Lajme nga rajoni
Avokatët në Serbi ndalojnë punën për një muaj në shenjë mbështetjeje për studentët
Avokatët në Serbi nga sot hyjnë në një ndërprerje njëmujore të punës, e cila do të zgjasë deri më 4 mars, sipas vendimit të Dhomës së Avokatëve të Serbisë (AKS) në një mbledhje të jashtëzakonshme.
Sekretari i Dhomës, Nemanja Joloviq, konfirmoi se Dhoma e Avokatëve të Serbisë (AKS) në mbledhjen e saj të jashtëzakonshme miratoi propozimin për ndërprerjen njëmujore të punës, duke filluar nga 3 shkurti.
Avokatët nga Shabaci propozuan që të vendoset një proces minimal pune, i domosdoshëm për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave themelore të klientëve, në mënyrë që avokatët të mos hyjnë dhe të mos qëndrojnë në ambientet e gjykatave, prokurorive, policisë dhe organeve administrative për asnjë arsye.
Kërkesa është gjithashtu që të mos marrin pjesë në seancat kryesore gjyqësore dhe seancat kryesore në gjykata, dhe avokatët të mos i drejtohen prokurorisë në procedurat hetimore dhe negociatat për marrëveshjet ose pranimin e fajësisë. Ata gjithashtu nuk do t’i drejtohen policisë në procedurat para-hetimore.
Më 7 shkurt në orën 16:00, avokatët kanë paralajmëruar një protestë para selisë së Radio-Televizionit të Serbisë (RTS), duke kërkuar që shërbimi publik të transmetojë kërkesat e tyre.
“Meqenëse RTS transmeton vetëm deklaratat e ministres së drejtësisë, ne do të kërkojmë që të publikojë të gjitha kërkesat e avokatëve dhe të fillojë të thyejë heshtjen,” deklaroi avokati Mirosllav Zhivkoviq.
Lajme nga rajoni
Panik në Greqi, 200 lëkundje toke në Santorini, mbyllen shkollat
Më shumë se 200 lëkundje toke janë regjistruar në afërsi të ishullit të Santorinit duke bërë që autoritetet greke të mbyllin shkollat dhe t’u thonë banorëve që të shmangin disa porte. Ekspertët e tërmeteve thonë se rritja e aktivitetit sizmik rreth ishullit turistik të Egjeut, i njohur për ndërtesat e tij të bardha dhe plazhet me rërë të errët, nuk lidhet me aktivitetin vullkanik. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis kryesoi një takim urgjent në Athinë, ndërsa autoritetet e Santorinit janë përgatitur për një evakuim të mundshëm. Tenda janë ngritur në një stadium, policia dhe zjarrfikësit janë vënë në gatishmëri dhe njësitë speciale të reagimit ndaj fatkeqësive me qen nuhatës janë gati po ashtu. Banorët e ishullit janë këshilluar të shmangin tubimet e mëdha në ajër të hapur dhe të qëndrojnë larg katër porteve të vogla duke përfshirë portin e Firës, i cili u shërben kryesisht anijeve turistike. Pronarëve të shtëpive dhe hoteleve u është thënë gjithashtu që të zbrazin pishinat e tyre për shkak të shqetësimeve se vëllime të mëdha uji mund të destabilizojnë ndërtesat në rast të një tërmeti të fortë. Shkollat u mbyllën të hënën në Santorini si dhe në ishujt e afërt të Amorgos, Ios dhe Anafi. Më shumë se 200 tërmete janë regjistruar që nga orët e para të së premtes, por nuk ka raportime për dëme apo viktima. Tërmeti më i fortë i regjistruar ka qenë me magnitudë 4.6 të së dielës pasdite, ndërsa kanë pasuar disa lëkundje me magnitudë mbi 4 dhe dhjetëra të tjera me magnitudë 3. Ekspertët thanë se ishte e pamundur të parashikohej nëse aktiviteti sizmik mund të çonte në një lëkundje më të fortë, por shtuan se zona mund të prodhojë një tërmet me magnitudë deri në 6 ballë.
Lajme nga rajoni
Studentët serbë nisin marshimin nga Beogradi drejt Novi Sadit
Qindra studentë serbë kanë nisur një marshim nga Beogradi drejt qytetit të Novi Sadit, në kuadër të protestave të vazhdueshme që kanë tronditur vendin pas shembjes së çatisë në një stacion treni, që sipas tyre ishte rezultat i korrupsionit të thellë.
“Qarkullimi në rrugën e marshimit do të pezullohet dhe do të ridrejtohet. Anëtarët e policisë së trafikut dhe të departamentit të rendit publik, si dhe autoambulancat dhe cisternat me ujë, do të vendosen përpara dhe pas kolonës”, tha ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq.
Zemërimi për shembjen e strehës në nëntor, që la të vdekur 15 persona, është përhapur në të gjithë vendin, me dhjetëra mijëra njerëz që kanë dalë në rrugë si pjesë e një lëvizjeje që kërkon më shumë përgjegjësi dhe drejtësi.
Si përgjigje, kryeministri Milos Vuçeviq dhe kryetari i Novi Sadit, Milan Gjuriq, dhanë dorëheqjen këtë javë, duke thënë se e konsiderojnë veten “objektivisht përgjegjës” për atë që ndodhi.
Vuçiq tha më 29 janar se partia e tij në pushtet do të vendosë brenda 10 ditëve të ardhshme nëse do të propozojë një qeveri të re, apo do të thërrasë zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Shembja e çatisë ndodhi pasi stacioni hekurudhor i Novi Sadit ishte rinovuar dy herë në vitet e fundit nga një konsorcium i udhëhequr nga Kina, me katër kompani. Hekurudhat Serbe këmbëngulën se rinovimi nuk përfshinte mbulesën prej betoni, por disa ekspertë e kundërshtuan këtë, ndërsa shumë njerëz fajësojnë korrupsionin dhe mbikëqyrjen e dobët të ndërtimit për tragjedinë.
Pjesëmarrësit në demonstratat e fundit kërkuan përgjegjësi për ata që konsiderohen fajtorë për tragjedinë e Novi Sadit. Ata, gjithashtu, kërkuan hetime për zyrtarët lidhur me rrahjen e studentëve gjatë protestave.
Studentët kanë mbajtur të bllokuara mbi 60 universitete shtetërore për dy muajt e fundit. Kërkesa e tyre kryesore është që autoritetet të publikojnë të gjithë dokumentacionin mbi projektet e rindërtimit të stacionit hekurudhor.
Autoritetet pretendojnë se të gjitha kërkesat e tyre janë plotësuar dhe u bëjnë thirrje studentëve t’i hapin fakultetet.
Akademikët, nga ana tjetër, thonë se kërkesat janë plotësuar vetëm pjesërisht dhe pezullimi i punës në fakultete do të vazhdojë deri në një njoftim të dytë. Ata këmbëngulin se dokumentacioni mbi rindërtimin e stacionit të trenit, i publikuar në faqen e internetit të Qeverisë së Serbisë dhe në faqen e internetit të prokurorit të Përgjithshëm në Novi Sad, është jo i plotë.
Lajme nga rajoni
Kryeministri i Serbisë jep dorëheqje pas protestave masive
Kryeministri serb, Millosh Vuçeviq ka dhënë dorëheqje nga ky post. Lajmi u bë i ditur në një konferencë të jashtëzakonshme për media.
Ky veprim vjen teksa në Serbi janë duke vazhduar protestat e studentëve, transmeton gazeta online Reporteri.net.
Dorëheqje sot ka dhënë edhe kryetari i Novi Sadit.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka pretenduar dje se janë plotësuar të gjitha kërkesat e studentëve, nisur nga publikimi i gjithë dokumentacionit rreth rindërtimit të stacionit hekurudhor në Novi Sad, e deri te falja e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave.
Protestat kanë nisur pas shembjes së një cope të madhe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor, duke lënë të vrarë 15 persona dhe duke plagosur rëndë dy të tjerë./Reporteri.net/
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve