Lajme nga vendi
VLEN: Është zbuluar një aferë korrupsioni përmes Lotarisë Shtetërore në vlerë prej tre milionë euro

Koalicioni VLEN sot filloi një seri konferencash për shtyp, ku do t’i prezantojnë opinionit siç shprehen informacione që përbëjnë dyshime të bazuara për korrupsion politik, në regji të figurave të shquara të ashtuquajturit Front Europian.
“Bëhet fjalë për skandale serioze, të cilat ndër të tjera do të zbulojnë metodat me të cilat BDI dhe Artan Grubi kanë vepruar për të siguruar ndikim politik, ku ky i fundit ka qenë zbatuesi direkt i të gjitha skenarëve të korrupsionit politik. Në këtë konferencë për shtyp do të publikojmë informacione për tenderët e fituar nga kompania e lidhur familjarisht me deputetin e Frontit Europian, Elmi Aziri, i cili ka qenë një nga mbështetësit më të zëshëm të koalicionit mes Ziadin Selës dhe Ali Ahmetit. Artan Ajruli paraqitet si pronari i kompanisë RITRON KOPI DOOEL, import-eksport Kumanovë, i cili është nipi i bashkëshortes së Elmi Azirit. Kjo kompani gjatë vitit 2022, për vetëm tre muaj ka fituar dy furnizime publike në Lotarinë Shtetërore ku drejtor ka qenë Përparim Bajrami, dora e djathtë e Artan Grubit. Furnizimet kanë të bëjnë me pajisje kompjuterike, stacione grafike dhe TV për tërheqjen e lotarisë, si dhe televizorë për instalimin e lojërave elektronike. Vlera totale vetëm për këto dy furnizime përmes Lotarisë Shtetërore, së bashku me anekset, arrin rreth 3 milionë denarë”, deklaroi Bujare Abazi, VLEN.
Sipas saj këto janë informacione vetëm nga një institucion.
“Ky informacion skandaloz është konfirmim i drejtpërdrejtë se BDI ka sunduar si organizatë kriminale në rrjetin e së cilës janë kapur ata që politikën e perceptojnë si mundësi për pasurim personal dhe familjar. Të nderuar, shihni pra ironinë! Kuadrot e Ziadin Selës dhe Ali Ahmetit, të cilët gjatë ditës në mënyrë të rreme mbrojnë qytetarët nga lojërat e fatit, kanë përfituar pikërisht nga bizneset me kazinotë. Kryetari i degës në Bogovinë, Safet Miftari, është arrestuar për organizim kriminal të lojërave të fatit në internet, kompania familjare e deputetit Elmi Aziri ka marrë tenderë nga Lotaria Shtetërore. Mezi presim që Fronti Europian të dalë më në fund në mejdan me anëtarësinë e tyre. Na intereson shumë kur do t’u shpjegojnë se mijëra njerëz i lanë pa status profesional të zgjidhur, vetëm për t’i shantazhuar për vota para zgjedhjeve, ndërsa funksionarët e tyre grabisnin çdo gjë që u vinte në dorë. Pason përgjegjësia, drejtësia do të arrijë të gjithë ata që kanë mëkatuar para ligjeve. Do të ketë përgjegjësi; drejtësia do t’i arrijë të gjithë ata që kanë shkelur ligjet”, tha Abazi.
Lajme nga vendi
Fetai: Një hap më afër drejt transparencës në menaxhimin me pronën shtetërore

Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi dje kërkesën e Kabinetit të Zëvendëskryeministrit të ngarkuar për politika të qeverisjes së mire, Arben Fetai për zgjerimin e grupit të punës që do të hartojë Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit final të Revizorit shtetëror mbi menaxhimin e pronës shtetërore.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi efikas, të drejtë dhe të përgjegjshëm të menaxhimit të pasurisë publike, si dhe në parandalimin e keqpërdorimeve dhe mungesës së transparencës që kanë ndodhur në të kaluarën, thekson zëvendëskryeministri Fetai.
Grupi i punës, i udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit, do të përfshijë përfaqësues nga institucionet kyçe shtetërore: Shërbimi i punëve të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë, Ndërmarrja Publike për ndërtimin dhe administrimin e hapësirave banesore dhe afariste (Sh.A. – Shkup), Ndërmarrja Publike për administrimin e hapësirave afariste në pronësi shtetërore (Sh.A. – Shkup), Agjencia për Kadastrën e Pasurive të Paluajtshme, Ministria e Financave, Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë dhe Komisioni për Çështje Banesore.
Për herë të parë në historinë e vendit, po përgaditet edhe Regjistri Kombëtar i Pronës Shtetërore, një nismë e udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit Fetai dhe bazuar në praktikat më të mira evropiane, me qëllim të eliminimit të rrezikut të korrupsionit dhe keqpërdorimeve në këtë sektor të ndjeshëm.
“Ky është një moment kyç për të ndërtuar një sistem modern të menaxhimit të burimeve shtetërore, ku transparenca dhe llogaridhënia janë parimet udhëheqëse,” vlerëson Fetai.
Lajme nga vendi
Mexhiti: 229 milionë denarë për projekte ekologjike, ftoj të gjithë qytetarët të aplikojnë!

Zëvëndëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti, sot ka njoftuar për shpalljen e Konkursit publik për ndarjen e mjeteve nga Programi për Investime në Mjedis për vitin 2025.
“Me këtë program synojmë të financojmë projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mjedisit; ujë të pastër, tokë të shëndetshme, biodiversitet të mbrojtur dhe vetëdije më të lartë publike. Kemi ndarë gjithsej 229 milionë denarë, të cilat do të shpërndahen për kanalizime dhe pastrim të ujërave të zeza; për ujësjellës; për projekte kërkimore e arsimore; si dhe për edukim dhe vetëdijesim mjedisor”, ka shkruar ministri Mexhiti.
Ai tutje në këtë njoftim ka ftuar të gjithë qytetarët e gjitha kategorive që të aplikojnë dhe ka veçuar kriteret të cilat do të kenë përparësi.
“Ftoj të gjitha komunat, OJQ-të, institucionet arsimore dhe shkencore, si dhe çdo individ apo organizatë që ka ide dhe vullnet të kontribuojë, që të aplikojnë. Këtë vit i japim rëndësi të veçantë zgjidhjeve inovative, ndaj ftoj veçanërisht kompanitë startup dhe IT që të sjellin ide të reja për një mjedis më të mirë. Afati është 3 javë nga dita e sotme dhe formularët janë të disponueshëm në faqen e Ministrisë”, ka përfunduar ministri Mexhiti.
Lajme nga vendi
Çair, hidhet koktej molotovi për të djegur një kazino

Më 8 prill, në orën 03:31, në SPB Shkup është raportuar nga një kazino në rajonin e Çairit se dy persona kishin hedhur një shishe me lëng të ndezshëm para hyrjes së kazinosë. Punonjësit e sigurimit e kanë shuar zjarrin.
Nuk ka persona të lënduar.
Po merren masa për zbardhjen e rastit.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve