Lajme nga vendi
Kovaçevski rrezikon burg prej 1 deri në 5 vjet, ndërsa Grubi të paktën 5 vjet
Prokuroria Publike ende nuk ka marrë një vendim për ish-kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe për ish-sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë, Metodija Dimovski, të cilët janë denoncuar nga MPB për krim në Lotarinë Shtetërore. Nëse Prokuroria e Posaçme hap hetim, të dyve u kanoset dënim me burg.
Dënimi i mundshëm për ish-kryeministrin Dimitar Kovaçevski, nëse Prokuroria Publike hap hetim pas denoncimit të MPB-së, varion nga 1 deri në 5 vjet burg. Po të mos ishin ndryshimet në Kodin Penal të shtatorit 2023, të propozuara nga qeveria e mëparshme nën udhëheqjen e Kovaçevskit, dënimi për të do të ishte të paktën 3 vjet burg.
Për veprën e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, për të cilin Prokuroria Publike tashmë ka nisur hetim pas denoncimit të MPB-së, dënimi i mundshëm është të paktën 5 vjet burg.
Ministria e Punëve të Brendshme dje publikoi kallëzimin penal kundër 8 personave të përfshirë në krimin me Llotarinë Shtetërore.
Nga tetë të raportuarit, Prokuroria Publike tashmë është duke zhvilluar një hetim ndaj gjashtë personave. Dy prej tyre janë në arrati, ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore Pëparim Bajrami dhe ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi. Ndaj tyre MPB-ja ka lëshuar fletarrest ndërkombëtar, ndërsa Gjykata Penale me kërkesë të Prokurorisë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Nga ana tjetër, katër nëpunës civilë janë tashmë në paraburgim.
“Kundër D.K. “(50) nga Shkupi është paraqitur kallëzim penal për veprën penale keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar paraparë dhe i dënueshëm nga neni 353 paragrafi 4”, njoftoi dje MPB.
Për të njëjtën vepër është paraqitur edhe ish-sekretari i përgjithshëm Dimovski.
“I pandehuri i tretë, D.K., si kryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, pas marrëveshjes paraprake me të pandehurin e parë P.B., më 08.03.2022, e ka vënë në rendin e ditës dhe ka miratuar procedurë për themelimin e tregtisë. Kompania Video Lotaria e Re Shtetërore – NEW VLT DOO Shkup, edhe pse e dinte se materialet nuk shqyrtohen në seancë sipas Rregullores së punës së Qeverisë (neni 68, paragrafi 1). Me këtë i mundësoi kompanisë të fitojë të drejtën e organizimit të lojërave të fatit pa licencë dhe personave përgjegjës u siguroi dobi pasurore të kundërligjshme prej 8.598.000 denarë (140.000 euro)”, thuhet në raportin e MPB-së kundër ish kryeministër.
Kallëzimi penal ndaj Grubit është për veprën penale të keqpërdorimit të procedurës për thirrje publike, dhënie e kontratës për prokurim publik ose partneritet publiko-privat, nga neni 275c paragrafi 3 i Ligjit Penal. Për këtë vepër parashikohet të paktën 5 vjet burgim dhe nuk ka kufi të sipërm të dënimit me kusht. Edhe tentativa për kryerjen e kësaj vepre penale është e dënueshme dhe gjykata do t’i shqiptojë autorit ndalimin e ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës.lajmpress
Lajme nga vendi
Limani: Organizatat qytetare – ofrues të shërbimeve sociale janë partnerët tanë në sigurimin e mirëqenies së qytetarëve
Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, ka takuar sot përfaqësues të disa organizatave të shoqërisë civile – ofrues të shërbimeve sociale. Në takim u bisedua për angazhimet dhe synimet e përbashkëta në të cilat po punojnë të dyja palët, e që është sigurimi i mirëqenies së qytetarëve, përfituesve të shërbimeve.
Bashkëbiseduesit diskutuan për rezultatet e reformës sociale, me theks në deinstitucionalizimin dhe shërbimet sociale, të cilat përfaqësojnë një shembull të shkëlqyer në rajon se si sistemi i mbrojtjes sociale është në dobi të përdoruesve të shërbimeve.
Nga ana e Ministrisë u theksua se me fillimin e vitit 2025 parashihet rishikimi i Ligjit për mbrojtjen sociale, rregullimi i akteve nënligjore dhe monitorimi dhe vlerësimi i shërbimeve sociale.
Megjithatë, së shpejti do të publikohet një thirrje e re publike për shprehjen e interesit të komunave për ngritjen dhe zgjerimin e shërbimeve sociale dhe rritjen e numrit të përfituesve.
Bashkëbiseduesit ranë dakord për qëllimet e përbashkëta -përforcimin e sistemit të mbrojtjes sociale, dhe kjo bëhet më së miri duke forcuar shërbimet sociale përmes të cilave përdoruesit përgatiten për jetesë me mbështetje dhe përfshirjen e tyre në tregun e punës, si aktorë aktivë në shoqëri.
Lajme nga vendi
ASH-Sela: Të largohet Taravari, në heshtje mbrojti drejtoreshën e spitalit “Kozle dhe injoroi të punësuarit dhe pacientët
Aleanca për Shqiptarët-krahu i Selës ka kërkuar që ministri i shëndetësisë, Arben Taravari të largohet nga detyra së bashku me drejtorët e spitaleve që siç thotë, të shpëtojë shëndetësia dhe qytetarët, përcjell TV21. ASH-Sela thotë se, Taravari për më shumë se tre muaj është i njoftuar për situatën në spitalin “Kozle” dhe është zotuar se do ta hetojë rastin, por siç thotë ASH-Sela, ministri zgjodhi që në heshtje ta mbrojë drejtoreshën Karolina Simonovska dhe t’i injoroj të punësuarit dhe pacientët.
“Të largohet Taravari me drejtorët, të shpëtojnë shëndetësia dhe qytetarët
Që nga formimi i Qeverisë jolegjitime, sistemi shëndetësor ka hyrë në një kolaps të rëndë, ndërsa pasojat po i vuajnë qytetarët dhe veçanërisht fëmijët të cilët nga pakujdesia dhe papërgjegjësia përfundojnë në mënyrën më tragjike të mundshme.
Derisa ministri Arben Taravari shëtit nëpër emisione duke thënë fjalë boshe, në Klinikën e Fëmijëve vdesin çdo ditë fëmijë nga papërgjegjësia e tij dhe drejtorit të tij, ndërsa në Klinikën e Kozles, drejtoresha Karolina Simonovska, u bën terror të punësuarve dhe ai ka frikë ta shkarkojë. Nëse ka pak dinjitet dhe nuk është ushtar i verbër si deri më tani, ai duhet të jap dorëheqje së bashku me drejtorët e tij të paaftë.
Për këtë situatë Taravari është i njoftuar për më shumë se tre muaj dhe nuk ka guxim të ndërmerr asnjë veprim. Ai vetë e ka konfirmuar se që në muajin shtator ka pranuar ankesa edhe nga të punësuarit shqiptarë edhe nga ata maqedonas, për sjelljen fashiste dhe jo profesionale ndaj të punësuarve. Në një konferencë për media vetë pranoi se i ka takuar stafin mjeksor, u zotua se do të hetojë rastin, por që atëherë deri më sot kur të punësuarit përsëri shkruajnë letër publike, Taravari zgjodhi që në heshtje të mbrojë drejtoreshën dhe të injorojë të punësuarit dhe pacientët”, thotë ASH-Sela.
Lajme nga vendi
Murtaja e kafshëve, është përhapur në shtetet fqinje alarmohen institucionet vendore
Sëmundja e murtajës tek përtypësit e vegjël është përhapur në shtetet fqinje, respektivisht në Greqi dhe Bullgari, ndërsa raste të këtilla janë hasur edhe në Rumani. Në vendin tonë, kjo sëmundje ende nuk është e pranishme, ndërsa autoritetet tashmë kanë filluar me takimet me blegtorët nëpër disa komuna për të parandaluar përhapjen e kësaj sëmundje. Përfaqësues të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, kanë qëndruar në Tetovë, ku blegtorëve individual dhe Shoqatave të Blegtorëve u është sqaruar për shenjat klinike që shfaq sëmundja, siç janë ethet, infeksione në sy, humbje të peshës, kurse sëmundja paraqitet tek kafshët e reja, qengjat dhe dhitë, e më pak tek delet.
“Për njerëzit nuk ka rrezik, por nëse kjo sëmundje paraqitet edhe në vendin tonë, pasojat do të jenë të mëdha, pasi do të ndalohet eksporti për dy vite”, tha Svetllana Kolariq, sekretar Shtetëror për Ushqim. Nga agjencia njoftojnë se veterinerët janë trajnuar fillimisht se si ta njohin këtë sëmundje, sepse sëmundja është e përafërt me sëmundjen e shapit. Prandaj, veterinerët janë të parët që e detektojnë dhe më pas i alarmojnë institucionet përkatëse, nëse ka raste të dyshimta.
“Qengjat janë prodhimi ynë strategjik dhe si shtet duhet që të kujdesemi, të marrim të gjitha masat dhe të parandalojmë paraqitjen eventuale të sëmundjes. Paraqitja e sëmundjes do të thotë humbje të mëdha ekonomike, ndërsa për momentin – numri i dhive dhe derrave është rreth 480 mijë dhe do të thotë ndalim të eksportit, ndalesë për lëvizje, asgjësim i tyre, ndalesë për eksportin e qengjit. Për momentin nuk kemi asnjë shenjë të kësaj sëmundje në vendin tonë, ky është takimi ynë i shtatë me fermerët dhe janë marrë masa hyrjen e kësaj sëmundje dhe përhapjen e saj në vendin tonë”, informoi Kolariq.
Përfaqësuesit e Kooperativave Bujqësore thonë se këto takime janë të mira për t’u informuar me qëllim që të parandalojnë përhapjen e sëmundjes në vendin tonë. “Ne ende nuk e dimë se çfarë simptoma kanë kafshët prandaj janë edhe këto takime me blegtorët që t’i informojmë nga afër, në bashkëpunim me institucionet shtetërore që janë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, që të parandalohet kjo sëmundje”, tha Naser Xhemaili, përfaqësues i Kooperativës Bujqësore “Sharri” në Tetovë. Gjatë takimit me blegtorët, janë dhënë edhe rekomandime se si të kujdesen për kafshët nga kjo sëmundje, duke përfshirë pastrimin, dezinfektimin, vaksinimin dhe kontrollim të tyre nga veterinerët.TV KOHA
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve