Lajme nga rajoni
Uta Ibrahimi ngjet me sukses Majën Shisha Pangma: Vetëm edhe një maje drejt rekordit ballkanik

Vitin e kaluar, e gjithë bota u tund nga vdekjet tragjike në këtë maje, ku katër vajza brenda ekipit me të cilin alpinistja jonë ishte nisur, ndërruan jetë nga orteqet e avalanshet.
Tre muaj më parë, Uta u nis përsëri drejt Kinës me synimin për të ngjitur majën Shisha Pangma.
Megjithatë, ekspertët konstatuan se rreziqet ishin të shumta, duke e bërë të pamundur nisjen e ekspeditës. Pa humbur kohë, Uta vendosi të vazhdojë përpara dhe sfidoi majën Gasherbrum 2, duke e ngjitur me sukses këtë majë të lartë.
Ndërsa sot, me datën 9 tetor 2024, Uta Ibrahimi arriti një tjetër moment historik në karrierën e saj të alpinizmit, duke ngjitur me sukses majën Shisha Pangma, një ndër majat më të vështira dhe rrezikshme të Himalajave. Pas dy tentativave të mëparshme, Uta me këmbëngulje dhe përkushtim triumfoi, duke shtuar një tjetër arritje të jashtëzakonshme në listën e saj të sukseseve.
Kjo ngjitje u bë në kuadër të një ekspedite ndërkombëtare të organizuar nga Seven Summit Treks (SST), ku morën pjesë 29 alpinistë dhe Sherpa nga vende të ndryshme të botës. Sipas raportimeve të SST, të gjithë pjesëtarët e ekipit arritën majën e Shisha Pangma me sukses në orën 6:00 të mëngjesit, me kohën lokale.
Kjo arritje përbën një moment të rëndësishëm për 12 nga alpinistët që përfunduan sfidën e ngjitjes së 14 majave më të larta të botës, duke u bashkuar në klubin ekskluziv të 8000- metërsheve. Një sfidë të cilën Uta pritet ta arrijë vitin tjetër duke u bërë e vetmja në Ballkan që ka arritur këtë sukses në Alpinizëm.
Ky sukses i afrohet Uta Ibrahimit përfundimit të një misioni të jashtëzakonshëm, duke mbetur vetëm edhe një majë për të përmbushur qëllimin e saj të ngjitjes së të gjitha 14 majave më të larta të Himalajave. Duke u bërë një nga gratë e pakta në botë që arrin këtë, Uta forcon
pozicionin e saj si një nga alpinistet më të shquara ndërkombëtarisht dhe një frymëzim për shumë të rinj e të reja që ndjekin rrugën e saj drejt lartësive.
Maja Shisha Pangma, me lartësinë e saj prej 8,027 metrash, është e njohur për kushtet sfiduese dhe rreziqet e mëdha që paraqet për alpinistët. Uta, përmes guximit dhe përkushtimit të saj të pandërprerë, dëshmoi edhe një herë se asgjë nuk është e pamundur kur ndjek një qëllim me përkushtim dhe vendosmëri.
Jemi jashtëzakonisht krenarë për arritjet e ekipit tonë dhe presim shumë ekspedita të tjera të suksesshme në të ardhmen," deklaroi SST. "Seven Summit Treks është i nderuar të ketë një ekip kaq të jashtëzakonshëm."
Ndërkohë që e gjithë bota e alpinizmit ndjek me interes këtë rrugëtim, Uta mbetet një simbol i fuqisë dhe qëndrueshmërisë, jo vetëm për gratë, por për të gjithë ata që guxojnë të ëndërrojnë lart.
Lajme nga rajoni
“Amerigo Vespucci” në Durrës, veliera legjendë e Marinës Italiane hapet për publikun

Porti i Durrësit është kthyer këto ditë në një qendër të rëndësishme ndërkombëtare, jo vetëm për arsye ushtarake, por edhe për një vizitë të veçantë simbolike dhe kulturore.
Veliera italiane “Amerigo Vespucci”, një ndër anijet më ikonike në historinë e Marinës Italiane, është ankoruar në kalatat 4 dhe 5 të portit, ku do të qëndrojë më 9 dhe 10 prill, duke u bërë e hapur për publikun shqiptar dhe vizitorët ndërkombëtarë.
E ndërtuar në vitin 1931 në kantierin e Castellammare di Stabia në Napoli, “Amerigo Vespucci” është një anije shkollë që stërvit kadetët e Marinës Italiane, por njëkohësisht funksionon si një ambasadore lëvizëse e kulturës dhe traditës italiane. Ajo është konsideruar gjerësisht si “anija më e bukur në botë”, për shkak të dizajnit të saj tradicional me tre direkë dhe bukurisë klasike që përfaqëson.
Vizita e “Amerigo Vespucci” në Shqipëri vjen si pjesë e një agjende të ngjeshur kulturore dhe diplomatike, të lidhur edhe me nisjen e edicionit 2025 të garës ndërkombëtare Giro d’Italia, e cila këtë vit do të startojë për herë të parë nga territori shqiptar.
Më 9 prill, në bord të velierës do të zhvillohet një pritje zyrtare me 50 të ftuar specialë, ku do të marrin pjesë: Komandanti i velierës “Amerigo Vespucci, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Përfaqësues të Marinës Italiane, Përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë.
Gjatë këtij eventi do të ekspozohet Trofeu “Senza Fine”, simboli i garës Giro d’Italia.
Kjo është hera e dytë që “Amerigo Vespucci” viziton Shqipërinë, pas ndalesës së saj të parë në tetor të vitit 2022.
Por këtë herë, ndalesa ka një simbolikë më të madhe, ajo vjen si anije shoqëruese në dorëzim të një anijeje ushtarake nga Italia për Forcat e Armatosura Shqiptare, duke forcuar akoma më shumë lidhjet mes dy vendeve në fusha të ndryshme: ushtarake, kulturore dhe turistike.
Lajme nga rajoni
Fushata zgjedhore fillon zyrtarisht më 11 prill, Rama synon mandatin e katërt ndërsa Berisha rikthimin

Zyrtarisht fushata do të nisë më 11 Prill. Demokratët kanë zgjedhur të mos humbin kohë dhe të çelin aktivitetet zgjedhore të premten në orën 19 në Sheshin Nënë Tereza ku i pranishëm do të jetë edhe amerikani Chris Lacivita.
Ndërkohë Partia Socialiste do të hap fushatën të shtunën e 12 prillit. Burime për A2 CNN thanë se aktiviteti do të nisë në mesditë në orën 12:00, numër të cilën të majtët e lidhin me simbolikën e 12 yjeve në flamurin e Bashkimit Europian.
Forcat politike do të kenë një muaj kohë të zhvillojnë fushatën elektorale dhe të prezantojnë programet deri ne 11 maj kur shqiptarët do të vendosin se kush do t`i qeverisë në katër vitet e ardhshme.
Lajme nga rajoni
Konfirmohet aktakuza ndaj Naim Murselit dhe të akuzuarve tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.
“REFUZOHEN kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, nën shenjën PP.1.nr.256/2023, e datës 15.01.2025, të parashtruara nga mbrojtësi i të akuzuarit Naim Murseli, Av. Teuta Zhinipotoku, më atë 26.02.2025 nga mbrojtësi i të akuzuarit Granit Plava, Av.Skender Gojani, më datë 04.03. 2025 dhe nga mbrojtëvsi i të akuzuarit Kushtrim Kokalla, Av. Ndrecë Dodaj më datë 11.03.2024″, si të pabazuara”, thuhet në vendim, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.
Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve