Lajme nga vendi
Gashi pas akuzave të Mickoskit: Maqedonia e Veriut është atdheu im
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, tha se Kosova është vendlindja dhe atdheu i prindërve të tij, ndërsa Maqedonia e Veriut është atdheu i tij. Pas thirrjes së mandatarit Hristijan Mickoski për të kërkuar falje nëse me të vërtetë ka thënë për mediat fqinje se Kosova është atdheu i tij, Gashi përmes një postimi përmes rrjeteve sociale ka shpjeguar se çfarë ka dashur të thotë në të vërtetë, transmeton Portalb.mk.
“Kur flasim per temën e atdheut, unë jam në dijeni për akuzat dhe deformimet nga media të ndryshme, të cilat përpiqen që ashtu ta tërheqin vëmendjen. Si kryetar i Kuvendit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dua të sqaroj se Afrim Gashi ka lindur në Shkup, këtu jeton dhe punon me familjen e tij dhe vendlindja e tij është Maqedonia e Veriut”, thotë Gashi.
Gashi sqaron se deklarata e saktë në intervistën e tij ka qenë: “Kosova është vendlindja ose atdheu i prindërve të mi dhe, si të tillë, unë e respektoj për hir të tyre”.
“Megjithatë, besoj se ne e kuptojmë njëri-tjetrin aq mirë, sa të mos kërkojmë shpjegime të hollësishme të nocioneve si vendlindja, atdheu ose mëmëdheu, pasi shqipja përdor edhe një emër të përbërë që ndërtohet nga fjalët mëmë e dhe. Për mua gjëja më e rëndësishme është që me veprat tona të tregojmë se si e shohim ne vendin tonë, cili është përkushtimi ynë ndaj tij, cili është kontributi ynë dhe cili është dallimi mes atyre që e ndërtojnë dhe e pasurojnë atë dhe atyre që e shkatërrojnë dhe e vjedhin atë. Pohimet dhe deklaratat patriotike nuk u sjellin dobi qytetarëve dhe ne nuk jemi këtu për të garuar se kush është më patrioti. Mua nuk më pëlqejnë debatet e tilla dhe kjo është hera e fundit që unë deklarohem për këtë temë”, thotë kryeparlamentari Gashi.
Mickoski të enjten (06.06), pas dhënies së mandatit nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova, tha se nuk e ka dëgjuar deklaratën e Gashit, por se duhet të kërkojë falje nëse vërtet ka deklaruar se Kosova është atdheu i tij.
“Mendoj se atdheu i tij është Maqedonia. Dhe nga sa kam biseduar me të, kam dëgjuar personalisht nga ai se atdheu ynë i përbashkët është Maqedonia jonë e përbashkët. Nëse ai ka një deklaratë të tillë, atëherë mendoj se duhet t’u kërkojë falje qytetarëve të Maqedonisë dhe këtë duhet ta bëjë sa më parë, sepse këtu e merr rrogën dhe është zgjedhur nga maqedonasit, turqit, shqiptarët, vllehët si kryetar i Kuvendit të Maqedonisë”, tha Mickoski.
Lajme nga vendi
Shënohet sot Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Sot është Dita e Alfabetit Shqip, i cili u unifikua 116 vjet më parë në Kongresin e Manastirit.
Kjo festë është paralajmëruar të jetë tradicionale dhe sa më shumë të marrë jehonë në mbarë trevat shqiptare.
Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908. Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe.
Në Manastir, në atë kohë, kanë marrë pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, pasi qyteti ka qenë qendër e konsujve dhe ishte më i sigurt për mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm kombëtar.
Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi, ishte gruaja e vetme në këtë Kongres.
Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 Nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.
Lajme nga vendi
Moti sot do të jetë kryesisht i vranët
Moti sot do të jetë kryesisht i vranët me reshje shiu, por më të dendura në pjesët perëndimore (mbi 40 l/m2). Do të fryjë erë e fortë jugore e cila gjatë natës do të ndryshojë drejtimin në veri (mbi 70 km/h). Gjatë natës reshjet e shiut fillimisht do të kalojnë në borë në male, e më pas në vende më të ulëta dhe do të formohet shtresë bore. Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej -3 deri në 4, ndërsa ajo maksimale do të arrijë nga 9 deri në 14 gradë.
Në Shkup moti do të jetë kryesisht i vranët, pasdite dhe gjatë natës me reshje shiu herë pas here më të dendura. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë nga jugu. Gjatë natës me erë të fortë veriore në pjesët më të larta të luginës do të krijohen kushte që reshjet e shiut të kthehen në borë me intensitet të ulët. Temperatura minimale do të zbresë deri në -1, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri në 12 gradë.
DPHM informon se të shtunën në mëngjes moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme me borë të kohëpaskohshme, kryesisht në pjesët perëndimore. Përgjatë Vardarit do të fryjë erë e përforcuar nga drejtimi verior. (mbi 70 km/h).
Në ditët në vijim do të mbajë mot stabil dhe i qetë me temperatura të ulëta të mëngjesit dhe paraqitje të mjegullës nëpër lugina.
Lajme nga vendi
“Rrugës së Butiqeve” në Tetovë i kthehet pamja e vjetër, gjatë ditës do të mbyllet për makinat
“E konstruuar sipas modelit që ishte dikur, ende pa u përfunduar edhe pse kanë mbetur edhe shumë pakë ditë, sot, kjo rrugë që njihet si “Rruga e Butiqeve”, po gëzon sot një manifestim për herë të parë në qytetin e Tetovës, Panairin e Artizanateve ku marrin pjesë të ardhur nga Kosova dhe vendi siç është qyteti i Tetovës dhe ai i Shkupit. Shpresojnë që panaire të këtilla të ketë më shpesh thonë shitësit, sepse kështu do njihemi se çka prodhojmë dhe çka i ofrojmë publikut”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim Sulejmani.
“Duhet të ketë më shpesh panaire që të na njohin njerëzit, të na shohin ku jemi, çka jemi, çka ofrojmë. Ky zanat nuk humbën. Unë vij nga fshati Vicë, Malësia e Sharrit, vet i prodhojmë çiftelitë sharkitë vetë i prodhojmë”, u shpreh Naim Abdurahmani, punues çiftelish.
“Punimet janë unikate dhe janë të rajonit të Pollogut, pastaj edhe ngjyra, sidomos e verdhë e kuqe janë të Pollogut. Ky serm e ka emrin gold, përdoret më shumë në Tetovë apo në Pollog, është i punuar edhe me brendësinë kadife dhe pëlhurë brenda”, tha një punues i dimive.
Projekti i Panairit të Artizanateve, njëjtë sikurse edhe projekti për rregullimin e rrugës së Butiqeve me kalldrëme, realizohen në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar të komunës së Tetovës dhe asaj të Prizrenit, ndërsa bashkë financohen nga fondet IPA, me qëllim të zhvillimit të turizmit në të dy qytetet por edhe kthimit të dy rrugëve në pamjen e tyre të vjetër, e që është një në Tetovë e tjetra në Prizren. Kreu i komunës Bilall Kasami, ka paralajmëruar edhe ndërrimin e fasadave të dyqaneve të kësaj rruge.
“Kjo rrugë siç e shohim ngadalë po merr pamjen e saj, me kalldrëme të kandelabrat, ulëset dhe elementet tjera, dhe do jetë një impuls i rëndësishëm për zhvillimin e bizneseve që ndërlidhen me aktivitete artizanale dhe në të kaluarën kanë pasur një impakt të rëndësishëm në ekonominë lokale. Kjo është vetëm faza e parë, ndërsa jemi në bisedime për të kthyer në këtë gjendje edhe disa rrugë anësore, por edhe të bëjmë projektin ideor edhe për pamjen e fasadave të lokaleve dhe objekteve që janë në këtë rrugë”, tha Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.
Brenda ditës, kjo rrugë do të jetë pa makina dhe do të shfrytëzohet vetëm si pedonale nga banorët por edhe vizitorët për rreth.
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve