Shkupi prej disa ditësh është në krye të listës së qyteteve me nivelin më të lartë të ndotjes së ajrit në botë, kurse në këtë mëngjes kryeqendra u radhit në vendin e katërtë. Mjekët ngrenë shqetësimin për pasojat negative të ajrit në shëndetin e qytetarëve. Autoritetet vendore thonë se po ndërmarrin masa afatgjata dhe afatshkurta për përmirësimin e cilësisë së ajrit në vend.
Ndotja kaq e lartë e ajrit dëmton shëndetin e qytetarëve, sidomos të atyre me sëmundje kronike, thotë mjeku, Sedat Lumani.
“Ndotja është shumë e madhe me materie kimike dhe materie me grimca toksike të imta dhe materie, të cilat lëshojnë punëtoritë ose fabrikat e ndryshme, me makineri të ndryshme, të cilat reagojnë jo mirë për shëndetin e njeriut. Të gjithë njerëzit që janë me sëmundje kronike të sistemit të frymëmarrjes, sistemit kardiovaskular, fëmijët, gratë shtatzëna dhe të moshuarit, në përgjithësi janë target grupe më të rrezikuara. Në këtë kohë kur themi se duhet të bëhet ventilimi i ajrit, duhet të themi që mos të bëhet, sepse ambienti i brendshëm është më i pastër se ai i jashtëm. Duhet të kemi kujdes edhe me veshmbathjen edhe me ushqimin.”, – deklaroi mjeku u përgjithshëm, Sedat Lumani.
Qytetarët shprehen të shqetësuar dhe thonë se ajri i ndotur u shkakton probleme shëndetësore.
“Me nxehje, me radiator. Për atë kam ardhur te mjeku, nuk mundem frymë të marr nga ajri i ndotur. Unë kam ardhur prej Suedie, këtu ajri është i ndotur së tepërmi. Shumë ndikon në shëndetin tim, tepër ndikon. Kjo nuk është normale. 10 vjet jam në Suedi, atje nuk më ka bërë vaki. Këtu si kam ardhur, ja edhe zëri më është marrë. Se çka është puna me ajrin kaq të ndotur nuk e di.”, – tha një qytetar.
“Me dru ngrohemi. Po ndikon ajri i ndotur tek të gjithë.”, – tha një qytetar tjetër.
“Ngrohemi me ngrohëse. Po, ndikon. Kemi shumë lagështi. Burrin e kam të sëmurë me bronkit, me kancer është i sëmurë, ai e ndjen më shumë dhe i bën dëm ajri i ndotur.”, – tha një qytetare.
“Me dru. Jo, nuk kam asnjë problem nga ajri.”, – tha një qytetar.
Me rënien e temperaturave dhe fillimin e sezonit të ngrohjes u krijuan kushte për rritjen e ndotjes së ajrit, thonë nga Ministria e Ambientit, duke shtuar se gjatë këtij sezoni, Ministria po ndërmerr masa konkrete. Nga Ministria, përveç institucioneve, apelojnë edhe te qytetarët që të kenë kujdes se çka përdorin për ngrohje, pasi në mënyrë direkte ndikojnë në ndotjen e ajrit.
“Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor apelon te qytetarët dhe institucionet, kompanitë dhe të gjithë aktorët tjerë, për sjellje të ndërgjegjshme lidhur me mënyrën e ngrohjes, pastrimin e oxhaqeve, hedhjen e mbeturinave, djegien e deponive, shfrytëzimin e automjeteve, punët ndërtimore në ambient të hapur dhe të ngjashme, me qëllim që të gjithë së bashku të japim kontribut për sigurimin e një ambienti më të pastër dhe më të shëndetshëm dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë ne.”, thonë nga Ministria e Ambientit.
Njëherit bëjnë të ditur se kanë formuar një grup intern të punës për ajër të pastër, i cili do t’i propozojë Qeverisë plan veprimi me masa konkrete afatshkurta dhe afatgjata për arritjen e rezultateve konkrete për uljen e ndotjes.
Po ashtu nga Ministria e Ambientit paralajmërojnë kontrolle të ekipeve të Inspektoratit Shtetëror të Ambientit Jetësor dhe Ministrisë së Ambientit, tek kapacitetet industriale që posedojnë lejen A të integruar ekologjike.
Qëllimi i kontrolleve është të ndikohet në ngritjen e vetëdijes dhe gatishmërisë së kompanive që gjatë sezonit dimëror të ndërmarrin masa shtesë, të cilat do të ndikonin pozitivisht në cilësinë e ajrit.