Krerët e koalicionit VLEN kanë uruar fitoren e Lëvizjes Vetëvendosjes dhe të kryeministrit Albin Kurti.
Izet Mexhiti:
Urime të përzemërta i dashur vëlla Albin, urime VETËVENDOSJE! Fitorja e juaj është një shembull dhe frymëzim për të gjithë ne se e drejta ngadhnjen edhe kur kjo duket e pamundur dhe iluzore.
Urime dhe përgëzime të gjithë qytetarëve të Kosovës për vetëdijen e lartë të demonstruar sot. Urime dhe komplimente institucioneve të Kosovës për zgjedhjet demokratike dhe atmosferën festive anembanë Kosovës.
Bilall Kasami:
Kryeministër, urime fitoren CEP MË CEP!
Afrim Gashi:
Zgjedhjet në Kosovë dëshmojnë për pjekurinë e popullit të Kosovës, ndërsa procesi zgjedhor dëshmon angazhimin serioz të institucioneve për transparencë dhe demokraci.
Urime të sinqerta mikut tim, Albin Kurtit, për fitoren dinjitoze të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare në Kosovë! Ky rezultat përfaqëson besimin e qytetarëve në vizionin e tij për zhvillimin dhe sigurinë e Kosovës, si dhe vlerësimin për mandatin e tij të suksesshëm në krye të qeverisë.
Gjithashtu, urime për qytetarët e Kosovës! Shpresoj që vota e tyre të kontribuojë në avancimin e mirëqenies sociale, si dhe në të ardhmen europiane të shtetit. Maqedonia e Veriut mbetet e angazhuar në thellimin e bashkëpunimit, ndërsa marrëdhëniet tona miqësore mbeten të palëkundura.
Shkrimi i plotë i Taravarit:
Zgjedhjet 2025 në Kosovë ishin një bast i cili mori përmasa ndërkombëtare. E kujt do t’i kishte shkuar në mendje se në opozitën ndaj z.Kurti do të mobilizohen kaq shumë faktorë dhe mbi të gjitha disa prej tyre kaq të fuqishëm. Zakonisht shqiptarët i ka vënë historia përballë sfidave të mëdha, por është shumë interesant se ky zakon vazhdon.
Fitorja e z.Kurti dhe e Vetëvendosjes do të mbahet mend gjatë. Sipas atyre që e kundërshtonin (deputetët e Listës Serbe nuk ishin asgjë para egërsisë dhe mllefit sui generis të disa të të tjerëve), pra sipas formulës “të gjithë kundër Kurtit”, atëherë sot, secilit që ka rregulla dhe i respekton i takon të thotë se Kurti Fitoi Mbi të Gjithë!
Duke pasur rastin ta njoh nga afër dhe në orë të vështira politike, kam arritur të kuptoj natyrën e tij. Një burrë i ndershëm si Kurti me atdheun dhe shtetin mision është një realitet i mrekullueshëm që populli e ka kuptuar ndaj e votoi.
Mendoj se është koha që ata që ishin vendosur kundër z.Kurti t’i japin mundësinë e njohjes, dhe me siguri që ata që do të kenë guximin dhe dëshirën e mirë për ta bërë këtë, do të njohin burrin e ndershëm e të përkushtuar që njoh unë dhe ata miliona shqiptarë anembamë botës që e duan z.Kurti!
Jam besimplot se z.Kurti është nga ata politikanë të rrallë që qartësisht do e kuptoi se kur do i vij ora e ikjes, por sot ai është në vendin e duhur dhe kohën e duhur, ndaj le ta urojmë drejt më të mirës në misionin e tij, t’i shtrëngojmë dorën e t’i themi:
Punë të mbarë z.Kryeministër!