Lajme nga vendi
Prej sot “shkrihen” çmimet e produkteve bazë në RMV, nuk pritet shtrenjtim
Prej sot pushon së qeni i vlefshëm vendimi i qeverisë me të cilin ishin të ngrira çmimet e disa produkteve bujqësore, bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë, miellit, vajit për gatim, vezëve, orizit, pastave, qumështit dhe produkteve të qumështit. “Shkrihen” edhe çmimet e pelenave për fëmijë, letrës higjienike, pecetave të lagura dhe pecetave higjienike.
Autoritetet sigurojnë se nuk do të ketë rritje të çmimeve të këtyre produkteve dhe nëse kjo ndodh, menjëherë do të merren masat e duhura. Situata monitorohet në baza ditore dhe vlerësimi është se për momentin nuk ka vend për luhatje të mëdha çmimesh.
Sipas të dhënave që disponojmë, çmimet e shumicës së produkteve janë edhe më të ulëta se niveli i ngrirjes që kishim më parë. Nëse nga dita kur vendimi për ngrirjen nuk do të vlejë do të ketë abuzime nga tregtarët, sigurisht që do të pasojnë masa të ndryshme, tha ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.
Sipas tij, mosvazhdimi i masës për çmimet e ngrira të produkteve bazë, ndër të tjera, vjen si pasojë e rënies së theksuar të inflacionit në vend, veçanërisht për produktet ushqimore.Pritjet e Ministrisë së Ekonomisë janë që inflacioni në qershor të jetë më i ulët se 10 për qind dhe Bekteshi është optimist se inflacioni total për gjithë vitin do të jetë më i ulët se ai i parashikuar.
Edhe zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, vlerëson se nuk ka kushte për rritjen e çmimeve të produkteve pas shkrirjes. Ai gjithashtu shton se Qeveria do të reagojë nëse ka nevojë.
“Janë krijuar të gjitha parakushtet që çmimet të mbeten në të njëjtin nivel, ndoshta edhe të jenë më të ulëta, të gjitha kushtet e mëparshme që u krijuan për rritjen e çmimeve tani janë zhdukur dhe rryma nuk është me çmimin që ka qenë. Çmimi i lëndëve të para në bursat botërore është ulur. Kjo do të thotë se edhe ata që prodhojnë, edhe ata që tregtojnë, i kanë kushtet që realisht të mbajnë çmimet e ulura, siç kanë qenë çmimet e ngrira, edhe nëse janë ulur. Kemi parë që në tregun e perimeve natyrisht që kanë rënë për 40 për qind të çmimeve të ngrira dhe për këtë është marrë vendimi për shkrirjen e tyre”, tha sot Bytyqi.
Vendimi i parë për ngrirjen e çmimeve është marrë më 28 shkurt, kur çmimi i bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë është ngrirë në 33 denarë, ndërsa më 16 mars Qeveria ka marrë vendim për ngrirjen e çmimeve të disa pastave dhe produkteve të qumështit. Më 21 mars hyri në fuqi vendimi për ngrirjen e çmimeve të orizit dhe vezëve, ndërsa më 5 prill u ngrinë edhe çmimet e 11 llojeve të frutave dhe perimeve.
Lajme nga vendi
“Rrugës së Butiqeve” në Tetovë i kthehet pamja e vjetër, gjatë ditës do të mbyllet për makinat
“E konstruuar sipas modelit që ishte dikur, ende pa u përfunduar edhe pse kanë mbetur edhe shumë pakë ditë, sot, kjo rrugë që njihet si “Rruga e Butiqeve”, po gëzon sot një manifestim për herë të parë në qytetin e Tetovës, Panairin e Artizanateve ku marrin pjesë të ardhur nga Kosova dhe vendi siç është qyteti i Tetovës dhe ai i Shkupit. Shpresojnë që panaire të këtilla të ketë më shpesh thonë shitësit, sepse kështu do njihemi se çka prodhojmë dhe çka i ofrojmë publikut”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim Sulejmani.
“Duhet të ketë më shpesh panaire që të na njohin njerëzit, të na shohin ku jemi, çka jemi, çka ofrojmë. Ky zanat nuk humbën. Unë vij nga fshati Vicë, Malësia e Sharrit, vet i prodhojmë çiftelitë sharkitë vetë i prodhojmë”, u shpreh Naim Abdurahmani, punues çiftelish.
“Punimet janë unikate dhe janë të rajonit të Pollogut, pastaj edhe ngjyra, sidomos e verdhë e kuqe janë të Pollogut. Ky serm e ka emrin gold, përdoret më shumë në Tetovë apo në Pollog, është i punuar edhe me brendësinë kadife dhe pëlhurë brenda”, tha një punues i dimive.
Projekti i Panairit të Artizanateve, njëjtë sikurse edhe projekti për rregullimin e rrugës së Butiqeve me kalldrëme, realizohen në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar të komunës së Tetovës dhe asaj të Prizrenit, ndërsa bashkë financohen nga fondet IPA, me qëllim të zhvillimit të turizmit në të dy qytetet por edhe kthimit të dy rrugëve në pamjen e tyre të vjetër, e që është një në Tetovë e tjetra në Prizren. Kreu i komunës Bilall Kasami, ka paralajmëruar edhe ndërrimin e fasadave të dyqaneve të kësaj rruge.
“Kjo rrugë siç e shohim ngadalë po merr pamjen e saj, me kalldrëme të kandelabrat, ulëset dhe elementet tjera, dhe do jetë një impuls i rëndësishëm për zhvillimin e bizneseve që ndërlidhen me aktivitete artizanale dhe në të kaluarën kanë pasur një impakt të rëndësishëm në ekonominë lokale. Kjo është vetëm faza e parë, ndërsa jemi në bisedime për të kthyer në këtë gjendje edhe disa rrugë anësore, por edhe të bëjmë projektin ideor edhe për pamjen e fasadave të lokaleve dhe objekteve që janë në këtë rrugë”, tha Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.
Brenda ditës, kjo rrugë do të jetë pa makina dhe do të shfrytëzohet vetëm si pedonale nga banorët por edhe vizitorët për rreth.
Lajme nga vendi
Personi që u shpëtua dje nga zjarrfikësit nën Urën e Gurit, u hodh në Vardar për t’i shpëtuar policisë.
Personi i cili u shpëtua nga zjarrfikësit nën Urën e Gurit dje pasdite është hedhur në Vardar për t’i shpëtuar policisë.
“Sloboden Pechat” publikoi dje një video të operacionit të shpëtimit në Urën e Gurit, ku tregohej sesi një burrë, lakuriq deri në bel, u gjend në një nga shtyllat e urës, i shkëputur nga kontinenti.
Sipas informacioneve të “Sloboden Pechat” nga Ministria e Punëve të Brendshme, burri është gjetur aty pasi policët e njësisë së ndërhyrjes e kanë vërejtur duke kryer një “vjedhje të pacipë”, pra duke vjedhur çantën e një gruaje. Për t’u shpëtuar nga policia, burri është hedhur në Vardar, por më pas ka ngecur në një nga shtyllat.
Zjarrfikësit sollën një shkallë për ta nxjerrë burrin në breg dhe policia më pas e mori atë në paraburgim. Por ajo është dashur ta linte të ikte pasi nuk iu gjet asgjë dhe gruaja viktimë nuk e denoncoi fare në polici tentativën për vjedhje.
Lajme nga vendi
Universiteti i Evropës Juglindore shënoi 23 vjetorit e themelimit të tij
Në prani të korit diplomatik, drejtuesve të Universiteteve vendore dhe figura të politikës, Universiteti i Evropës Juglindore, ka shënuar 23 vjetorit e themelimit të tij.
Bexheti tha se UEJL ka arritur të shtojë jo vetëm programet studimore dhe kapacitetet e këtij institucioni arsimor, por edhe numrin e studentëve
“UEJL lindi në vjeshtën e vitit 2001, në muajin më të ndritur të historisë sonë, muajin e alfabetit të gjuhës shqipe, të shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar dhe flamurit kombëtar, pra sot mbushim 23 vite. Numri 23 njihet si numër engjëllor. Kuptimi numerologjik i tij i përbërë nga numri dy dhe tre, rezulton simbol të fuqishëm të rritje shpirtërore, ndriçimit dhe aktivitetit krijues. Atributi i ndriçimit i referohet dijes që ka ndriçuar rrugëtimin e 23 gjeneratave me mbi 35.000 studentë të regjistruar dhe mbi 17.000 të diplomuar deri sot. Iluminizmi arsimor dhe shkencor i këtyre plejadave që janë alumni jonë, na motivon edhe më shumë kur shohim se gjeneratat e para të diplomuara sot i kanë tejkaluar edhe orbitat shkencore dhe shkëlqejnë gjithandej si ambasador të denjë të punës sonë të përbashkët në këtë institucion. I jemi mirënjohës pafund bashkësisë ndërkombëtare dhe taksapaguesve evropian dhe amerikan për kontributin e çmuar sidomos në dekadën e parë të këtij institucioni kur u themelua konsolidua dhe u rrit mbështetja e çmuar si në aspektin infrastruktural ashtu edhe në atë institucional”, tha Abdylmenaf Bexheti. Rektor i UEJL-së.
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve