Connect with us

Lajme nga vendi

Pastronin para përmes kredive fiktive, zbulohet skema që përdornin kompanitë private në Maqedoninë e Veriut

Published

on

Në shtatë banka në Maqedoninë e Veriut për gati dy dekada ka funksionuar një skemë e kreditimit fiktiv për kompanitë me qëllim të pastrimit të parave.

Këtë përfundim e ka nxjerrë një hetim i huaj lidhur me falimentimin e “Eurostandard” në Shkup, bankë kjo e financuar nga aksionari më i madh i saj, Trifun Kostovski, afarist dhe ish-kryetar i Shkupit.

Ekipi i hetuesve të huaj i udhëhequr nga Drago Kos, president i grupit të punës të OECD (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik) për korrupsionin në bizneset ndërkombëtare dhe ish-president i GRECO-s, tha të hënën në Shkup se në Maqedoninë e Veriut funksionon një sistem i financimit të paligjshëm bankar të kompanive, sipas zgjedhjes së tyre, që janë të ndërlidhura.

Sipas tij, ky sistem fiktiv nisi më 2004.

“Si bëhej kjo? Banka A [ndonjëherë dy ose më shumë banka merrnin pjesë në të njëjtën skemë] i ka dhënë një kredi një kompanie prej gjysmë milioni eurosh. Po atë ditë, ajo kredi i ka shkuar Bankës B, e cila po atë ditë i ka dhënë një kredi prej gjysmë milioni euro të njëjtës kompani, e cila i është kthyer Bankës A të nesërmen. Ndaj po ju pyes nëse mendoni se është e mundur pa bashkëpunim të përbashkët dhe dokumente të përgatitura paraprakisht, që dy banka të kanalizojnë gjysmë milioni euro përmes së njëjtës kompani? Përgjigja është e qartë, nuk mundet”, tha Kos.

Advertisement

Në këtë mënyrë, bankat kanë përfituar nga rritja artificiale e kredive, komisionet e paguara, kamata, kamata ndëshkuese dhe kosto të tjera, ndërsa kompanitë që kanë luajtur rolin e transmetuesve të parave të përfituara në mënyrë të paligjshme, pra konvertimin e kredive në kredi për shkak të fushëveprimit të jashtëzakonshëm të skemës që nuk lejonte mundësinë e ushtrimit të kontrollit, zakonisht pësonin humbje të mëdha.

Hetimi ka përfshirë bankat më të mëdha në Maqedoninë e Veriut si “Komercijalna”, “Invest banka/Sparkase banka”, “Uni banka”, “Stopanska Banka”, “Stater Banka”, “Eurostandard Banka” dhe “Ohridska Banka”, si dhe 45 kompani dhe Kiraca Trajkovska si person fizik.

“Në vitin 2011, ‘Eurostandard Bank’ ishte bërë pjesë e skemës ilegale”, deklaroi më 22 gusht aksionari më i madh i saj, Trifun Kostovski.

“As në ëndërr se kisha menduar se diçka e tillë do të ndodhte. Është gabim im personal sepse shumë i besoj dhe tani mësova se duhet të kisha besim, por edhe kontroll”, shtoi ai.

Sipas Kostovskit, “Eurostandard Bank” është “vrarë me qëllim” dhe është dërguar në falimentuar edhe pse qëllimi i tij, siç tha, “nuk ka qenë kurrë mashtrimi”.

Advertisement

Kreditë e dyshimta i ka marrë vesh në vitin 2019 dhe siç pretendon ai, pasi ka kuptuar se ishin pjesë e “skemës” dhe ka tentuar të tërhiqet nga skema, kanë nisur problemet, respektivisht përpjekjet për “vrasjen” e bankës.

Lidhur me këto pretendime ka reaguar Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut duke i cilësuar pretendimet në raport si “të pasakta dhe të parëndësishme”.

“Sjellje të tilla të papërgjegjshme, të motivuara nga interesa personale dhe motive private, mund të sjellin trazira dhe të shkaktojnë dëme të panevojshme dhe të pabaza në institucionet financiare në vend, e me këtë edhe te subjektet ekonomike dhe qytetarët. Për Bankën Popullore, vlerësimet dhe opinionet, veçanërisht për gjendjen në sistemin bankar e financiar të Maqedonisë së Veriut dhe mënyrën e funksionimit të Bankës Kombëtare, të shprehura nga porositësi i këtij raporti, si dhe personat e angazhuar prej tij për të përgatitur atë, janë të parëndësishme dhe të pasakta”, thuhet në reagimin e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut.

Banka Popullore tha se punon sipas standardeve evropiane dhe se kryen mbikëqyrje të rregullt të punës së bankave si dhe ndërmerr masat e duhura në kuadër të kompetencave të saj për ruajtjen e stabilitetit të sistemit bankar.

Hetimi për rastin me “Eurostandard Bank” u hap më 8 shkurt të vitit 2021. Në njoftimin e Prokurorisë për luftën kundër krimit të organizuar të Maqedonisë së Veriut, katër persona dyshohen për pastrim parash dhe falimentimin me dashje të bankës.

Advertisement

“Eurostandard Bank” humbi licencën e operimit në gusht të vitit 2020 për shkak të, siç u theksua në atë kohë, rrezikut të pakontrolluar të huadhënies dhe provizioneve të mëdha për kreditë që nuk u shlyheshin në kohë.

Dëmi që ka pësuar banka arrin 55 milionë euro dhe ka të bëjë me 149 klientë që kanë marrë kredi që nuk i kanë shlyer, kështu që barra ka rënë mbi kursimtarët dhe depozituesit e tjerë të bankës./REL

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajme nga vendi

Vrasja e mjekut në Zhelezarë, tre të arrestuar

Published

on

Është arrestuar edhe një person lidhur me vrasjen e mjekut amë në Zhelezarë, me çka shkon në tre numri total i të arrestuarve që dyshohen të kenë lidhje me këtë rast. Ministri Teknik i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski njoftoi se hetimi për vrasjen e shkaktuar me thikë po vazhdon edhe më tej. “Sipas informacioneve të mia është arrestuar edhe një person, pra gjithsej 3 persona. Kërkimi ka përfunduar në orët e vona të natës, vazhdohet me veprime të tjera hetimore që të mund të konfirmohet gjendja faktike”, deklaroi Pançe Toshkovski, Ministër Teknik i punëve të brendshme.
Ministri Teknik, Toshkovski gjatë ditës së djeshme njoftoi se janë ndërmarrë 20 veprime hetimore, janë kontrolluar mbi 50 kamera, sipas të cilave, siç tha ministri, është konstatuar se motivi i vrasjes nuk lidhej me profesionin që ushtronte mjeku i vrarë. Më 21 mars në orët e vona të mbrëmjes, mjeku amë është gjetur brenda makinës së tij me 9 plagë thike në trup. Atë e kanë gjetur djemtë e tij, të cilët kishin filluar ta kërkonin që kur babai i tyre nuk ishte kthyer në shtëpi në kohën e
paraparë.TV KOHA
Continue Reading

Lajme nga vendi

Taravari për marrëveshjen e Selës me Ahmetin: Nëse mendojnë që BDI-ja duhet të vazhdojë në pushtet është e drejt e tyre legjitime

Published

on

Kryetari i ASH-së, Arben Taravari tha se në rast se krahu i Selës në ASH vendos që të shkojë vetë në zgjedhje, ai është i gatshëm të jep vulat e partisë dhe të nënshkruaj propozimet e tyre, përcjell TV21.

“Nëse është arsyeja vulat pse shkojnë me BDI-në, unë para se ta mbajnë Kuvendin sot ju them përsëri, në qoftë se e mbani qëndrimin ende se mund të shkoni vetë, unë jam këtu që t’i pranojë listat me emrat që do t’i propozojnë ato për t’i nënshkruar dhe për t’i vulosur që të dalin me logon e ASH-së”, tha Taravari.

I pyetur për marrëveshjen e mundshme të ASH-krahu i Selës me BDI-në, ku ASH-së pretendohet se i premtohen 5 deputetë, Taravari the se e respekton vendimin e secilit.

“Shumë legjitime. Pavarësisht se si janë marrë vesh, unë e respektoj mendimin e çdo kujt. Unë këto dyshime i kam pasur edhe më parë, që ka afërsi dhe e kam thënë publikisht, ka afërsi të disa funksionarëve të ASH-së e BDI-në, por kjo nuk është diçka që është e jashtëzakonshme. Ata ashtu mendojnë, mendojnë që BDI-ja duhet të vazhdojë me pushtet dhe është shumë legjitime”, deklaroi Taravari.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Osmani: Mendoj që kjo do të jetë një ndër fitoret më të mëdha që kemi pasur si bllok

Published

on

Në takimin me punonjësit në arsim dhe studentët, kandidati shqiptar për president, Bujar Osmani ka argumentuar se pse kandidohet si president.

“Dalim me idenë e presidentit të parë shqiptar dhe kërkojmë mbështetjen e gjithëve atyre të cilët kanë qenë të privuar nga mundësia për të pasur president, për shkak se këtu ka pasur monopole etnike dhe politike në 30 vitet e fundit, të cilët po i rrënojmë një nga një, mision pas misioni, duke e demonopolizuar shtetin dhe duke krijuar barazi të plotë. Asnjëherë duke tentuar që të dominojmë mbi të tjerët, por duke e kërkuar hisen tonë që secili të ketë mundësi të barabartë. Mendojë që kjo do të jetë një ndër fitoret më të mëdha që kemi pasur si bllok.

Ministri Osmani potencoi se këto zgjedhje do jenë jashtëzakonisht të rëndësishme. “Kujtoj që jemi në një udhëkryq të rëndësishëm historik, ku parashikueshmëria strategjike do të jetë përcaktuese se si do të jetë e ardhmja jonë e përbashkët. Një karakteristikë e veçantë e këtyre zgjedhjeve, dhe do të flas nga perspektiva partiake, për herë të parë po ridefinohet skena politike. Deri më tani, kemi pasur dy blloqe të mëdha politke, multietnike, që kanë pretenduar të udhëheqin shtetin, dhe keni pasur partitë politike shqiptare duke garuar, duke qenë partneri i vogël i blloqeve të mëdha”, tha ministri Osmani.

Continue Reading

Më të lexuarat