Lajme nga vendi
Qeveria, masa kundër ndotjes së ajrit
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor e informon publikun se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të qytetarëve dhe zvogëlimit të emetimeve të substancave ndotëse në rast të ndotjes alarmante të ajrit, miratoi një Plan akcional me masa afatshkurtra për uljen e shkarkimeve të substancave ndotëse, sipas të cilit nxori një Urdhër për futjen e masave për reduktimin e emetimeve të substancave ndotëse.
Në kuadër të këtij Urdhri parashikohen masat e mëposhtme:
Kontrolle të shtuara të automjeteve: Ministria e Punëve të Brendshme – Policia Rrugore do të kryejë kontrolle të forta dhe të jashtëzakonshme të automjeteve për të përcaktuar korrektësinë teknike të automjeteve për emetimin e gazrave të shkarkimit. Kjo do të ndihmojë në uljen e ndotjes së trafikut.
Regjim i veçantë i komunikacionit për automjetet e rënda: Komunat dhe Qyteti i Shkupit, në bashkëpunim me MPB-në, do të sigurojnë regjime të posaçme të komunikacionit për automjetet e rënda të mallrave, duke i drejtuar në rrethrrotullimet me qëllim të reduktimit të trafikut në zonat urbane.
Ndalim për dërgimin e mallrave dhe transportin e makinerive ndërtimore: Komunat dhe Qyteti i Shkupit do të ndalojnë dërgimin e mallrave dhe transportin e makinerive ndërtimore si ekskavator, buldozer dhe pirun në periudhën prej orës 07:30 deri në orën 18:00. Kjo masë synon të reduktojë bllokimet e trafikut dhe emetimet gjatë orëve më të ngarkuara. Ministria e Punëve të Brendshme është përgjegjëse për kontrollin e zbatimit të kësaj mase.
Reduktimi i përdorimit të automjeteve zyrtare: Të gjitha organet e administratës shtetërore, agjencitë, fondet, byrotë, institutet, ndërmarrjet publike dhe shoqëritë aksionare shtetërore, si dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore janë të detyruara të reduktojnë përdorimin e automjeteve zyrtare deri në 50%. Kjo masë synon të reduktojë trafikun zyrtar dhe emetimet e tij.
Përjashtimi nga detyrimet e punës për grupet vulnerabël: Ministria e Ekonomisë dhe Punës, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, i detyron të gjithë subjekete juridike (punëdhënësit) që t’i lirojnë nga detyrimet e punës:
Gratë shtatzëna; personat mbi 60 vjeç; personat me sëmundje malinje, astmë kronike, infarkt të mëparshëm të miokardit ose goditje në tru, pavarësisht moshës, me rekomandim të mjekut amë.
Riorganizimi i orarit të punës dhe sigurimi i maskave mbrojtëse: Të gjithë subjektet juridike (punëdhënësit) janë të obliguar për riorganizimin e orarit të punës për personat që punojnë jashtë. Aktivitetet e punës duhet të kryhen në periudhën prej orës 11:00 deri në orën 17:00. Për më tepër, punëdhënësve u kërkohet të sigurojnë maska mbrojtëse të tipit KN95 ose të paktën FFP2 për punëtorët e tyre.
Reduktimi i kapacitetit të instalimeve me A – leje të integruar ekologjike: Instalimet që posedojnë A – leje të integruar ekologjike duhet të reduktojnë kapacitetin e tyre prodhues. Njëkohësisht, duhet pasur kujdes që kufizimet të mos ndërpresin ose reduktojnë ndjeshëm procesin e vazhdueshëm teknologjik, ose veprimtarinë që do të shkaktonte dëme të konsiderueshme për subjektin juridik ose ndikim negativ në mjedis dhe në shërbimet publike. Përjashtim nga kjo masë bëjnë instalimet që prodhojnë nxehtësi dhe energji elektrike.
Kontrollet e jashtëzakonshme të instalimeve me A leje të integruar ekologjike: Inspektorati Shtetëror i Mjedisit do të fillojë me kryerjen e kontrolleve të jashtëzakonshme të instalimeve me A – leje të integruare ekologjike. Matjet e kontrollit të shkarkimeve në ajër do të kryhen me metoda të akredituara për të përcaktuar nëse zbatohen kushtet dhe masat e përcaktuara në leje.
Kontrolle të jashtëzakonshme të subjekteve juridike me B – leje dhe elaborate të integruara ekologjike: Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe inspektorët e autorizuar të mjedisit obligohen që të fillojnë të kryejnë kontrolle të jashtëzakonshme të objekteve juridike që posedojnë B – leje dhe elaborate të integruara ekologjike, për të garantuar harominuzimin e standardeve ekologjike.
Kontrollet emergjente në kantieret e ndërtimit: Inspektorati Shtetëror për Ndërtimtari dhe Urbanizëm dhe inspektoriatet kompetente komunale do të fillojnë me kryerjen e inspektimeve të jashtëzakonshme në kantieret e ndërtimit, me qëllim të konstatimit të respektimit të rregulloreve për mbrojtjen e mjedisit dhe reduktimin e pluhurit dhe shkarkimeve të tjera ndotëse.
Masat e lartëpërmendura do të zbatohen në rastet e tejkalimit të kufijve të alarmimit të përcaktuara në Dekretin për vlerat kufitare për nivelet dhe llojet e substancave ndotëse në ajrin e ambientit dhe pragjet e alarmimit, afatet për arritjen e vlerave kufitare, kufijtë e tolerancës për vlerat kufitare, vlerat e synuara dhe synimet afatgjate.
Ministria e Mjedisit Jetësor apelon tek të gjitha institucionet kompetente, organet, subjektet juridike dhe qytetarët për respektimin dhe zbatimin e plotë të masave të specifikuara. Veprimi i përbashkët është i domosdoshëm për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe për të përmirësuar cilësinë e ajrit në vendin tonë.
Ministria do të vazhdojë me monitorimin aktiv të situatës së cilësisë së ajrit dhe do t’i informojë qytetarët për masat dhe aktivitetet e mëtejshme. Ftohen të gjitha palët e interesuara të bashkëpunojnë dhe të kontribuojnë në zbatimin me sukses të masave.
Lajme nga vendi
Bastisje në një shtëpi në Gazi Babë, arrestohet 40-vjeçari
Një dyzetvjeçar dje është arrestuar pasi policia në shtëpinë e tij në Gazi Babë ka gjetur drogë.
Nga MPB-ja informojnë se dje, në orën 15:50 në Shkup, në zonën e Gazi Babës, nëpunës policorë kanë privuar nga liria personin R.P.(40) nga Shkupi, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, të kryer me vendim gjykate, iu gjet dhe u sekuestrua një lëndë pluhuri e bardhë, një lëndë e bardhë kokrrizore dhe dy peshore digjitale.
“Pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të bëhet kallëzimi përkatës”, thonë nga MPB-ja
Lajme nga vendi
Mungesa e autobusëve të Qytetit të Shkupit , vuajnë nxënësit dhe studentët
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska u bën thirrje autoriteteve të qytetit urgjentisht të gjejnë zgjidhje adekuate për transportin publik të qytetit. Sipas analizës së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës nga E-ditari, siç deklaroi Janevska, nuk ka dallim të konsiderueshëm në mungesat e nxënësve.
“Supozoj se nxënësit dhe prindërit organizohen në mënyrë më të mirë të mundshme që fëmijët e tyre të arrijnë në shkollë, por edhe mësimdhënësit kanë mirëkuptim për këtë që po ndodhë. Gjendja është shumë e keqe dhe është turp që në kryeqytet nxënësve t’u pamundësohet arsimi adekuat që është e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Shpresoj se do të gjendet zgjidhje për këtë situatë sepse është e palejueshme të gjitha përpjekjet që i bëjmë, ndryshimet që po tentojmë t’i zbatojmë për përmirësim të cilësisë së arsimit, në njëfarë mënyre të parandalohen për shkak të mosorganizimit të autoriteteve të qytetit. Shpresoj se autoritetet e qytetit do ta kuptojnë seriozisht këtë situatë dhe urgjentisht do të gjejnë zgjidhje adekuate”, deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Janevska i mbështetë edhe studentët të cilët paralajmëruan se nesër do t’i bashkangjiten protestës para Qytetit të Shkupit nëse nuk gjendet zgjidhje për transportin publik.
“Absolutisht kanë të drejtë, kanë të drejtë revoltën e tyre ta shprehin në mënyrë adekuate edhe nëse kjo është mënyra e vetme për të gjetur zgjidhje, unë i mbështes”, tha Janevska.
Problemet me transportin publik të qytetit kulminuan dje pasi që shumë autobusë të Ndërmarrjes publike të qarkullimit nuk qarkulluan për shkak të mungesës së derivateve. Në komunikacion ishin lëshuar vetëm 25 autobusë të cilët punojnë me gaz. Për sot në orën 18 është caktuar mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Qytetit të Shkupit, ndërsa disa parti politike kërkuan dorëheqje të kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.
Lajme nga vendi
Në rast të zjarrit, Klinika për Fëmijë në Shkup nuk ka hidrant, Memedi: 7-8 vite pompa është jashtë funksionit
Drejtori i Klinikës për Fëmijë në Shkup, Rexhep Memedi në Daily Click tha se tash e së paku 7 vite, nuk funksionon pompa kryesore që siguron ujë për shuarje të zjarrit në reparte të ndryshme të Klinikës.
“Kjo pompë, ky hidrofor, ky është hidrofor që është montuar prej në fillim, kur është ndërtuar Klinika, siguron shtypje të lartë të ujit për hidrantët në çdo repart, janë hidrantë për shuarje të zjarreve. Në rast zjarri, kemi hidrant në çdo repart dhe mund ta shfrytëzojmë atë hidrant për të shuar zjarr. Kjo është pompa që ka siguruar shtypje të lartë, mirëpo, gati ka 7-8 vite, kjo pompë është jashtë përdorimit, është larguar edhe nga montimi i sistemit të gypave”, theksoi Memedi në “Daily Click”.
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve