Lajme nga vendi
Baballarët e quajnë diskriminuese mënyrën e kujdestarisë pas shkurorëzimit në Maqedoni

Baballarët në Maqedoninë e Veriut ankohen se pas shkurorëzimit u shkelet e drejta për të marrë pjesë aktive në zhvillimin psikofizik të fëmijëve të tyre, pasi e drejta e kujdestarisë në mbi 90 për qind të rasteve u takon nënave.
Sipas ligjeve ekzistuese, baballarët mund t’i takojnë fëmijët e tyre dy herë në muaj nga disa orë. Ata kërkojnë që të aplikohet sistemi i vendeve evropiane ku kujdestaria u ndahet që të dy prindërve.
Branko Bërkoviqit pas shkurorëzimit Qendra për Punë Sociale ia ka caktuar që ta takojë djalin e tij të mitur një orë në çdo dy javë. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se është i indinjuar se nuk arrin të ketë rol aktiv gjatë zhvillimit psikofizik të të birit.
Korniza ligjore që rregullon çështjen e kujdestarisë në Maqedoninë e Veriut, sipas tij, është diskriminuese, pasi në njërën anë baballarët i detyron të paguajnë me kohë pagesën e alimentacionit, kurse në anën tjetër ata kanë pak hapësirë për të vendosur rreth kujdesit të fëmijëve të tyre.
“Në bazë të vendimit të parë që mora nga Qendra për Punë Sociale unë si baba mund të takoj djalin një orë brenda dy javëve. Brenda kësaj kohe një fëmijë nuk arrin të ju njohë e jo më të vendoset një raport i shëndoshë prind-fëmijë dhe anasjelltas”, shprehet Bërkoviq.
“Djali im edhe pak do të festoj ditëlindjen e shtatë. Merreni me mend ai nuk e di se ku jetoj unë pasi nuk kam mundur të kaloj as edhe një natë të vetme bashkë, e mos të flasim se ai nuk i njeh gjyshërit, nuk njeh askënd nga familja ime. Më thoni nëse është kjo në rregull? Kuptohet se jam ankuar në gjykatë për këtë, por kërkesa ime mbetet në labirintet e gjykatës, përderisa im bir rritet pa njohur babanë dhe familjarët e tij nga i ati”, thotë Bërkoviq.
Edhe Visari i cili tashmë dy vjet është shkurorëzuar, thotë se mezi arrin t’i takojë dy vajzat e tij pasi në bazë të vendimit që ka marrë nga gjykata, ai ka të drejtë t’i takojë fëmijët e tij dy herë brenda muajit, nga një orë. Ndërsa, për të kaluar një vikend me fëmijët, kjo varet nga vullneti i ish-bashkëshortes.
“E drejta ime si prind varet nga vullneti apo më mirë thënë, kushtëzimi i ish-bashkëshortes. Gjithçka do të ishte ndryshe sikur kujdestaria të na ndahej të dyve në formë të barabartë ashtu siç ndodh në vendet e evropiane. Për gjithçka rreth fëmijëve vendosin bashkërisht prindërit ashtu siç obligohen edhe në aspektin financiar të kontribuojnë që të dy”, tregon ai.
Atanas Iliev – i cili me vite nuk ka mundur ta takojë vajzën e tij pas shkurorëzimit – si pjesë e iniciativës së prindërve që kërkojnë ndryshimin e ligjit aktual mbi familjen, thotë se ligji aktual favorizon vetëm njërin prind pas shkurorëzimit.
“Thjesht, në këtë formë siç është ligji, prindi sekondar është vetëm një ‘bankomat’, që duhet të paguajë alimentacion prindit që i takon kujdestaria, pa kurrfarë të drejtash për të takuar fëmijën e tij jashtë orarit që i ka përcaktuar Qendra për Punë Sociale. Koncepti i deritashëm i një prindi kryesor, të cilit i jepet plotësisht e drejta e kujdesit ndaj fëmijëve dhe vendosja e një prindi të kontestueshëm që ka kohë të kufizuar në realizimin e së drejtës prindërore kualitative, para së gjithash është e dëmshme për fëmijët, të cilët faktikisht e humbin njërin prind”, deklaron Atanas Iliev.
Organizatat për të Drejtat e Fëmijëve e mbështesin këtë iniciativë, pasi siç theksojnë, për fat të keq fëmijët keqpërdoren nga të dy prindërit për të dënuar njëri-tjetrin dhe kjo ka pasoja të rënda në zhvillimin emocional të fëmijëve.
Nga Ambasada për Fëmijë “Megjashi” që në fokus ka të drejtat e fëmijëve, theksojnë se kujdestaria e të dy prindërve pas shkurorëzimit është e rëndësishme për shkak të impaktit pozitiv që ka në zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve.
Ata rikujtojnë se para pesë vjetësh i janë bashkuar nismës për ndryshimin e Ligjit për familjen, përkatësisht rregullativën ligjore që definon kujdestarinë e fëmijëve me prindër të shkurorëzuar.
Nga Ministria e Punës Politikë Sociale thonë për REL-in se nuk planifikojnë të iniciojnë ndryshimin e Ligjit për familjen, pasi me vëmendje shqyrtojnë iniciativat e baballarëve që kërkojnë që kujdestaria në formë të barabartë t’u ndahet të dy prindërve pas shkurorëzimit.
Nga ky dikaster thonë se para ligjit të dy prindërit janë të barabartë për sa i përket asaj se kujt do t’i takojë kujdestaria, për çka vendos Qendra për Punë dhe Politike Sociale në bazë të kushteve materiale dhe aspektit psikologjik në interes të fëmijëve./REL/
Lajme nga vendi
Disa shtëpi përmbyten në Batincë nga shiu, Sadiki: Nuk ka rrezik për banorët

Reshjet intensive të shiut kanë bërë që lumi Markovë të dalë nga shtrati i tij në fshatin Batincë.
E njëjta ka shkaktuar përmbytje në rrugë, por edhe në disa shtëpi, raporton TV21.
Makineritë e rënda janë në terren për të rikthyer lumin në shtrat, ndërsa autoritetet lokale sigurojnë se nuk ka asnjë rrezik për popullsinë.
Kryetari i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiki, thotë se gjendja është duke u rregulluar, aktualisht nuk ka nevojë për evakuim, por ka dëme materiale.
“Në fshatin Batincë ka ngritje të vëllimit të lumit Markovë, në disa vende vërehet derdhje e lumit nga shtrati. Angazhuam dy-tre makineri për të rregulluar situatën. Nuk e dimë nëse do të vazhdojë, për momentin nuk ka reshje të shiut dhe uji ka hyrë në oborret e shtëpive përreth lumit Markovë.
Nuk mendoj se është shumë e rrezikshme që banorët të evakuohet, deri më tani ka pasur dëme materiale në oborret e disa amvisërive”, tha ai.
Lajme nga vendi
Komuna e Tetovës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar derisa të përfundojnë punimet e pastrimit pas rrëshqitjes së dheut në Rrugën e Banjës në Tetovë,

Ekipet e Komunës së Tetovës janë angazhuar intensivisht për pastrimin e rrëshqitjes së dheut në Rrugën e Banjës, pas reshjeve të fundit që kanë shkaktuar rrëshqitje të konsiderueshme, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe kalimtarëve.
Komuna e Tetovës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar nga ana e qytetarëve, veçanërisht për shoferët që kalojnë në këtë segment rrugor, derisa të përfundojnë punimet e pastrimit. Po ashtu, institucionet përgjegjëse po monitorojnë situatën për të parandaluar rrëshqitje të mëtejshme dhe për të ndërmarrë masat e nevojshme për stabilizimin e terrenit.
Lajme nga vendi
Protesta. Nuk mund të merren vendime për punëtorët pa punëtorë (video)

Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov, në konferencën e sotme për media i njoftoi detajet e protestës së nesërme të punëtorëve. Ai tha se nesër, më 2 prill, në ora 12:05, anëtarët e organeve dhe trupave të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë do ta fillojnë seancën publike, e cila do të fillojë para Shtëpisë së Punëtorëve dhe më pas përmes Kuvendit dhe Odës Ekonomike do të përfundojë para Qeverisë së Maqedonisë.“Ne do t’i dërgojmë mesazhin Kuvendit: Nuk mund të ketë gjithçka për deputetët dhe asgjë për punëtorët. Para Odës Ekonomike do t’u themi punëdhënësve “Dora e shtrirë sot nga një punonjës nesër mund të bëhet grusht i shtrënguar”, dhe para Qeverisë do të përfundojmë me mesazhin “Nuk mund të merren vendime për punëtorët pa punëtorë”, Trendafilov.Kryetari i LSM-së theksoi se “pakënaqësia e punëtorëve vjen nga fakti se politikat e ndërmarra nga krijuesit e atyre politikave janë në drejtim të gabuar dhe se janë në dëm të punëtorëve”.“Ata nuk mund të kujdesen për punëtorët, për ata nga të cilët marrin rrogën. Sulmet që ata bëjnë, pas dy, tre ose më shumë konferencave për shtyp, nuk do të ndryshojnë asgjë. Sa më shumë të na sulmoni, aq më të fortë bëhemi”, tha Trendafilov.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve