Lajme nga vendi
RMV, kompanitë energjetike kërkojnë rrymë më të shtrenjtë, rregullatori ende po llogarit harxhimet
Kompanitë energjetike kërkojnë që të rritet kostoja e rrymës, por rregullatori mendon se kjo nuk duhet të ndodhë për momentin. Kriza energjetike i dha një goditje të rëndë ekonomive familjare për sa i përket buxhetit të tyre, ndaj nuk duhet menduar për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, tha kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimovski për Televizionin 24. Për të mos pasur energji elektrike më të shtrenjtë, duhet të përdoret energjia e marrë nga fotovoltaikët.
“Tani nuk është koha dhe nuk ka nevojë të rritet çmimi i energjisë elektrike, për faktin se kemi kaluar një periudhë jashtëzakonisht të vështirë. Të gjitha burimet e brendshme ishin në dispozicion, u hap hapësira edhe për ndërtimin e termocentraleve fotovoltaike. Fakt është se gjatë ditës ne gjithmonë kemi çmime të energjisë elektrike në treg më shumë se dy herë më të ulëta se çmimet në pjesën tjetër të ditës”, thotë Bislimovski.
Situata me çmimin e rrymës është edhe më e paqartë sepse EMV-ja shtetërore ende nuk i ka dorëzuar kalkulimet në qeveri, nga të cilat ministrat përgjegjës për politikat ekonomike duhet të vendosin se me çfarë çmimi do të shkojnë në tenderin e EVN Home për prokurimin e energjisë elektrike për Furnizuesin Universal për qytetarët.
Në një bisedë telefonike nga EMV shkurtimisht njoftuan se ende janë duke bërë llogaritë dhe dokumentacionin do ta dërgojnë në Ilindenska numër dy më së voni në fillim të javës së ardhshme.
“Çmimi përfundimtar nuk është dërguar në qeveri. Llogaritjet përfundimtare janë duke u bërë. Ne përpiqemi të ofrojmë çmim sa më të ulët të jetë e mundur.”
Qeveria dje konfirmoi për TV 24 zërat në opinion se ka mundësi që çmimi i EMV të jetë 70 euro për megavat orë, dhe sipas rregullatorit kjo mund të jetë e pavolitshme sepse vetëm mbi këtë bazë çmimi do të rritej me mbi 10 për qind. MEMO kërkon 80 për qind rritje të çmimit, por pjesa e tyre në çmimin përfundimtar është vetëm 0.5 për qind, pastaj MEPSO kërkon 50 për qind rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe pjesa e tyre në çmim është rreth pesë për qind, ndërsa për Elektrodistribucija, ata kërkojnë rritje prej 30 për qind, por pjesa e tyre është pak më shumë se 30 për qind.
Sipas Ligjit për energjetikë, për gjashtë muajt e ardhshëm obligim i EMV-së është që të sigurojë 50 për qind të energjisë elektrike të nevojshme për amvisëritë, por qeveria tha se do të përpiqet të sigurojë të gjithë energjinë elektrike për amvisëritë dhe të reduktojë importin në minimum. Për momentin, nuk ka një periudhë specifike nga kur deri në çfarë kohe do të kthehej tarifa e lirë ditore.
Lajme nga vendi
Uji i pijshëm, dy projekte drejt finalizimit në Tearcë
Kryetari i Komunës së Tearcës, Nuhi Neziri, ka bërë të ditur se dy projektet për përmirësimin e gjendjes me ujin e pijshëm për fshatrat Tearcë, Përshefcë dhe Gllogjë janë në përfundim e sipër. Bëhet fjalë për projektin e rezervuarit të ujit të pijshëm në fshatin Tearcë, i cili ka kapacitet për 600 metër kub ujë, si dhe projekti i stacionit të filtrimit të ujit të pijshëm për vendbanimet Përshefcë dhe Gllogjë. Projekti i parë për rezervuarin e ujit të pijshëm në fshatin Tearcë pritet të rrisë kapacitetet grumbulluese të ujit, ndërsa është në fazën përfundimtare, thotë kryetari Neziri.
“Mendojmë se ky projekt do të plotësojë normat optimale sasinë e ujit të një pjese kryesore, sepse rezervuari paraprak është në kapacitet prej 500 metër kub, pra në total kalojnë një mijë metër kub ujë në rezervuarët e ujit. Ky projekti është në vazhdën e përmbylljes së problemit me ujin e pijshëm në fshatin Tearcë, sepse paraprakisht është përmbyllur edhe sistemi i shpërndarjes në tërë vendbanimin dhe drejtpërdrejt do të lidhet në rezervuarin e ri. Ky investim, sipas projektimit, ishte i parashikuar rreth 400 mijë euro dhe është në fazën përfundimtare, thuajse jemi në fazën përfundimtare e objektit në fjalë dhe besojmë se deri në fund të vitit do të jetë në shërbim të qytetarëve”, deklaroi kryetari Neziri.
Në ndërkohë, sipas tij, është në përfundim e sipër edhe projekti i stacionit të filtrimit të ujit të pijshëm për vendbanimet Përshefcë dhe Gllogjë.
“Ky kapacitet ka qenë i madh edhe për sa i përket vlerës që kalonte mbi një milion euro. Edhe për këtë projekt, punimet filluan këtë vit, dhe është në finalizim e sipër. Aty merr pjesë me participim edhe komuna, që do të bëjë lidhjen e marrjes së ujit nga kaptimi e deri tek stacioni i filtrimit. Prandaj, shpresojmë se në bashkëpunim me kompaninë që realizon punët me siguri do përmbyllim punimet dhe do të tejkalojnë pritshmëritë për furnizim me ujë të pijshëm këta dy vendbanime”, thotë Neziri. Këto dy projekte, sipas Nezirit, pritet të zgjidhin problemet me ujin e pijshëm në këto vendbanime. Në disa vendbanime rritet cilësia e ujit, kurse në disa projekte rritet sasia e ujit.
“Që prej fillimit ne jemi përkushtuar jo vetëm nga ana e sasisë, gjë për të cilën flasin dy rezervuarët për fshatin Tearcë, por në të njëjtën kohë është bërë zgjerimi i rezervuarit në fshatin Përshefcë, ku ne kemi dhënë kontributin tonë. Gjithashtu, fshati Gllogjë ka kapacitetet e rezervuarit, por kërkohej sasi që tani është shtuar, kurse stacioni i filtrimit rrit cilësinë e ujit. Për këto tre vendbanime jemi të bindur që kjo kërkesë dhe ky problem themelor do të zgjidhet përgjithmonë”, njofton kreu i Tearcës. Gjendja me ujin e pijshëm është problematike pothuajse në të gjitha vendbanimet e Komunës së Tearcës. Në disa vendbanime ka mungesë të ujit të pijshëm ku banorët detyrohen që mbushin ujë në fshatrat përreth sidomos gjatë verës.
Lajme nga vendi
Mickoski për tensionet në Vrapçisht: Janë pjesë e planit për të mbjellë urrejtje etnike
Kryeministri i Maqedonisë, Kristian Mickoski, sot nga qeveria komentoi situatën në komunën e Vrapçishtit, ku dje u arrestuan dy persona, të cilët supozohet se po pastronin hapësirën përreth kishës në fshatin Gallatë.
“Këto janë incidente të izoluara, dhe do të ketë më shumë të tilla. E dëgjuat deklaratën e Episkopit, i cili distancohet nga këto incidente, dhe banorët e fshatit Gallatë gjithashtu distancohen. Ajo që është interesante është se në rrjetet sociale janë publikuar fotografi të disa individëve që janë në shoqërinë e figurave politikisht aktive. Duke marrë parasysh mbështetjen politike në Vrapçisht dhe strukturën policore në DPB Gostivar, kjo është pjesë e atij folklori për të mbjellë urrejtje etnike, do të ketë incidente të këtij lloji, sepse ne si qeveri, duke marrë parasysh ndryshimet e fundit në Ligjin për policinë, nuk mund të ndodhin ndryshimet në strukturat drejtuese. Do të duhet që në 2-3 muajt e ardhshëm të ndodhin ndryshime në atë ligj dhe të ketë ndryshime në ato struktura drejtuese, në mënyrë që të mund të kemi situatën realisht nën kontroll. Mos kini dyshim se struktura kriminale në të kaluarën do të bëjnë incidente të tilla në të ardhmen e afërt. Vetë banorët e Galatës e refuzuan këtë, dhe vetë Episkopi e refuzoi këtë. Apeloj që tani, kur shteti është në një fazë të ngritjes, qytetarët të mos bien në këto provokime,” tha Mickoski.
Lajme nga vendi
Tre investime të reja, njëri 150 milionë euro
“Po, ne jemi duke punuar në tre të tilla në këtë kohë edhe pse disa tashmë kanë ndodhur, më shumë se 1500-1600 punësime të reja janë në proces, katër investime të reja në dy muajt e fundit janë shpallur tashmë, një zgjerim i një ekzistuese, dy krejt të reja dhe një në energjetikë, me të cilat do të jemi një hap përpara drejt realizimit të sovranitetit të plotë energjetik si shtet”, tha kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit nëse ka njoftim për një investim të ri.
Ai bëri të ditur se në periudhën në vijim po punohet në tri investime të reja, dy prej të cilave tashmë janë investime ekzistuese dhe një investim i madh në vlerë prej 150 milionë eurosh me një vend anëtar të Bashkimit Evropian.
“Në periudhën në vijim jemi duke punuar për tri investime të reja të tilla. Dy janë tashmë në investime ekzistuese që tashmë janë duke punuar me ne, të cilat do të zgjerojnë portofolin e produkteve të tyre dhe pres që në nëntor që ngadalë por me siguri të shpallim këto lajme pozitive për qytetarët dhe një investim gjigant me vlerë 150 milionë euro, jemi në faza e fundit me një shtet të madh evropian, i cili është anëtar i Bashkimit Evropian”, shtoi kryeministri Mickoski.
Sipas tij, nëse kjo ndodh, do të jetë vërtet një hap i madh përpara për ne si vend dhe për ne si Qeveri.
“Ne jemi në garë për këtë investim, komunikojmë çdo ditë me investitorë potencialë dhe nëse kjo ndodh, do të jetë vërtet një hap i madh për ne si shtet dhe për ne si Qeveri”, tha kryeministri Mickoski.
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve