Lajme nga vendi
MPB dhe SHGM me protokoll për sigurinë e gazetarëve në internet

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, sot ka mbajtur takim pune me grupin punues të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, të udhëhequr nga kryetari i SHGM-së Mlladen Çadikovski, në të cilin u promovua Protokolli i përgatitur për sigurinë e gazetarëve në internet, me fokus për gazetaret.
Si rezultat i zhvillimit të këtij protokolli, ndër të tjera, në Ministrinë e Punëve të Brendshme është caktuar një person-pikë kontakti për kërcënimet në internet ndaj gazetarëve dhe në përgjithësi punonjësve të medias. Protokolli ofron hapa praktike që gazetarët të veprojnë kur janë subjekt i një kërcënimi përmes rrjeteve sociale dhe në përgjithësi në internet, përmes përfshirjes proaktive të Ministrisë së Punëve të Brendshme në mbrojtjen e punonjësve të medias. Ky është një nga aktiviteteve të rradhës të zhvilluara bashkërisht nga MPB-ja she SHGM-ja për përmirësimin e sigurisë së gazetarëve, që nga viti 2017, kur u nënshkrua një Memorandum Bashkëpunimi.
Në takim u diskutua edhe për aspekte të tjera të sigurisë së gazetarëve dhe punonjësve të medias gjatë kryerjes së aktiviteteve të tyre, kërcënimet që janë të pranishme në hapësirën e internetit, nevojën për raportim të lirë dhe të papenguar të ngjarjeve në terren, efikasitetin në mbrojtjen e gazetarëve me zbatim të plotë të instrumenteve ligjore që kanë institucionet dhe u theksua bashkëpunimi i shkëlqyer mes MPB-së dhe SHGM-së.
“Është e qartë se impenjimi ynë si ministri është që gazetarëve t’u ofrojmë të gjitha kushtet që ata ta bëjnë punën e tyre pa probleme dhe këtë e kemi treguar që nga viti 2017 e deri më tani. Nuk duhet të ketë asnjë dyshim për këtë, sepse liria e mediave është një nga shtyllat bazë mbi të cilën mbështetet demokracia. Dhe ky protokoll, në përpilimin e të cilit kanë marrë pjesë përfaqësues të MPB-së, SHGM-së dhe ekspertë të komunitetit akademik, ofron zgjidhje që do të kontribuojnë që çdo gazetar, veçanërisht femrat gazetare, të ndihen të sigurtë, por edhe të dijnë të veprojnë në rastet e kërcënimeve online. Për ne liria e gazetarëve është prioritet dhe në atë drejtim vazhdojmë me aktivitete të rradhës në bashkëpunim me SHGM-në. Në periudhën paraprake kemi kryer trajnime të shumta, së bashku me SHGM-në dhe Misionin e OSBE-së në Shkup, kemi zhvilluar Doracakun për sigurinë e gazetarëve gjatë ngjarjeve me rrezikshmëri të lartë dhe sot mund të konstatojmë se është përgatitur edhe Protokolli për sigurinë e gazetarëve në internet”, theksoi ministri Spasovski.
Kryetari i SHGM-së Mlladen Çadikovski tha se ky Protokoll është një hap plus në ndërtimin e një atmosfere të sigurt për të punuar gazetarët.
“Besojmë se ky është një hap pozitiv në kuadër të rritjes së sigurisë së kolegëve gazetarë. Sot ne jo vetëm përballemi me kërcënime për sigurinë tonë, por përballemi edhe me rrezikun e kërcënimeve online, ku fatkeqësisht, viktimat kryesore janë gazetaret. Në këtë mënyrë presim që të zvogëlohen sulmet dhe rreziku prej tyre dhe të zhduket mosndëshkimi i autorit. Shpresojmë që rekomandimet që gjenden në këtë Protokoll do ta gjejnë vendin e tyre në krijimin e një atmosfere të sigurt për punën e gazetarëve”, tha Çadikovski.
Në procesin e përgatitjes së këtij Protokolli janë bërë analiza të gjëra, është përdorur literatura aktuale ligjore për këtë temë, si dhe praktika të shumta institucionale, për të gjetur qasjen më të mirë për mbrojtje dhe siguri më të madhe të gazetarëve në internet. Në këtë mënyrë do të zvogëlohet mundësia e autocensurës për shkak të frikës ekzistuese të sulmit dhe do të rritet liria e shprehjes dhe standardet profesionale gazetareske. Anëtarë të grupit punues të përbërë për përgatitjen e këtij protokolli nga SHGM-ja ishin Mlladen Çadikovski dhe Dragan Sekullovski, Nikolla Dujovski, profesor në Fakultetin e Sigurisë Shkup në USHKO Manastir, Jasna Baçovska Nediq, profesoreshë në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” Shkup, Toni Angellovski, ndihmës i ministrit për Marrëdhënie me Publikun dhe Planifikim Strategjik në MPB, ndërsa nga femrat gazetare në grupin punues ishin Sashka Cvetkovska, Evi Shkopi dhe Kristina Atovska.
Lajme nga vendi
Fetai: Një hap më afër drejt transparencës në menaxhimin me pronën shtetërore

Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi dje kërkesën e Kabinetit të Zëvendëskryeministrit të ngarkuar për politika të qeverisjes së mire, Arben Fetai për zgjerimin e grupit të punës që do të hartojë Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit final të Revizorit shtetëror mbi menaxhimin e pronës shtetërore.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi efikas, të drejtë dhe të përgjegjshëm të menaxhimit të pasurisë publike, si dhe në parandalimin e keqpërdorimeve dhe mungesës së transparencës që kanë ndodhur në të kaluarën, thekson zëvendëskryeministri Fetai.
Grupi i punës, i udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit, do të përfshijë përfaqësues nga institucionet kyçe shtetërore: Shërbimi i punëve të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë, Ndërmarrja Publike për ndërtimin dhe administrimin e hapësirave banesore dhe afariste (Sh.A. – Shkup), Ndërmarrja Publike për administrimin e hapësirave afariste në pronësi shtetërore (Sh.A. – Shkup), Agjencia për Kadastrën e Pasurive të Paluajtshme, Ministria e Financave, Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë dhe Komisioni për Çështje Banesore.
Për herë të parë në historinë e vendit, po përgaditet edhe Regjistri Kombëtar i Pronës Shtetërore, një nismë e udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit Fetai dhe bazuar në praktikat më të mira evropiane, me qëllim të eliminimit të rrezikut të korrupsionit dhe keqpërdorimeve në këtë sektor të ndjeshëm.
“Ky është një moment kyç për të ndërtuar një sistem modern të menaxhimit të burimeve shtetërore, ku transparenca dhe llogaridhënia janë parimet udhëheqëse,” vlerëson Fetai.
Lajme nga vendi
Mexhiti: 229 milionë denarë për projekte ekologjike, ftoj të gjithë qytetarët të aplikojnë!

Zëvëndëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti, sot ka njoftuar për shpalljen e Konkursit publik për ndarjen e mjeteve nga Programi për Investime në Mjedis për vitin 2025.
“Me këtë program synojmë të financojmë projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mjedisit; ujë të pastër, tokë të shëndetshme, biodiversitet të mbrojtur dhe vetëdije më të lartë publike. Kemi ndarë gjithsej 229 milionë denarë, të cilat do të shpërndahen për kanalizime dhe pastrim të ujërave të zeza; për ujësjellës; për projekte kërkimore e arsimore; si dhe për edukim dhe vetëdijesim mjedisor”, ka shkruar ministri Mexhiti.
Ai tutje në këtë njoftim ka ftuar të gjithë qytetarët e gjitha kategorive që të aplikojnë dhe ka veçuar kriteret të cilat do të kenë përparësi.
“Ftoj të gjitha komunat, OJQ-të, institucionet arsimore dhe shkencore, si dhe çdo individ apo organizatë që ka ide dhe vullnet të kontribuojë, që të aplikojnë. Këtë vit i japim rëndësi të veçantë zgjidhjeve inovative, ndaj ftoj veçanërisht kompanitë startup dhe IT që të sjellin ide të reja për një mjedis më të mirë. Afati është 3 javë nga dita e sotme dhe formularët janë të disponueshëm në faqen e Ministrisë”, ka përfunduar ministri Mexhiti.
Lajme nga vendi
Çair, hidhet koktej molotovi për të djegur një kazino

Më 8 prill, në orën 03:31, në SPB Shkup është raportuar nga një kazino në rajonin e Çairit se dy persona kishin hedhur një shishe me lëng të ndezshëm para hyrjes së kazinosë. Punonjësit e sigurimit e kanë shuar zjarrin.
Nuk ka persona të lënduar.
Po merren masa për zbardhjen e rastit.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve