Lajme nga vendi
Çmimet e fruta perimeve kanë shënuar ngritje nëpër tregjet e gjelbra të vendit

Në ditën e tretë pas heqjes së çmimeve të garantuara, furnizimet e reja nga shitësit me shumicë menjëherë kanë shkaktuar rritje të çmimeve disa denarë sikurse te perimet ashtu edhe te frutat, të cilat importohen nga jashtë. Qytetarët thonë se kafshatën e gojës ua kanë shtrenjtuar, asgjë nuk i ndalon për kufizim të çmimeve. Diferenca me çmime të larta dhe paga të ulëta, ka bërë që qytetarët e varfëruar të mbeten në mëshirë të tregtarëve për gjërat elementare jetësore. Disa thonë se funksionarët për vete i rregulluan pagat.
“Sa i përket masave që u ndaluan mendoj se çmimet sillen aty-këtu por do ta shohim më tej. Por, për një njeri mesatar çmimet janë të larta. Po ti kishim pagat edhe ne sikur të funksionarëve do të ja dilnim mbanë, por për ne pensionistët me pensione të ulëta e të tjerët me paga të vogla na janë shtrenjtë”, tha një qytetar.
“Çmimet e larta janë shumë, nuk mund të ja dalim muajit deri në fund. Me paga të vogla jemi, unë punoj në sektor publik dhe sërish marr pagë minimale. Një rrogë nuk më del, për 10 ditë e harxhoj, e për 20 ditë tjera hy borxh”, shtoi një qytetar tjetër.
“Për atë që ka para janë të lira, për ne që kemi pensione të ulëta na duken shtrenjtë. Puna e pazarit është si lotari, kur të ketë mall mjaftueshëm bien çmimet, kur të ketë mungesë çmimet ngritën, s’janë njësoj”, u shpreh një qytetar.
Tregtarët nga ana tjetër ankohen se shitja ka pësuar rënie të lirë. Produktet e tregjeve të gjelbra kanë pak afat konsumi, andaj thonë se nganjëherë detyrohen ti japin pa fitim vetëm që mos tu prishen në tezga. Fajin e hedhin tek furnizuesit dhe importuesit e mallrave, të cilët rrisin çmimet në shitjen me shumicë. Edhe ata ankohen për rritjen e kostos së transportit dhe derivateve të naftës, në zinxhirin e të cilit më së tepërmi e pësojnë qytetarët. Çmimet e fruta perimeve kanë lëvizur për rreth 10% më shumë.
“Tani në këtë periudhë çdo herë bie ndesh konkurrenca sepse malli i importuar është çfarë ju ka mbetur nga viti kaluar dhe është më i lirë, kurse prodhimet tona janë të freskëta andaj janë më të shtrenjta se piqen në ngrohje artificiale. Në maj mbillen nëpër folia dhe në qershor mbillen në kopshte të hapura, e atëherë do të jenë të lira sepse piqen natyrshëm nga dielli”, tha një tregtare.
Përderisa nga 1 marsi u hoqën çmimet e garantuara dhe akoma nuk dihet kur do të miratohet ligji zëvendësues i tyre, për parandalimin e tregtisë jo korrekte shumë shtete Evropiane tani më kanë marra masa konkrete për parandalim të konkurrencës jo reale. Fqinji jugor, Greqia, nga 1 marsi mori masa që çmimet e rreth 3 mijë produkteve ushqimore dhe higjienike të ulen për 18%. Sipas mediave greke uljet e çmimeve do të detyrojnë furnitorët të ulin ofertat e tyre për shitësit me 30%, me detyrimin për të ulur çmimet e tyre me të njëjtën masë. Kujtojmë që pagat në vendet e Evropës janë dukshme më të larta dhe shumë vende të BE-së tani më praktikojnë me ligje parandalimin e praktikave të tregtisë jo korrekte./Alsat.mk
Lajme nga vendi
VLEN: Vetingu në BDI fillon nga kryetari i partisë Ali Ahmeti

Procesi i reformimit dhe pastrimit të BDI-së nuk mund të udhëhiqet nga Ali Ahmeti. Ky proces duhet të fillojë nga kryetari i partisë Ali Ahmeti, të vazhdojë me familjen e tij, e pastaj të përhapet në strukturat më të ulëta partiake. Ky proces nuk mund të bëhet nga lideri i partisë për funksionarët e partisë sepse në këtë mënyrë është kompromentues. Vetingu ka kuptim vetëm kur atë e realizon një trup profesional me kredibilitet dhe integritet të lartë dhe që është imun ndaj ndikimeve politiko – partiake. Vetëm atëherë mund të flitet për vendosje të një standardi të ri për partitë politike në rajon.
Lajmi që ‘Deputetët e BDI-së i janë nënshtruar një vlerësimi të rrezikut të korrupsionit dhe kanë nënshkruar Kodin e Praktikës së Mirë dhe Integritetit të BDI-së’ është tallja e rradhës dhe mashtrimi i qytetarëve që u bëhet atyre në regji të BDI-së. Një parti zyrtarët e të cilës janë në hikje, sjellja korruptive e të cilëve është konfirmuar me vendosje në listën e zezë amerikane, nuk ka kredibilitet dhe as të drejtë morale që në këtë mënyrë të tallet me shqiptarët duke shpikur gënjeshtrën e rradhës sipas të cilës kryetari i partisë do të pastrojë partinë nga të korruptuarit!
E para, kryetari i partisë ka qenë po ai i njejti kryetar gjatë gjithë viteve të qeverisjes së BDI-së. Ai ka pasur informacion për sjelljet korruptive të zyrtarëve të tij, por nuk ka vepruar.
E dyta, kryetari i partisë është i pari në mesin e të barabartëve. Ai nuk mund të ‘lustrojë’ të tjerët, me pretendimin e korrupsionit, dhe ta amnistojë vetveten si i pastër.
E treta, në vende normale, hetimet për korrupsion i bëjnë organet e shtetit- Prokuroria, policia financiare, policia, gjyqësori. Ndërsa kryetarët e partive, sikur edhe çdo bartës tjetër i funksionit, përfshirë këtu edhe kryetarin e BDI-së, u nënshtrohen hetimeve të tilla.
Në luftën kundër korrupsionit, të dyshuarit për korrupsion po vendosin standarde e parime. Ky është paradoksi shoqëror në Maqedoninë e veriut. Kjo është tallje e rëndë me shqiptarët. Për të dëshmuar përkushtimin dhe sinqeritetin tuaj nda j pastrimit të partisë nga të korruptuarit, ju duhet ta mbështetni vetingun institucional dhe të pavarur politikisht. Ndërsa, për të dëshmuar vullnetin tuaj në këtë drejtim, ju sugjerojmë të filloni duke treguar se ku fshihet Artan Grubi.
Çdo nismë antikorrupsion është e mirëfilltë kur nis nga maja e piramidës dhe reflekton në bazë. Në BDI, lufta kundër korrupsionit fillon nga lideri i saj Ali Ahmeti.
Lajme nga vendi
Taravari: Pikë e re pediatrike e kujdestarisë, e hapur për herë të parë në Poliklinikën Bit Pazar

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, bashkë me drejtorin e Shtëpisë së Shëndetit Shkup, Samir Iseni, ka njoftuar sot se për herë të parë është hapur pikë e re pediatrike e kujdestarisë në Poliklinikën Bit Pazar.
“Pikë e re pediatrike e kujdestarisë, e hapur për herë të parë sot në Poliklinikën Bit Pazar. Pika funksionon çdo ditë nga ora 19:30 deri në 07:30 dhe të dielën 24 orë. Hapësira është plotësisht e rinovuar dhe e pajisur me mobilie dhe inventar të ri mjekësor” ka shkruar ministri, Arben Taravari.
Ai tutje ka shpjeguar për shërbimet që ofrohen në këtë pikë pediatrike.
“Në këtë pikë pediatrike do të ofrohen shërbime për fëmijët nga mosha 0 deri në 14 vjeç nga qyteti i Shkupit dhe vendbanimet përreth. Shërbimet përfshijnë ekzaminim të përgjithshëm pediatrik, qasje terapeutike dhe analiza laboratorike”, ka përfunduar Taravari.
Lajme nga vendi
Mexhiti mbështet Kasamin: Nëse ka rrugë me emra nga Rusia dhe Ukraina, pse të mos ketë edhe nga historia shqiptare?

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i pyetur për reagimet në lidhje me propozimin për emra të rinj të rrugëve në Tetovë, deklaroi se disa gjëra nuk duhet të përkthehen, duke i dhënë si shembull emrat “Kongrese dhe Manastire”, të cilat u kundërshtuan nga Lidhja e Luftëtarëve të Tetovës.
Mexhiti theksoi se Tetova është një qytet me shumicë të madhe shqiptare, por, sipas tij, 99% e emrave të rrugëve, shkollave dhe institucioneve publike janë të lidhura me historinë maqedonase.
“Çfarë ka të keqe që në një qytet me shumicë shqiptare të ketë rrugë dhe institucione me emra të personaliteteve dhe ngjarjeve shqiptare?” – tha zëvendëskryeministri.
Izet Mexhiti theksoi gjithashtu se kryetari i Tetovës, Bilal Kasami, nuk kishte kërkuar që të vendosen emra të historisë shqiptare në Strumicë apo në Gjevgjeli, por në një qytet ku shqiptarët janë popullsi dominues.
“Ne jemi pjesë e Maqedonisë së Veriut. Nga e gjithë bota ka emra rrugësh, por disa propozime shqiptare kundërshtohen. Më shumë janë të përfshira datat nga Rusia dhe Ukraina sesa nga historia shqiptare në Maqedoninë e Veriut.”
Ai shtoi përvojën e tij personale: “Kam jetuar në një rrugë ‘7 Korriku’, që është dita e kryengritjes serbe. Në atë rrugë nuk kishte asnjë serb. Pra, mund të ketë emra nga historia serbe dhe ruse, qytete nga Ukraina dhe nga e gjithë bota, por nuk mund të ketë emra nga historia shqiptare?”
Zëvendëskryeministri Mexhiti theksoi gjithashtu se qindra rrugë në Maqedoninë e Veriut mbajnë emra të lidhur me Luftën Çlirimtare, e që, sipas tij, nuk do të thotë se nuk duhet të ketë rrugë me emra shqiptare që do të pasqyrojnë realitetin multietnik të shtetit.
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve