Lajme nga vendi
Komiteti i Helsinkit: Të ndërpritet gjuha e urrejtjes dhe heshtja e të rinjve për rastin në Koçan

Komiteti i Helsinkit kërkon që të ndërpritet gjuha e urrejtjes dhe heshtja e të rinjve për rastin në Koçan. Ata thonë se në javën e zisë pas tragjedisë së zjarrit në Koçan, sërish jemi dëshmitarë të rritjes shqetësuese të gjuhës së urrejtjes, sidomos në rrjetet sociale, por edhe në disa media. Kërkesa për përgjegjësi nga institucionet kompetente nga qytetarët e sidomos nga të rinjtë, shtojnë nga KH, lidhet me veprimet e partive politike dhe në vend të dinjitetit dhe përgjegjësisë shohim fyerje, akuza, gjuhë të urrejtjes dhe thirrje për dhunë. “E gjithë kjo po merr përmasat e një hajke shqetësues të rrezikshëm në internet”, thonë nga ky Komitet.
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut paralajmëron se sulme të tilla mund të kenë pasoja të rënda në lirinë e shprehjes dhe sigurinë e qytetarëve. Në të njëjtën kohë ju kujtojmë se gjuha e urrejtjes dhe thirrjet për dhunë në rrjetet sociale përbëjnë krim.
“Për këto arsye, apelojmë që personazhet publikë, politikanët, si dhe të gjithë përdoruesit e rrjeteve sociale të jenë të përgjegjshëm në gjuhën publike. Në lidhje me tubimet paqësore të studentëve, të cilat këto ditë janë cak i ofendimeve dhe spekulimeve të ndryshme se po veprojnë nën ndikimin e dikujt, ju rikujtojmë se e drejta për tubim paqësor në Maqedoninë e Veriut është e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe është e drejtë themelore e njeriut e garantuar me dokumentet më të rëndësishme ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Askush nuk duhet të habitet nga fakti që të rinjtë kërkojnë luftë vendimtare kundër korrupsionit dhe parregullsive dhe padrejtësive sistematike në shoqëri, viktima të së cilës ishin të vdekurit tragjikisht në Koçan. Për këto arsye, askush dhe sidomos qeveria nuk duhet të uzurpojë zërin e të rinjve nga pozita e pushtetit”, thonë nga Komiteti i Helsinkit.
Ata shtojnë se institucionet duhet të lejohen të kryejnë punën e tyre dhe të gjejnë dhe sanksionojnë përgjegjësit për tragjedinë e Koçanit, por kjo nuk bie ndesh me nevojën që qytetarët të kërkojnë ndryshime sistemore dhe të shprehin kërkesat e tyre në mënyrë të artikuluar.
“Zbardhja e shkaqeve të aksidentit në Koçan është test edhe për organet e sistemit të drejtësisë, të cilat duhet të bëjnë profesionalisht një hetim të plotë dhe të paanshëm, duke mos iu nënshtruar presioneve të mundshme partiake dhe të tjera. Në këtë rast, gjyqtarët duhet të japin drejtësi, duke vepruar në përputhje me ligjet pozitive dhe në shërbim të qytetarëve dhe interesit publik. Komiteti i Helsinkit, në përputhje me mandatin e tij, do të monitorojë protestat dhe do të sigurojë mbrojtje juridike falas në rast të tejkalimit të kompetencave të policisë”, thonë nga Komiteti i Helsinkit.
Nga ana tjetër, sot kryeministri Hristijan Mickoski për protestat u shpreh se “Brejtësit politikë po përpiqen përmes tragjedive të fitojnë pikë politike”.
Në zjarrin e rënë në diskotekën “Pulse” më 16 mars 2025, jetën e humbën 59 persona, midis të cilëve 6 të mitur, u lënduan 196 persona të cilët trajtohen brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë. Në paraburgim janë 24 persona.
Lajme nga vendi
Fetai: Një hap më afër drejt transparencës në menaxhimin me pronën shtetërore

Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi dje kërkesën e Kabinetit të Zëvendëskryeministrit të ngarkuar për politika të qeverisjes së mire, Arben Fetai për zgjerimin e grupit të punës që do të hartojë Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit final të Revizorit shtetëror mbi menaxhimin e pronës shtetërore.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi efikas, të drejtë dhe të përgjegjshëm të menaxhimit të pasurisë publike, si dhe në parandalimin e keqpërdorimeve dhe mungesës së transparencës që kanë ndodhur në të kaluarën, thekson zëvendëskryeministri Fetai.
Grupi i punës, i udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit, do të përfshijë përfaqësues nga institucionet kyçe shtetërore: Shërbimi i punëve të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë, Ndërmarrja Publike për ndërtimin dhe administrimin e hapësirave banesore dhe afariste (Sh.A. – Shkup), Ndërmarrja Publike për administrimin e hapësirave afariste në pronësi shtetërore (Sh.A. – Shkup), Agjencia për Kadastrën e Pasurive të Paluajtshme, Ministria e Financave, Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë dhe Komisioni për Çështje Banesore.
Për herë të parë në historinë e vendit, po përgaditet edhe Regjistri Kombëtar i Pronës Shtetërore, një nismë e udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit Fetai dhe bazuar në praktikat më të mira evropiane, me qëllim të eliminimit të rrezikut të korrupsionit dhe keqpërdorimeve në këtë sektor të ndjeshëm.
“Ky është një moment kyç për të ndërtuar një sistem modern të menaxhimit të burimeve shtetërore, ku transparenca dhe llogaridhënia janë parimet udhëheqëse,” vlerëson Fetai.
Lajme nga vendi
Mexhiti: 229 milionë denarë për projekte ekologjike, ftoj të gjithë qytetarët të aplikojnë!

Zëvëndëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti, sot ka njoftuar për shpalljen e Konkursit publik për ndarjen e mjeteve nga Programi për Investime në Mjedis për vitin 2025.
“Me këtë program synojmë të financojmë projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mjedisit; ujë të pastër, tokë të shëndetshme, biodiversitet të mbrojtur dhe vetëdije më të lartë publike. Kemi ndarë gjithsej 229 milionë denarë, të cilat do të shpërndahen për kanalizime dhe pastrim të ujërave të zeza; për ujësjellës; për projekte kërkimore e arsimore; si dhe për edukim dhe vetëdijesim mjedisor”, ka shkruar ministri Mexhiti.
Ai tutje në këtë njoftim ka ftuar të gjithë qytetarët e gjitha kategorive që të aplikojnë dhe ka veçuar kriteret të cilat do të kenë përparësi.
“Ftoj të gjitha komunat, OJQ-të, institucionet arsimore dhe shkencore, si dhe çdo individ apo organizatë që ka ide dhe vullnet të kontribuojë, që të aplikojnë. Këtë vit i japim rëndësi të veçantë zgjidhjeve inovative, ndaj ftoj veçanërisht kompanitë startup dhe IT që të sjellin ide të reja për një mjedis më të mirë. Afati është 3 javë nga dita e sotme dhe formularët janë të disponueshëm në faqen e Ministrisë”, ka përfunduar ministri Mexhiti.
Lajme nga vendi
Çair, hidhet koktej molotovi për të djegur një kazino

Më 8 prill, në orën 03:31, në SPB Shkup është raportuar nga një kazino në rajonin e Çairit se dy persona kishin hedhur një shishe me lëng të ndezshëm para hyrjes së kazinosë. Punonjësit e sigurimit e kanë shuar zjarrin.
Nuk ka persona të lënduar.
Po merren masa për zbardhjen e rastit.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve