Lajme nga bota
Çfarë duhet të dinë qytetarët e Ballkanit Perëndimor për rregullat e reja të hyrjes në BE?
“Mirëdita! Pasaportat, ju lutem! Duhet t’ju marrim edhe gjurmë të së paku katër gishtërinjve. Edhe fotografi. Faleminderit dhe ju uroj qëndrim të këndshëm!”.
Kështu do të duhej të dukej nga 10 nëntori i këtij viti hyrja në Bashkimin Evropian dhe në Zvicër, Norvegji, Islandë e Lihtenshtajn – vende anëtare të zonës së lëvizjes së lirë Schengen – për qytetarët e rreth 60 vendeve, përfshirë edhe ata të Ballkanit Perëndimor.
Në atë kohë do të fillojë të funksionojë sistemi i ri i hyrje-daljeve (Entry/Exit System – EES), i cili është krijuar në nëntor të vitit 2017, por se zbatimi i tij është shtyrë disa herë.
Për verën e ardhshme është paralajmëruar zbatimi edhe i Sistemit të dytë Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), i cili u kërkon udhëtarëve nga vendet që kanë regjim pa viza me BE-në, të aplikojnë online për lejen e hyrjes, duke paguar një tarifë prej shtatë eurosh me kartelë bankare.
Pasaportat në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë biometrike, çipat e tyre përmbajnë shenja gishtash dhe fotografi – çfarë i bën plotësisht në përputhje me kushtet që ka kërkuar BE-ja në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë regjim pa viza.
Kushtet e përgjithshme – që dokumentet e udhëtimit të mos skadojnë në më pak se tre muaj nga data kur personi planifikon të kthehet në vendin e tij ose që pasaporta të mos jetë më e vjetër se dhjetë vjet – do të vazhdojnë të mbeten në fuqi.
Cilat janë ndryshimet e reja nga mesi i vitit 2025?
ETIAS do t’u kërkojë qytetarëve të rreth 60 vendeve të plotësojnë një formular të veçantë nëpërmjet internetit ose aplikacionit celular, përpara se të udhëtojnë.
Me rastin e plotësimit të aplikacionit për herë të parë, pasagjeri fut të dhënat personale, emailin dhe numrin e telefonit, si dhe detajet e dokumentit të udhëtimit.
Udhëtari do të duhet, gjithashtu, të fusë detaje rreth arsimit dhe punësimit aktual, si dhe detaje rreth udhëtimit të planifikuar dhe qëndrimit në vendin e BE-së.
Do të kërkohen edhe detaje për çdo dënim penal, për udhëtime në të kaluarën në zona lufte ose zona konflikti, si dhe informacione nëse personi është dëbuar nga ndonjë vend.
Udhëtarët do të duhet të paguajnë edhe një tarifë shtesë prej shtatë eurosh, me kartelë bankare. Pagesa do të bëhet si për çdo blerje online.
Tarifa nuk do të paguhet nga personat nën 18 vjeç dhe mbi 70 vjeç, bashkëshortët/partnerët e regjistruar dhe fëmijët e shtetasve të BE-së dhe të vendeve të zonës Schengen, si dhe fëmijët e bashkëshortëve/partnerëve që vijnë prej jashtë BE-së.
Aplikimi “grupor” nuk do të jetë i mundur – pra në rast të udhëtimit familjar, çdo anëtar do të duhet të aplikojë veçmas për ETIAS-in.
Sistemi ETIAS do të jetë i disponueshëm në gjuhët e vendeve anëtare dhe sistemi do të pranojë vetëm shkronja latine.
Udhëtari do të mund të ndalojë plotësimin e aplikacionit, t’i ruajë ndryshimet dhe të vazhdojë të fusë të dhëna brenda 48 orësh.
Sa kohë duhet për t’u përpunuar një kërkesë?
Siç thuhet në faqen zyrtare të sistemit ETIAS, përpunimi duhet të zgjasë “disa minuta”.
Nëse zgjat më shumë, pasagjeri duhet ta marrë njoftimin brenda katër ditësh.
Pasagjerëve mund t’u kërkohen edhe informacione ose dokumente shtesë – si për shembull konfirmimi i rezervimit të hotelit dhe konfirmimi i punësimit – të cilat duhet të dorëzohen brenda dhjetë ditësh. Në atë rast, kërkesa duhet të shqyrtohet brenda dy javësh.
Udhëtari mund të ftohet për intervistë në ambasadën e vendit ku planifikon të udhëtojë dhe në atë rast kërkesa shqyrtohet brenda 30 ditësh.
Prandaj, udhëtarët këshillohen që ta plotësojnë formularin së paku një muaj përpara se ta blejnë biletën apo ta rezervojnë akomodimin.
Nëse udhëtarit i lejohet hyrja në BE, ai do ta marrë njoftimin me email.
Leja ETIAS do të jetë e vlefshme për tre vjet, ose derisa të zëvendësohet dokumenti i udhëtimit me të cilin udhëtari ka aplikuar.
Formulari është i lidhur me dokumentin e udhëtimit, që do të thotë se është i vlefshëm vetëm me pasaportën me të cilën ka aplikuar udhëtari.
Pasaporta e re nënkupton aplikim të ri.
Nëse ETIAS-i paguhet dhe miratohet për udhëtimin në një vend, ai është gjithashtu i vlefshëm edhe për një vend tjetër.
Leja ETIAS nuk do të thotë që një person mund të qëndrojë në BE për më shumë se 90 ditë në një periudhë gjashtëmujore, ose të punojë në BE.
Udhëtari do të mund të hyjë dhe të dalë nga BE-ja sa herë të dojë dhe të udhëtojë në çdo destinacion brenda zonës Schengen gjatë periudhës së vlefshmërisë së lejes dhe për aq kohë sa ai e respekton afatin e specifikuar kohor.
Çfarë nëse personi nuk ka internet, kartelë bankare, është analfabet dhe të ngjashme?
Prindërit e plotësojnë formularin për fëmijët e tyre të mitur, të cilët janë të përjashtuar nga pagesa e tarifës prej shtatë eurosh.
Gjithkush mund të autorizojë një palë të tretë – një person tjetër ose një ndërmjetës tregtar – që të aplikojë në emër të tij ose në emër të fëmijëve të tij të mitur.
Me një ndërmjetës – për shembull nga një agjenci udhëtimesh – deklarata e përfaqësimit duhet të nënshkruhet për çdo person individualisht dhe e njëjta gjë vlen në rast se një mik, fqinj, vajza ose djali aplikon për një person.
Personi ose kompania që është ndërmjetëse, do të duhet, gjithashtu, t’i fusë të dhënat e veta.
Ndërmjetësi ka të drejtë të kërkojë një “tarifë të arsyeshme” dhe BE-ja ka parashikuar mundësinë e raportimit anonim të atyre që kërkojnë pagesa të larta.
Ata që vendosin të aplikojnë përmes një ndërmjetësi, këshillohen të kontrollojnë veçanërisht nëse informacioni në aplikacion është i saktë, përpara se ta dërgojnë atë, sepse në rast të ndonjë gabimi, aplikacioni mund të refuzohet ose anulohet.
Në rast se udhëtari vëren ndonjë gabim, ai mund ta plotësojë një aplikacion të ri ose të kërkojë korrigjimin e gabimit në aplikacionin e vjetër. Procedura e përpunimit në atë rast zgjat deri në 30 ditë.
Si të shkoni në një funeral, të vizitoni prindin që është shtetas i BE-së dhe të ngjashme?
Formulari ETIAS nuk do të duhet të plotësohet nga personat që kanë vizë të vlefshme – studentore, pune ose të ngjashme – ose leje qëndrimi në një vend të BE-së.
Formulari nuk plotësohet as nga personat që jetojnë përgjatë kufirit dhe posedojnë kalime kufitare.
Anëtarët e ekuipazhit në anije dhe avionë për disa vende të BE-së do të kenë nevojë për formularin ETIAS.
Përjashtime bëhen në rast të rrezikimit të jetës së aplikuesit apo të të afërmit, vajtjes në varrim të një familjari, detyrimit për t’u paraqitur në gjykatë apo ndonjë “detyrimi të rëndësishëm”.
Në atë rast, udhëtari e plotëson aplikacionin ETIAS për të ashtuquajturën leje të kufizuar që e tregon arsyen.
Leja lëshohet nga shteti në të cilin personi udhëton dhe është e vlefshme për të udhëtuar vetëm në atë vend për maksimum 90 ditë.
Për shembull, nëse bëhet fjalë për të shkuar në një funeral, një vend i BE-së mund ta lejojë hyrjen vetëm për ditët e varrimit.
Nëse personi, ndërkohë, aplikon dhe merr një ETIAS të dytë për udhëtim në të gjitha vendet e Schengenit, leja e kufizuar automatikisht bëhet e pavlefshme.
Çka nëse BE-ja refuzon t’ju japë leje?
Personave pa autorizimin ETIAS do t’u refuzohet hyrja në kufi.
Edhe marrja e kësaj certifikate nuk nënkupton që udhëtarit do t’i lejohet automatikisht hyrja në vendin e BE-së.
Të gjithë udhëtarët do të kontrollohen dhe një oficer kufitar mund t’ia refuzojë hyrjen një personi që nuk i plotëson kërkesat.
Disa nga kushtet për hyrje janë: dokument i vlefshëm i udhëtimit për së paku tre muaj nga data e kthimit të planifikuar; pasaporta të mos jetë më e vjetër se dhjetë vjet; qëndrimi të jetë i justifikuar dhe personi të ketë para të mjaftueshme deri në kthimin e planifikuar.
Shuma e zakonshme është rreth 100 euro në ditë dhe varet nga shteti anëtar i BE-së.
Disa nga arsyet e refuzimit të hyrjes lidhen me kërcënimet për sigurinë ose shëndetin.
Nëse kërkesa për ETIAS refuzohet, revokohet ose anulohet, personi do ta marrë një email që i tregon arsyet e refuzimit dhe emrin e autoritetit që e ka marrë vendimin.
Ekziston mundësia e apelimit dhe emaili do të përmbajë informacione se në cilin vend ose shtet mund të apelohet. Ankesat trajtohen në përputhje me ligjet e atyre vendeve.
Një person, aplikimi i të cilit refuzohet, mund të aplikojë sërish për lejen ETIAS.
Nëse një person e revokon kërkesën e tij, ai nuk mund të ndryshojë mendje më pas, por duhet të plotësojë një formular të ri.
Tarifa nuk rimbursohet nëse aplikacioni refuzohet.
A do të ketë më shumë tollovi në kufij?
Me futjen e EES-it, mbetet skanimi i dokumenteve të udhëtimit, ndërsa vulosja e pasaportave në pikën kufitare ndalon.
Megjithatë, marrja e shenjave të gishtërinjve dhe fotografimi, që do të bëhen në çdo pikë kufitare, mund t’i zgjasin pritjet në radhë.
Në aeroporte, kontrollet do të kryhen pas aterrimit.
Shtetet anëtare i kanë ndryshuar disa ligje për t’i reduktuar tollovitë e mundshme në vendkalimet tokësore.
Pse është krijuar ky sistem?
Sistemi i ri EES është krijuar për t’i bërë bazat e vendeve anëtare të BE-së më të lidhura, për ta lehtësuar gjurmimin e kohës dhe vendit të qëndrimit dhe për të siguruar që udhëtarët nuk qëndrojnë më shumë se 90 ditë brenda një periudhe gjashtëmujore.
Një nga qëllimet e masave të reja është të vështirësohet hyrja e kriminelëve apo terroristëve në BE me pasaporta false, pasi kontrolli biometrik do të kryhet sa herë që kalohet kufiri.
Pasagjerët nuk do të paguajnë tarifë për ofrimin e të dhënave biometrike.
Të dhënat do të jenë të qasshme për shërbimet policore të vendeve anëtare të sistemit Schengen dhe agjencinë policore, EUROPOL, gjatë hetimeve penale, sidomos terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Kontrollet e të dhënave biometrike do të rriten në mes të vitit 2025, por data e saktë nuk është përcaktuar.
Sisteme të ngjashme kanë krijuar tashmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Australia./koha.mk/
Lajme nga bota
Zvicra është përfshirë nga reshje të dendura të borës mbrëmjen e së enjtes
Lajme nga bota
Orbani tha se do ta ftojë Netanyahun në Hungari, pas fletarrestimit nga GJNP
Kryeministri hungarez Viktor Orban ka thënë të premten se do ta ftojë kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, për vizitë në Hungari, duke shtuar se do të garantojë se fletarrestimi i lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) kundër Netanyahut “nuk do të zbatohet”, transmeton Radio Evropa e Lirë.
GJNP-ja lëshoi fletarrestime të enjten për Netanyahun, ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, si dhe për liderin e Hamasit, Ibrahim Al-Masri, të cilët i akuzon për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në konfliktin në Gazë.
Orban, vendi i të cilit mban kryesimin e presidencës me rotacion 6-mujor të Bashkimit Evropian, tha për radion shtetërore se fletarrestimi i GJNP-së për Netanyahun është “gabim” dhe shtoi se lideri izraelit do të jetë në gjendje të mbajë bisedime në Hungari “me siguri adekuate”.
“Sot, do ta ftoj kryeministrin e Izraelit, Netanyahun, për një vizitë në Hungari dhe në atë ftesë, do ta siguroj atë se, nëse vjen, vendimi i GJNP-së nuk do të ketë efekt në Hungari. Ne nuk do ta zbatojmë përmbajtjen e tij”, tha Orban.
Orbani ka krijuar marrëdhënie të ngushta politike me Netanyahun prej se ai dhe partia nacionaliste, Fidesz, e morën pushtetin në Hungari më 2010.
Netanyahu e vizitoi Budapestin në vitin 2017.
Liderët e Izraelit dhe Shtëpia e Bardhë e kanë dënuar fuqishëm vendimin e GJNP-së, por shefi për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se fletarrestimet nuk janë politike dhe të gjitha vendet anëtare të BE-së duhet ta respektojnë dhe zbatojnë vendimin e gjykatës.
Brenda BE-së, Hungaria dhe Republika e Çekisë janë përkrahës të fuqishëm të Izraelit, derisa vende si Spanja dhe Irlanda theksojnë mbështetjen e tyre për palestinezët.
Ministria e Jashtme e Çekisë, duke iu përgjigjur vendimit të GJNP-së, tha se Praga do t’i respektojë detyrimet e veta nga ligji ndërkombëtar.
Megjithatë, kryeministri i Çekisë, Petr Fiala, e quajti të “pavend” vendimin e GJNP-së, duke thënë në X të enjten vonë se “vendimi minon autoritetin e gjykatës në rastet e tjera, kur i barazon përfaqësuesit e zgjedhur të një shteti demokratik me liderët e një organizate islamiste terroriste”.
Lajme nga bota
Reuters: Putin i gatshëm të bisedojë me Trumpin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë
Vladimir Putin është i hapur për të diskutuar një marrëveshje armëpushimi në Ukrainë me Donald Trumpin, por përjashton bërjen e ndonjë lëshimi të madh territorial dhe këmbëngul që Kievi të braktisë ambiciet për t’u bashkuar me NATO-n, i thanë Reuters-it pesë burime të njohura me planet e Kremlinit.
Presidenti i sapozgjedhur amerikan, që është zotuar se do t’i japë fund shpejt konfliktit, po kthehet në Shtëpinë e Bardhë në një kohë të epërsisë ruse.
Moska kontrollon një pjesë të Ukrainës sa shteti i Virginia në SHBA dhe po avancon me ritëm të shpejtë që nga ditët e para të pushtimit.
Në raportimin e parë por të detajuar të asaj se çfarë Putin do të pranonte në çdo marrëveshje të ndërmjetësuar nga Trumpi, pesë zyrtarë aktuale dhe ish-zyrtarë rusë thanë se Kremlini mund të pajtohet në masë të madhe të ngrijë konfliktin përgjatë vijës së frontit.
Mund të ketë vend për negociata mbi ndarjen e saktë të katër rajoneve lindore të Donetskut, Luhanskut, Zaporizhzhia dhe Khersonit sipas tre prej personave që kërkuan të ruajnë anonimitetin për të diskutuar për këtë qështje të ndjeshme.
Derisa Moska pretendon se katër rajone terësisht pjesë e Rusisë, të mbrojtura nga ombrella bërthamore e këtij vendi, forcat e saj në terren kontrollojnë 70 deri në 80 për qind të territorit me rreth 26 mijë kilometra katrore ende të kontrolluara nga trupat ukrainase.
Sipas dy nga zyrtarët, Rusia gjithashtu mund të jetë e hapur për t’u tërhequr nga pjesët relativisht të vogla të territorin që kontrollon në rajonin e Kharkivit dhe Mykolaiv në veri dhe jug të Ukrainës.
Putin deklaroi këtë muaj se çdo marrëveshje armëpushimit duhet të pasqyrojë” realitetin në terren, por se kishte frikë nga një armëpushim jetëshkurtër që do t’i lejonte Perëndimit të riarmatoste Ukrainën.
“Nëse nuk ka neutralitet, është vështirë të imagjinohet ekzistenca e ndonjë marrëdhënie të mirë fqinjësore midis Rusisë dhe Ukrainë”, i tha Putinit grupit të diskutimit Valdai gjatë 7 nëntorit.
“Pse? Sepse kjo do të thoshte se Ukraina do të përdorej vazhdimisht si një mjet në duart e gabuara dhe në dëm të interesave të Federatës Ruse”, shtuan ata.
Dy nga këto burime thanë se vendimi i presidentit në largim të SHBA-ve për të lejuar Ukrainën të lansojë raketat amerikane ATACMS thellë në territorin rus, mund të komplikojë por edhe të vonojë çdo zgjidhje.
Kievi të martën përdori raketat amerikane për të goditur territorin rus për herë të parë, kështu të paktën pretendojnë nga Moska, e cila e përshkroi këtë lëvizje si një përshkallëzim të madh.
Sipas dy burimeve, nëse nuk arrihet një armëpushim, ateherë Rusia do të vazhdojë të luftojë.
“Putini tashmë ka bërë të ditur se ngrirja e konfliktit nuk do të funksionojë në asnjë mënyrë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov për Reuters disa orë para se rusët të raportonin për sulmin me raketat amerikane ATACMS.
“Autorizimi i përdorimit të raketave është një përshkallëzimi shumë i rrezikshëm nga ana e Shteteve të Bashkuara”, shtoi Peskov.
Drejtori i zyrës për komunikim i Trumpit, Steven Cheung i tha Reuters: “se Trump është i vetmi person që mund të bashkojë të dyja palët për të negociuar paqen dhe për të punuar drejt përfundimit të luftës dhe ndalimit të vrasjeve”.
Trump ka thënë se do të fliste drejtpërdrejt me Putinin në përpjekjet e tij për të krijuar një marrëveshje paqeje, megjithëse nuk ka dhënë detaje se si mund të pajtojë palët ndërluftuese, për faktin se të dyja palët po tregojnë shenja të pakta të tërheqjes.
Në anën tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë të ditur se vendi i tij nuk do të ndalet derisa çdo ushtari i fundit rus të dëbohet nga territori i vendit të tij – duke u bazuar në kufijtë që i fitoi pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, megjithatë gjeneralët e lartë amerikanë kanë thënë publikisht se është diçka shumë ambicioze të synohet.
Më 14 qershor, Putini përcaktoi kushtet e tij për përfundimin e menjëhershëm të luftës: Ukraina duhet të heqë ambiciet e saj në NATO dhe të tërheqë të gjitha trupat e saj nga i gjithë territori i katër rajoneve të Ukrainës të pretenduara dhe të kontrolluara kryesisht nga Rusia.
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve