Lajme nga vendi
Gjashtë autobusët ekologjikë iu dorëzuan autoriteteve lokale në Shkup, donacion nga BE-ja‼
Donacioni nga BE-ja prej gjashtë autobusëve ekologjikë ka mbërritur në garazhet dhe drejtorinë e NTP Shkup në Autokomanda. Promovimi i autobusëve u bë në prani të drejtorit të NTP-së, kryetares së qytetit të Shkupit, ministrit të Mjedisit jetësor, si dhe Delegacionit të BE-së në vend, transmeton Portalb.mk.
Sipas informacioneve, autobusët kishin mbërritur më herët në vend, por ndodheshin në magazinat e Doganës.
Çdo autobus ka kapacitet prej 98 pasagjerësh (69 në këmbë + 29 ulëse), duke përfshirë personat me aftësi të kufizuara, gjë që përmirëson më tej qasjen e tyre në shërbimet bazë dhe ofron mundësi për transport publik të aksesueshëm dhe lëvizje të sigurt urbane.
“Ky aktivitet që po zhvillojmë sot është një projekt me vlerë 10 milionë euro që do të kontribuojë në uljen e ajrit të ndotur, sepse është një problem mjedisor që e ndjejmë menjëherë pas fillimit të sezonit të ngrohjes”, tha ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, Mihail Rokas, gjatë dorëzimit të gjashtë autobusëve ekologjikë.
Projekti, siç shtoi ai, përfshin qytetet e Manastirit, Kumanovës, Shkupit dhe Tetovës, përkatësisht ato që përballen me ndotje të shtuar të ajrit.
“Transporti është arsyeja e sasisë së madhe të emetimeve të dioksidit të karbonit që ne lëshojmë në atmosferë. Në këtë mënyrë u mundësojmë qytetarëve që në vend të automjeteve individuale të përdorin transportin publik. Duhet ta bëjmë transportin publik që sa më pak të ndotë”, theksoi Rokas.
Kryetarja e qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, tha se donacioni nga Bashkimi Evropian është sukses për qytetin e Shkupit, duke shprehur shpresën se ky aktivitet do t’i motivojë këshilltarët e qytetit të Shkupit që të votojnë për blerjen e 250 autobusëve të tjerë ekologjikë.
“Ky është vërtet një sukses i madh i Qytetit të Shkupit dhe dëshmi se kur administrata jonë e qytetit nuk është e bllokuar, është në gjendje të zbatojë diçka nga e cila përfiton Qyteti i Shkupit dhe mbarë vendi. Shpresoj se sot me këtë projekt do t’i motivojmë të gjithë palët e interesuara dhe ata këshilltarë të Qytetit të Shkupit që duhet të votojnë edhe për 250 autobusë të tillë ekologjikë”, tha Arsovska.
Ministri i Mjedisit Izet Mexhiti nga ana tjetër tha se përkundër masave ekzistuese të qeverisë për uljen e ndotjes së ajrit, ministria e tij dhe qeveria janë duke ndërmarrë hapa të tjerë shtesë për t’u marrë me problemin e kahershëm të qytetarëve të Shkupit.
“Sot është një ditë e veçantë, sepse me ndihmën e BE-së kryeqyteti ynë po merr 6 autobusë të rinj. Me pasurimin e flotës së NTP-së, po përmirësojmë kushtet për shfrytëzimin e transportit publik. Pavarësisht masave të qeverisë për uljen e ndotjes së ajrit, ne kemi ndërmarrë hapa shtesë. Do të marrim 100-120 autobusë elektrikë për nevojat e komunave dhe qytetit të Shkupit. Ajri nuk njeh kufij dhe duhet të veprojmë të gjithë së bashku”, tha Mexhiti.
Donacion nga BE-ja bëhet përmes projektit “BE për ajër të pastër”. Siç informuan organizatorët e ngjarjes, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projektit (UNOPS), këta autobusë janë një hap i rëndësishëm në rrugën e qytetit të Shkupit drejt reduktimit të emetimeve, përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe promovimit të lëvizshmërisë së qëndrueshme urbane.
Donacioni vjen pasi autobusët e NTP-së kanë ndërprerë qarkullimin për shkak të mungesës së naftës, pas së cilës Qeveria ka vendosur që qytetit të Shkupit t’i huazojë naftë nga rezervat shtetërore të naftës. Të nesërmen e këtij vendimi, banorët e Shuto Orizarit, të udhëhequr nga kryetari i tyre Kurto Dudush, kanë protestuar para qytetit dhe kanë kërkuar dorëheqjen e kryetares, pasi në këtë komunë ka më shumë se 730 ditë që nuk ka transport.
Problemi me transportin publik të qytetit kulmoi me 20 nëntor pasi, për shkak të mungesës së naftës, shumica e autobusëve të NTP-së mbetën të parkuar në bazat e tyre. Janë vënë në qarkullim 25 autobusë me gaz natyror dhe disa të tjerë që kanë rezervë nafte.
Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi nga Beogradi mundësinë e blerjes së autobusëve të rinj elektrikë për tejkalimin e këtij problemi të vazhdueshëm.
Prej se Arsovska është kryetare, transporti publik në Shkup është kolaps dhe nuk funksionon. Nuk ka autobusë të rregullt, duhet të presësh një orë në stacione, dhe kur vjen autobusi është plot me pasagjerë.
Danela Arsovska u bë kryetare e Shkupit si kandidate e VMRO-DPMNE-së me premtimin për transport falas për të gjithë qytetarët dhe blerjen e 250 autobusëve të rinj ekologjikë.
Lajme nga vendi
Universiteti i Tetovës e filloi implementimin e Projektit të Transformimit të Gjelbër në Maqedoninë e Veriut
Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit i Universitetit të Tetovës, ka filluar zbatimin e Projektit të Transformimit të Gjelbër, të përgatitur me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe koordinatorin për Transformimin e Gjelbër të Universitetit Çanakkale, Onsekiz Mart.
Ky projekt synon të ofrojë trajnime për transformimin e gjelbër në një hapësirë të gjerë nga Ballkani dhe të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm. Një nga objektivat e projektit është inkurajimi i mundësive të barabarta në qasjen e proceseve të transformimit të gjelbër, i cili parashikohet t’u mundësojë të rinjve nga vende të ndryshme të trajnohen në fushën e transformimit të gjelbër dhe të punësohen.
Po ashtu, projekti synon të rrisë njohuritë dhe aftësitë e të rinjve, të zgjerojë mundësitë e punësimit në sektorë kritikë për zhvillimin e qëndrueshëm, duke kontribuar njëkohësisht në parimet e qëndrueshmërisë mjedisore, sociale dhe ekonomike.
Presidenti i TİKA-s Serkan Kayalar dhe Rektori i Universitetit të Çanakkale Onsekiz Mart Prof. Dr. R.Cüneyt Erenoğlu janë koordinatorë të Transformimit të Gjelbër ndërsa projekti realizohet nën drejtimin e Dr. Dilvin İpek dhe Recep Çetinkaya nga TIKA dhe Assoc Dr. Didem Saygın, Dr. Tuğçe Yıldız, Dr. Savaş Gürdal dhe. Dr. Kadir Yılmaz nga Universiteti i Çanakalasë, ndërkaq Prof. Dr. Erhan Sulejmani është koordinator nga Universiteti i Tetovës. Trajnimet, të cilat kanë filluar në Maqedoninë e Veriut, pritet të vazhdojnë edhe në vende të tjera në të ardhmen.
Përfaqësuesit e Universitetit të Tetovës dhe Universitetit të Çanakalasë shprehën kënaqësinë e tyre që e drejtojnë këtë projekt të vlefshëm i cili do të kontribuojë për një të ardhme të qëndrueshme.
Lajme nga vendi
Kryetarja e Qytetit të Shkupit nuk do të kandidoj në zgjedhjet e ardhshme lokale
Kryetarja aktuale e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska nuk do të kandidoj për një mandat të ri. Në deklaratën për media dhënë sot pas pranimit të gjashtë autobusëve të rinj ekologjikë për nevojat e NQP-së, Arsovska tha se gjendja në vend është tejet e polarizuar dhe se nuk planifikon të bashkëpunojë me njerëz që dinë vetëm të sabotojnë dhe bllokojnë.
Do doja që së paku një herë të tregojnë para qytetarëve se atë që thonë, do të mund ta realizojnë në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme të kenë mbështetje. Kur kam kandiduar për kryetar komune kam pasur mbështetjen e VMRO-DPMNE-së e cila fatkeqësisht nuk arriti ta tejkalojë veten… Faleminderit, por me njerëz të tillë që dinë vetëm të sabotojnë dhe të bllokojnë nuk do të doja asnjëherë të bashkëpunoj”, ka thënë Arsovska.
E pyetur nëse me zhvillimet e fundit në NQP ka filluar fushata për zgjedhjet lokale, Arsovska tha se nuk do të hyjë në agjendat politike, por se qytetarët janë të vetëdijshëm të mund të vlerësojnë se kush janë ata që mundën ta zgjidhin problemin me transportin publik në tre vitet e fundit.
“Nëse dikush thotë se këtë problem do ta zgjidh vitin e ardhshëm pas zgjedhjeve lokale, pyeteni pse nuk e ka zgjidhur deri tani. Sepse Këshilli është ai që ka mundur vendimin për furnizimin e autobusëve të rinj ta miratojë tre vjet më parë. Pse nuk është miratuar një vendim i tillë duhet t’i pyesni ata. Të mund pa vendim të Këshillit, Qyteti i Shkupit të funksionojë dhe të mund të bënte furnizim publik, deri tani do të ishte bërë”, ka thënë Arsovska.
Lajme nga vendi
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti takoi ambasadorin norvegjez në Kroaci: Rajonit i duhet stabilitet dhe pajtim
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, sot në Zagreb, takoi ambasadorin e Norvegjisë në Kroaci z. Arne Bjornstad.
Kryetari Ahmeti dhe Ambasadori norvegjez diskutuan për situatën politike në rajon, integrimit europian të Maqedonisë së veriut, marrëveshjen e Ohrit dhe sundimin e ligjit.
Kryetari Ahmeti informoi ambasadorin norvegjez që pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Maqedoni të veriut, nuk u respektua vullneti i qytetarëve shqiptarë nga mandatari.
Stabiliteti dhe siguria në vend burojnë nga Marrëveshja e Ohrit e cila rregullon marrëdhëniet midis komuniteteve dhe garanton paqen, sigurinë dhe stabilitetin.
Prandaj, gjuha shqipe nuk duhet të preket me diktat politik të qeverisë pa legjitimitet etnik.
Z. Ahmeti shprehu shqetësim edhe nga largimi nga perspektiva europiane dhe tensionini i marrëdhënieve me fqinjtë.
Ahmeti theksoi që në rajon nevojitën dy procese historike, e para, pajtim historik shqiptaro-serb me njohje reciproke të Kosovës dhe Serbisë si dhe marrëveshje rajonale e të gjithë fqinjëve, Bulgarisë, Greqisë, Serbisë, Shqipërisë dhe Kosovës për mos cënim të integritetit teritorial të Maqedonisë së veriut.
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve