Site icon Tetova Expres

Gashi pas akuzave të Mickoskit: Maqedonia e Veriut është atdheu im

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, tha se Kosova është vendlindja dhe atdheu i prindërve të tij, ndërsa Maqedonia e Veriut është atdheu i tij. Pas thirrjes së mandatarit Hristijan Mickoski për të kërkuar falje nëse me të vërtetë ka thënë për mediat fqinje se Kosova është atdheu i tij, Gashi përmes një postimi përmes rrjeteve sociale ka shpjeguar se çfarë ka dashur të thotë në të vërtetë, transmeton Portalb.mk.

“Kur flasim per temën e atdheut, unë jam në dijeni për akuzat dhe deformimet nga media të ndryshme, të cilat përpiqen që ashtu ta tërheqin vëmendjen. Si kryetar i Kuvendit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dua të sqaroj se Afrim Gashi ka lindur në Shkup, këtu jeton dhe punon me familjen e tij dhe vendlindja e tij është Maqedonia e Veriut”, thotë Gashi.

Gashi sqaron se deklarata e saktë në intervistën e tij ka qenë: “Kosova është vendlindja ose atdheu i prindërve të mi dhe, si të tillë, unë e respektoj për hir të tyre”.

“Megjithatë, besoj se ne e kuptojmë njëri-tjetrin aq mirë, sa të mos kërkojmë shpjegime të hollësishme të nocioneve si vendlindja, atdheu ose mëmëdheu, pasi shqipja përdor edhe një emër të përbërë që ndërtohet nga fjalët mëmë e dhe. Për mua gjëja më e rëndësishme është që me veprat tona të tregojmë se si e shohim ne vendin tonë, cili është përkushtimi ynë ndaj tij, cili është kontributi ynë dhe cili është dallimi mes atyre që e ndërtojnë dhe e pasurojnë atë dhe atyre që e shkatërrojnë dhe e vjedhin atë. Pohimet dhe deklaratat patriotike nuk u sjellin dobi qytetarëve dhe ne nuk jemi këtu për të garuar se kush është më patrioti. Mua nuk më pëlqejnë debatet e tilla dhe kjo është hera e fundit që unë deklarohem për këtë temë”, thotë kryeparlamentari Gashi.

Mickoski të enjten (06.06), pas dhënies së mandatit nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova, tha se nuk e ka dëgjuar deklaratën e Gashit, por se duhet të kërkojë falje nëse vërtet ka deklaruar se Kosova është atdheu i tij.

Advertisement

“Mendoj se atdheu i tij është Maqedonia. Dhe nga sa kam biseduar me të, kam dëgjuar personalisht nga ai se atdheu ynë i përbashkët është Maqedonia jonë e përbashkët. Nëse ai ka një deklaratë të tillë, atëherë mendoj se duhet t’u kërkojë falje qytetarëve të Maqedonisë dhe këtë duhet ta bëjë sa më parë, sepse këtu e merr rrogën dhe është zgjedhur nga maqedonasit, turqit, shqiptarët, vllehët si kryetar i Kuvendit të Maqedonisë”, tha Mickoski.

Exit mobile version