Lajme nga vendi
Mexhiti: Komunat në RMV dhe organizatat joqeveritare do të mund të aplikojnë për 3.7 milionë euro në projekte ekologjike
Shkup, 08.04.2025 Ministria e Mjedisit Јetësor dhe Planifikimit Hapësinor ka mbajtur sot konferencë për media me rastin e shpalljes së konkursit publik për ndarjen e mjeteve nga Programi i Investimeve në Mjedis për vitin 2025.
Në konferencën për media, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, theksoi se Programi ka për qëllim inkurajimin dhe financimin e projekteve dhe aktiviteteve që kontribuojnë në mbrojtjen, përmirësimin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të mjedisit – si një nga faktorët kyç për shëndetin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.
Mexhiti apeloi deri tek të gjitha komunat, shoqatat e komunave, organizatat civile dhe institucionet që të përfshihen aktivisht në këtë proces.
Shuma e përgjithshme që po shpërndajmë këtë vit është 229 milionë denarë, njoftoi Mexhiti është e ndarë në katër qëllime kryesore:
• 100 milionë denarë për përgatitjen e dokumentacionit teknik dhe ndërtimin e sistemeve të kanalizimit dhe sistemeve për kullimin dhe pastrimin e ujërave të zeza
• 100 milionë denarë për përgatitjen e dokumentacionit teknik dhe ndërtimin dhe përmirësimin e ujësjellësve
• 10 milionë denarë për nxitjen e projekteve arsimore, kërkimore dhe zhvillimore, dhe
• 19 milionë denarë për ngritjen e vetëdijes publike, edukimin dhe trajnimin lidhur me mbrojtjen e mjedisit.
Mjetet janë të dedikuara për komunat dhe shoqatat e komunave, si dhe për personat juridikë dhe fizikë, organizatat jofitimprurëse dhe joqeveritare, si dhe institucionet shkencore dhe arsimore.
‘Mjetet financiare për realizimin e Konkursit sigurohen nga taksa mjedisore gjatë regjistrimit të mjeteve motorike, ndërsa sa i përket kritereve të ndarjes së mjeteve, dua të theksoj se transparenca dhe objektiviteti janë baza e qasjes sonë’, tha Mexhiti para gazetarëve.
Për organizatat dhe institucionet joqeveritare, kriteret bazë janë:
• Të jetë i regjistruar të paktën një vit përpara konkursit
• Të veprojë në interes të publikut
•Kusht është që të njëjtin projekt nuk e kanë dorëzuar për financim në burime të tjera.
Afati i aplikimit është 3 javë dhe të gjitha subjektet e interesuara duhet të aplikojnë me formularë të veçantë, të cilët gjenden në faqen zyrtare të Ministrisë.
Me këtë masë, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ofron mbështetje reale për ata që kanë kapacitet, dëshirë dhe ide për të kontribuar për ujë më të pastër, tokë më të shëndetshme, biodiversitet të mbrojtur si dhe rritje të ndërgjegjes së popullsisë.
‘Ju inkurajoj të jeni pjesë e kësaj nisme. Le ta përdorim këtë thirrje si një hap përpara drejt një të ardhmeje më të pastër, më të sigurt dhe më të qëndrueshme për të gjitha brezat’, apeloi zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti.
Lajme nga vendi
VLEN: BDI t’i kërkojë SPAK-ut të Shqipërisë ekstradimin e Grubit
Nisma e Degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair për krijimin e një “SPAK-u” lokal kundër korrupsionit ka nxitur reagime nga Koalicioni VLEN.
Nga VLEN-i thonë se iniciativa duhet të shoqërohet me veprime konkrete dhe jo të mbetet vetëm deklarative, duke e cilësuar si përpjekje propagandistike.
Sipas tyre, nëse synohet vërtet transparencë dhe përgjegjësi, hetimet duhet të nisin nga vetë drejtuesit e BDI-së, për të dëshmuar se bëhet fjalë për proces serioz dhe të paanshëm ndaj të gjithë zyrtarëve, pa përjashtim.
“BDI në Çair shpall me bujë formimin e një “SPAK-u” lokal, sikur të kishte zbuluar “Amerikën”. Por, pyetja që lind menjëherë është: a do ta kapë ky SPAK edhe kryesinë e vet? Apo është vetëm një teatër i radhës për të mashtruar qytetarët? VLEN-i e përshëndet këtë “SPAK” të BDI-së dhe i sugjeron që, nëse vërtet është për veprim dhe jo për spektakël, të fillojë hetimet pikërisht nga këta emra. Punën e parë që duhet ta bëjë është të vendosë komunikim me SPAK-un e Shqipërisë dhe të kërkojë ekstradimin e Artan Grubit.”, – thanë nga Koalicioni VLEN.
Ditë më parë, Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair themeloi një “SPAK” lokal si mekanizëm kundër korrupsionit. Sipas njoftimit, kjo strukturë do të monitorojë ndërtimet pa leje dhe punën e organeve komunale për shkelje urbanistike.
BDI u bëri thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo keqpërdorim të pushtetit. (Armend Murseli, TVM2)
Lajme nga vendi
Dega e BDI-së në Çair ka themeluar një strukturë kundër korrupsionit me emrin “SPAK”
Duke huazuar emrin e Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë që ndjek krimin dhe korrupsionin e nivelit të lartë, dega e BDI-së në Çair ka themeluar një Sekretariat, akronimi i të cilit është i njëjtë me atë të Prokurorisë – SPAK.
“SPAK do të funksionojë si mekanizëm profesional monitorimi, i përbërë nga ekspertë vullnetarë – juristë, ekonomistë, urbanistë dhe profesionistë të fushave përkatëse – të cilët do të analizojnë çdo indikacion për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve publike”, deklaroi Enard Bakiu, BDI – Çair.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i koalicionit VLEN të cilët kërkojnë që SPAKU i BDI-së të kërkojë nga SPAKU i Shqipërisë ta ekstradojë Artan Grubin, funksionarin e BDI-së i cili pasi u fut në listë të Zezë u arratis nga shteti, ndërsa dyshimet janë se fshihet në Shqipëri. Plotësisht kërkojnë të hetohen dhe figura tjera të BDI-së.
“Korrupsioni nuk është thjesht ndërtim pa leje apo tender komunal. Ai ka fytyra të njohura: Faton Ahmeti, për dyshimet e keqpërdorimit të fondeve në FSSH, Arbër Ademi, si ministër i Arsimit me lëndë të hapura për abuzime, Bujar Osmani, për rastin famëkeq “Pacienti”, dhe shumë të tjerë që sot ulen në kryesinë e BDI-së si të paprekshëm”, thonë nga VLEN.
SPAKU i BDI-së, është ironizuar edhe për faktin që në periudhën e kaluar ishte në shënjestër të kritikave pasi dy funksionarët e saj Artan Grubi dhe Ramiz Merko u futën në Listë të Zezë për korrupsion, ndërsa u dorëzuan padi edhe kundër një sërë funksionarëve, duke përfshirë Blerim Bexhetin, Fatmir Deharin, Ramiz Merkon, Bujar Dardhishtën, Kreshnik Bekteshin, Bekim Maksutin, Ejup Rustemin e të tjerë. Mekanizmi SPAK, mbase duket si ide e huazuar nga LSDM, e cila e promovoi Qendrën Hulumtuese për Korrupsion dhe Krim të Organizuar me akronimin MICKO, një shkurtesë që përdoret në komunikimin jokonvencional dhe ironizues për Mickoskin. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
KEMM: 140 ANKESA PËR CEREMONINË MORTORE NË KOÇANË
Këshilli I Etikës në media të Maqedonisë, një ditë pas ceremonisë mortore të viktimave të zjarrit tragjik në diskotekën e Koçanit, ka pranuar 140 ankesa lidhur me mënyrën e raportimit të mediave – ka njoftuar Drejtorja Ekzekutive, Biljana Georgievska.
Ajo ka shtuar se të gjitha vërrejtjet kanë ardhë nga e-maile të hapura për një përdorim nga numra telefonike që nuk ekzistojnë.
“Çdo minutë vinte nga një ankesë që për ne ishte një situatë jo e zakonshme që I gjasonte një sulmi të orkestruar digjital, jo vetëm ndaj KEMM-it, por edhe ndaj mediave, vecanërisht për përmbajtjet dhe mënyrës së raportimit për ceremoninë e varrimit. Ata kryesisht hynë në pakon e ankesave pa bazë, për shkak se kishin të bëjnë me mediat e huaja, nga rajoni, por edhe televizione nga India” – thotë Georgievska.
Në vitin 2025 në KEMM knë mbërritur shumë ankesa që lidhen me tragjedinë në Koçanë. Janë shqyrtuar 96 mha 244 ankesat.
Më së shpeshti është shkelur nëni 1 I Kodit të Gazetarëve – mungesa e burimeve dhe mungesa e palës së dytë të storjes.
Nga KEMM thonë se mediat online paraqiten si shkelësit më të mëdhenj të standardeve për informim etik.

