe shumë palestinezëve të zhvendosur t’iu mundësohet kthimi në shtëpinë e tyre. Po ashtu, parashihet rritje e ndihmave humanitare për Gazën.
Ky është armëpushimi i dytë që hyn në fuqi që kur nisi lufta në tetorin e vitit 2023, pasi mbi një vit më parë palët kishin ndërprerë luftimet për një javë dhe gjatë asaj periudhe u liruan disa pengje.
Negociatat për fazën e dytë, që konsiderohet më e vështirë, është paraparë të nisin dy javë më vonë. Megjithatë, ka shumë pikëpyetje për këtë çështje, përfshirë edhe atë nëse lufta do të rinisë pas fazës së parë gjashtëjavore dhe si do të lirohen pjesa tjetër e pengjeve.
Lufta në Gazë ka shkaktuar viktima të shumta dhe dëme të mëdha materiale. Si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë më shumë se 46.000 palestinezë.
Mbi 90 për qind e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh është zhvendosur. Kombet e Bashkuara kanë thënë se sistemi i shëndetësisë, rrjeti rrugor dhe infrastruktura vitale janë dëmtuar rëndë.
Rindërtimi – nëse armëpushimi arrin në fazën e tij finale – do të merrte kohë disa vite. Po ashtu, çështje e pazgjidhur mbetet edhe se si do të udhëhiqet Gaza pas konfliktit./Radio Evropa e Lirë
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve