Lajme nga vendi
Me çfarë ngrohen qytetarët? Shkupi, ndër 4 qytetet me ajër më të ndotur

Shkupi prej disa ditësh është në krye të listës së qyteteve me nivelin më të lartë të ndotjes së ajrit në botë, kurse në këtë mëngjes kryeqendra u radhit në vendin e katërtë. Mjekët ngrenë shqetësimin për pasojat negative të ajrit në shëndetin e qytetarëve. Autoritetet vendore thonë se po ndërmarrin masa afatgjata dhe afatshkurta për përmirësimin e cilësisë së ajrit në vend.
Ndotja kaq e lartë e ajrit dëmton shëndetin e qytetarëve, sidomos të atyre me sëmundje kronike, thotë mjeku, Sedat Lumani.
“Ndotja është shumë e madhe me materie kimike dhe materie me grimca toksike të imta dhe materie, të cilat lëshojnë punëtoritë ose fabrikat e ndryshme, me makineri të ndryshme, të cilat reagojnë jo mirë për shëndetin e njeriut. Të gjithë njerëzit që janë me sëmundje kronike të sistemit të frymëmarrjes, sistemit kardiovaskular, fëmijët, gratë shtatzëna dhe të moshuarit, në përgjithësi janë target grupe më të rrezikuara. Në këtë kohë kur themi se duhet të bëhet ventilimi i ajrit, duhet të themi që mos të bëhet, sepse ambienti i brendshëm është më i pastër se ai i jashtëm. Duhet të kemi kujdes edhe me veshmbathjen edhe me ushqimin.”, – deklaroi mjeku u përgjithshëm, Sedat Lumani.
Qytetarët shprehen të shqetësuar dhe thonë se ajri i ndotur u shkakton probleme shëndetësore.
“Me nxehje, me radiator. Për atë kam ardhur te mjeku, nuk mundem frymë të marr nga ajri i ndotur. Unë kam ardhur prej Suedie, këtu ajri është i ndotur së tepërmi. Shumë ndikon në shëndetin tim, tepër ndikon. Kjo nuk është normale. 10 vjet jam në Suedi, atje nuk më ka bërë vaki. Këtu si kam ardhur, ja edhe zëri më është marrë. Se çka është puna me ajrin kaq të ndotur nuk e di.”, – tha një qytetar.
“Me dru ngrohemi. Po ndikon ajri i ndotur tek të gjithë.”, – tha një qytetar tjetër.
“Ngrohemi me ngrohëse. Po, ndikon. Kemi shumë lagështi. Burrin e kam të sëmurë me bronkit, me kancer është i sëmurë, ai e ndjen më shumë dhe i bën dëm ajri i ndotur.”, – tha një qytetare.
“Me dru. Jo, nuk kam asnjë problem nga ajri.”, – tha një qytetar.
Me rënien e temperaturave dhe fillimin e sezonit të ngrohjes u krijuan kushte për rritjen e ndotjes së ajrit, thonë nga Ministria e Ambientit, duke shtuar se gjatë këtij sezoni, Ministria po ndërmerr masa konkrete. Nga Ministria, përveç institucioneve, apelojnë edhe te qytetarët që të kenë kujdes se çka përdorin për ngrohje, pasi në mënyrë direkte ndikojnë në ndotjen e ajrit.
“Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor apelon te qytetarët dhe institucionet, kompanitë dhe të gjithë aktorët tjerë, për sjellje të ndërgjegjshme lidhur me mënyrën e ngrohjes, pastrimin e oxhaqeve, hedhjen e mbeturinave, djegien e deponive, shfrytëzimin e automjeteve, punët ndërtimore në ambient të hapur dhe të ngjashme, me qëllim që të gjithë së bashku të japim kontribut për sigurimin e një ambienti më të pastër dhe më të shëndetshëm dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë ne.”, thonë nga Ministria e Ambientit.
Njëherit bëjnë të ditur se kanë formuar një grup intern të punës për ajër të pastër, i cili do t’i propozojë Qeverisë plan veprimi me masa konkrete afatshkurta dhe afatgjata për arritjen e rezultateve konkrete për uljen e ndotjes.
Po ashtu nga Ministria e Ambientit paralajmërojnë kontrolle të ekipeve të Inspektoratit Shtetëror të Ambientit Jetësor dhe Ministrisë së Ambientit, tek kapacitetet industriale që posedojnë lejen A të integruar ekologjike.
Qëllimi i kontrolleve është të ndikohet në ngritjen e vetëdijes dhe gatishmërisë së kompanive që gjatë sezonit dimëror të ndërmarrin masa shtesë, të cilat do të ndikonin pozitivisht në cilësinë e ajrit.
Lajme nga vendi
Mexhiti tha se VLEN do të shkoj në zgjedhje me kandidat, lista, shtabe, platforma e programe të përbashkëta

Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti tha se të gjitha subjektet politike brenda koalicionit VLEN kanë qëndrim që në zgjedhjet lokale të shkohet me kandidat, lista, shtabe, platforma e programe të përbashkët she shtoi se, në disa vende ka vlerësime se duhet dalë jashtë koalicionit dhe të mbështeten kandidatët e pavarur.
“Në lidhje me listat, pra këtu qëndrimi i të gjitha subjekteve politike brenda VLEN është që të shkojmë me kandidatë të përbashkët, me lista të përbashkëta, me shtab të përbashkët, me program dhe platformë të përbashkët, bile edhe diku ku ka analizë dhe vlerësim se duhet të dalim edhe jashtë VLEN-it, të mbështesim kandidat të pavarur, edhe këtë do ta bëjmë. Në lidhje me listat, dmth kryetarët e komunave zgjidhen sipas modelit të shumicës, ndërsa listat sipas D’Hondt sistemit, që i favorizon të mëdhenjtë, d.m.th nuk ka asnjë kuptim ne jemi te të mëdhenjtë, dhe tani të kalojmë te të vegjlit, sepse kjo do të thotë ndarje dhe të digjen vota që do të shkojnë në favor të BDI-së, atëherë parashtrohet pyetja për kë punojmë? Kështu që të gjitha argumentet politike shkojnë në favor që të shkojmë me lista të përbashkëta, dhe duke e marrë parasysh se tashmë ka nismë që VLEN të shkrihet në një, kështu që nuk ka asnjë dilemë, VLEN do të ketë një kandidat, një listë, një shtab, një program”, tha Mexhiti.
Lajme nga vendi
Mickoski tha se ju duhen ide kreative, BDI: Si në vitin 2001, edhe tani askush nuk dëgjon ankesat e shqiptarëve

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim i janë përgjigjur deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili tha se BDI po bën politika të ndarjes, ndërkaq sugjeroi që integristët t’i kthehen “agjendës së gjelbër”. Nga BDI mbesin në qëndrimin e tyre se shqiptarët në Maqedoni janë kthyer në periudhën e para vitit 2001.
Reagimi i BDI-së:
Reagim ndaj deklaratës së Hristijan Mickoskit
Në përgjigje të deklaratës së Kryeministrit, i cili tha se “BDI duhet të sjellë ide kreative” dhe se “ankesat për degradimin e situatës janë vetëm mbrojtje e korrupsionit,” dëshirojmë të theksojmë qartë dhe prerë:
Situata e shqiptarëve sot në Republikën e Maqedonisë së Veriut po rikthehet në atmosferën para vitit 2001.
Edhe atëherë, askush nuk donte të dëgjonte ankesat autentike të shqiptarëve.
Në vend të kësaj, këto ankesa legjitime cilësoheshin si aspirata separatiste e irredentiste.
Kudo përhapeshin naracione se “shqiptarët janë në pozitë të mirë” — ndërsa në realitet ishin të shtypur, të përjashtuar dhe të padukshëm në institucionet shtetërore.
Vetëm pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, bota e pa të vërtetën: shqiptarët ishin realisht të margjinalizuar dhe të diskriminuar në mënyrë sistematike.
Sot, 20 vite më vonë, po përsëritet e njëjta përpjekje për të heshtur ankesat legjitime të shqiptarëve — por me një narrativë të re.
Jo më “separatistë” apo “irredentistë”, por “të korruptuar”. E njëjta përmbajtje, vetëm se me mbulesë të re.
Një tentativë e vjetër për ta relativizuar të vërtetën, për ta shpërqendruar debatin dhe për të mbuluar një realitet që është i prekshëm për çdo qytetar.
Nëse Kryeministri kërkon ide kreative, atëherë po i propozojmë disa:
• Mos e prek Marrëveshjen Kornizë të Ohrit – ajo është themeli i bashkëjetesës dhe garancia për barazi.
• Mos e prek ligjin e gjuhës shqipe
• Le të bëjmë vetting të plotë për të gjithë funksionarët nga viti 1991 e deri më sot – të hetohen pasuritë, burimet dhe mënyra se si janë fituar.
• Të rihapet procesi i privatizimit – që të zbardhet sesi u plaçkit pasuria publike dhe kush përfitoi prej saj.
Këto janë idetë kreative që i nevojiten vendit.
Jo fjalë të mëdha për të mbuluar padrejtësitë e reja, por guxim për të përballur të vërtetat e vjetra.
Lajme nga vendi
Shkon në 61 numri i viktimave në Koçan/ Ndërron jetë Aleksandar Gavrillovskin i cili ishte për kurim në Lituani

Edhe një viktimë nga tragjedia në Koçan, bëhet fjalë për 29 vjeçarin Aleksandar Gavrillovski i cili ishte për kurim në Lituani. Lajmin e bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, sipas të cilit edhe dy pacientë të tjerë janë në gjendje kritike për jetën, shkruan Alsat.
“Tanimë i ndjeri Aleksandar Gavrilovski ishte njëri nga katër pacientët në gjendje kritike”, tha Taravari.
Numri i viktimave nga tragjedia në Koçan arrin në 61 persona. /Alsat.mk
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve