Lajme nga vendi
Qytetarët e RMV-së sot përsëri do të bojkotojnë marketet, pritet të shpallen masat e Qeverisë
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut sot kanë paralajmëruar se do të bojkotojnë përsëri marketet për shkak të çmimeve të larta të produkteve ushqimore, shkruan Portalb.mk.
Derisa qytetarët bojkotojnë, Qeveria është në pritje të raportit të Inspektoratit Shtetëror të Tregut (IShT) që do t’i referohet kontrolleve të bëra te distributorët, furnitorët, prodhuesit dhe tregtarët dhe sot ose të hënën do të informojë për masat që do të ndërmerren në lidhje me rritjen e çmimeve të produkteve bazë ushqimore.
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi dje tha se e drejta e qytetarëve për të bojkotuar marketet është legjitime.
“Ne jemi të gatshëm dhe do të marrim të gjitha masat që kemi për të parandaluar këto situata të sikletshme”, tha Durmishi.
Nga ana tjetër Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ka thënë se vetëm Qeveria mund të ndikojë tek tregtarët dhe pronarët e tregut për uljen e çmimeve dhe zgjidhjen e problemit në afat të gjatë.
Kujtojmë se edhe të premten e kaluar (31 janar) qytetarët e RMV-së bojkotuan marketet për shkak të çmimeve të larta.
Pas bojkotit të qytetarëve, Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) doli me analizë të qarkullimit në marketet e mëdhenj zinxhiror. Ajo tregoi se dje, ditën kur qytetarët bojkotuan marketet, shitjet thuajse u përgjysmuan.
Bojkoti ka marrë mbështetje të madhe në opinion, përveç opozitës edhe partitë e pushtetit dhe institucionet kanë dalë në përkrahje të bojkotit.
Institucionet kompetente nga ana tjetër kanë paralajmëruar kontrolle rigoroze në markete dhe objektet tregtare.
Kujtojmë se nga dhjetori i vitit të kaluar deri në janar të këtij viti, vlera e shportës minimale sindikale shënoi rritje prej 391 denarë. Vlera e saj për muajin janar ishte 63.252 denarë.
Për ushqime dhe pije në shportën minimale sindikale për janar është 23.198 denarë, ndërsa në janar 2024 ka qenë 21.007 denarë.
Enti Shtetëror i Statistikave ka bërë të ditur të ditur se inflacioni në dhjetor të vitit të kaluar ishte 4.4 përqind më i lartë se e njëjta periudhë e vitit 2023 dhe se kërcimi më i madh ishte tek ushqimet.
Bojkoti në Maqedoninë e Veriut erdhi si rezultat i thirrjeve për bojkot në Kroaci, Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal i Zi dhe Slloveni.
Lajme nga vendi
Në vendkalimet kufitare nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi
Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë njofton se trafiku në vend po zhvillohet pa pengesa dhe në rrugë të thata.
Trafiku jashtë mjediseve urbane po zhvillohet me intensitet mesatar.
“Në vendkalimet kufitare nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi”, thonë nga LAMM. Nga atje u bëjnë thirrje shoferëve që të kenë kujdes me shpejtësinë e automjeteve, veçanërisht nëpër luginat e vendit ku mund të ketë rrëshqitje të dheut.
Lajme nga vendi
“Në gjobë do të ketë edhe foto”, Iseni: Do të shihet nëse shoferi ka pasur të vendosur rripin e sigurisë ose nëse ka qenë duke folur në telefon
“Në gjobë do të ketë edhe foto. Do të shihet nëse shoferi ka pasur të vendosur rripin e sigurisë ose nëse ka qenë duke folur në telefon”, kështu deklaroi zëvendësministri i Punëve të Brendshme Astrit Iseni .
Iseni mes tjerash theksoi se qëllimi nuk është të gjobiten qytetarët, por siç shtoi, të rritet vetëdija nga pakujdesia.
Lajme nga vendi
Filloi testimi i kamerave të ‘Qytetit të Sigurt’, policia me apel
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi qytetarët se në kuadër të projektit “Qyteti i Sigurt”, në periudhën nga 20.01 (e martë) deri më 31.01 (e shtunë) do të bëhet testimi, kalibrimi dhe verifikimi i pajisjeve (kamerave) të vendosura për mbikëqyrjen e qarkullimit, transmeton Portalb.mk.
Testimet do të realizohen çdo ditë në periudhën nga ora 08:00 deri në orën 20:00.
“Gjatë zbatimit të këtyre aktiviteteve, automjetet në lokacionet ku bëhet testimi nuk do të lejohet të kalojnë gjersa zgjat procedura. Në javën e parë të periudhës së planifikuar, aktivitetet do të kryhen ekskluzivisht në lokacionet me kamerat e vendosura në zonën e qytetit të Shkupit”, informoi MPB.
Ata u bënë thirrje qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë kufizimet e përkohshme, si dhe të tregojnë mirëkuptim, durim dhe bashkëpunim me qëllim të realizimit të pandërprerë dhe të sigurt të aktiviteteve të planifikuara.
Kamerat “Qytet i Sigurt” të instaluara në udhëkryqet e Shkupit regjistrojnë automatikisht shkeljet e trafikut duke filluar nga 1 dhjetori. Ishte planifikuar që gjobat të fillojnë të zbatohen nga 1 janar 2026, mirëpo kjo është shtyrë për në 1 shkurt 2026.
Synimi është që deri në vitin 2030 të zvogëlohet dhe të përgjysmohet numri i aksidenteve në trafik.
Zbatimi i projektit “Qyteti i sigurt”, i cili në fazën e parë, përveç në Shkup, do të zbatohet edhe në Tetovë dhe Kumanovë.

