Connect with us

Lajme nga vendi

Alarmante numri i lindjeve në moshë të mitur dhe jashtë martese, institucionet nuk ndërmarin asnjë hap!?

Published

on

Numri i vajzave nga 15 deri në 19 vjeç që jetojnë në bashkësi martesore është pesë herë më i madh se sa numri i djemve në këtë moshë, përkatësisht në martesë jetojnë 1.355 adoleshente kundrejt 260 adoleshentëve. Njëkohësisht, 1,9 përqind nga numri i përgjithshëm i popullatës femërore në këtë grup moshë ka lindur një ose më shumë fëmijë, që është rënie e lehtë krahasuar me numrat e vitit 2018, shkruan Radio MOF.

Këto të dhëna janë pjesë e publikimit “Profil i popullatës së fëmijëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, i cili i nxjerr të dhënat nga regjistrimi i fundit në vitin 2021, që është po ashtu edhe dokumenti i parë që i mbledhë të gjitha të dhënat në një vend për fëmijët nga vendi.

Komunat me përqindje më të lartë të adoleshentëve nga 15 deri në 19 vjeç të cilët janë të martuar, janë Strumica (104), Shuto Orizara (78), Prilepi (73), Radovish (54), Gostivar (53) dhe Tetova (48).

“Pavarësisht numrave absolut, nëse analizohet pjesa e adoleshentëve të martuar në kuadër të grup moshën së vajzave në moshën 15-19 vjeç, fitohet një pasqyrë ndryshe”, thuhet në publikimin e UNICEFI- it.

Aktivistja e të drejtave për gra, Rita Behadini nga Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja” vlerëson se numrat e këtillë janë shqetësues, ndërsa për to janë përgjegjëse institucionet.

Advertisement

“Nëse analizojmë në çfarëdo lloj aspekti, këto martesa nuk janë të shëndetshme dhe i kufizojnë adoleshentët si në aspekt të rritjes dhe zhvillimit, ashtu edhe financiarisht”, thotë Behadini për Radio MOF.

Sipas ligjit për familje, personi i cili nuk ka 18 vjeç nuk mund të lidh martesë. Por, ligji parasheh përjashtim, me të cilin mund të formohet bashkësi martesore me mbushjen e 16 vjeç, nëse gjykata kompetente konstaton se personi ka arritur pjekurinë fizike dhe mendore për të lidhur martesë.

Organizata joqeveritare “ROMA.S.O.S” në vitin 2016 kërkonte ndryshim të rregullativës ligjore që të ndalohet lidhja e martesave në moshë të mitur. Por, organizata nuk është aktive nga viti 2019, me çka nuk u vazhdua procesi.

Nuk ka evidencë për bashkësi jashtëmartesore me të mitur

Ligji për familje nuk i parasheh bashkësitë jashtëmartesore mes apo me persona të mitur, që është një nga arsyet për mospasjen e evidencës për numrin e tyre në shoqëri.

Advertisement

Bashkësia jashtëmartesore me fëmijë sanksionohet sipas Kodit Penal (KP). Me nismën e Avokatit të popullit dorëzuar Qeverisë në vitin 2017, personit të rritur që jeton në bashkësi jashtëmartesore me një person tjetër që nuk ka mbushur 18 vjeç, i shqiptohet dënim prej tre muaj deri në tre vjeç, por edhe prindit/kujdestarit që e ka lejuar atë. Me nismën e avokatit të popullit, kufiri i sipërm i moshën në KP u zhvendos nga 16 në 18 vjeç.

Zëvendësja e Avokatit të popullit, Vaska Bajramovska – Mustafa thotë se me këtë ndryshim pjesërisht është pranuar kërkesa, sepse nëse një person i mitur është mes 16 dhe 18 vjeç, përndjekja penale do të realizohet me propozim.

Me iniciativën kërkohet që të plotësohet edhe ligji i familjes me dispozitë me të cilën do të ndalohet jetesa e të miturve në bashkësi jashtëmartesore.

Më tej, kërkohet edhe plotësimi i ligjit për arsim të mesëm duke vendosur detyrim për prindërit të paraqesin kur braktiset procesi arsimor nga fëmijët e tyre, për shkak të bashkësisë martesore përkatësisht jashtëmartesore.

Bajramovska – Mustafa informoi për Radio MOF se Qeveria në seancën e mbajtur më 29.11.2017 ka sjellë konkludim që të pranojë iniciativën.

Advertisement

“Megjithatë, deri më tani ndryshimet e ligjit për familje dhe ligjit për arsim të mesëm nuk janë miratuar në praktikë”, tha ajo.

Martesat e fëmijëve, sipas saj, janë shkak i varfërisë, dhunës familjare, por edhe rrezikut të tregtisë me njerëz, posaçërisht në raste kur bëhet fjalë për jetë jashtëmartesore me fëmijë/person jashtë shtetit.

“Për këtë, përpos ndryshimeve sistematike, përmes përforcimit të ligjeve dhe duke hequr përjashtimet, nevojiten masa të vazhdueshme për uljen e varfërisë si shkak për të cilën shpesh herë familjet e miratojnë përkatësisht nxisin martesën e hershme të fëmijëve të tyre (posaçërisht vajzave), vlerësoj se rol kyç në ndryshim të qëndrimeve dhe ngritjen e vetëdijes ka arsimi, rritja e aftësive dhe njohurive dhe pjesëmarrja sa më e madhe e fëmijëve dhe aftësimi i tyre në miratimin e vendimeve që kanë të bëjnë me to, përkatësisht të drejtat e tyre”, thotë Bajramovska – Mustafa.

Nuk ulet numri i lindjeve në moshë të adoleshencës

Shkalla e lindjeve tek adoleshentet është 20 lindje (19,7) në 1000 vajza të moshës 15-19 vjeç. Nëse këto të dhëna krahasohen me Hulumtimin Multi-indikator Klasterik (MIKS) që u zbatua në vitin 2018 dhe 2019, në një mostër prej më shumë se 4000 amvisërive, ka ulje të lehtë të shkallës së lindjes mes adoleshenteve, prej 21 në 20.

Advertisement

Përqindje më të madhe të nënave të reja prej 15 deri 19 vjeç ka te vajzat nga përkatësia etnike rome, mes të cilave 13,1 % e vajzave në këtë grup moshë kanë lindur një apo më shumë fëmijë. Përqindje të madhe të lindjeve tek adoleshentet ka edhe mes vajzave të moshës 15-19 vjeç të regjistruara përmes burimeve administrative, për çka përkatësia etnike e tyre mbetet e panjohur.

AGJS në shkolla për më pak lindje dhe bashkësi (jashtë)martesore me të mitur

Nga organizata joqeveritare HERA e cila është një ndër iniciatorët për futjen e arsimit gjithëpërfshirës seksual (AGJS) në programet e edukimit formal thonë për Radio MOF se, shkalla e shtatzënisë te të miturat në Maqedoni është ndër më të lartat në Evropë.

“15.7 lindje në 1000 raste, që është trefish më e lartë nga mesatarja prej 6 në 1000 lindje në vendet e BE-së”, alarmojnë prej aty.

Qëllimi i AGJS-së, thonë nga HERA, është që të rinjve t’u ofrohet arsim me të cilin ata do të marrin njohur bazike që të mund të sjellin vendime përgjegjëse për seksualitetin e tyre dhe lidhjet në të cilat hynë. Një pjesë e programit i kushtohet shëndetit riproduktiv dhe seksual.

Advertisement

“Përmes kësaj, të rinjtë mësojnë për kontracepsionin, për infeksionet të transmetueshme seksualisht dhe si të mbrohen prej tyre, sqarohen dyshimet për ditët pjellore dhe shanset për të mbetur shtatzënë gjatë menstruacioneve, si të njohin marrëdhëniet toksike dhe të dhunshme, gjithashtu flet për karakteristikat e marrëdhënieve të shëndosha, përballjen me presionin e bashkëmoshatarëve dhe detyrimin për të kryer marrëdhënie seksuale, për pëlqimin gjatë kryerjes së marrëdhënieve të para seksuale, parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna seksuale dhe me bazë gjinore”, theksojnë nga HERA.

Më tej, ata tregojnë shembullin me Holandën ku arsimi formal seksual vazhdon një periudhë më të gjatë dhe pa ndërprerje. Mosha mesatare në të cilën të rinjtë kryejnë marrëdhënien e parë seksuale aty në vitin 2019 ka qenë 17 vjeç, ndërsa në vitin 2022 të rinjtë, mesatarisht kanë pasur përvojën e parë seksuale në 18,1 vjeç.

Pilot projekti për AGJS ishte i suksesshëm në vitin 2021/2022 në tri shkolla fillore në vend, si lëndë zgjedhore për klasën e nëntë.

“Evaluimi i cili u zbatua më pas tregoi se mes nxënësve që kanë dëgjuar AGJS – edhe atë vetëm një gjysmë vjetor – dhe moshatarët e tyre në shkollat kontrolluese ka dallime të konsiderueshme jo vetëm në njohuri, por edhe në qëndrimet në lidhje me të gjitha temat”, theksojnë nga HERA.

Edhe aktivistja Behadini vlerëson se AGJS është mënyrë për uljen e numrit të martesave në moshë të adoleshencës, por edhe lindjet.

Advertisement

“Fëmijët kanë qasje të pakontrollueshme në internet dhe shumë shpesh marrin informata të gabuara të cilat mund të kenë pasoja serioze. Nëse adoleshentët i marrin informatat e sakta në shkollë, mundësia për gabim në këto gjëra do të jetë shumë më e vogël”, thekson ajo.

Por, kanë kaluar pothuajse dy vite prej pilot projektit për AGJS si lëndë zgjedhore. Megjithatë, nga HERA thonë se në pajtueshmëri me konceptin e ri për arsim fillor, AGJS do të vendoset si lëndë zgjedhore në klasën e 9-të.

“Së bashku me institucionet kyçe punojmë në ndarjen e informatave në lidhje me AGJS, ndërsa njëkohësisht punohet edhe në zhvillimin e kapacitetit të kuadrit arsimor dhe personave profesionistë të cilët janë përgjegjës për zbatimin e programit”, informojnë prej aty.

Ndryshe, vullnetarët e HERA-s realizojnë edukimin e bashkëmoshatarëve në AGJS. Prej aty thonë se interesimi i shkollave është i madh, sepse është e madhe edhe nevoja për t’iu përgjigjur sfidave me të cilat përballen në punën e përditshme.

Advertisement

Lajme nga vendi

“Rrugës së Butiqeve” në Tetovë i kthehet pamja e vjetër, gjatë ditës do të mbyllet për makinat

Published

on

“E konstruuar sipas modelit që ishte dikur, ende pa u përfunduar edhe pse kanë mbetur edhe shumë pakë ditë, sot, kjo rrugë që njihet si “Rruga e Butiqeve”, po gëzon sot një manifestim për herë të parë në qytetin e Tetovës, Panairin e Artizanateve ku marrin pjesë të ardhur nga Kosova dhe vendi siç është qyteti i Tetovës dhe ai i Shkupit. Shpresojnë që panaire të këtilla të ketë më shpesh thonë shitësit, sepse kështu do njihemi se çka prodhojmë dhe çka i ofrojmë publikut”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim Sulejmani.

“Duhet të ketë më shpesh panaire që të na njohin njerëzit, të na shohin ku jemi, çka jemi, çka ofrojmë. Ky zanat nuk humbën. Unë vij nga fshati Vicë, Malësia e Sharrit, vet i prodhojmë çiftelitë sharkitë vetë i prodhojmë”, u shpreh Naim Abdurahmani, punues çiftelish.

“Punimet janë unikate dhe janë të rajonit të Pollogut, pastaj edhe ngjyra, sidomos e verdhë e kuqe janë të Pollogut. Ky serm e ka emrin gold, përdoret më shumë në Tetovë apo në Pollog, është i punuar edhe me brendësinë kadife dhe pëlhurë brenda”, tha një punues i dimive.

Projekti i Panairit të Artizanateve, njëjtë sikurse edhe projekti për rregullimin e rrugës së Butiqeve me kalldrëme, realizohen në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar të komunës së Tetovës dhe asaj të Prizrenit, ndërsa bashkë financohen nga fondet IPA, me qëllim të zhvillimit të turizmit në të dy qytetet por edhe kthimit të dy rrugëve në pamjen e tyre të vjetër, e që është një në Tetovë e tjetra në Prizren. Kreu i komunës Bilall Kasami, ka paralajmëruar edhe ndërrimin e fasadave të dyqaneve të kësaj rruge.

“Kjo rrugë siç e shohim ngadalë po merr pamjen e saj, me kalldrëme të kandelabrat, ulëset dhe elementet tjera, dhe do jetë një impuls i rëndësishëm për zhvillimin e bizneseve që ndërlidhen me aktivitete artizanale dhe në të kaluarën kanë pasur një impakt të rëndësishëm në ekonominë lokale. Kjo është vetëm faza e parë, ndërsa jemi në bisedime për të kthyer në këtë gjendje edhe disa rrugë anësore, por edhe të bëjmë projektin ideor edhe për pamjen e fasadave të lokaleve dhe objekteve që janë në këtë rrugë”, tha Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.

Advertisement

Brenda ditës, kjo rrugë do të jetë pa makina dhe do të shfrytëzohet vetëm si pedonale nga banorët por edhe vizitorët për rreth.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Personi që u shpëtua dje nga zjarrfikësit nën Urën e Gurit, u hodh në Vardar për t’i shpëtuar policisë.

Published

on

Personi i cili u shpëtua nga zjarrfikësit nën Urën e Gurit dje pasdite është hedhur në Vardar për t’i shpëtuar policisë.

“Sloboden Pechat” publikoi dje një video të operacionit të shpëtimit në Urën e Gurit, ku tregohej sesi një burrë, lakuriq deri në bel, u gjend në një nga shtyllat e urës, i shkëputur nga kontinenti.

Sipas informacioneve të “Sloboden Pechat” nga Ministria e Punëve të Brendshme, burri është gjetur aty pasi policët e njësisë së ndërhyrjes e kanë vërejtur duke kryer një “vjedhje të pacipë”, pra duke vjedhur çantën e një gruaje. Për t’u shpëtuar nga policia, burri është hedhur në Vardar, por më pas ka ngecur në një nga shtyllat.
Zjarrfikësit sollën një shkallë për ta nxjerrë burrin në breg dhe policia më pas e mori atë në paraburgim. Por ajo është dashur ta linte të ikte pasi nuk iu gjet asgjë dhe gruaja viktimë nuk e denoncoi fare në polici tentativën për vjedhje.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Universiteti i Evropës Juglindore shënoi 23 vjetorit e themelimit të tij

Published

on

Në prani të korit diplomatik, drejtuesve të Universiteteve vendore dhe figura të politikës, Universiteti i Evropës Juglindore, ka shënuar 23 vjetorit e themelimit të tij.

Rektori Abdylmenaf Bexheti adresoi një sërë falënderimesh ndaj kuadrove të këtij universiteti të cilët për gjithë këto vite, UEJL-në, e kanë ngritur në piedestalin shkencor, hulumtues por edhe rritjen dhe zhvillimin e universitetit në të gjitha aspektet.

Bexheti tha se UEJL ka arritur të shtojë jo vetëm programet studimore dhe kapacitetet e këtij institucioni arsimor, por edhe numrin e studentëve

“UEJL lindi në vjeshtën e vitit 2001, në muajin më të ndritur të historisë sonë, muajin e alfabetit të gjuhës shqipe, të shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar dhe flamurit kombëtar, pra sot mbushim 23 vite. Numri 23 njihet si numër engjëllor. Kuptimi numerologjik i tij i përbërë nga numri dy dhe tre, rezulton simbol të fuqishëm të rritje shpirtërore, ndriçimit dhe aktivitetit krijues. Atributi i ndriçimit i referohet dijes që ka ndriçuar rrugëtimin e 23 gjeneratave me mbi 35.000 studentë të regjistruar dhe mbi 17.000 të diplomuar deri sot. Iluminizmi arsimor dhe shkencor i këtyre plejadave që janë alumni jonë, na motivon edhe më shumë kur shohim se gjeneratat e para të diplomuara sot i kanë tejkaluar edhe orbitat shkencore dhe shkëlqejnë gjithandej si ambasador të denjë të punës sonë të përbashkët në këtë institucion. I jemi mirënjohës pafund bashkësisë ndërkombëtare dhe taksapaguesve evropian dhe amerikan për kontributin e çmuar sidomos në dekadën e parë të këtij institucioni kur u themelua konsolidua dhe u rrit mbështetja e çmuar si në aspektin infrastruktural ashtu edhe në atë institucional”, tha  Abdylmenaf Bexheti. Rektor i UEJL-së.

Continue Reading

Më të lexuarat