Lajme nga vendi
MPB sërish thirrje qytetarëve: Mos hapni linqe dhe të dhëna të dyshimta

Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar sërish në lidhje me mashtrimet në internet që janë përhapur së fundmi. MPB iu bënë thirrje qytetarëve që të mos hapin linqe dhe të dhëna të dyshimta.
“Lidhur me rritjen e numrit të mashtrimeve që janë vërejtur këtë vit, të cilat përfshijnë sulme phishing dhe raste të përfaqësimit të rremë në emër të Postës së Maqedonisë së Veriut, si dhe institucioneve të tjera shtetërore dhe subjekteve juridike, Sektori për Krimin Kompjuterik në MPB njofton qytetarët se qëllimi kryesor i mashtrimeve të phishing është mbledhja e të dhënave personale të marrësit ose shtyrja e tyre të vizitojnë një faqe interneti të rreme përmes së cilës, duke lënë të dhënat e tyre personale, mund të shkaktohen keqpërdorime të mëtejshme të të njëjtave”.
“Ky lloj sulmi phishing vjen në formën e mesazheve SMS që informojnë qytetarët se gjoja kanë një dërgesë në emër të tyre, për të cilën duhet të paguajnë një shumë shumë të vogël për dorëzim. Në mesazhin SMS ka edhe një URL link, i cili të çon në një faqe interneti që është krijuar që të duket si një uebfaqe legjitime e Postës së Maqedonisë së Veriut, si dhe institucioneve të tjera shtetërore dhe subjekteve juridike. Nëpërmjet një formulari për futjen e të dhënave, qytetarët vendosin të dhënat e kartelës së tyre pagesore. Zakonisht pagesa e shumës origjinale kryhet menjëherë, dhe pas njëfarë kohe kryhet një transaksion më i madh”.
“Këto porosi elektronike janë një përpjekje klasike për mashtrim me qëllim mbledhjen e të dhënave personale për keqpërdorimin e tyre të mëtejshëm. Prandaj, apelojmë tek të gjithë qytetarët që të kenë kujdes, të mos i hapin këto mesazhe dhe të mos kontaktojnë dërguesin përmes linkut të dhënë ose të ndajnë të dhënat personale nëse kërkohet. Kohën e fundit, ky lloj mashtrimi ka marrë një formë tjetër ku qytetarët manipulohen për të investuar në platforma të rreme investimi dhe tregtimi në kriptomonedha”.
“Mashtrimi zakonisht fillon me gjetjen dhe regjistrimin e viktimës në një platformë të supozuar investimi dhe tregtimi të kriptomonedhave, vetëm për t’u kontaktuar (zakonisht me telefon) nga numrat e telefonit të huaj nga autorë të panjohur. Autorët paraqiten si këshilltarë investimi dhe financiarë dhe do të iniciojnë komunikim intensiv dhe të gjatë me viktimat, duke i nxitur ato të investojnë gjithnjë e më shumë mjete financiare. Gjatë komunikimit, autorët e panjohur përmendin gjatë gjithë kohës se viktima mund të tërheqë në çdo moment mjetet financiare të paguara, si dhe fitimet e realizuara. Por kur vjen momenti që të ndodhë, autorët shpikin pengesa të ndryshme dhe të harxhime shtesë për të arritur të njëjtën gjë”, thonë nga MPB.
MPB gjithashtu fton qytetarët që nëse qytetarët gjejnë platforma të caktuara investimi apo shërbime të çfarëdo lloji, duhet të kryejnë një kontroll online për legjitimitetin dhe origjinalitetin e tyre, pra nëse plotësojnë disa kritere për rregullimin ndërkombëtar për broker.
Lajme nga vendi
Fetai: Një hap më afër drejt transparencës në menaxhimin me pronën shtetërore

Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi dje kërkesën e Kabinetit të Zëvendëskryeministrit të ngarkuar për politika të qeverisjes së mire, Arben Fetai për zgjerimin e grupit të punës që do të hartojë Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit final të Revizorit shtetëror mbi menaxhimin e pronës shtetërore.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi efikas, të drejtë dhe të përgjegjshëm të menaxhimit të pasurisë publike, si dhe në parandalimin e keqpërdorimeve dhe mungesës së transparencës që kanë ndodhur në të kaluarën, thekson zëvendëskryeministri Fetai.
Grupi i punës, i udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit, do të përfshijë përfaqësues nga institucionet kyçe shtetërore: Shërbimi i punëve të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë, Ndërmarrja Publike për ndërtimin dhe administrimin e hapësirave banesore dhe afariste (Sh.A. – Shkup), Ndërmarrja Publike për administrimin e hapësirave afariste në pronësi shtetërore (Sh.A. – Shkup), Agjencia për Kadastrën e Pasurive të Paluajtshme, Ministria e Financave, Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë dhe Komisioni për Çështje Banesore.
Për herë të parë në historinë e vendit, po përgaditet edhe Regjistri Kombëtar i Pronës Shtetërore, një nismë e udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit Fetai dhe bazuar në praktikat më të mira evropiane, me qëllim të eliminimit të rrezikut të korrupsionit dhe keqpërdorimeve në këtë sektor të ndjeshëm.
“Ky është një moment kyç për të ndërtuar një sistem modern të menaxhimit të burimeve shtetërore, ku transparenca dhe llogaridhënia janë parimet udhëheqëse,” vlerëson Fetai.
Lajme nga vendi
Mexhiti: 229 milionë denarë për projekte ekologjike, ftoj të gjithë qytetarët të aplikojnë!

Zëvëndëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti, sot ka njoftuar për shpalljen e Konkursit publik për ndarjen e mjeteve nga Programi për Investime në Mjedis për vitin 2025.
“Me këtë program synojmë të financojmë projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mjedisit; ujë të pastër, tokë të shëndetshme, biodiversitet të mbrojtur dhe vetëdije më të lartë publike. Kemi ndarë gjithsej 229 milionë denarë, të cilat do të shpërndahen për kanalizime dhe pastrim të ujërave të zeza; për ujësjellës; për projekte kërkimore e arsimore; si dhe për edukim dhe vetëdijesim mjedisor”, ka shkruar ministri Mexhiti.
Ai tutje në këtë njoftim ka ftuar të gjithë qytetarët e gjitha kategorive që të aplikojnë dhe ka veçuar kriteret të cilat do të kenë përparësi.
“Ftoj të gjitha komunat, OJQ-të, institucionet arsimore dhe shkencore, si dhe çdo individ apo organizatë që ka ide dhe vullnet të kontribuojë, që të aplikojnë. Këtë vit i japim rëndësi të veçantë zgjidhjeve inovative, ndaj ftoj veçanërisht kompanitë startup dhe IT që të sjellin ide të reja për një mjedis më të mirë. Afati është 3 javë nga dita e sotme dhe formularët janë të disponueshëm në faqen e Ministrisë”, ka përfunduar ministri Mexhiti.
Lajme nga vendi
Çair, hidhet koktej molotovi për të djegur një kazino

Më 8 prill, në orën 03:31, në SPB Shkup është raportuar nga një kazino në rajonin e Çairit se dy persona kishin hedhur një shishe me lëng të ndezshëm para hyrjes së kazinosë. Punonjësit e sigurimit e kanë shuar zjarrin.
Nuk ka persona të lënduar.
Po merren masa për zbardhjen e rastit.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve