Lajme nga vendi
Kërcënimet me bomba në RMV, sipas ekspertëve janë të stilit rus: Vijnë nga Moska për ta frikësuar popullatën
Ekspertët vlerësojnë se alarmet e deritanishme për bomba nëpër objekte shkollore, qendra tregtare dhe institucione vijnë prej Rusisë. Ndërkaq, qëllimi është që të ndjellin frikë te qytetarët në kontekst të luftës në Ukrainë dhe ankthit për një konflikt në veri të Kosovës, shkruan Portalb.mk.
Maqedonia e Veriut, ashtu sikur edhe shtetet e rajonit, në periudhën e kaluar është duke u përballur me kërcënime për vendosje të bombave nëpër objekte dhe vende publike. MPB pas çdo kërcënimi i ka evakuuar qytetarët, megjithatë ende nuk mund të bie në gjurmë të dërguesve të e-mailave, të cilat kanë krijuar kaos të vërtetë.
“Qëllimi i kërcënimeve me bomba në Maqedoninë e Veriut dhe në disa vende të rajonit është që rrisë frikën sidomos atë psikologjike në kontekst të luftës në Ukrainë dhe ankthit për një konflikt të izoluar në veri të Kosovës. Caku i kërcënimeve është përzgjedhur nga aktorët malinj dhe janë vendet e përziera etnike, kulturore dhe fetare. Kërcënimet e fundit janë një fushatë e re e ndryshimet në strategjinë e dezinformimit psikologjik rus- serb në Ballkanin Perëndimor”, deklaron eksperti i politikës ndërkombëtare, autori dhe gazetari, me fokus në gjeopolitikën dhe çështjet e sigurisë së Evropës dhe Ballkanit, Selim Ibraimi.
Profesori i Fakultetit për Siguri, Nikolla Dujovski, këto kërcënime i sheh si pjesë të luftës hibride që Rusia i udhëheqë kundër vendeve anëtare.
“Këto kërcënime hibride janë pjesë e luftës që Rusia e udhëheq kundër kësaj pjese të botës. Nuk guxon askush të ketë mëdyshje në diçka të tillë. Pjesën më të madhe të këtyre kërcënimeve unë i shoh si pjesë të luftës hibride që Rusia e udhëheqë kundër vendeve anëtare të NATO-s. Nëse ne jemi vendi i fundit që është bërë pjesë e NATO-s, ende të prekshëm në fazën e këmbimit të informatave dhe për atë sipas të gjitha gjasave ne jemi më së shumti edhe qëllimi i këtyre sulmeve, krahasuar me shtetet tjera. Mundësia që të zbuloni saktësisht në këtë moment se prej cilit vend të Rusisë dërgohen këto kërcënime është e barabartë me zero”, thotë Dujovski për Telma.
Edhe Ibraimi vlerëson se metodat e frikësimit kanë një lidhje logjike me taktikat e deritanishme ruse që nga viti 2008 në Ballkanin Perëndimor.
“Tani vetëm kemi një ndryshim në fushën e zbatimit të politikës së përhapjes së frikës. Këtu është me rëndësi që organet e sigurisë të bëjnë identifikimin e burimeve të thirrjeve telefonike me atë të “SIGNAL ANALYSIS”, pasi vendi është anëtare e NATO-s ekzistojnë mundësi të shihet se prej nga e kanë prejardhjen thirrjet dhe të analizohet sfondi. Kjo është metoda e vetme dhe organet inteligjente të Maqedonisë së V. në bashkëpunim sidomos me amerikane shumë lehtë mund të bëjnë zbulimin e tyre”, thotë Ibraimi.
Sipas tij, në një gjendje të re të krijuar në Evropën Lindore dhe në veri të Kosovës, shtete të treta dhe lojtarë politik të brendshëm mund të jenë të interesuar për të krijuar një situatë të paqëndrueshme në Ballkan dhe në Maqedoninë e Veriut para ndryshimeve kushtetuese.
“Rusia vazhdon të shfrytëzojë disa aktorë lokal në rajon për qëllimet e ndikimit dhe rritjes së frikës në zonat e ngrira të konflikteve. Maqedonia e V. gjegjësisht shërbimet e inteligjencës duhet të fillojnë që të bëjnë zbërthimin e sinjaleve që shumë lehtë mund t’i marrin nga institucionet e telekomunikimit. Këtu duhet theksuar vendosmërinë e shtetit për të bërë zbulimin se kush qëndron pas kërcënimeve”, shton Ibraimi.
Për kryeministrin Dimitar Kovaçevski nuk ka dyshim se këto janë sulme hibride ndaj shtetit dhe se ky është një akt monstruoz. Raportimet për bomba të vendosura kanë për qëllim destabilizimin e vendit dhe të gjithë rajonit, pasi raste të tilla janë regjistruar edhe në vendet fqinje.
“Këto sulme hibride janë për shkak të qëllimeve gjeostrategjike ose atyre lokale. Ato u bënë veçanërisht të shpeshta pas fillimit të konfliktit ushtarak në Ukrainë. Ndaj këtij llojit të sulmeve janë të ekspozuara edhe Serbia, Mali i Zi, por ka edhe në Zelandën e Re, SHBA, Kanada dhe Gjermani”, deklaroi Kovaçevski.
Ai vlerëson se MPB-ja nuk ka dështuar në detyrën e saj, pavarësisht se për tre muaj nuk ka arritur ta zbulojë autorin apo autorët e mesazheve kërcënuese. Kryeministri e konfirmoi se porositë dërgohen nga jashtë shtetit dhe se po dërgoheshin nga jashtë dhe se bëhet fjalë për rrjete private virtuale (VPN).
Nga ana tjetër, sot ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski deklaroi se Këshilli për Koordinim të Shërbimeve të Zbulimit do ta shqyrtojë situatën me alarmet për bomba. Ministri deklaroi se Sektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor është në komunikim të vazhdueshëm me Interpolit dhe Europolin.

Gjithashtu, edhe ai tha se paraqitjet për vendosje të bombave janë pjesë të luftës hibride që zbatohet jo vetëm në shtetin tonë.
“Informatat kryesisht i ndajmë edhe me vendet e rajonit që marrin kërcënime të tilla, Serbia në vazhdimësi tanimë me vite, Mali i Zi, Kroacia, Gjermania, SHBA, Zelanda e Re, por edhe shumë vende tjera në këtë periudhë dhe praktikisht edhe paraqitjet, gjegjësisht teksti është thuajse i njëjtë”, tha ministri Spasovski.
Nga 26 tetori i këtij viti në SPB Shkup disa herë është denoncuar se në email-adresat e disa shkollave në Shkup është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Krahas shkollave të mesme dhe fillore, në fillim të javës ka pasur edhe raportime anonime për bomba të vendosura edhe në institucione dhe qendra tregtare. Nga Ministria e Punëve të Brendshme informuan se të gjitha paraqitjet kanë qenë të rrejshme.
Spasovski më 19 nëntor deklaroi se së shpejti do të ketë rezultate nga hetimi për paralajmërime për bomba, të cilat krijojnë shqetësim në opinion tashmë një kohë të gjatë. Por, deri më tani s’ka kurrfarë njoftimi se kush qëndron prapa këtyre alarmeve të rrejshme që i shqetësojnë qytetarët.
Lajme nga vendi
Fetai: Një hap më afër drejt transparencës në menaxhimin me pronën shtetërore

Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi dje kërkesën e Kabinetit të Zëvendëskryeministrit të ngarkuar për politika të qeverisjes së mire, Arben Fetai për zgjerimin e grupit të punës që do të hartojë Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit final të Revizorit shtetëror mbi menaxhimin e pronës shtetërore.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi efikas, të drejtë dhe të përgjegjshëm të menaxhimit të pasurisë publike, si dhe në parandalimin e keqpërdorimeve dhe mungesës së transparencës që kanë ndodhur në të kaluarën, thekson zëvendëskryeministri Fetai.
Grupi i punës, i udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit, do të përfshijë përfaqësues nga institucionet kyçe shtetërore: Shërbimi i punëve të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë, Ndërmarrja Publike për ndërtimin dhe administrimin e hapësirave banesore dhe afariste (Sh.A. – Shkup), Ndërmarrja Publike për administrimin e hapësirave afariste në pronësi shtetërore (Sh.A. – Shkup), Agjencia për Kadastrën e Pasurive të Paluajtshme, Ministria e Financave, Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë dhe Komisioni për Çështje Banesore.
Për herë të parë në historinë e vendit, po përgaditet edhe Regjistri Kombëtar i Pronës Shtetërore, një nismë e udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit Fetai dhe bazuar në praktikat më të mira evropiane, me qëllim të eliminimit të rrezikut të korrupsionit dhe keqpërdorimeve në këtë sektor të ndjeshëm.
“Ky është një moment kyç për të ndërtuar një sistem modern të menaxhimit të burimeve shtetërore, ku transparenca dhe llogaridhënia janë parimet udhëheqëse,” vlerëson Fetai.
Lajme nga vendi
Mexhiti: 229 milionë denarë për projekte ekologjike, ftoj të gjithë qytetarët të aplikojnë!

Zëvëndëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti, sot ka njoftuar për shpalljen e Konkursit publik për ndarjen e mjeteve nga Programi për Investime në Mjedis për vitin 2025.
“Me këtë program synojmë të financojmë projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mjedisit; ujë të pastër, tokë të shëndetshme, biodiversitet të mbrojtur dhe vetëdije më të lartë publike. Kemi ndarë gjithsej 229 milionë denarë, të cilat do të shpërndahen për kanalizime dhe pastrim të ujërave të zeza; për ujësjellës; për projekte kërkimore e arsimore; si dhe për edukim dhe vetëdijesim mjedisor”, ka shkruar ministri Mexhiti.
Ai tutje në këtë njoftim ka ftuar të gjithë qytetarët e gjitha kategorive që të aplikojnë dhe ka veçuar kriteret të cilat do të kenë përparësi.
“Ftoj të gjitha komunat, OJQ-të, institucionet arsimore dhe shkencore, si dhe çdo individ apo organizatë që ka ide dhe vullnet të kontribuojë, që të aplikojnë. Këtë vit i japim rëndësi të veçantë zgjidhjeve inovative, ndaj ftoj veçanërisht kompanitë startup dhe IT që të sjellin ide të reja për një mjedis më të mirë. Afati është 3 javë nga dita e sotme dhe formularët janë të disponueshëm në faqen e Ministrisë”, ka përfunduar ministri Mexhiti.
Lajme nga vendi
Çair, hidhet koktej molotovi për të djegur një kazino

Më 8 prill, në orën 03:31, në SPB Shkup është raportuar nga një kazino në rajonin e Çairit se dy persona kishin hedhur një shishe me lëng të ndezshëm para hyrjes së kazinosë. Punonjësit e sigurimit e kanë shuar zjarrin.
Nuk ka persona të lënduar.
Po merren masa për zbardhjen e rastit.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve