Lajme nga vendi
Krerët e koalicionit VLEN kanë uruar fitoren e Lëvizjes Vetëvendosjes dhe të kryeministrit Albin Kurti.

Krerët e koalicionit VLEN kanë uruar fitoren e Lëvizjes Vetëvendosjes dhe të kryeministrit Albin Kurti.
Izet Mexhiti:
Urime të përzemërta i dashur vëlla Albin, urime VETËVENDOSJE! Fitorja e juaj është një shembull dhe frymëzim për të gjithë ne se e drejta ngadhnjen edhe kur kjo duket e pamundur dhe iluzore.
Urime dhe përgëzime të gjithë qytetarëve të Kosovës për vetëdijen e lartë të demonstruar sot. Urime dhe komplimente institucioneve të Kosovës për zgjedhjet demokratike dhe atmosferën festive anembanë Kosovës.
Bilall Kasami:
Kryeministër, urime fitoren CEP MË CEP!
Afrim Gashi:
Zgjedhjet në Kosovë dëshmojnë për pjekurinë e popullit të Kosovës, ndërsa procesi zgjedhor dëshmon angazhimin serioz të institucioneve për transparencë dhe demokraci.
Urime të sinqerta mikut tim, Albin Kurtit, për fitoren dinjitoze të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare në Kosovë! Ky rezultat përfaqëson besimin e qytetarëve në vizionin e tij për zhvillimin dhe sigurinë e Kosovës, si dhe vlerësimin për mandatin e tij të suksesshëm në krye të qeverisë.
Gjithashtu, urime për qytetarët e Kosovës! Shpresoj që vota e tyre të kontribuojë në avancimin e mirëqenies sociale, si dhe në të ardhmen europiane të shtetit. Maqedonia e Veriut mbetet e angazhuar në thellimin e bashkëpunimit, ndërsa marrëdhëniet tona miqësore mbeten të palëkundura.
Shkrimi i plotë i Taravarit:
Zgjedhjet 2025 në Kosovë ishin një bast i cili mori përmasa ndërkombëtare. E kujt do t’i kishte shkuar në mendje se në opozitën ndaj z.Kurti do të mobilizohen kaq shumë faktorë dhe mbi të gjitha disa prej tyre kaq të fuqishëm. Zakonisht shqiptarët i ka vënë historia përballë sfidave të mëdha, por është shumë interesant se ky zakon vazhdon.
Fitorja e z.Kurti dhe e Vetëvendosjes do të mbahet mend gjatë. Sipas atyre që e kundërshtonin (deputetët e Listës Serbe nuk ishin asgjë para egërsisë dhe mllefit sui generis të disa të të tjerëve), pra sipas formulës “të gjithë kundër Kurtit”, atëherë sot, secilit që ka rregulla dhe i respekton i takon të thotë se Kurti Fitoi Mbi të Gjithë!
Duke pasur rastin ta njoh nga afër dhe në orë të vështira politike, kam arritur të kuptoj natyrën e tij. Një burrë i ndershëm si Kurti me atdheun dhe shtetin mision është një realitet i mrekullueshëm që populli e ka kuptuar ndaj e votoi.
Mendoj se është koha që ata që ishin vendosur kundër z.Kurti t’i japin mundësinë e njohjes, dhe me siguri që ata që do të kenë guximin dhe dëshirën e mirë për ta bërë këtë, do të njohin burrin e ndershëm e të përkushtuar që njoh unë dhe ata miliona shqiptarë anembamë botës që e duan z.Kurti!
Jam besimplot se z.Kurti është nga ata politikanë të rrallë që qartësisht do e kuptoi se kur do i vij ora e ikjes, por sot ai është në vendin e duhur dhe kohën e duhur, ndaj le ta urojmë drejt më të mirës në misionin e tij, t’i shtrëngojmë dorën e t’i themi:
Punë të mbarë z.Kryeministër!
Lajme nga vendi
SPB-Tetovë: Qindra gjoba për shkeljet në trafik, 602 për parkim të gabuar

Për vetëm 28 ditë, Sektori i Punëve të Brendshme (SPB) të Tetovës, ka shqiptuar 602 gjoba për parkim të gabuar. Makinat e parkuara kudo ndikojnë në bllokimin e komunikacionit, por edhe hyrje-daljet në ndërtesat e banimit. Nga SPB Tetovë apelojnë për kujdes sidomos para shkollave dhe institucioneve.
“Pjesëtarë të SPB Tetovë dhe ai për siguri për komunikacionin rrugor, nga një prilli deri ditën e djeshme, kanë shqiptuar gjithsej rreth 602 masa për keq parkim, ndërsa nga merimanga janë ngritur rreth 300 automjete, që në mënyrë direke kanë penguar qarkullimin e lirshëm në komunikacion”, deklaroi Fatmir Rexhepi. Zëdhënës i SPB Tetovë.
Drejtori i Parkingjeve të qytetit, për Alsat thotë se ka parkingje në Tetovë. Madje shpesh janë të zbrazëta, ndërsa vozitësit e pandërgjegjshëm makinat e tyre i parkojnë nëpër rrugë.
“Ashtu siç thatë, halli më i madh në Tetovë është me parkingjet. Jo që nuk ka, ka parkingje në qytet e që janë vetëm 100-200 metra larg qendrës e ku ka shumë vende të zbrazëta, por është veti e tetovarëve ku ka nevojë mundësisht me makinën të futet edhe brenda madje në dyqan”, tha Mirko Martinovski, drejtor i NP “Parkingjet e Tetovës”.
Pikërisht për këtë kaos që krijohet nëpër rrugët e Tetovës, në komunë, brenda javës pritet të mbahet edhe debat për studimin e kryer me qëllim mos bllokimin e rrugëve.
“Javën e ardhshme, bashkë me Institutin për planifikim, po organizojmë debatin publik për studimin e mobilitetit, në të cilin do prezantohen analizat e para të bëra, problematikat e rrugëve si dhe rikategorizimi i rrugëve. Në këtë rast do përfshihet transporti publik, parkingjet, shtigjet për biçikleta dhe gjitha problemet tjera të komunikacionit. INS është institut nga Kosova që e bën edhe planin gjeneral Urbanistik të qytetit”, deklaroi Albion Alili, zëdhënës i komunës së Tetovës.
Rezultate nuk ka dhënë siç pritej, as edhe aksioni që u ndërmor në bashkëpunim me MPB-në, me ç’rast nëpër rrugët e Tetovës, janë nxjerrë dhjetëra policë për të mbajtur rendin në trafik.
Lajme nga vendi
VLEN – Sot pasdite formohet kryesia e re, do përbëhet nga 23 anëtarë – Këta janë emrat

Koalicioni VLEN me hapa të ri drejt formësimit të partisë së përbashkët. Sot pasdite është parashikuar formimi i kryesisë së re, që do të jetë e përbërë nga 23 anëtarë.
Alsat mëson emrat që partitë do t’i propozojnë, dhe duket se pjesë e kryesisë do të jenë anëtarë të të gjitha partive të koalicionit, ndërsa një pjese të kësaj liste, ju buron e drejta në bazë të funksionit që e kanë aktualisht.
LD propozon Izet Mexhitin, Visar Ganiun, Saranda Imerin, Merita Koxhaxhikun dhe Feride Haxhiun. Lëvizja BESA për anëtarë të kryesisë së partisë propozon Bilall Kasamin, Fatmir Limanin, Blerim Sejdiun, Melinda Rashidin, Hasim Murtezanin, Sedat Sulejmanin dhe Fadil Zendelin. Alternativa propozon Zeqirija Ibrahimin, Amir Elezin, Afan Elezin, Arben Labënishtin, Orhan Murtezanin, Safije Sadiki Shahinin, Bashkim Murtezin, ndërsa siç mëson Alsat, si pjesë e propozimeve të Alternativës, do të përfshihen edhe emra në bazë të funksionit që e ushtrojnë dhe ata do të jenë Bekim Sali dhe Imërlije Saliu Fetai, që të dy deputetë në Kuvend.
Për anëtarë të kryesisë së partisë do të jetë edhe përfaqësuesi i Vetëvendosjes, pjesë e koalicionit VLEN, Bekim Qoku, i cili poashtu pritet të propozojë edhe Jusuf Sopin.
Krerët e VLEN-it përshpejtuan procedurat për formimin e shpejtë të partisë, pas përplasjeve me kreun e ASH-së Taravari dhe vendimit të tij që në zgjedhjet lokale të garojë me lista të veçanta kandidatësh. / Alsat.mk
Lajme nga vendi
“Nuk vdesim nga fatkeqësitë, vdesim nga korrupsioni”, Familjet e viktimave të Koçanit marshojnë për drejtësi në Shkup

“Falje nuk ka, drejtësi për engjëjt tanë patjetër të ketë”, “Nuk do të ketë aq shumë gjak, nëse gjithçka është sipas ligjit. Kërkojmë përgjegjësi!”, “Sa jetë duhet të shuhen që ju të ndërgjegjësoheni”, “Nuk vdesim nga fatkeqësitë, vdesim nga korrupsioni”, “Përgjegjësia selektive, është papërgjegjësi”, janë disa nga pankartat që mbanin në duar familjet e të ndjerëve nga tragjedia e Koçanit gjatë marshit që po mbahet në Shkup, si simbol i reagimit të vonuar, transmeton Portalb.mk.
Ata akuzojnë prokurorinë se është e partizuar. Kërkojnë mbështetje nga te gjithë për marsh dhe protesta jo vetëm nga Koçani. Ata shprehen se nuk u besojnë institucioneve, drejtësisë në vendin tonë, e posaçërisht Prokurorisë.
“A është ky personi këtu brenda, i ashtuquajtur prokuror publik vetëm për nevojat partiake. Ne qytetarët ua kemi blerë kolltuket ku po qëndrojnë dh ei paguajm me mijëra euro, ata nuk janë shteti, ne jemi shteti. A kanë bërë ata revizion para pasardhësve të tyre, çfarë funksiononte e çfarë jo. A është burgosur dikush?. Këtu nuk ka drejtësi”, deklaroi Vlladimir Apostollov njëri nga familjarët e viktimave të Koçanit.
Një pjesë e familjarëve, me ftesën e Prokurorisë kanë hyrë të informohen mbi rrjedhën e hetimit. Sipas planit, marshi, nga Prokuroria duhej të vazhdonte në sheshin e qytetit në Shkup dhe do të përfundojë para Kuvendit të Maqedonisë, megjithatë tani për tani, pasi që familjarët kanë hyrë për bisedë në Prokurori, nuk dihet se si do të rrjedhë marshi, do të përfundojë aty, apo do të vazhdojë siç ishte paraparë.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prill, më 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka identifikuar si të dyshuar 68 persona fizikë dhe tre persona juridikë për krime të rënda kundër sigurisë publike, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhen në paraburgim. Midis tyre është edhe zyrtari i BDI-së, Kreshnik Bekteshi.
Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Penale dhe Standarde Profesionale në Ministrinë e Brendshme, në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit më 25 prill ngriti kallëzim penal kundër K.B., G.L. dhe A.T, të gjithë policë, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale të “keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar” lidhur me tragjedinë e zjarrit në Koçan.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve