Lajme nga vendi
Këshilli Gjyqësor vendosi për ankesën e SHGM-së: qortim publik për gjykatësen Spiroska Paneva

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) sot mbajti një konferencë për media, ku u prezantua publikisht vendimi i Këshillit Gjyqësor, i cili përfaqëson një hap të rëndësishëm për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në Maqedoninë e Veriut.
Më 10 tetor të këtij viti, Këshilli Gjyqësor mori një masë disiplinore – qortim publik për gjykatësen Jovanka Spiroska Paneva, me të cilën u konfirmua se ajo në mënyrë të paligjshme i kishte ndaluar publikut të ndiqte ballafaqimin gjyqësor ndërmjet biznesmenit Koço Angjushev dhe koleges së tij Cvetkovska për rastin “Feroinvest kundër medias IRL”, një proces në të cilin gazetarët u penguan të informonin qytetarët për këtë proces të rëndësishëm gjyqësor.
Në vendimin e Këshillit Gjyqësor është theksuar qartë se, “përjashtimi i publikut gjatë seancave gjyqësore përbën një shkelje të rëndë të transparencës dhe të drejtës për informim, gjë që është me rëndësi thelbësore për lirinë e medias.”
Dragan Sekullovski, drejtori i SHGM-së, theksoi se me veprimin e gjykatëses për largimin e gazetarëve nga salla e gjykatës, liria e medias sulmohet drejtpërdrejt, arsye për të cilën vendimi i Këshillit Gjyqësor është një shembull pozitiv për mbrojtjen e lirisë së shprehjes.
“Ky veprim i gjykatëses Spiroska Paneva konsiderohet si një gabim i rëndë profesional dhe një sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias, në kundërshtim me Ligjin për Procedurën Civile. Prandaj ky vendim përbën një pikë kthese për komunitetin e medias. Kjo dërgon një mesazh të qartë se liria e informimit duhet të mbrohet. Njëkohësisht, ky është një hap drejt garantimit të transparencës në proceset gjyqësore dhe se ligjet duhet të respektohen nga të gjithë gjykatësit” – tha Sekullovski.
Më 19 tetor 2023, SHGM-ja dorëzoi ankesë në Këshillin Gjyqësor, duke kërkuar përgjegjësi nga gjykatësja Spiroska Paneva për përjashtimin e publikut nga seanca e sipërpërmendur, si dhe ngritjen e një procedure disiplinore. SHGM-ja mori pjesë aktive në të gjitha katër seancat para Komisionit të përbërë nga tre gjykatës, duke paraqitur prova relevante që konfirmonin veprimet e parregullta të gjykatëses.
Vendimi i Këshillit Gjyqësor tregon se siguria dhe liria e gazetarëve janë me rëndësi thelbësore për proceset demokratike, dhe transparenca e autoriteteve gjyqësore është e nevojshme.
SHGM-ja bëri përpjekje të mëdha në këtë rast dhe vendimi përfundimtar është një konfirmim për rëndësinë e interesit publik dhe të drejtës për informim nga seancat gjyqësore, që duhet të jetë një mesazh për të gjithë gjyqtarët.
Për rikujtim, rasti ka të bëjë me storjen “Komplot kundër ajrit”, e publikuar më 24 tetor 2023 nga Laboratori i Gazetarisë Hulumtuese (IRL). Reagimet për këtë rast çuan në protesta nga gazetarët dhe punonjësit e medias, të cilët shprehën publikisht revoltën e tyre kundër padrejtësive.
Gjithashtu, vendimi kundër IRL-së, me të cilin gjykata mori rolin për të përcaktuar kush ka të drejtë të jetë gazetar e kush jo, shkaktoi reagime të ashpra nga Federata Evropiane e Gazetarëve.
Prandaj, ne besojmë se vendimi i Këshillit Gjyqësor për masën disiplinore do të shërbejë si një nxitje për autoritetet gjyqësore në të ardhmen që të njohin dhe mbrojnë rëndësinë e lirisë së shprehjes dhe interesit publik.
Lajme nga vendi
Aksioni policor në Haraçinë, është arrestuar personi që kërkohej për vuajtje të dënimit me burg

MPB Maqedoni njofton se sot në Haraçinë është arrestuar 40-vjeçarin me iniciale A.B., i cili ishte i dënuar për zhvatje dhe dhunë, dhe po kërkohej për vuajtje të dënimit me burg.
“Sot (18.04.2025) rreth orës 08:30 në fshatin Haraçinë, pas ndërmarrjes së masave operative dhe taktike, zyrtarët policorë e kanë privuar nga liria A. B. (40) nga Shkupi”.
“Personi kërkohej me urdhër qendror në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Shkup për vuajtje të dënimit me burg prej tre vjetësh për veprën penale “zhvatje” nga neni 258 paragrafi 2, lidhur me nenin 1, në lidhje me nenin 45, paragrafi 1, dhe një vit burg për veprën “dhunë” nga neni 386, paragrafi 3, në lidhje me nenin 1 nga Kodi Penal. Personi është dërguar në Institucionin Korrektues Idrizovë për vuajtje të dënimit”, thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
Policia sekuestron dy vetura, zhvillonin gara në magjistralen Kumanovë–Shkup

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se janë sekuestruar 2 vetura pas raportimeve për gara të jashtëligjshme në magjistralen Kumanovë-Shkup
“Më datë 16.04. dhe me datë 17.04.2025, në Policinë e Kumanovës është raportuar se në magjistralen Kumanovë – Shkup janë duke u zhvilluar gara të egra me vetura që shkaktonin zhurmë të madhe. Menjëherë janë marrë masa nga punonjësit policorë të Stacionit Policor për Siguri në Komunikacionin Rrugor pranë Drejtorisë së Punëve të Brendshme në Kumanovë dhe për shkak të dyshimit për kundërvajtje në komunikacion, automjeti i pasagjerëve “BMW” me targa regjistrimi të Prilepit i drejtuar nga M.V. (20) nga fshati Dollneni i Prilepit dhe automjeti i pasagjerëve “Volkswagen Polo” me targa të Tetovës, i drejtuar nga B.R. (21) nga Tetova, janë sekuestruar. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tyre do të bëhen denoncimet përkatëse”, thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
BDI: HISTORI PA SHQIPTARË – PROGRAMI I RI PËR KLASËN E VII-TË I FSHIN SHQIPTARËT NGA TEKSTET SHKOLLORE

Programi i ri i Byrosë për Zhvillim të Arsimit pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për lëndën “Histori dhe Shoqëri” në klasën e VII-të përfaqëson një hap prapa dhe një fyerje të rëndë për shqiptarët në këtë vend.
Ky dokument, që duhet të udhëzojë autorët në përgatitjen e librave shkollorë, i injoron plotësisht shqiptarët, kulturën, historinë dhe kontributin e tyre në shtetin tonë të përbashkët.
Në versionin e mëparshëm të këtij programi, të përgatitur nga qeveria e kaluar, qartazi kërkohej që nxënësit të mësojnë historinë e popullit të tyre dhe të popujve të tjerë që jetojnë në vend.
Aty nxitej ndërgjegjësimi për identitetin, bashkëjetesën dhe respektin ndërkulturor.
Në programin e ri, këto përmbajtje janë fshirë pa asnjë shpjegim. Mungon çdo përmendje për shqiptarët dhe për rolin e tyre në zhvillimet historike, kulturore dhe shoqërore të këtij shteti.
Ky nuk është një ndryshim teknik. Është një mesazh politik – për të krijuar një histori ku shqiptarët nuk ekzistojnë.
Është përjashtim i qëllimshëm nga rrëfimi i përbashkët dhe një përpjekje për të ndryshuar mënyrën se si brezat e rinj do ta kuptojnë këtë vend dhe ata që jetojnë në të.
Historia dhe shoqëria nuk mund të mësohen duke injoruar njërin nga popujt kryesorë të shtetit.
Programi i ri jo vetëm që ua mohon nxënësve shqiptarë të drejtën për të parë veten në librat shkollorë, por dëmton vetë përpjekjen për bashkëjetesë, barazi dhe respekt të ndërsjellë.
U bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse që të tërheqin këtë program të njëanshëm dhe të rikthejnë një qasje gjithëpërfshirëse që reflekton realitetin shoqëror dhe historik të Maqedonisë së Veriut.
Shqiptarët nuk janë të padukshëm – as në të kaluarën, as në të tashmen, dhe nuk mund të përjashtohen nga asnjë faqe e historisë sonë të përbashkët.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve