Lajme nga vendi
Në Kuvend do të mbahet koordinimi i parë zyrtar, vijojnë bisedimet për formimin e Qeverisë
Koordinimi i parë i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi me përfaqësues të partive politike parlamentare do të mbahet sot në Kuvend. Ky është koordinimi i parë pas seancës konstituive.
Ndërkohë Gashi ka theksuar dje për MIA-në se në takimin e sotëm koordinues do të diskutohet për aktivitetet e radhës, se kur mund të mbahet seanca për ligjet që kanë të bëjnë me ndryshimet e ministrive në Qeveri, megjithatë ai shprehet se nuk e di nëse do të ketë një marrëveshje paraprake për këtë.
Kuvendi duhet të miratojë ndryshimet ligjore në Ligjin e ri për organizimin e punës së organeve të administratës shtetërore dhe sipas tij të miratohet qeveria e re e riorganizuar dhe të zgjidhen anëtarët e saj. Gjithashtu, ndryshimet në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale dhe Kodin Zgjedhor, për të gjetur një zgjidhje kalimtare, për të mos shpallur zgjedhjet vetëm për një afat disa mujor, pra deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale në të gjithë vendin. Ndryshimet në këto ligje kërkojnë një shumicë prej dy të tretash.
Lajme nga vendi
Edi Rama: Gjuha Shqipe, dje, sot, përgjithmonë
Sot, 22 nëntor, është Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, e cila së fundmi është shpallur festë zyrtare në Shqipëri.
Kjo është hera e parë që 22 Nëntori kremtohet si festë kombëtare pas miratimit të vendimit në fillim të këtij viti.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka ndarë një video në rrjetet sociale, ku përcillet mesazhi se gjuhën shqipe duhet ta duam, ruajmë dhe t’ia përcjellim brezave që vijnë.
“Gjuha Shqipe, dje, sot, përgjithmonë. Ta ruajmë, ta duam, ta përcjellim te brezat që vijnë”, thuhet në video, ndërkohë që Rama e ka shoqëruar me një shkrim të thjeshtë: Gëzuar ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Lajme nga vendi
Ambasada e SHBA organizon panel-diskutim me temë “Lufta kundër korrupsionit”
Ambasada e SHBA-së, përmes Programit OPDAT të Ministrisë së Drejtësisë së SHBA-së dhe USAID-it, sot do të organizojë panel-diskutim me përfaqësues të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Entit shtetëror të revizionit dhe Prokurorisë Publike, me qëllim të përmirësimit të bashkëpunimit në luftën kundër korrupsionit.
Nga Ambasada e SHBA-së paralajmëruan se në hapjen e panelit-diskutimit do të drejtohen zëvendës shefi i misionit të SHBA-sl në Shkup, Nikoll Varns, prokurori i përgjithshëm i Maqedonisë së Veriut Lupço Kocevski, kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit Tatjana Dimitrovska dhe ndihmësja e revizorit kryesor shtetëror Marina Blazheska.
Lajme nga vendi
Jeni Xhamia në Manastir u shndërrua në muze të trashëgimisë kulturore krishtere-islame, BFI del me reagim
Bashkësia Fetare Islame (BFI) e Maqedonisë së Veriut ka reaguar pas shndërrimit të Jeni Xhamisë në Manastir, në muze të trashëgimisë kulturore krishtere-islame.
Nga BFI thonë se është e papranueshme se si për këtë vendim nuk janë konsultuar aspak dhe se as është kërkuar pëlqim për transformimin e xhamisë në muze.
BFI në reagim përmend historinë e xhamisë Jeni duke numëruar edhe përpjekjet e tyre për të rikthyer xhaminë nën menaxhim të BFI-së, por shtojnë se asnjëherë nuk u realizua kjo kërkesë e tyre.
“Ne, si përfaqësues të besimtarëve myslimanë e kundërshtojnë fuqishëm këtë iniciativë për transformimin e Jeni xhamisë në “muze” dhe bëjmë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo veprimi që dëmton frymën e shenjtë të xhamisë. U bëjmë thirrje organeve kompetente në RMV që të ushtrojnë autoritetin e tyre konform dispozitave ligjore, si dhe përfaqësive diplomatike dhe institucioneve kulturore vendore dhe ndërkombëtare me ndikimin e tyre të mbrojnë Jeni xhaminë në Manastir si objekt fetar islam dhe me vlerë të madhe kulturore”, thonë mes tjerash nga BFI.
“Vetëm përmes dialogut të hapur, bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë të të gjithëve mund të ndërtohet një shoqëri e civilizuar dhe tolerante. Me respekt dhe shpresë për zgjidhjen e çështjeve në mënyrë që të ruhet bashkëjetesa dhe paqja si vlerë e çmuar në shtetin tonë”, përfundojnë nga BFI.
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve