Lajme nga vendi
Saracin: Është krejtësisht joreale të rihapet Korniza negociuese, Gjermania do të jetë kundër saj

Është krejtësisht joreale të pritet që ta rihapim Kornizën negociuese. Gjermania do të jetë kundër saj, thotë në video-intervistën për MIA-n i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin.
“Korniza e negociatave u miratua unanimisht nga 27 vendet anëtare dhe ne nuk do ta rihapim procesin për marrjen e një vendimi të tillë. Eshte miratuar dhe nuk ndryshohet. Ajo përfaqëson një garanci për Maqedoninë e Veriut dhe nuk mund të ndryshohet lehtë më pas dhe Bullgaria nuk mund të vendosë më tej kushte të reja në të. Ajo ishte edhe një nga pikat kyçe të propozimit vitin e kaluar. Prandaj, është krejtësisht joreale të pritet që ne ta rihapim atë. Gjermania do të jetë kundër rihapjes së Kornizës negociuese, thotë Saracin në intervistë për MIA-n.
I pyetur për takimin e fundit të liderëve ndërmjet kryeministrit Kovaçevski dhe liderit të opozitës Mickoski, nga i cili duket se ka përparim, por edhe kushte, dhe në këtë kontekst sa reale janë kërkesat e opozitës për veprim të vonuar të ndryshimeve kushtetuese, diplomati gjerman thotë se nuk mund t’i komentojë, sepse nuk ka folur personalisht me Mickoskin.
“Nuk kam folur me z. Mickoski për përmbajtjen e saktë të këtij propozimi dhe për këtë arsye nuk mund të komentoj. Mund të them vetëm se ne do t’i përmbahemi Kornizës negociuese dhe propozimit të dytë francez dhe nuk shoh hapësirë për të shkuar përtej kësaj. Kështu që ju do të duhet ta pyetni atë ose mua pasi të kem mundësinë të flas në një takim të veçantë me z. Mickoski për propozimin, thekson Saracin në intervistën e dhënë në margjinat e forumit të Prespës për dialog që mbahet në Strugë.
Në video-intervistën për MIA-n, e cila do të publikohet në tërësi nesër, përfaqësuesi special gjerman për rajonin flet edhe për rëndësinë e rezolutës së Bundestagut për Maqedoninë e Veriut, e cila njeh gjuhën, identitetin dhe kulturën maqedonase, për iniciativën e shtatë vendeve anëtare, përfshirë dhe Gjermaninë për aplikim më të madh të shumicës së cilësuar në votime në BE, që do t’i referohej edhe zgjerimit, si dhe tensioneve në Kosovë.
Lajme nga vendi
Fetai: Një hap më afër drejt transparencës në menaxhimin me pronën shtetërore

Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi dje kërkesën e Kabinetit të Zëvendëskryeministrit të ngarkuar për politika të qeverisjes së mire, Arben Fetai për zgjerimin e grupit të punës që do të hartojë Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit final të Revizorit shtetëror mbi menaxhimin e pronës shtetërore.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi efikas, të drejtë dhe të përgjegjshëm të menaxhimit të pasurisë publike, si dhe në parandalimin e keqpërdorimeve dhe mungesës së transparencës që kanë ndodhur në të kaluarën, thekson zëvendëskryeministri Fetai.
Grupi i punës, i udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit, do të përfshijë përfaqësues nga institucionet kyçe shtetërore: Shërbimi i punëve të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë, Ndërmarrja Publike për ndërtimin dhe administrimin e hapësirave banesore dhe afariste (Sh.A. – Shkup), Ndërmarrja Publike për administrimin e hapësirave afariste në pronësi shtetërore (Sh.A. – Shkup), Agjencia për Kadastrën e Pasurive të Paluajtshme, Ministria e Financave, Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë dhe Komisioni për Çështje Banesore.
Për herë të parë në historinë e vendit, po përgaditet edhe Regjistri Kombëtar i Pronës Shtetërore, një nismë e udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit Fetai dhe bazuar në praktikat më të mira evropiane, me qëllim të eliminimit të rrezikut të korrupsionit dhe keqpërdorimeve në këtë sektor të ndjeshëm.
“Ky është një moment kyç për të ndërtuar një sistem modern të menaxhimit të burimeve shtetërore, ku transparenca dhe llogaridhënia janë parimet udhëheqëse,” vlerëson Fetai.
Lajme nga vendi
Mexhiti: 229 milionë denarë për projekte ekologjike, ftoj të gjithë qytetarët të aplikojnë!

Zëvëndëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti, sot ka njoftuar për shpalljen e Konkursit publik për ndarjen e mjeteve nga Programi për Investime në Mjedis për vitin 2025.
“Me këtë program synojmë të financojmë projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mjedisit; ujë të pastër, tokë të shëndetshme, biodiversitet të mbrojtur dhe vetëdije më të lartë publike. Kemi ndarë gjithsej 229 milionë denarë, të cilat do të shpërndahen për kanalizime dhe pastrim të ujërave të zeza; për ujësjellës; për projekte kërkimore e arsimore; si dhe për edukim dhe vetëdijesim mjedisor”, ka shkruar ministri Mexhiti.
Ai tutje në këtë njoftim ka ftuar të gjithë qytetarët e gjitha kategorive që të aplikojnë dhe ka veçuar kriteret të cilat do të kenë përparësi.
“Ftoj të gjitha komunat, OJQ-të, institucionet arsimore dhe shkencore, si dhe çdo individ apo organizatë që ka ide dhe vullnet të kontribuojë, që të aplikojnë. Këtë vit i japim rëndësi të veçantë zgjidhjeve inovative, ndaj ftoj veçanërisht kompanitë startup dhe IT që të sjellin ide të reja për një mjedis më të mirë. Afati është 3 javë nga dita e sotme dhe formularët janë të disponueshëm në faqen e Ministrisë”, ka përfunduar ministri Mexhiti.
Lajme nga vendi
Çair, hidhet koktej molotovi për të djegur një kazino

Më 8 prill, në orën 03:31, në SPB Shkup është raportuar nga një kazino në rajonin e Çairit se dy persona kishin hedhur një shishe me lëng të ndezshëm para hyrjes së kazinosë. Punonjësit e sigurimit e kanë shuar zjarrin.
Nuk ka persona të lënduar.
Po merren masa për zbardhjen e rastit.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve