Lajme nga vendi
Partitë i rikthehen fushatës, kërkojnë vota për zgjedhjet e 8 majit

Më 18 prill në Maqedoninë e Veriut ka filluar fushata zgjedhore për zgjedhjet kuvendare, të cilat do të mbahen më 8 maj.
Pas votimit në zgjedhjet presidenciale (24 maj) partitë kanë vazhduar sot me fushatën. Telegrafi Maqedoni iu sjell disa nga aktivitetet e koalicioneve më të mëdha, të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet për deputetë.
“LSDM është e vetmja forcë politike që ka fuqi, dije, këmbëngulje dhe përkushtim për ta futur vendin në BE, prandaj ne nuk po dorëzohemi dhe e dimë se qytetarët do të na mbështesin më 8 maj që së bashku të sigurojmë një të ardhme të sigurt dhe të begatë për vendin”, tha Kovaçevski, duke shtuar se historia dhe tradita e LSDM-së, por edhe vendosmëria për të ardhmen evropiane të Maqedonisë janë dëshmia më e mirë se ata kurrë nuk dorëzohen.
Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, sot ka mbajtur tubim në Gradsko. Hristijan Mickoski tha se në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale kanë fituar 20 përqind më shumë vota se kandidatët e partive në pushtet.
“Kjo fitore e madhe është edhe përgjegjësi. Populli pret rezultate të shpejta dhe ne nuk kemi kohë për justifikime. Menjëherë pas 8 majit do të duhet të përveshim mëngët për të formuar fillimisht qeverinë dhe menjëherë të fillojmë të realizojmë atë që kemi premtuar për popullin, për qytetarët. Por ajo që është e rëndësishme dhe dua të përmend është fakti se ngadalë por me siguri Maqedonia dhe populli maqedonas, qytetarët në Maqedoni ndjehen të lirë dhe shpresa dalëngadalë po kthehet. Kjo është atmosfera, ky është emocioni që kam ndjerë këto dy ditë kudo që kaloj nëpër Maqedoni”, theksoi Mickoski.
“Fronti Europian” ende nuk ka filluar tubimet në terren, ndërsa sot Ziadin Sela në një postim në Facebook falënderoi votuesit që i mbështetën në zgjedhjet e 24 prillit.
“Kemi thënë që në fillim, se gjithmonë do të dëgjojmë zërin tuaj dhe do të punojmë për të ardhmen tuaj. Mbështetja juaj është edhe një dëshmi për pastërtinë e politikave tona. Na goditën, na tradhëtuan, na punuan pas shpine, tentuan të na përçajnë dhe demotivojnë, të na zhdukin nga skena politike. Kur u ndanë, fërkonin duart dhe prisnin që ne të luajmë me naivitet dhe të realizojmë deri në fund planet e tyre. Ne zgjodhëm të dëgjojmë zërin tuaj dhe të realizojmë planet tuaja. Në çdo nëndegë u takuam bashkë, ju kujtohet çdo bisedë para se të merrnim çdo vendim. Për ne, kjo ishte me rëndësi. Ata vetë thanë se vula më e mirë janë qytetarët dhe anëtarët e vërtetë të Aleancës për Shqiptarët, pastaj shpiknin lajme të rrejshme dhe mbanin kuvende e kongrese të improvizuara. Në Kuvend, Kongres ua dëshmuam se anëtarët e Aleancës për Shqiptarët janë këtu, në shtëpimë e tyre, nga Manastiri deri në Likovë, mbetën ALEANCË. Pastaj, thanë që do ta shohim në zgjedhje se ku qenkan votuesit e Aleancës për Shqiptarët. E saktë, mbrëmë e pamë të gjithë”, ka shkruar Sela.
Ndërsa Koalicioni “VLEN” e ka vazhduar fushatën për zgjedhjet parlamentare me takimet me qytetarët. Kryetari i “Alternativës”, Afrim Gashi ka treguar se koalicioni VLEN, synim e ka mirëqenien e qytetarëve. Ai gjatë një takim me disa të moshuar ka treguar se pensionet duhet të rriten sa më parë, madje Gashi me bindja ka thënë se asnjë pension nuk duhet të jetë më i vogël se paga minimale.
“Personat që nuk kanë qenë pjesë e sigurimeve shoqërore do të marrin pensionin minimal, të barabartë me pagën minimale. Të gjithë të tjerët do të marrin pensione më të larta. Të moshuarit të cilët dëshirojnë të punojnë edhe përtej moshës së pensionit, do të shikohet mundësia që të aktivizohen me pagë të rregullt, sipas përvojës profesionale dhe përgatitjes që ata kanë”, tha Gashi./Telegrafi/
Lajme nga vendi
Përfundon pa marrëveshje, takimi Ahmeti-Sela–Taravari, kërkesat për komuna ndezin pakënaqësi brenda BDI-së

Takimi i djeshëm mes Ali Ahmetit, Ziadin Selës dhe Arben Taravarit ka përfunduar pa asnjë dakordësi konkrete. Burime të sigurta konfirmojnë se Taravari dhe Sela nuk kanë ndërmend të ulin numrin e komunave që po kërkojnë madje insistojnë në ndarjen e pushtetit vendor si kusht për vazhdimin e bashkëpunimit.
Ahmeti ka kërkuar “arsyetim dhe maturi”, por kërkesat e tepruara të dyshes Sela–Taravari po tensionojnë rëndë klimën brenda BDI-së. Disa funksionarë lokalë të BDI-së tashmë janë shprehur të revoltuar me idenë që komuna të fituara me mund t’u dorëzohen atyre që deri dje i quanin “tradhëtarë”.
Takimi i radhës është caktuar për të shtunën, por atmosfera është e nxehtë. Duket qartë: apetitet e Selës dhe Taravarit janë shumë më të mëdha sesa që BDI mund t’i përballojë pa e shpërthyer nga brenda.ina-online
Lajme nga vendi
Murtezani pret ministren daneze: Vizita sinjal i qartë për përkushtimin ndaj Ballkanit Perëndimor

Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, ka pritur sot në Shkup homologen e tij nga Danimarka, ministren Mari Bjere, në një takim që u vlerësua si i rëndësishëm për perspektivën evropiane të vendit dhe rajonit.
“Sot prita kolegen time nga Danimarka, Ministren për Çështje Evropiane Mari Bjere. Hapur diskutuam – për BE-në, për zgjerimin, për të ardhmen e Evropës,” shkroi Murtezani në një status në rrjetet sociale.
Ai vuri në pah rëndësinë e kësaj vizite, në një kohë kur Danimarka po përgatitet të marrë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian.
“Vizita e saj mbart peshë të veçantë – si sinjal për përkushtim ndaj vlerave evropiane dhe orientimit strategjik drejt Ballkanit Perëndimor,” theksoi ministri.
Murtezani shtoi se Samiti për Planin e Rritjes që do të mbahet në Shkup nuk është thjesht një ngjarje diplomatike, por “mirënjohje e rrugës sonë evropiane”.
“Ishte kënaqësi të flisnim për reformat, për gatishmërinë tonë dhe për atë se Samiti për Planin e Rritjes në Shkup është më shumë sesa ngjarje,” shkroi ai.
Në fund, ministri e përshkroi marrëdhënien me Danimarkën si një partneritet të ndërtuar mbi “besim, vizion dhe vlera”.
Lajme nga vendi
Qeveria i monitoron çmimet e produkteve ushqimore, analiza e plotë e ISHT do të jetë gati javën e ardhshme

Analiza e plotë e Inspektoratit Shtetëror të Tregut (ISHT) për rritjen e çmimeve të ushqimeve do të jetë gati javën e ardhshme, paralajmëroi sot zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, i cili në Shtip po përgjigjej në pyetjen e gazetarëve, nëse tashmë po punojnë në masa për uljen e çmimeve të produkteve ushqimore në supermarkete.
Risteski theksoi se kjo Qeveri, ndryshe nga disa qeveri të mëparshme, gjithmonë bën analiza të mira para se të marrë ndonjë vendim dhe masë, dhe siç tha ai, kështu do të jetë edhe këtë herë.
“Ne i monitorojmë çmimet maksimalisht përmes Inspektoratit Shtetëror të Tregut, bëjmë analiza dhe nëse konkludojmë se ka nevojë të marrim një vendim ose masë, do ta bëjmë këtë në interes të qytetarëve për të mbrojtur standardin e tyre të jetesës. Shqetësimi ynë kryesor si qeveri janë qytetarët dhe standardi i tyre i jetesës”, tha Risteski.
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës shtoi se bazuar në analizën aktuale të përgatitur nga ISHT, ka pasur një rritje të lehtë të çmimeve, kryesisht për kafenë dhe vajin, të cilat janë produkte të bursës.
“Në veçanti, çmimet e disa produkteve janë rikthyer në nivelin që ishin para vendimit, i cili ishte para një muaji e më tepër, ka pasur një rritje të lehtë të çmimeve të caktuara, ndërsa disa kanë mbetur në të njëjtin nivel. Por kemi një rritje më të madhe të çmimeve të kafesë dhe vajit, të cilat janë produkte të bursës dhe varen nga bursat botërore. Megjithatë, për vendimin përfundimar opinioni publik do të informohet nëse ekziston dhe kjo do të tregohet nga analiza e plotë, e cila do të jetë gati javën tjetër”, tha Risteski.
I pyetur në lidhje me tensionet ushtarake në Lindjen e Mesme, të cilat me siguri do të reflektohen në tregun e energjisë dhe nëse Qeveria ka një plan se si të përballet me një tronditje të re energjetike, Risteski tregoi se Qeveria po e monitoron situatën në nivel global.
“E monitorojmë jo vetëm situatën e ekonomisë vendase, por edhe ngjarjet botërore, dhe si të zhvillohet situata ashtu do të reagojmë si Qeveri. Duhet të jemi të përgatitur paraprakisht dhe të kemi informacione dhe takime me ministri të shumta dhe Qeverinë. Situata po monitorohet dhe nëse çështja përshkallëzohet, gjë që do të shkaktonte një tronditje të caktuar në ekonominë botërore, është normale që Qeveria të reagojë me masa të përshtatshme”, tha Risteski.
Ai shtoi se Qeveria nuk do të presë që kriza ekonomike globale të na kapë në këtë çështje dhe për këtë arsye, siç tha ai, “duhet të jemi të përgatitur dhe kjo është ajo që po bëjmë”.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve