Lajme nga vendi
Gjermania para hapit të fundit që lehtëson imigrimin e punëtorëve të kualifikuar
Koalicioni trepartiak në Gjermani, më në fund është pajtuar ta lehtësojë imigrimin e punëtorëve të kualifikuar. Ligji pritet të miratohet nga Bundestagu këtë javë. Në të njëjtën kohë pritet të miratohet edhe ligji për kualifikimin.
Grupet parlamentare të SPD-së, të Gjelbërve dhe FDP-së kanë rënë dakord për ndryshimet e fundit në ligjin për imigrimin e punonjësve të kualifikuar. Siç njoftuan sekretaret parlamentare Katja Mast (SPD), Irene Mihalic (Të Gjelbërit) dhe Johannes Vogel (FDP), ligji pritet të vihet në agjendën e Bundestagut këtë javë për një diskutim përfundimtar.
Një nga ndryshimet që u bënë në projektligjin e qeverisë është lejimi i azilkërkuesve të qëndrojnë për qëllime pune. Ata duhet të jenë në gjendje të hyjnë në tregun e punës nëse kanë një ofertë pune që u mundëson të jetojnë. Kjo është e mirë për sipërmarrjet, të cilat presin që njerëzit tashmë në vend të mund të punojnë atje, si dhe për komunat, të cilat do të liroheshin nga burokracia dhe kostot, shpjegoi Irene Mihalic.
Pragu minimal i të ardhurave pritet të ulet
Vogel vuri në dukje se rregulloret zbatohen vetëm për azilkërkuesit në proces dhe me efekt prapaveprues. Afati i fundit është data 29 mars 2023, kur projektligji u bë publik me vendim të kabinetit. Sipas Vogelit, ndryshime të mëtejshme do të bëhen në “hartën e mundësive” të planifikuar. Kështu, duhet të qartësohet perspektiva e qëndrimit në Gjermani për personat që kanë gjetur punë në këtë vend. Për më tepër, kufiri minimal i të ardhurave që lejon imigrimin e punës nëpërmjet “kartës së kaltër” do të ulet më tej, në rreth 3500 euro bruto në muaj.
Mast shpjegoi se koalicioni kishte rënë dakord edhe për detajet përfundimtare të ligjit të planifikuar për kualifikimin fillestar dhe të vazhduar. Kjo përfshin një garanci shkollimi për të gjithë të rinjtë në Gjermani. Mbështetja dhe inkurajimi i potencialeve kombëtare është ana e dytë e medaljes në tërheqjen e fuqisë punëtore të kualifikuar. Edhe kjo pritet gjithashtu të hidhet në votë në Bundestag këtë javë.
Me ndryshimin e ligjit për imigrimin e fuqisë punëtore të kualifikuar, koalicioni trepartiak në pushtet në Gjermani kërkon të lehtësojë ndjeshëm imigrimin e punëtorëve të kualifikuar. Në të ardhmen, të huajt nga vendet jo anëtare të BE-së mund të shkojnë në Gjermani për të kërkuar punë me një “kartë shansi” bazuar në një sistem pikësh. Profesionistët me diplomë dhe përvojë profesionale mund të vijnë pa pasur nevojë që paraprakisht t’u njihet diploma nga Gjermania. Për të huajt me diplomë të njohur nga Gjermania, ulen pengesat, si paga minimale e përcaktuar.
Agjencia Federale e Punësimit ndërmjetëson më shumë azilkërkues të pranuar
Zyrat e punës në Gjermani po ndërmjetësojnë gjithnjë e më shumë azilkërkuesit e pranuar në rrugën e tyre drejt tregut të punës. Që nga viti 2012, numri i personave të mbështetur nga vendet e origjinës së azilkërkuesve është rritur nga 105.000 në 571.000, sipas Agjencisë Federale të Punësimit. Kësaj i shtohen edhe 208.000 azilkërkues të pranuar që marrin pjesë në kurse integrimi.
Këta persona kryesisht vijnë nga vendet nga të cilat erdhën në Gjermani në vitet 2015 dhe 2016 shumica e njerëzve: Afganistani, Eritrea, Iraku, Irani, Nigeria, Pakistani, Somalia dhe Siria. Në të njëjtën kohë, numri i personave të punësuar tashmë nga vendet e origjinës së azilkërkuesve është rritur nga 81.000 në 2012 në 568.000 vitin e kaluar./DW
Lajme nga vendi
Jeni Xhamia në Manastir u shndërrua në muze të trashëgimisë kulturore krishtere-islame, BFI del me reagim
Bashkësia Fetare Islame (BFI) e Maqedonisë së Veriut ka reaguar pas shndërrimit të Jeni Xhamisë në Manastir, në muze të trashëgimisë kulturore krishtere-islame.
Nga BFI thonë se është e papranueshme se si për këtë vendim nuk janë konsultuar aspak dhe se as është kërkuar pëlqim për transformimin e xhamisë në muze.
BFI në reagim përmend historinë e xhamisë Jeni duke numëruar edhe përpjekjet e tyre për të rikthyer xhaminë nën menaxhim të BFI-së, por shtojnë se asnjëherë nuk u realizua kjo kërkesë e tyre.
“Ne, si përfaqësues të besimtarëve myslimanë e kundërshtojnë fuqishëm këtë iniciativë për transformimin e Jeni xhamisë në “muze” dhe bëjmë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo veprimi që dëmton frymën e shenjtë të xhamisë. U bëjmë thirrje organeve kompetente në RMV që të ushtrojnë autoritetin e tyre konform dispozitave ligjore, si dhe përfaqësive diplomatike dhe institucioneve kulturore vendore dhe ndërkombëtare me ndikimin e tyre të mbrojnë Jeni xhaminë në Manastir si objekt fetar islam dhe me vlerë të madhe kulturore”, thonë mes tjerash nga BFI.
“Vetëm përmes dialogut të hapur, bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë të të gjithëve mund të ndërtohet një shoqëri e civilizuar dhe tolerante. Me respekt dhe shpresë për zgjidhjen e çështjeve në mënyrë që të ruhet bashkëjetesa dhe paqja si vlerë e çmuar në shtetin tonë”, përfundojnë nga BFI.
Lajme nga vendi
Xhamia “Jeni” në Manastir, reagon BDI: Dënojmë me vendosmëri këtë qasje të papërgjegjshme, e cila thellon ndarjet ndërfetare dhe ndëretnike në shoqërinë tonë
Nga BDI nëpërmjet një komunikate lëshuar mediave, kanë reaguar pas publikimit të informacionit se në Manastir është bërë hapja solemne e Manastirit të trashëgimisë krishtere dhe islame, ku është integruar edhe Xhamia Jeni.
Ja dhe reagimi i plotë:
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shpreh shqetësimin e tij të thellë për vendimin e fundit të qeverisë për të aktivizuar statusin e Xhamisë Jeni në Manastir si një galeri, duke anashkaluar ndjeshmëritë fetare dhe historike të një komuniteti të rëndësishëm në vend.
Ky akt, i cili vazhdon logjikën e vendimeve të njëanshme, është një tregues i qartë i degradimit të vazhdueshëm institucional, etnik dhe fetar që ka karakterizuar këtë qeveri.
Dënojmë me vendosmëri këtë qasje të papërgjegjshme, e cila thellon ndarjet ndërfetare dhe ndëretnike në shoqërinë tonë.
Në një vend si Maqedonia e Veriut, ku bashkëjetesa shumëetnike dhe shumëfetare është një nga vlerat themelore të shtetit, një vendim i tillë është një goditje e rëndë ndaj tolerancës, respektit dhe bashkëjetesës që kemi ndërtuar ndër vite.
Ky vendim i qeverisë përfaqëson një akt degradues që përçan dhe nxit tensione të reja sociale, duke përkeqësuar klimën e mosbesimit mes komuniteteve.
Në këtë kontekst, BDI dënon politikat e qeverisë që kanë për qëllim rrënimin e themeleve të barazisë dhe bashkëjetesës, duke i shndërruar këto tema në mjete politike për përçarje. Në vend që të promovojë dialogun dhe mirëkuptimin, qeveria aktuale vazhdon të ndjekë një agjendë që rrezikon stabilitetin dhe harmoninë e shtetit tonë.
BDI kërkon fuqimisht respektimin e trashëgimisë kulturore dhe fetare të çdo komuniteti në Maqedoninë e Veriut.
Objektet e shenjta dhe monumentet historike duhet të trajtohen me ndjeshmëri dhe respekt për rolin e tyre në identitetin dhe historinë e komuniteteve që i përkasin.
Kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të politikave përçarëse.
Vendimet që anashkalojnë ndjeshmëritë ndërfetare dhe ndëretnike janë të papranueshme dhe nuk kanë vend në një shtet demokratik dhe multietnik.
Ftojmë në promovimin e dialogut dhe harmonisë.
Qeveria duhet të veprojë me përgjegjësi për të garantuar që vendimet e saj të pasqyrojnë nevojat dhe ndjeshmëritë e të gjitha komuniteteve në mënyrë të barabartë.
E bëjmë të qartë se ky vendim nuk është i izoluar, por pjesë e një serie veprimesh që po minojnë themelet e bashkëjetesës shumëetnike dhe shumëfetare në Maqedoninë e Veriut. Këto politika degradimi nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve dhe nuk kontribuojnë në të ardhmen evropiane të vendit.
BDI u bën thirrje të gjitha institucioneve të përfshira të veprojnë me përgjegjësi dhe të rishikojnë këtë vendim, në mënyrë që të ruajnë dhe promovojnë harmoninë ndërmjet komuniteteve. Bashkëjetesa shumëetnike dhe shumëfetare është një vlerë e patjetërsueshme që nuk mund dhe nuk duhet të vihet në rrezik nga vendime të tilla të njëanshme dhe të pamatura.
Stabiliteti dhe e ardhmja e Maqedonisë së Veriut mund të sigurohen vetëm përmes respektimit të ndërsjellë, barazisë dhe promovimit të bashkëjetesës.
Lajme nga vendi
VLEN: 116 vite alfabet shqip, një ditë e madhe në qeveri!
Sot është një ditë e madhe për të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë kufijve! Për herë të parë, kjo ditë e shenjtë shënohet zyrtarisht edhe në seancë të Qeverisë, falë përkushtimit të VLEN-it dhe lidhjes së ngushtë me qytetarët, thuhet në komunikatën e VLEN-it.
“Sot shënojmë 116 vjetorin e njësimit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Kjo datë shënon rëndësi të veçantë pasi është një datë e rëndësishme që tregon rëndësinë e bashkimit të shqiptarëve rreth një ideali. Njësimi i alfabetit të Gjuhës Shqipe është edhe njësim letrar e intelektual i shqiptarëve në të gjithë trojet ku jetojnë ata.
Kjo ditë historike bashkon shqiptarët nga të gjithë trojet me një shtyllë të fuqishme të gjuhës shqipe. Gjuha është element identifikues i një kombi, bazamenti mbi të cilën ndërtohen gjitha elementet tjera.
Vendimet e Kongresit të Manastirit, tregojnë dhe orientimin e shqiptarëve sot e kësaj dite se jemi të orientuar drejtë vlerave perëndimore dhe evropiane.
Përfaqësuesit e VLEN-it në Qeveri e nisin këtë ditë të bekuar me krenari e urime mes shqiptarëve kudo. Aktivitetet do të vazhdojnë me vizitën në Muzeun e Alfabetit në Manastir – aty ku historia jonë është shkruar me përkushtim dhe dashuri për gjuhën tonë të bukur. Pastaj, do të marrim pjesë në një konferencë shkencore për të reflektuar mbi vlerat dhe rëndësinë e kësaj dite, dhe në fund, kjo ditë e madhe do të mbyllet me një ceremoni madhështore në Pallatin e Kulturës në Manastir.
Kjo është një ditë e gëzimit, e këngës dhe e krenarisë. Është një moment ku secili prej nesh duhet ta ndiejë veten pjesë të historisë. Festat e tilla nuk janë të zakonshme – ato na kujtojnë se kush jemi dhe për çfarë duhet të luftojmë.
VLEN është e përkushtuar që gjuha shqipe të jetë aty ku i takon – jo përqindje, por dinjitet! Ne jemi zotuar në zyrtarizimin e plotë të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut dhe ne garantojmë që termi ofendues prej 20 për qind do të hiqet
Urime kjo ditë secilit shqiptarë e shqiptare kudo që jetojnë, në ditë të tilla qofshim të bashkuar gjithmonë!”, thuhet mes tjerash në komunikatën e VLEN-it.
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve