Lajme nga vendi
Kovaçevski: Deputetët e VMRO-DPMNE-së të vendosin individualisht për votimin e ndryshimeve kushtetuese, jam optimist se do ta kalojmë me sukses
Ndryshimet kushtetuese akoma nuk kanë ardhur në rend dite në qeveri dhe askush nuk e thotë se kur kjo do të ndodhë. Anëtarët e ekzekutivit dje kishin seancë por në të nuk është hapur tema e draft amendamenteve të ndryshimeve kushtetuese. Kryeministri Dimitar Kovaçevski ndërkohë tha se askush nuk ushtron presion ndaj deputetëve tëVMRO-DPMNE-së që individualisht të vendosin të mbështesin ndryshimet, përkundër vendimit të partisë së tyre.
“Dua të mohoj çfarëdo presioni ndaj cilitdo deputet të Kuvendit nga cilado parti politike. Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë. Ju ishit dëshmitarë të votimit të propozimit francez kur edhe deputetët e partisë time ishin të lirë të votojnë ashtu si ata vlerësojnë se duhet të votojnë”, deklaroi Dimitar Kovaçevski.
Kovaçevski komentoi pesimizmin e një dite më parë të shprehur nga ish presidenti Branko Cërvenkovski. Ky i fundit kishte thënë se janë të palogjikshme deklaratat e politikanëve aktual se nëse fillon tani hapja e kapitujve, integrimi i plotë i vendit mund të ndodhë për 4-5 vjet.
“E dini, ka pasur njerëz që kanë menduar se ne kurrë nuk do të bëhemi vend anëtar i NATO-s megjithatë u bëmë. Ka njerëz që kanë qenë pesimist se kurrë nuk do të kemi kornizë negociuese, edhe këtë e fituam. Ka pasur njerëz që kanë besuar se kurrë nuk do të firmoset dokumenti FRONTEX me gjuhë të pastër maqedonase dhe kjo ndodhi. E rëndësishme është t’i mbetesh besnik qëllimit”, tha Dimitar Kovaçevski.
VMRO-DPMNE-ja pret që LSDM-ja të vendosë për njërin nga dy opsionet që ka vendosur si kusht për të mbështetur ndryshimet kushtetuese. Deri atëherë, nuk sheh arsye për vazhdim të negociatave.
Lajme nga vendi
VLEN: BDI interpelancë duhet t’i bëjë vetes
Koalicioni VLEN hedh poshtë interpelancën e Blerim Bexhetit, Musa Xhaferit, Sadulla Durakut, Artan Grubit dhe përfaqësuesve të BDI-së dhe Frontit Evropian “si qëndrim të papërgjegjshëm ndaj qytetarëve dhe të ardhmes së tyre”.
Më poshtë mund ta lexoni reagimin e koalicionit VLEN
Kjo është një lëvizje klasike e parashikueshme e BDI-së pas dështimit të grupeve të afërta të Artan Grubit për të dëmtuar festën e organizuar të 28 nëntorit. Ata krijuan probleme dhe tani po ia kalojnë fajin dikujt tjetër.
BDI ka organizuar problemet dhe incidentet. Ata krijojnë probleme, i ekspozojnë qytetarët në rrezik, i lënë në mëshirën e tyre, ikin prej tyre dhe në fund përpiqen të përdorin për pikë politike.
Blerim Qoseto Bexheti, ministri i qetë dhe i bindur i Gruevskit, i cili ishte ministër i Drejtësisë kur ndodhi rasti “Monstra” dhe BDI nuk bëri asgjë për ta zbardhur, por lanë popullin të vuajë. Ministri që jepte tenderë për punonjësit në zyrën e tij dhe së bashku me Sasho Mijalkovin ishte në krye të drejtësisë, i kapur me armë dhe lëndë narkotike në një diskotekë, partner biznesi i Danela Arsovskës, më së paku kanë të drejtë të paraqesin interpelancë kundër zëvendëskryeministri Izet Mexhiti dhe kundër zëvendësministrit Astrit Iseni.
Interpelanca duhet të bëhet në BDI ndaj njerëzve të afërt të Artan Grubit që organizuan incidentet dhe prishën festën e bukur të flamurit shqiptar.
Ju nuk mund ta quani veten Fronti Evropian, por përpiquni ta destabilizoni vendin dhe ta largoni atë nga perspektiva evropiane, vetëm sepse keni frikë nga pasojat e krimit tuaj. Kjo interpelancë është një manovër e pabazë politike. VLEN do të vazhdojë me reformat dhe ndërtimin e stabilitetit institucional, ndryshe nga ata që abuzojnë me mandatin e tyre për interesa personale. Qytetarët meritojnë politikë të përgjegjshme, jo kthim në kaosin e kaluar.
Meqë ra fjala, asgjë nuk do t’i shpëton këta njerëz nga pasojat e krimit të tyre dhe dëmi që u shkaktuan shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Lajme nga vendi
Prokuroria me detaje për zjarrin në Odën e Avokatëve: Dëmi është mbi nëntë milion denarë
Prokuroria Themelore Publike Shkup njofton se ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetuese ndaj një 41-vjeçari nga Shkupi, i cili dyshohet se ka kryer veprën “Krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.
Më 25 nëntor, i dyshuari me dashje ka vënë zjarrin në ambientet e Odës së Avokatëve të RMV-së në rrugën “Metoda Shatorov-Çarlot”, duke shkaktuar kështu rrezik të konsiderueshëm për jetën dhe trupin e njerëzve dhe pronën në përmasa më të mëdha.
“Një javë më parë, i dyshuari kishte marrë një sëpatë me dorezë gome, një çakmak me gaz, doreza mbrojtëse dhe 48 çakmakë vajguri. Në mëngjesin kritik, ai ka ardhur me automjetin e tij pranë godinës ku ndodhen ambientet e Odës së Avokatëve, i maskuar, dhe ka thyer me sëpatë derën e hyrjes. Ai renditi kubat e vajgurit në shkallë, vendosi disa shishe gazi sipër tyre dhe i vuri zjarrin duke përdorur çakmakun. Kjo ka shkaktuar zjarr në përmasa të mëdha në objektin e banimit. Dëmi i shkaktuar llogaritet rreth 9.255.000 denarë. Vetëm 30 minuta pas ngjarjes, i dyshuari është larguar menjëherë nga vendi me automjetin e tij, përmes pikës kufitare “Bllacë””.
“Fakti që ai fshihet dhe është i padisponueshëm për organet e rendit, mundësia e përsëritjes së krimit apo pengimit të procedurës duke ndikuar te dëshmitarët janë arsye për të cilat prokurori publik ia ka paraqitur gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale në Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin. Masa do të fillojë të zbatohet nga arrestimi ndaj tij, ndërkohë që ndaj tij do të lëshohet fletarrest”, thonë nga Prokuroria.
Lajme nga vendi
RMV, nxënësit korrigjuan notat në ditarin elektronik, MASh kërkon që të gjithë prindërit dhe mësuesit të ndryshojnë fjalëkalimet
Një ndërhyrje në sistemin e ditarit elektronik, të ndodhur këtë fundjavë, ka qenë arsyeja që autoritetet në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) t’u kërkojnë të gjithë përdoruesve (rreth 140 mijë mësues, pedagogë dhe prindër) të ndryshojnë fjalëkalimet e tyre për të hyrë në sistem, transmeton Portalb.mk.
Siç mëson Meta.mk, nxënësit e shkollës “Kole Nedellkovski” në Veles kanë shfrytëzuar e-llogarinë e një profesoreshe që tashmë ishte e hapur, duke shkruar komente të papërshtatshme në e-ditar, kanë korrigjuar notat, kanë fshirë orët e regjistruara. Drejtoresha Vesna Stojanova Bogoevska konfirmoi se ka pasur një ndërhyrje në sistem dhe se janë ndryshuar të dhënat, e cila megjithatë nuk beson se kjo ka ndodhur gjatë orëve të mësimit, duke qenë se ndryshimet në sistem janë bërë të shtunën kur shkollat janë mbyllur.
“Kur një kolege jonë donte në fundjavë të rezervonte mësimet për këtë javë, vuri re komente të papërshtatshme dhe orë të fshira. Menjëherë e ka raportuar rastin dhe ne si shkollë e kemi raportuar në Ministrinë e Arsimit. Nga aty na u dhanë udhëzime për ndryshimin e fjalëkalimeve, ia lamë organeve procedurën për përgjegjësinë e dikujt. Nuk e dimë kush e ka bërë këtë sepse profesorët tanë kanë laptopë zyrtarë dhe janë të mbyllur në zyrat e tyre çdo pushim. Nuk besoj se kjo ka ndodhur derisa po vazhdonin mësimet”,thotë Stojanova Bogoevska për Meta.
Pas këtij rasti, Ministria e Arsimit kërkoi nga të gjithë përdoruesit e ditarit elektronik që të ndryshojnë fjalëkalimet e tyre për të hyrë në ditar dhe për të parë notat dhe sjelljen. Nga aty thonë se kompleksiteti i fjalëkalimeve ngre nivelin e mbrojtjes nga keqpërdorimi i sistemeve të TI-së.
“Për të gjitha rastet që janë raportuar si sulme ndaj sistemeve (duke qenë se Ministria e Arsimit dhe Shkencës drejton disa sisteme që kanë të bëjnë me realizimin e procesit arsimor dhe të drejtat në fushën e arsimit dhe shkencës), dërgohet kërkesë për verifikim ekspertësh nga personat përkatës nga Ministria e Brendshme. Në lidhje me përdorimin e sistemeve dhe sigurinë e tyre zbatohen gjithmonë praktikat botërore. Parametrat e kompleksitetit të fjalëkalimit rrisin nivelin e mbrojtjes kundër keqpërdorimit të sistemeve të TI-së dhe si rrjedhim rekomandimet tona për të gjithë përdoruesit e ditarit elektronik. Qasja dhe ruajtja e fjalëkalimit është përgjegjësi e vetë përdoruesit dhe duhet të jetë veçanërisht e lartë kur bëhet fjalë për sistemet që përmbajnë të dhëna personale”, thonë nga Ministria e Arsimit.
Edhe pse ishte paralajmëruar se do të kishte ditar të ri elektronik, përdoruesit ende po përdorin sistemin e vjetër. Ditari i ri duhej të kapërcente problemet që shfaqeshin në të kaluarën, si p.sh. rënia e i sistemit sidomos para fillimit të pushimeve dimërore apo verore, kur për shkak të mbingarkesës, mësuesit kishin vështirësi në qasje në ditarin elektronik për të vendosur nota. Ndodhte që një mësues të vendoste më shumë nota, ndërsa sistemi t’i regjistrojë vetëm një, më pas ndodhte që të përjashtohej nga sistemi dhe të duhej të regjistrohej përsëri, si dhe kishte vështirësi në përgatitjen e raporteve të suksesit dhe sjelljes.
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve