Lajme nga vendi
Etleva Tafa, fituese e çmimit kryesor në “Takimet Poetike të Karadakut – 2024”

Të shtunën më 9 mars, me pjesëmarrjen e shumë krijuesve dhe dashamirëve të poezisë në Kumanovë u mbajt edicioni i 32-të me radhë i manifestimit “Takimet Poetike të Karadakut”, nën organizimin e Klubit të Shkrimtarëve ‘’Jehona e Karadakut”.
Takimet i hapi kryetari Fatos Rushiti, i cili vuri theksin tek krijimi i një lidhjeje të të gjitha klubeve të shkrimtarëve dhe artistëve nga të gjitha trojet shqiptare. “Shqipëria, Kosova, por dhe Maqedonia e Veriut, deri më tani nuk kanë bërë aq sa duhet për të nxitur dhe ndihmuar modalitete të ndryshme të bashkëpunimit kulturor ndër shqiptarët” theksoi Rushiti.
Këtë vit me çmimi kryesor “Fadil Bekteshi” shkoi te poetja nga Tirana – Etleva Tafa, me poezinë “Atje në Dalmaci”, me çmimin ‘’Doruntina’’ u nderua poeti nga Durrësi – Agron Çalliku, me poezinë “Një dramë brenda vetes”, ndërkaq me çmimin “Jehona Poetike” u shpërblye poeti nga Vitia – Fadil Abazi, me poezinë “Nuk fiket kujtimi për ty”.
Me mirënjohje të veçantë për afirmimin e poezisë shqipe brenda dhe jashtë vendit u laureua poeti i shumë çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare – Dhimitër Pojanaku nga Pogradeci.
Poetet që lexuan në Orën e Madhe Letrare ishin: Dhimitër Pojanaku, Kalosh Çeliku, Nehas Sopaj, Etleva Tafa,, Istref Haxhillari, Enkelejda Mitrollari, Agron Çalliku, Fadil Abazi, Selajdin Shabani, Daim Iljazi, Rami Kamberi, Burhanedin Xhemaili, Bajramali Selimi, Bujar Balliu, Arben Ibrahimi, Ali Qerimi, Arbër Salihu, Adriatik Zeqiri, Mejreme Kajolli Tusha, Ismail Ganiu, Shefki Selami, Emrah Bilalli, Ufra Alimi, Avni Shaqiri, Etem Xheladini, Ismet Miftari, Era Qerimi.
Juria letrare ishte në këtë përbërje dr. Sherif Selimi – studiues i letërsisë, mr. Arsim Halili poet dhe studiues, dhe Bilall Maliqi – poet i njohur nga Presheva.
Kryesia e Klubit, me plaket mirënjohjeje e nderoi doajenin e gazetarisë kumanovare – Nexhat Aqifi, për kontribut të veçantë në informimin dhe afirmimin e Klubit të Shkrimtarëve ‘’Jehona e Karadakut”. Aqifi për 32 vite me radhë ka informuar për të gjitha aktivitetet e klubit, përmes televizionit lokal “Festa” dhe Televizionit Shtetëror – Programi në gjuhën shqipe. Ndërkaq, mirënjohje të veçantë mori veterani i arsimit dhe afaristi i njohur kumanovar – Feriz Dervishi, për mbështetjen e manifestimeve kulturore në Kumanovë. Poashtu, me mirënjohje u nderua edhe Abil Ademi – pronar i “Foto Drita’’ nga Kumanova.
Kryeredaktori i revistës “Doruntina” – Sevdail Demiri, prezantoi edicionin e fundit të revistës nr. 53/54, si dhe botimet e fundit të autorëve që botuan me siglën e klubit gjatë vitit paraprak – Ligor Shyti, Fatos Rushiti, Selajdin Shabani dhe Avdulla Ameti.
Poezia në Kumanovë u shoqërua nga dy këngë shumë të bukura të kantautorit të njohur kumanovar Sunaj Raimi, njëherit poet dhe nënkryetar i këtij klubi.
Manifestimi ‘’Takimet Poetike të Karadakut – 2024’’ pjesërisht gjeti mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Komunës së Kumanovës dhe Likovës, si dhe firmës ‘Top Drajver’’. Në emër të Komunës së Kumanovës, manifestimin e nderuar këshilltarët komunal – Driton Sulejmani dhe Huzeir Mustafa.
Lajme nga vendi
Fetai: Një hap më afër drejt transparencës në menaxhimin me pronën shtetërore

Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi dje kërkesën e Kabinetit të Zëvendëskryeministrit të ngarkuar për politika të qeverisjes së mire, Arben Fetai për zgjerimin e grupit të punës që do të hartojë Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit final të Revizorit shtetëror mbi menaxhimin e pronës shtetërore.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi efikas, të drejtë dhe të përgjegjshëm të menaxhimit të pasurisë publike, si dhe në parandalimin e keqpërdorimeve dhe mungesës së transparencës që kanë ndodhur në të kaluarën, thekson zëvendëskryeministri Fetai.
Grupi i punës, i udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit, do të përfshijë përfaqësues nga institucionet kyçe shtetërore: Shërbimi i punëve të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë, Ndërmarrja Publike për ndërtimin dhe administrimin e hapësirave banesore dhe afariste (Sh.A. – Shkup), Ndërmarrja Publike për administrimin e hapësirave afariste në pronësi shtetërore (Sh.A. – Shkup), Agjencia për Kadastrën e Pasurive të Paluajtshme, Ministria e Financave, Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë dhe Komisioni për Çështje Banesore.
Për herë të parë në historinë e vendit, po përgaditet edhe Regjistri Kombëtar i Pronës Shtetërore, një nismë e udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit Fetai dhe bazuar në praktikat më të mira evropiane, me qëllim të eliminimit të rrezikut të korrupsionit dhe keqpërdorimeve në këtë sektor të ndjeshëm.
“Ky është një moment kyç për të ndërtuar një sistem modern të menaxhimit të burimeve shtetërore, ku transparenca dhe llogaridhënia janë parimet udhëheqëse,” vlerëson Fetai.
Lajme nga vendi
Mexhiti: 229 milionë denarë për projekte ekologjike, ftoj të gjithë qytetarët të aplikojnë!

Zëvëndëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti, sot ka njoftuar për shpalljen e Konkursit publik për ndarjen e mjeteve nga Programi për Investime në Mjedis për vitin 2025.
“Me këtë program synojmë të financojmë projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mjedisit; ujë të pastër, tokë të shëndetshme, biodiversitet të mbrojtur dhe vetëdije më të lartë publike. Kemi ndarë gjithsej 229 milionë denarë, të cilat do të shpërndahen për kanalizime dhe pastrim të ujërave të zeza; për ujësjellës; për projekte kërkimore e arsimore; si dhe për edukim dhe vetëdijesim mjedisor”, ka shkruar ministri Mexhiti.
Ai tutje në këtë njoftim ka ftuar të gjithë qytetarët e gjitha kategorive që të aplikojnë dhe ka veçuar kriteret të cilat do të kenë përparësi.
“Ftoj të gjitha komunat, OJQ-të, institucionet arsimore dhe shkencore, si dhe çdo individ apo organizatë që ka ide dhe vullnet të kontribuojë, që të aplikojnë. Këtë vit i japim rëndësi të veçantë zgjidhjeve inovative, ndaj ftoj veçanërisht kompanitë startup dhe IT që të sjellin ide të reja për një mjedis më të mirë. Afati është 3 javë nga dita e sotme dhe formularët janë të disponueshëm në faqen e Ministrisë”, ka përfunduar ministri Mexhiti.
Lajme nga vendi
Çair, hidhet koktej molotovi për të djegur një kazino

Më 8 prill, në orën 03:31, në SPB Shkup është raportuar nga një kazino në rajonin e Çairit se dy persona kishin hedhur një shishe me lëng të ndezshëm para hyrjes së kazinosë. Punonjësit e sigurimit e kanë shuar zjarrin.
Nuk ka persona të lënduar.
Po merren masa për zbardhjen e rastit.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve