Këto ditë nëpër rrjetet sociale mund të vihen re reagime që përhapin panik dhe një ortek ankesash pas njoftimeve se nga shtatori i ardhshëm në klasën e gjashtë nxënësit do të kenë një lëndë të re, shkencat natyrore. Reagimet kanë qenë aq të tepruara sa që shkruanin se po hiqen lëndë dhe po largohen nga puna mësimdhënësit, si dhe se shkrirja e supozuar e fizikës, biologjisë, gjeografisë dhe kimisë në një lëndë do të jetë shumë keq për nxënësit. Gjithashtu në masë të madhe po përhapet pretendimi se lënda e historisë në klasën e gjashtë do të hiqet dhe se e njëjta gjë do të ndodhë edhe me lëndën e etikës së religjioneve, njofton Meta.mk.
Për këto çështje, Meta.mk kërkoi përgjigje nga organet e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit (BZhA), institucioni që harton planprogramet dhe programet për lëndët që mësohen në arsimin fillor.
“Lënda e shkencave natyrore në klasën e gjashtë nuk po prezantohet për herë të parë këtë vit shkollor. Nxënësit po e mësojnë atë lëndë tashmë për më shumë se 15 vjet. Për herë të parë është mësuar në arsimin fillor tetëvjeçar, më pas sipas një planprogrami të ri mësohej edhe në arsimin fillor nëntëvjeçar, pësoi ndryshim me zbatimin e Programit mësimor sipas Kembrixhit, ndërsa ne tani po e ndryshojmë (përditësojmë) planprogramin për herë të katërt. Domethënë, bazuar në të gjitha përvojat e mëparshme, një grup pune i përbërë nga profesorë universitarë, mësues praktikantë të shkollave fillore dhe këshilltarë nga Byroja ka zhvilluar planprogram të ri që do të zbatohet nga shtatori i vitit 2023”, sqarojnë nga Byroja.
Nga atje thonë se është interesant fakti që deri më tani askush nuk është interesuar, e as nuk ka pyetur gjatë këtyre viteve të kaluara se kush e realizon mësimin dhe nuk e ka kontestuar normativin për kuadrin mësimor, por kjo po ndodh tani.
“Nuk ka asnjë ndryshim të normativit për kuadrin mësimor nga planprogramet e mëparshëm, pra të njëjtët mësimdhënës që kanë dhënë mësim do vazhdojnë ta bëjnë këtë gjë edhe vitin e ardhshëm shkollor. Ne si institucion na mbetet dilema, nëse e gjithë kjo po bëhet në mënyrë tendencioze, përmes lajmeve të rreme dhe spineve vetëm sa për të fituar një pikë të vogël politike, që të mbizotërojnë dezinformatat, pa i marrë parasysh pasojat për nxënësit, mësimdhënësit apo, nga ana tjetër bëhet, fjalë për përhapjen e një informacioni të tillë për shkak të injorancës dhe mungesës së interesimit për të kërkuar përgjigjen e duhur”, vlerësojnë nga BZhA.
Edhe mësimdhënësit e gjeografisë do të mund të ligjërojnë lëndën e shkencave natyrore
Nuk është e vërtetë, sqarojnë nga Byroja e Zhvillimit të Arsimit, se mësimdhënësit e gjeografisë nuk mund ta ligjërojnë lëndën e shkencave natyrore.
“Në normativin për kuadrin mësimor janë shënuar mësimdhënësit që kanë mbaruar studimet për biologji, kimi, fizikë dhe gjeografi, si dhe studime dylëndore me kombinime të ndryshme lëndësh nga kjo fushë. Ndërsa mësimi, si deri më tani, do të zhvillohet nga një mësimdhënësit në shkollë, sipas kuadrit mësimor që disponon vetë shkolla dhe sipas mënyrës së organizimit të mësimit. As Byroja për Zhvillimin e Arsimit dhe as Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ndikojnë në përzgjedhjen e kuadrove mësimore nëpër shkolla. Ne i përcjellim udhëzimet, i përcaktojmë normativat, ndërsa vetë organizimi gjatë caktimit dhe përzgjedhjes së kuadrove është në dorë të shkollave”, thonë nga BZhA.
Asnjë mësimdhënës nuk do të mbetet pa punë
Lidhur me reagimet për atë se do të ketë mësimdhënës që do të mbesin pa punë, përgjegjësit nga BZhA sigurojnë se asnjë mësimdhënës nuk do të mbesë pa punë dhe pa orë mësimi për shkak të prezantimit të planprogrameve të ri.
“Numri i orëve është identik si edhe më parë, ndërsa ajo që po prezantojmë me programet e reja është qasja e re, e bazuar në të mësuarit eksperimental, në lidhjen e asaj që mësohet me realitetin, në të mësuarit përmes eksperimenteve, në zhvillimin e të menduarit kritik. Si mbështetje për mësimdhënësit dhe nxënësit nga viti i ardhshëm shkollor për zbatimin e programeve nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës me mbështetje nga Banka Botërore janë ndërtuar dhe pajisur kabinetet e reja të shkencave natyrore”, njoftojnë nga BZhA.
Nuk është e vërtetë se do të hiqet lënda e historisë
Këto ditë në rrjetet sociale po shpërndahet edhe pretendimi se sipas konceptit të ri lënda e historisë nuk do të mësohet më.
“Po të shihni planprogramin dhe emrin e lëndës “së re”, çdo njeri i arsyeshëm e kupton se historia në arsimin fillor mësohet më shumë se kurrë më parë. Lënda historia dhe shoqëria futet nga klasa e katërt dhe mësohet deri në klasën e nëntë. Me planprogramet e ri ne po përpiqemi ta bëjmë historinë më tërheqëse për ta mësuar, të zhvillojmë një narrativ ndryshe, i cili nuk do të mundësojë vetëm “memorizimin e datave” dhe “të mësuarit përmendësh”, por nxënësit do ta mësojnë atë përmes burimeve historike, përmes trashëgimisë kulturore, përmes jetës së përditshme dhe roleve të ndryshme të njerëzve në të kaluarën”, sqarojnë nga Byroja.
Nga atje shtojnë se së shpejti do të jetë gati planprogrami për lëndën histori dhe shoqëri dhe do të vendoset në ueb-faqen e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit.
Në klasën e gjashtë risi është se lëndët informatikë dhe arsim teknik do të kombinohen në një lëndë me dy orë në javë. Si tema që do të studiohen në këtë lëndë do të jenë: informatika dhe kompjuteri (8 orë), krijimi i vizatimit (6 orë), puna me tekst (5 orë), algoritmet, programet dhe zotërimi i të menduarit algoritmik përmes lojës (5 orë), njohja me konceptet informatike duke zgjidhur detyra logjike (8 orë), krijimi i programeve (20 orë), krijimi i projekteve me mikrobit (14 orë), si dhe jeta online (6 orë).
Koncepti i ri për arsimin fillor, i cili është pjesë e Strategjisë së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për periudhën 2018-2025, është paraparë me Ligjin për Arsimin Fillor dhe është pjesë e programit të qeverisë. Në mars të vitit 2021 Qeveria e miratoi konceptin. Kësaj i paraprinte një debat publik në Kuvend, si dhe mundësia që secili të japë një propozim të tijin për ndryshimet. Një pjesë e publikut reagoi ashpër ndaj njoftimit se do të ketë ndryshime të mëdha në arsimin fillor. Njoftimi për prezantimin e një koncepti i cili integron më shumë lëndë në një shkaktoi shumë interpretime dhe reagime të ndryshme.