Lajme nga vendi
BZhA: Lënda e historisë nuk hiqet dhe mësimdhënësit nuk do të largohen nga puna
Këto ditë nëpër rrjetet sociale mund të vihen re reagime që përhapin panik dhe një ortek ankesash pas njoftimeve se nga shtatori i ardhshëm në klasën e gjashtë nxënësit do të kenë një lëndë të re, shkencat natyrore. Reagimet kanë qenë aq të tepruara sa që shkruanin se po hiqen lëndë dhe po largohen nga puna mësimdhënësit, si dhe se shkrirja e supozuar e fizikës, biologjisë, gjeografisë dhe kimisë në një lëndë do të jetë shumë keq për nxënësit. Gjithashtu në masë të madhe po përhapet pretendimi se lënda e historisë në klasën e gjashtë do të hiqet dhe se e njëjta gjë do të ndodhë edhe me lëndën e etikës së religjioneve, njofton Meta.mk.
Për këto çështje, Meta.mk kërkoi përgjigje nga organet e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit (BZhA), institucioni që harton planprogramet dhe programet për lëndët që mësohen në arsimin fillor.
“Lënda e shkencave natyrore në klasën e gjashtë nuk po prezantohet për herë të parë këtë vit shkollor. Nxënësit po e mësojnë atë lëndë tashmë për më shumë se 15 vjet. Për herë të parë është mësuar në arsimin fillor tetëvjeçar, më pas sipas një planprogrami të ri mësohej edhe në arsimin fillor nëntëvjeçar, pësoi ndryshim me zbatimin e Programit mësimor sipas Kembrixhit, ndërsa ne tani po e ndryshojmë (përditësojmë) planprogramin për herë të katërt. Domethënë, bazuar në të gjitha përvojat e mëparshme, një grup pune i përbërë nga profesorë universitarë, mësues praktikantë të shkollave fillore dhe këshilltarë nga Byroja ka zhvilluar planprogram të ri që do të zbatohet nga shtatori i vitit 2023”, sqarojnë nga Byroja.
Nga atje thonë se është interesant fakti që deri më tani askush nuk është interesuar, e as nuk ka pyetur gjatë këtyre viteve të kaluara se kush e realizon mësimin dhe nuk e ka kontestuar normativin për kuadrin mësimor, por kjo po ndodh tani.
“Nuk ka asnjë ndryshim të normativit për kuadrin mësimor nga planprogramet e mëparshëm, pra të njëjtët mësimdhënës që kanë dhënë mësim do vazhdojnë ta bëjnë këtë gjë edhe vitin e ardhshëm shkollor. Ne si institucion na mbetet dilema, nëse e gjithë kjo po bëhet në mënyrë tendencioze, përmes lajmeve të rreme dhe spineve vetëm sa për të fituar një pikë të vogël politike, që të mbizotërojnë dezinformatat, pa i marrë parasysh pasojat për nxënësit, mësimdhënësit apo, nga ana tjetër bëhet, fjalë për përhapjen e një informacioni të tillë për shkak të injorancës dhe mungesës së interesimit për të kërkuar përgjigjen e duhur”, vlerësojnë nga BZhA.
Edhe mësimdhënësit e gjeografisë do të mund të ligjërojnë lëndën e shkencave natyrore
Nuk është e vërtetë, sqarojnë nga Byroja e Zhvillimit të Arsimit, se mësimdhënësit e gjeografisë nuk mund ta ligjërojnë lëndën e shkencave natyrore.
“Në normativin për kuadrin mësimor janë shënuar mësimdhënësit që kanë mbaruar studimet për biologji, kimi, fizikë dhe gjeografi, si dhe studime dylëndore me kombinime të ndryshme lëndësh nga kjo fushë. Ndërsa mësimi, si deri më tani, do të zhvillohet nga një mësimdhënësit në shkollë, sipas kuadrit mësimor që disponon vetë shkolla dhe sipas mënyrës së organizimit të mësimit. As Byroja për Zhvillimin e Arsimit dhe as Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ndikojnë në përzgjedhjen e kuadrove mësimore nëpër shkolla. Ne i përcjellim udhëzimet, i përcaktojmë normativat, ndërsa vetë organizimi gjatë caktimit dhe përzgjedhjes së kuadrove është në dorë të shkollave”, thonë nga BZhA.
Asnjë mësimdhënës nuk do të mbetet pa punë
Lidhur me reagimet për atë se do të ketë mësimdhënës që do të mbesin pa punë, përgjegjësit nga BZhA sigurojnë se asnjë mësimdhënës nuk do të mbesë pa punë dhe pa orë mësimi për shkak të prezantimit të planprogrameve të ri.
“Numri i orëve është identik si edhe më parë, ndërsa ajo që po prezantojmë me programet e reja është qasja e re, e bazuar në të mësuarit eksperimental, në lidhjen e asaj që mësohet me realitetin, në të mësuarit përmes eksperimenteve, në zhvillimin e të menduarit kritik. Si mbështetje për mësimdhënësit dhe nxënësit nga viti i ardhshëm shkollor për zbatimin e programeve nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës me mbështetje nga Banka Botërore janë ndërtuar dhe pajisur kabinetet e reja të shkencave natyrore”, njoftojnë nga BZhA.
Nuk është e vërtetë se do të hiqet lënda e historisë
Këto ditë në rrjetet sociale po shpërndahet edhe pretendimi se sipas konceptit të ri lënda e historisë nuk do të mësohet më.
“Po të shihni planprogramin dhe emrin e lëndës “së re”, çdo njeri i arsyeshëm e kupton se historia në arsimin fillor mësohet më shumë se kurrë më parë. Lënda historia dhe shoqëria futet nga klasa e katërt dhe mësohet deri në klasën e nëntë. Me planprogramet e ri ne po përpiqemi ta bëjmë historinë më tërheqëse për ta mësuar, të zhvillojmë një narrativ ndryshe, i cili nuk do të mundësojë vetëm “memorizimin e datave” dhe “të mësuarit përmendësh”, por nxënësit do ta mësojnë atë përmes burimeve historike, përmes trashëgimisë kulturore, përmes jetës së përditshme dhe roleve të ndryshme të njerëzve në të kaluarën”, sqarojnë nga Byroja.
Nga atje shtojnë se së shpejti do të jetë gati planprogrami për lëndën histori dhe shoqëri dhe do të vendoset në ueb-faqen e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit.
Në klasën e gjashtë risi është se lëndët informatikë dhe arsim teknik do të kombinohen në një lëndë me dy orë në javë. Si tema që do të studiohen në këtë lëndë do të jenë: informatika dhe kompjuteri (8 orë), krijimi i vizatimit (6 orë), puna me tekst (5 orë), algoritmet, programet dhe zotërimi i të menduarit algoritmik përmes lojës (5 orë), njohja me konceptet informatike duke zgjidhur detyra logjike (8 orë), krijimi i programeve (20 orë), krijimi i projekteve me mikrobit (14 orë), si dhe jeta online (6 orë).
Koncepti i ri për arsimin fillor, i cili është pjesë e Strategjisë së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për periudhën 2018-2025, është paraparë me Ligjin për Arsimin Fillor dhe është pjesë e programit të qeverisë. Në mars të vitit 2021 Qeveria e miratoi konceptin. Kësaj i paraprinte një debat publik në Kuvend, si dhe mundësia që secili të japë një propozim të tijin për ndryshimet. Një pjesë e publikut reagoi ashpër ndaj njoftimit se do të ketë ndryshime të mëdha në arsimin fillor. Njoftimi për prezantimin e një koncepti i cili integron më shumë lëndë në një shkaktoi shumë interpretime dhe reagime të ndryshme.
Lajme nga vendi
Një avokat dyshohet se i vuri zjarrin Odës së Avokatëve të RMV-së, kërkohet me urdhër ndërkombëtar
Autoritetet kompetente në vend kanë lëshuar fletarrest ndërkombëtar për të dyshuarin i cili me 25 nëntor qëllimisht i ka vënë zjarrin Odës së Avokatëve. Bëhet fjalë për avokatin Aleksandar Risteski, të cilit Oda i ka hequr licencën disa javë para ngjarjes për shkak të shkeljes disiplinore, transmeton Portalb.mk
Fletarresti ndërkombëtar është publikuar në faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), i cili, siç thuhet, është lëshuar me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike Shkup.
Ankesën për veprën e Risteskit, siç raporton televizioni Telma, në Odën e Avokatëve e ka dorëzuar Qendra për Çështje Sociale në Shën Nikollë, nga ku janë ankuar se avokati ka sulmuar dhe kërcënuar zyrtarët e Qendrës në lidhje me një rast që ai e drejtonte.
Zyrtarët, siç thanë për Telmën nga Oda e Avokatëve, janë thirrur në cilësinë e dëshmitarëve dhe janë dokumentuar deklaratat e tyre, pas së cilës gjykata disiplinore e Odës, e cila është organ i pavarur, ka marrë vendim që Risteskit t’ia heq licencën e avokatit për tre vjet.
Sipas Odës, edhe pse ka të drejtë, ai nuk e ankimoi vendimin e gjykatës disiplinore.
Prokuroria Themelore Publike Shkup dje ka njoftuar se ka hapur hetim kundër një 41-vjeçari nga Shkupi për shkaktim zjarrvënies së qëllimshme në objektin ku ndodhet Oda e Avokatëve dhe në të cilin është shkaktuar dëm material në shuma rreth 150.000 euro.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari po ndiqet për veprën penale të krimeve të rënda kundër sigurisë publike.
“Më 25 nëntor, i dyshuari qëllimisht ka djegur objektin e Odës së Avokatëve të RMV-së në rrugën “Metodia Shatorov Sharlo”, duke shkaktuar rrezik të konsiderueshëm për jetën dhe trupat e njerëzve dhe pronën e përmasave më të mëdha“, njoftuan dje nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sipas informacioneve nga atje, ai është përgatitur për rastin një javë më parë.
Ai më 25 nëntor ka ardhur me automjetin e tij në afërsi të objektit të Odës së Avokatëve në Komunën e Aerodromit dhe i maskua ka thyer derën e hyrjes me sëpatë. Më pas i ka radhitur në shkallë kubikët e vajgurit, afër tyre vendosi edhe bombola gazi dhe i ndezi.
Pas kësaj, nuk ka humbur kohë dhe sipas hetimeve, vetëm tridhjetë minuta pas ngjarjes është larguar nga vendi, përmes pikës kufitare “Bllacë”.
Prokuroria njoftoi se kërkon ndalimin e të dyshuarit, i cili do të fillojë të zbatohet pas gjetjes dhe arrestimit të tij.
Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot do të jetë kryesisht me vranësira dhe reshje shiu, në male dhe viset më të larta me reshje të dëborës. Reshjet do të jenë më të dendura në pjesët perëndimore të vendit, ndërsa në viset malore do të rritet shtresa e dëborës.
Do të fryjë dhe erë mesatare nga drejtimi juglindor. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 2 deri në 7, ndërsa ajo maksimale do të arrij prej 3 deri në 10 gradë.
Në Shkup moti do të jetë i ngjashëm, me vranësira dhe reshje shiu. Temperatura minimale do të ulet në 4, ndërsa ajo maksimale do të arrij në 8 gradë Celsiusë.
Lajme nga vendi
Durmishi ndau mjete financiare për organizatat e konsumatorëve për zbatimin e Programit për mbrojtjen e konsumatorëve
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi ndau sot mjete financiare për organizatat e konsumatorëve për zbatimin e Programit për mbrojtjen e konsumatorëve, Programit për bashkëfinancimin e projekteve për zhvillimin dhe avancimin e sipërmarrësisë dhe zejtarisë, aktivitetet programore të rrjeteve të zejtarëve të biznesit, si dhe Programin për mbështetjen e konkurrueshmërisë së industrisë përpunuese dhe përgjegjësisë shoqërore.
Ministria e Ekonomisë dhe Punës, në përputhje me Thirrjen publike për ndarjen e mjeteve për realizimin e programeve (projekteve) të shoqatave të konsumatorëve, ka ndarë mjete financiare për organizatat e konsumatorëve në qytete të ndryshme të shtetit. Janë ndarë mjete për:
Organizata e Konsumatorëve të Ohrit: 350.000,00 denarë;
Organizata e Konsumatorëve të Manastirit: 350.000,00 denarë;
Organizimi e Konsumatorëve të Koçanës: 319.500,00 denarë;
Organizata e Konsumatorëve të Shtipit: 300.000,00 denarë;
Organizata e Konsumatorëve të Tetovës: 340.000,00 denarë;
Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë-Shkup (OKM): 340.200,00 denarë
Në kuadër të Programit për zhvillimin e sipërmarrësisë dhe konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe për nxitjen e zhvillimit dhe avancimit të sipërmarrësisë dhe konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve, Ministria e Ekonomisë dhe Punës realizon bashkëfinancimin e projekteve të fondacioneve dhe shoqatave që lidhen me mbështetjen jofinanciare për zhvillimin e biznesit dhe konkurrencës, për bashkëfinancimin e projekteve të shoqatave, fondacioneve dhe odave të zejtarëve për zhvillimin dhe promovimin e zejtarëve, etj., si dhe bashkëfinancimin e projekteve për veprimtari zejtare.
Për të tre masat, është parashikuar bashkëfinancim i 70% të shpenzimeve të projektit, por jo më shumë se 350.000 denarë për aplikant, ndërsa pas realizimit të programit, do të ndahen subvencione për 26 projekte me vlerë të përgjithshme prej 6.132.240 denarë.
Në kuadër të Programit për mbështetjen e konkurrueshmërisë së industrisë përpunuese dhe përgjegjësisë shoqërore, Ministria e Ekonomisë dhe Punës ka realizuar masën për kompensimin e një pjesë të shpenzimeve për akreditimin e laboratorëve, parashikohet zgjerimi i fushëveprimit të akreditimit të
laboratorëve ekzistues për testimin ose prokurimin e pajisjeve për laboratorët për lëshim në treg të produkteve me cilësi të sigurt.
Në kuadër kësaj mase, parashikohet bashkëfinancimi i shpenzimeve prej 50% të shumës jo më shumë se 400.000 denarë për secilin aplikant. Vlera e përgjithshme e vlerësuar është 3.000.000 denarë. Përdorues të kësaj skeme janë 11 laboratorë.
Te masa e kompensimit të një pjese të shpenzimeve për mirëmbajtjen dhe zbatimin e praktikave të pranueshme sociale të subjekteve afariste, vlera e përgjithshme e mjeteve është 2.000.000 denarë, ndërsa Ministria e Ekonomisë dhe Punës bashkëfinancoi 8 kompani.
Duke marrë parasysh nevojat e kompanive, Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të vazhdojë të zbatojë masa dhe aktivitete që synojnë përmirësimin e konkurrueshmërisë. Lista e përdoruesve është tashmë e disponueshme në faqen e internetit të Ministrisë.
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve