Lajme nga vendi
Akuzë ndaj katër personave për keqpërdorimet në lidhje me fasadën dhe ndriçimin e objektit të qeverisë

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dorëzuar aktakuzë kundër një personi dhe propozim akuzë katër personave për keqpërdorime në lidhje me rikonstruimin e fasadës dhe ndriçimin e ndërtesës së Qeverisë, e cila ka qenë pjesë e projektit “Shkupi 2014”. Akuza, sipas Prokurorisë bazohet në prova të periudhës shkurt – prill të vitit 2013, me çka i është shkaktuar dëm buxhetit të shtetit rreth 3 milionë euro. Në mesin e të akuzuarve, janë drejtuesi i kompanisë ndërtimore “Bauer BG”, por edhe ish drejtori i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë, Vase Donev. Drejtuesi i Bauer BG, sipas Prokurorisë i ka shkelur dispozitat për furnizime publike dhe ngarkohet për veprën penale “Keqpërdorim të procedurës për thirrje publike, ndarje të marrëveshjes për furnizime publike ose partneritetet publiko-privat”. I akuzuari ka nënshkruar marrëveshje për pjesëmarrje të përbashkët me tre persona juridik, me qëllim që burimet e tyre të merren parasysh gjatë vlerësimit të ofertës, edhe pse nuk ka pasur qëllim që kompanitë tjera të marrin pjesë në zbatimin e punimeve. Në kundërshtim me ligjin, sipas Prokurorisë nuk ka paraqitur nënkontraktorë tjerë të cilët ka planifikuar t’ua lejojë një pjesë të punëve. Pasi e ka marrë marrëveshjen, drejtuesi i kompanisë nuk i ka respektuar obligimet e marrëveshjes, me çka kompania e tij ka realizuar dobi financiare në vlerë mbi 7,6 milionë euro.
Bashkë me drejtuesin, akuzohen edhe tre ish funksionarë dhe mbikëqyrës, të cilët sipas Prokurorisë, me vetëdije kanë lejuar aktivitete të paligjshme.
“I akuzuari i dytë, drejtor i shërbimit qeveritar, nuk e ka plotësuar detyrën zyrtare dhe nuk ka reaguar ndaj shkeljeve të dukshme në mënyrën e zbatimit dhe përdorimin e materialeve. Edhe pse ka fituar dokumentacion për materialet, ai nuk ka theksuar kurrfarë vërejtje. I akuzuari i tretë dhe i katërt, si persona përgjegjës në procesin e mbikëqyrjes, nuk i kanë plotësuar obligimet e tyre dhe nuk kanë verifikuar nëse materialet e vendosura janë përkatëse me kërkesat projektuese”, thonë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Sipas Prokurorisë, kjo ka rezultuar me dëme të konsideruese për shtetin, pasi elemente jopërkatëse janë vendosur në objektin e qeverisë. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Taravari konfirmon bisedën telefonike me Ahmetin

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari i cili është larguar nga koalicioni VLEN pasi vendosi të shkojë në zgjedhje lokale ndaras, ka pranuar se ka realizuar bisedë me kreun e BDI-së Ali Ahmeti. Në një intervistë për Lajm ai thotë se takim nuk ka pasur, por është dëgjuar me të në telefon.
Takim me Ali Ahmetin a keni pasur apo prisni të keni?
“Jo, jo, jo. Ka pasur një bisedë telefonike dhe ajo është…”, deklaroi Arven Taravari, kryetar i ASH.
Televizioni Alsat që në fillim të muajit prill raportoi për një bisedë telefonike 40 minutëshe mes Taravarit dhe Ahmetit, e cila sipas burimeve tona ka bërë që Taravari të lëkundet në bindjet, që deri dje i mbronte me aq fanatizëm ndaj BDI-së. Disa herë, Taravari përmendi që partia e tij ka kanale komunikimi me BDI-në, por edhe sinjale për bashkëpunim në zgjedhjet lokale. Madje, duke relativizuar se edhe partitë tjera të VLEN-it kanë kontakte. Ndaj kësaj, mori përgjigje të ashpër nga Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje se nuk kanë asnjë arsye për të komunikuar me një parti të korruptuar, funksionarët e të cilës janë në lista të zeza.
Biseda telefonike është realizuar pikërisht në kohën kur Aleanca për Shqiptarët do të duhej të vendoste për mënyrën e garimit në zgjedhjet lokale, për çka Taravari disa herë përsëriti se ekzistojnë dy opsione për të garuar në zgjedhje. I pari, të garojnë së bashku me VLEN-in dhe i dyti të garojë vetëm si ASH, që në këtë rast nuk do të përjashtohej mundësia për të bashkëpunuar në komuna të caktuara me BDI-në.
Lajme nga vendi
MPB: Gjatë festave të Pashkëve fotografimi për dokumentet personale do të bëhet pa termin

Ministria e Punëve të Brendshme, në pritje të festave të Pashkëve, njofton se sot të gjitha Seksionet për Çështje Administrative pranë Departamentit për Çështje Administrative të MPB-së, përveç Sektorit për Çështje Administrative Shkup, do të punojnë nga ora 08:00 deri në ora 16:00.
Departamenti për Çështje Administrative Shkup, ose më saktë njësitë e tij organizative, sot do të punojnë me këtë orar:
Pika e kontrollit pranveror dy ndërrime nga ora 7:30 e mëngjesit deri në 19:30;
Postblloku i “RTMV” dy ndërrime nga ora 7:30 deri në 19:30, dhe me të njëjtin orar do të funksionojnë edhe pikat e kontrollit në “Beko” dhe Gjorçe Petrov.
Pikat e kontrollit në Draçevë dhe Butel do të funksionojnë me një turn nga ora 10:00 deri në ora 18:00.
Ministria e Brendshme njofton qytetarët se fotografimi për dokumente personale do të bëhet pa caktuar termin dhe dhënia e dokumenteve do të bëhet në vazhdimësi.
Lajme nga vendi
Më shumë se 1000 propozime për ndryshimin e emrave të rrugëve dhe shkollave në Tetovë

Përskaj nismës së ndryshimit të emrave të rrugëve, në Tetovë janë shtuar kërkesat edhe për ndryshimin e emrit të disa shkollave. Individë të sektorit të arsimit thonë se disa emra të shkollave, madje nuk kanë asnjë domethënie as simbolike dhe as historike për qytetarët. Nga gjithësej pesë shkolla të mesme katër prej tyre kanë emra që nuk përkojnë me siç është rasti i shkollës së mjekësisë Nikolla Shtejn.
“Ato pak të dhëna që ne i kemi nuk themi dot se janë të sakta thjeshtë ka qenë një infermier partizan që as nuk është nga shteti ynë e as nuk lidhet diçka me vendin tonë. Meqë edhe jemi shkolla më e madhe në vend shpesh kemi kërkesa nga prindër e nxënës se përse shkolla nuk merr një emër që do lidhej qoftë me Tetovën qoftë me ndonjë personalitet të mjekësisë”, tha Malësore Ramadani, drejtoreshë e SHMK “Nikolla Shtejn”.
Kërkesa të këtilla ka pasur edhe në shkollat tjera.
“Në kuadër të Komunës së Tetovës funksionojnë pesë shkolla të mesme nga të cilat vetëm njëra nga to ka emrin “7Marsi” ndërsa katër të tjerat kanë emra të periudhës së komunizmit dhe realisht sipas kërkimeve që kemi bë për një shkollë që quhet Nikolla Shtejn, nuk ka të dhëna as në google apo mjete tjera kërkimore”, tha Nazmi Dauti, sektori për Arsim Tetovë.
Nisma të ngjashme për ndërrim të emrave të shkollave fillore dhe të mesme ka pasur disa herë, por shkaku i mungesës së kohezionit politik në pushtetin lokal, ndryshimi i tyre, gjithnjë ka dështuar.
Problemi me emrat e shkollave po hapet në të njëjtën kohë kur procedura për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë është në fazën e debatit publik. Numri i propozimeve të dorëzuara në dy debatet e fundit publike ka arritur në 1050. Edhe pse sot duhej që të mbahet debati i tretë publik, debati është anuluar për javën e ardhshme, shkaku i festës së Pashkëve. Zëdhënësi i komunës Albion Alili për Alsat thotë se procedura zhvillohet pa përplasje.
“Pas debateve komisioni do të vlerësojë propozimet dhe biografitë e emrave të propozuar dhe do veprojë për emërtim të tyre. Realisht komisioni po punon në formën e paraparë dhe do veprohet. Nuk ka ndonjë përplasje siç plasohet në opinion, gjithëçka shkon si duhet”, u shpreh Albion Alili, zëdhënës i komunës së Tetovës.
Për momentin nuk ka ndonjë afat konkret se sa procedura do të zgjasë. /Alsat.mk
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve